Katari – një botë e re në Ballkan


Katari është shteti më i pranishëm në mendimin e përgjithshëm dhe në konsultimet e njerëzve, sidomos në Evropë, te politikanët, publicistët, vendimmarrësit, mendimtarët etj. Kjo famë e madhe për këtë shtet të vogël ka ngjallë xhelozi për të, prandaj thuhet: “Sa më shumë që rritet njeriu, aq më shumë i shtohen sprovat dhe stuhitë.”

Shkruan: Benjamin IDRIZ, Shkup*

Pothuajse çdo ditë në shtypin evropian gjen një raport ose një analizë për Katarin. Shumica i kushtojnë vëmendje rolit politik të Katarit në rajon, por i shmangen dhe e lënë në harresë një pjesë bukur të rëndësishme të këtij shteti. Sigurisht kjo vlen për shkak se politika a Katarit kërkon qasje më objektive dhe më shumë përkushtim. Disa fuqi perëndimore fshehin një mllef paksa të çuditshëm ndaj Katarit, andaj përpiqen që përmes raporteve të ndryshme t’i zmadhojnë punët e vogla dhe t’i minimizojnë veprat e mëdha. Kështu përqendrohen te një poet nga Katari që është dënuar nga gjyqi (për ndonjë vepër), e në anën tjetër nuk i përmendin sukseset e këtij shteti. Mëtojnë ta paraqesin Katarin si mbështetës të “islamisteve”, ndërsa nuk shkruajnë asgjë për rolin e Katarit për lirimin e 13 pengjeve ortodokse të rrëmbyera në qytetin Malula të Sirisë ose lirimin e një të rrëmbyere zvicerane në Jemen e as nuk shkruajnë për organizimin e konferencës ndërkombëtare “Aleanca e civilizimeve”, të  mbajtur në Doha në vitin 2011, për organizimin vjetor të konferencës “Amerika dhe bota islame” dhe sikur nuk e njohin fare konferencën vjetore për dialog ndërfetar, të cilën e organizon “Qendra Ndërkombëtare e Dohas për dialog mes feve” (DICID), ku plotësisht të barabartë marrin pjesë hoxhallarë, priftërinj dhe rabinë. Ata të gjithë së bashku nga Doha bëjnë ftesë për dialog, për tolerancë dhe luftim të të gjitha llojeve të radikalizmit, dhunës dhe shtypjes. Ky imazh i Katarit nuk përputhet me propagandat e atyre që duan ta shëmtojnë atë. Në të vërtetë, përmes këtyre propagandave ata synojnë Kampionatin Botërore të Futbollit – 2022, nikoqir i të cilit do të jetë Katari. Ata sikur thonë: “Kjo është e papranueshme, sepse Kampionati Botëror është një mall i papranueshëm për tregun arab.”
Katari është shteti më i pranishëm në mendimin e përgjithshëm dhe në konsultimet e njerëzve, sidomos në Evropë, te politikanët, publicistët, vendimmarrësit, mendimtarët etj. Kjo famë e madhe për këtë shtet të vogël ka ngjallë xhelozi për të. Katarin nuk e kanë zili vetëm për “pragmatizmin dhe pavarësinë politike”, por edhe për “ndihmën dhe përkrahjen e aspiratave nërealizimin e drejtësisë, lirisë dhe demokracisë së përgjithshme, sepse Katari ka zgjedhur të mos mbetet nën margjinat e historisë, por synon të luajë rol të dukshëm në çështjet globale dhe të vë komunikim me shtetet e tjera”, siç theksoi ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Dr. Khalid Bin Mohamed al-Attiyah. 
Megjithatë qëllimi i këtij trajtimi nuk është vlerësim i rolit të Katarit në Lindjen e Mesme, por më shumë do të bëhet fjalë për rolin e Katarit në Evropë, në theks të veçantë në atë që ka mbetur e heshtur. Marrëdhëniet politike dhe ekonomike që e lidhin Katarin me Evropën janë një temë shumë e gjerë, prandaj këtu do të përqendrohemi vetëm në kontributin e Katarit në ndërtimin e urave të komunikimit ndërkulturor, kjo përmes një sërë projektesh në disa shtete evropiane, e posaçërisht në vendet ballkanike, nga të cilat mund të kuptohet më saktë politika e jashtme e Katarit. 

Projekti i parë: Biblioteka “Gazi Husrev Beg” – Bosnjë e Hercegovinë 

Kur e kërkon në wikipedia (në internet) Bibliotekën “Gazi Husrev Beg” (e themeluar në vitin 1537 m. në Sarajevë), do të vëresh se në faqen e saj në gjuhën arabe nuk ka qasje për asnjë, kurse në bibliotekën e Bodlinit në Oksford (e themeluar në vitin 1602 m. në Britani) mund të gjesh informacione të bollshme. Biblioteka “Gazi Husrev Beg” për shekuj me radhë vazhdon ta përfaqësojë trashëgiminë më të pasur kulturore e shkencore në Evropë dhe në Ballkan. Gjatë luftës së fundit në Bosnjë, mes viteve 1992-1995, bibliotekës i kanosej rrezik që të shkatërrohet, por myslimanët e Sarajevës e mbrojtën pasurinë e saj shkencore, duke i mbrojtur dorëshkrimet dhe dokumentet, numri i të cilave arrin 10.561, prej të cilave 60% janë në gjuhën arabe, 40% në gjuhën osmane dhe perse. Dorëshkrimi më i vjetër që gjendet në Bibliotekë, daton qysh në vitin 1106 m., më konkretisht është vëllimi i katërt i librit “Ihja ulumu ed-din” i Imam Ebu Hamid el-Gazalit (vdiq në vitin 1111 m.). Kjo d.t.th. se dorëshkrimi i librit të tij ka arritur në Bosnjë pesë vjet para vdekjes së tij. Libri i Imam Gazaliut është më i vjetër se “Dokumenti i Pan Kolinit”, të cilin Pan Kolini e ka hartuar në vitin 1189 m. Gjithashtu Biblioteka posedon dorëshkr¬ime hebraike 600 vjet të vjetra, të cilat në shek. XIV i sollën hebrenjtë kur u dëbuan nga Spanja. Kjo bibliotekë e vjetër dhe e veçantë, ku fondi i librave sot arrin në mbi 100.000 sosh, ishte në humbje dhe shkatërrim e sipër po të mos ishte iniciativa e ish-kryetarit të ndjerë të Bosnjës Alija Izetbegoviq, dhe e e Reis ul-Ulemasë se asaj kohe, Mustafa ef. Ceriq, të cilët menjëherë pas luftës shpejtuan ta shpëtojnë Bibliotekën. Por, ndërmarrja e tyre do të ishte e pasuksesshme pa donacionin e emirit të Shtetit të Katarit, Shejh Hamd bin Khalifa Al Thani, i cili projektit për restaurimin e ndërtesës dhe ambientimin e saj të brendshëm me sipërfaqe prej 7000 m2 iu përgjigj me shumë dëshirë. Në të punojnë ekspertë dhe akademikë, të cilët kujdesen për librat dhe i mbrojnë ato nga dëmtimi ose shkatërrimi mundshëm. Këtu duhet të ceket edhe se Emiri i Katarit qysh në vitin 1998 e ka mbështetur edhe rikonstruktimin e objektit historik të Fakultetit të Shkencave Islame në Sarajevë.
Ministri i Vakëfit të Katarit, Gajth bin Mubarel Al-Kuwari në fjalën e tij të rastit gjatë hapjes së Bibliotekës me 15 janar 2014 fliste për rolin e madh që mund të kenë këto institucione kulturore dhe akademike në këtë pjesë strategjike të botës. Duke u gjendur në një pikë të ndërmjetme mes botës islame dhe asaj perëndimore, kështu mund të ngjallet një dialog paqësor që do t’u shërbejë të gjithëve. 

Projekti i dytë: Qendra Islamike në Rjekë – Kroaci

Qyteti bregdetar kroat, Rjeka, i cili është i populluar me shumicë katolike, nuk njeh në historinë e tij të jetë vizituar nga më shumë se 25.000 vizitorë në ditë, pos ditën kur u bë hapja solemne e xhamisë, më 4 maj të vitit të kaluar. Ky numër i madh i të pranishmëve nuk qe vetëm për ta parë hapjen e xhamisë përballë Detit Adriatik, por edhe për ta shoqëruar delegacionin e lartë politik të ardhur nga Zagrebi. Aty morën pjesë: kryetari i Republikës së Kroacisë, ish-kryetari Stipe Mesiq, kryetari i Parlamentit, kryeministri Zoran Milanoviq. Madje, aty ishte i pranishëm edhe një delegacion nga Bashkimi Evropian, i kryesuar nga Paul van Dorenom  etj. 
Xhamia e Rjekës, ndërtimin e së cilës e mbuloi emiri i Katarit Shejh Hamad bin Khalifa Al Thani, është xhamia e dytë më e madhe në vend pas xhamisë në kryeqytet, Zagreb, të cilën e ndërtoi guvernatori i Emiratit të Sharjahut nga Shteti i Emirateve të Bashkuara, Shejh Sultan bin Muhamed el-Qasimi, në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar. Hapja zyrtare e xhamisë në Rjekë u bë dy muaj para se Kroacia të hyjë në Bashkimit Evropian. Kjo edhe më shumë ia shton namin Kroacisë në Familjen Evropiane, “e cila është e ngritur në baza të pluralizmit dhe shumëllojshmërisë”, siç theksoi van Dorenom në ceremoninë e hapjes. Myslimanët përbëjnë 1.5% nga popullsia e Kroacisë, e cila numëron 4.2 milionë banorë, kurse 87% e saj janë katolikë. Në Rjekë jetojnë 10 mijë myslimanë, nga 63 mijë që janë në mbarë Kroacinë. Gjatë hapjes së xhamisë presidenti i Kroacisë tha: “Ndërtimi i kësaj qendre islame në Rjekë le një porosi shumë kuptimplote, se shumëllojshmëria fetare dhe nacionale janë revolucioni i vërtetë i Kroacisë”. Me hapjen e saj zyrtare sot u përjetësua edhe një realitet siç  tha myftiu i Kroacisë, Aziz Hasanoviq: “Kjo është një hapësirë shpirtërore që do t’i ushqejë shpirtrat dhe do t’u mundësojë të gjithë të pasionuarve që të meditojnë për bukuritë e Rjekës”. Është e vërtetë se asnjë shtet në Evropë nuk mund të krahasohet me Kroacinë për trajtimin dhe kujdesin e barabartë që u kushton myslimanëve, duke ua njohur të gjitha të drejtat. Myslimanët aty jetojnë të barabartë me shumicën katolike dhe me pakicat ortodokse dhe hebraike. Së fundi, kryetari i komunës së Rjekës krenohet me këtë xhami, minarja e së cilës arrin lartësinë 24 m. dhe është pikërisht pranë detit. Gjithashtu ai theksoi se kjo vepër arti do t’i joshë turistët që ta vizitojnë këtë qytet dhe kështu do ta forcojë gjendjen ekonomike të qytetit, i cili posedon portet më të rëndësishme në Evropë. Qendra islamike e re përbën bërthamën e tubimit të myslimanëve të Rjekës dhe të rrethinës, të cilët migruan më herët nga Bosnja, Kosova dhe Maqedonia gjatë kohës së Jugosllavisë dhe u vendosën në bregun e Detit Adriatik në perëndim të Kroacisë. Pas shumë përpjekjeve të myslimanëve të Rjekës, më në fund kërkesa e tyre hasi në zemërgjerësinë e Emirit të atëhershëm të Shtetit të Katarit, Shejh Hamad bin Khalifa Al Thani, i cili i rehatoi zemrat dhe i realizoi aspiratat e tyre. Ndërkaq hapjen zyrtare e bëri ministri i tanishëm i Vakëfit, i cili në hapjen zyrtare, ndër të tjerash, tha: “Shpirti njerëzor rehatohet dhe prehet vetëm me dritën e diturisë dhe bashkëveprimit të gjallë kulturor me të tjerët, edhe pse pikëpamjet fetare dhe kulturore mund të jenë të ndryshme...”

Projekti i tretë: Qendra Kulturore Islame në Lubjanë – Slloveni

Myftiu i Sllovenisë, Nexhad Grabus, në intervistën e dhënë gazetën Asharq Al-Awsat (Lindja e Mesme) me datë 26 tetor 2006, thotë: “Ndërtimi i xhamisë në kryeqytet do të jetë një sprovë për demokracinë evropiane.” Myftiu në fjalë asokohe nuk kishte pritur që Katari të inkuadrohet në një projekt të tillë në Slloveni. Shteti i posapranuar në Bashkimin Evropian ballafaqohej me problemin e lirisë së plotë të myslimanëve dhe lejimin e ndërtimit të qendrës së parë islame në kryeqytetin Lubjanë. Myslimanët atje përbëjnë 2.5% të popullsisë. Ata plot 40 vjet e pritën me padurim dhe me dëshirë të flaktë pëlqimin nga pushteti për realizimin e ëndrrës së tyre të kamotshme, që kur për herë të parë në vitin 1969 e dorëzuan kërkesën e parë për ndërtimin e kësaj qendre. Pas shumë peripecish politike, administrative e infrastrukturore, më në fund përsëri erdhi në ndihmë Emiri i Katarit, Shejh Hamad bin Khalifa Al Thani. Në këtë mënyrë kryeministria sllovene, Alenka Bratushek, më 14 shtator 2013 hodhi gurthemelin e xhamisë së parë në Slloveni, duke u shprehur: “Ky është një ngadhënjim simbolik ndaj të gjitha formave të fanatizmit fetar”. Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe ministri i Vakëfit, i cili e kryesonte delegacionin e Shtetit të Katarit në këtë manifestim. Ai në fjalën e tij të rastit theksoi se ky projekt do të jetë një fotografi reale e bashkëjetesës në këtë vend, ndërsa, nga ana tjetër, do t’u mundësojë myslimanëve të Sllovenisë një hapësirë kulturore dhe shpirtërore më të favorshme, e cila do t’i përgatit për t’i shërbyer Sllovenisë dhe për të ndërtuar marrëdhënie të ekuilibruara me botën islame. Pas kësaj pritet që në vjeshtën e vitit 2016 të përfundojë dhe të lëshohet në përdorim. 

Projekti i katërt: Qendra e Civilizimit Islam në Shkup – Maqedoni

Në Shkup,  aty ku ndahet pjesa lindore (shqiptaro-myslimane) e qytetit nga ajo perëndimore (maqedonase e krishterë), në rrugën qendrore që çon te Kalaja, para xhamisë “Mustafa Pasha”, e cila është xhamia më e vjetër në Ballkan (e ndërtuar në vitin 1492), sulltan Abdul Hamidi i Dytë në vitin 1982 e ndërtoi një kompleks të përbërë prej tri ndërtesave. Njëra do të caktohej seli e valiut të Vilajetit, e dyta do të përdorej si postë për të komunikuar me botën dhe e treta u bë shkollë për t’i përgatitur gjeneratat e ardhshme. 
Pas tërheqjes së osmanlinjve dhe përfundimit të qeverisjes së tyre në juglindje të Ballkanit në vitin 1912, kompleksi mbeti nën pushtetin e Mbretërisë së atëhershme Serbe. Deshi Zoti që dy ndërtesat (selia dhe posta) të mos shkatërrohen, kurse ndërtesa e tretë (shkolla) u shkatërrua tërësisht nga Mbretëria Serbe. Prej saj nuk mbeti asnjë gjurmë, pos disa fotografive që ruhen në arkiv. Sipas fjalëve që qarkullojnë në mesin e popullatës, ndërtesat i ka përdorë ushtria deri në Luftën e Dytë Botëror, kurse gjatë periudhës së komunizmit ato përdoreshin nga firma private për përpunimin e arit “Rubin”. Pas rënies së sistemit komunist, kompania i bleu ato dy ndërtesa nga shteti, të cilat mbetën në pronësi të saj deri në vitin 2011, kur Fondacioni “Qendra e Civilizimit Islam” (FOCIC), me ndihmën e Shtetittë Katarit, i bleu prej saj. Pas themelimit dhe regjistrimit të FOCIC-it në vitin 2006, të cilin e themeluan: aktivisti i mirënjohur Adnan Ismaili, shkruesi i këtyre rreshtave (Bunjamin Idriz) dhe disa aktivistë të tjerë, filluan negociatat me kompaninë e arit “Rubin” për blerjen e ndërtesave. Në të njëjtën kohë Fondacioni kërkonte donatorë për blerjen e kompleksit. Pas një përpjekjeje të lodhshme, Fondacioni atë që e kërkonte që moti e gjeti te Shteti i Katarit. 
Më 4 shkurt 2010 ministri i Shtetit të Katarit, Ahmad bin Abdullah Al Mahmoud, i njoftoi themeluesit e Fondacionit se emiri i Katarit, Shejh Hamad bin Khalifa Al Thani, e ka pranuar financimin për blerjen e kompleksit në fjalë. Ministri njoftonte se Emiri e bën këtë me “qëllim që ta mbrojë trashëgiminë e myslimanëve kudo që janë.”
Kjo përkrahje qe shkas që të fillojnë procedura e shitblerjes, ashtu që më 4 shkurt 2011 Fondacioni dhe kompania “Rubin” nënshkruan marrëveshjen e shitblerjes. 
Megjithatë, brenda kompleksit kishte një sipërfaqe prej 312 m2 në pronësi të Republikës së Maqedonisë. Që të zgjidhej edhe kjo, gjatë vizitës zyrtare të Emirit të Katarit në Maqedoni, më 17 tetor 2011, ai kërkoi nga kryeministri i Maqedonisë që tokën në fjalë t’ia shesë Fondacionit. Kështu më 24 gusht 2012 edhe këto prona shtetërore kaluan në pronësi të Fondacionit. Vlen të theksohet se presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili kishte miqësi me Emirin e Katarit, luajti një rol të rëndësishëm në këtë proces. 
Me blerjen e pronave në fjalë përfundoi faza e parë e synimeve të Fondacionit, sepse pas një shekulli të plotë kështu u mundësua të kthehet vakëfi. Në këtë mënyrë Fondacioni hyri në një fazë të re – për realizimin e synimeve afatgjate, siç është restaurimi i dy ndërtesave të amortizuara dhe rindërtimi i objektit të shkatërruar nga Mbretëria Serbe qysh para njëqind vjetëve.
Duke dashur të kontribuojë në këtë projekt fisnik, Komuna e Bursës (Turqi) shprehu dëshirë të ndihmojë në këtë projekt domethënës për historinë e rajonit. Prandaj i mbuloi shpenzimet e përgatitjes së projektit inxhinierik për restaurimin e kompleksit. Në këtë mënyrë tash Fondacioni, sapo të sigurojë donacion, do të fillojë me realizimin e këtij projekti. 
Kompleksi, pas realizimit, do të përfshijë tre institute: Institutin e Studimeve Ballkanike, Institutin e Interaksionit midis Civilizimeve dhe Institutin e Studimeve Orientale-Islame. Këtu do të përfshihen edhe Qendra për Zhvillim dhe Resurse Njerëzore, biblioteka e përgjithshme, arkivi shkencor, Muzeu i Trashëgimisë Islame, salla e konferencave dhe simpoziumeve shkencore, si dhe hoteli i vakëfit, të ardhurat e të cilit do t’i kthehen Fondacionit, që synon mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore të përbashkët mes popujve të Ballkanit. Fondacioni, po ashtu, synon ngritjen e vetëdijes kulturore, forcimin e bashkëpunimit për luftimin e racizmit, diskriminimit, radikalizmit dhe dhunës. Ndër synimet e Fondacionit është edhe ngjallja e dialogut ndërkulturor dhe stimulimi i tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore mes feve dhe popujve të ndryshëm të Ballkanit. Fondacioni do të formojë edhe rrjetin e komunikimit dhe bashkëpunimit të përbashkët për këmbimin e informacioneve me institucionet e ngjashme nga vendi, rajoni dhe bota, qofshin ato qeveritare ose joqeveritare. Veçori e këtij Fondacioni është se në Këshillin Konsultativ ka personalitete akademike, shkencore dhe shoqërore nga të gjithë anët e Ballkanit, nga Turqia dhe nga Katari, të shumë etnive dhe religjioneve. Ky Këshill tubohet së paku një herë në vit, diskuton për projektet e Fondacionit dhe ofron propozime për institutet e tij. 
Gadishulli Ballkanik ka rëndësi të veçantë, sepse në të bashkëjetojnë dhe takohen popuj, gjuhë dhe kultura të ndryshme. Aty jetojnë popuj që me shekuj karakterizohen me veçori të përbashkëta, madje një ngjashmëri e tillë hetohet edhe në gjuhët e këtyre popujve. Duke u bazuar në këtë realitet, Shkupi nuk është thjesht vetëm kryeqytet i Maqedonisë, por është një kryeqendër ku takohen të gjithë popujt, kulturat dhe gjuhët e ndryshme të Ballkanit. Shkupi është vend i përshtatshëm për themelimin e këtij Fondacioni, ndërsa Maqedonia është kandidate serioze që në të ardhmen të formojë një “civilizim ballkanik”, që do të jetë pikë strategjike ku do të gërshetohet Lindja dhe Perëndimi. Po ashtu Shkupi mund të jetë model për komunikim dhe interaksion ndërkulturor dhe fetar. Të gjitha këto arritje realizohen falë Shtetit të Katarit, që në të kaluarën historike nuk ka pasur ndonjë rol të veçantë në rajonin e Ballkanit. 
Përkrahja e këtij projekti nga Katari i jep një mesazh mbarë botës se projektet e tilla, që mbrojnë trashëgiminë njerëzore, duhet ndihmuar. Ky thesar kulturor u takon atyre që do ta ndërtojnë ardhmërinë, duke u mbështetur në gjeneratat e mëparshme, që ashtu të mund të bashkëpunojnë me të tjerët për ndërtimin e marrëdhënieve mes popujve. Kjo reflekton politikën e Katarit, i cili i përkrah projektet që e inkurajojnë komunikimin, dialogun, bashkëjetesën e shumë etnive, llojllojshmërinë kulturore në Ballkan etj. Kështu shtetet e Ballkanit arritën që ta ruajnë trashëgiminë kulturore, edhe pse gjuhët, fetë dhe etnitë e tyre ishin të ndryshme. Kjo pasqyron gjerësinë e një civilizimi, i cili mund t'i përafrojë të gjitha elementet. Po ashtu popujve të Ballkanit u mundëson që atë ta shfrytëzojnë për vendosjen e paqes në botë, për ngjalljen e dialogut ndërkulturor dhe për aleancën mes civilizimeve. Gjithë kjo sepse popujt e këtij rajoni (të Ballkanit) janë trashëgimtarë të një kulture shumë të rëndësishme dhe të një tolerance.
Katari është shteti i vetëm i Gjirit Arabik, i cili ka hapur ambasadat e veta në mbarë Ballkanin, si në: Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni dhe Shqipëri. Katari synon t'i përforcojë marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike me këtë rajon strategjik që lidh Lindjen islame (viset arabe dhe Turqia) me Perëndimin e krishterë (Evropën), andaj investon në fushën ekonomike dhe zhvillimin njerëzor më shumë sesa në sferën kulturore. Projektet e përkrahura nga Katari kanë prodhuar institute, të cilat kanë ndërtuar dhe mëtojnë të ndërtojnë mendje të shëndosha njerëzore dhe gjenerata të vazhdueshme mendimtarësh. Ato ofrojnë mundësinë e krijimit të mendimit islam, i cili do të jetë transparent në raport me të tjerët dhe jomyslimanët. Në të njëjtën kohë ata kryejnë edhe një detyrim ndaj trashëgimisë kulturore islame dhe njerëzore. P.sh. Biblioteka “Gazi Husrev Beg” në Sarajevë dhe Fondacioni “Qendra e Civilizimit Islam”(FOCIC) në Shkup, me gjithë thesarin kulturor që posedojnë, përbëjnë një trashëgimi njerëzore, e cila duhet siguruar edhe për gjeneratat e ardhshme. 
Krejt kjo përbën një mesazh të fuqishëm për ata që synojnë deformimin e imazhit të Katarit në Evropë, por ‘fatkeqësisht’ doli në shesh më, ngase Katari punon me përkushtim shumë të madh vetëm për punë bamirësie, shkence dhe drejtësie.  
Krejt këto projekte janë realizuar me bindje se kështu do t’i shkurtojnë distancat mes myslimanëve dhe të tjerëve, do t’i rrëzojnë barrierat që e pengojnë komunikimin e ndërsjellë dhe do ta krijojnë boshtin e mendimit shkencor dhe praktik, i cili vërteton se dy botët, Lindja arabe (islame) dhe Evropa, janë dy krahët e një sistemi kulturor që plotëson njëri-tjetrin me dituri, këmbim përvojash dhe resurse ekonomike dhe humanitare. Thënë shkurt, ato janë forcat që mund të formojnë bllokun më të fuqishëm ekonomik, gjeopolitik dhe kulturor në botën e civilizuar. 

* hfz. mr. Benjamin Idriz është Kryetar i Fondacionit “Qendra e Civilizimit Islam” – Shkup dhe Kryetar i Forumit Islam në Mynih – Gjermani/shenja