Ja cilat janë shenjat që ju tregojnë nëse fëmija juaj pi duhan?


“Kollitje, irritim të fytit, zë të ngjirur, erë të keqe nga goja, kondicion të zvogëluar, ngjyrosje e dhëmbëve me ngjyrë të verdhë, frymëmarrje e shkurtuar, ftohje të shpeshta”, cilësohen nga mjekët si shenjat më të shpeshta që ju ndihmojnë të kuptoni nëse fëmija juaj pi duhan. Por, duhet treguar edhe kujdes pasi nëse fëmijës tuaj i vjen trupi dhe teshat era duhan, para se ta akuzoni, pyeteni për erën. Kjo pasi është e mundshme të ketë qenë në sipërfaqe me tym ose me shokë që kanë pirë, ndërsa ai vetë nuk pi duhan. Duke iu referuar shifrave në rritje të duhanpirësve të vegjël ekspertët e shëndetit publik sqarojnë se fëmijët mund të fillojnë të pinë duhan sepse mendojnë se ajo i bën më të pjekur dhe më të rritur. Të tjera arsye që çojnë drejt konsumit të duhanit nga të vegjlit janë edhe fakti se ata mund të pinë duhan si shenjë revolte ndaj prindërve ose arsimtarëve, pinë duhan se kanë dëgjuar që të liron nga stresi, apo për shkak të presionit që bëhet nga rrethi shoqëror. Nëse shokët e tyre pinë duhan edhe ata mund të fillojnë. Ndërkohë që nga vëzhgimet e kryera në shkollat e arsimit parauniversitar fëmijët thonë se mund të fillojnë të pinë duhan sepse mendojnë se mund të dobësohen. Përballë kësaj situate shqetësuese mjekët apelojnë për më shumë kujdes si nga prindërit, ashtu edhe nga mësuesit në shkollë. “Bisedoni rreth duhanit me vëmendje, duke mos e kritikuar. Kujtojani efektet negative afatshkurtra të duhanit (dhëmbë të verdha, erë e keqe, çmimi etj). Fokusohuni në të tashmen. Fëmijët shpesh nuk e kuptojnë se ky veprim mund të ndikojë në të ardhmen. Mos lejoni qe: fëmija të pijë duhan para jush. Të pirët duhan nën kontrollin tuaj nuk është më e sigurte. Përkundrazi, kjo e mëson se të pirët duhan është e pranueshme. Nëse fëmija juaj pohon se mund ta ndërpresë, kërkoni t’ua vërtetojë këtë, për shembull kërkojini që mos të pije asnjë cigare për një javë rresht. Kërkoni ndihmë të specializuar për t’ju ndihmuar që fëmija juaj ta lerë duhanin”, vënë në dukje specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Studimet kanë treguar se të rinjtë që janë të ekspozuar ndaj duhanit në familje dhe në shoqëri kanë 90 për qind më shumë mundësi të pinë duhan sesa të rinjtë që nuk janë në situatë të tillë. E në rast se vijohet me një konsum të vazhdueshëm të rinjtë duhanpirës do të vuajnë më shumë nga kolla, astma dhe bronshiti. “Të rinjtë që fillojnë duhanin në një moshë të re rrisin mundësinë që të krijojnë varësi nga nikotina dhe vazhdojnë të pinë duhan edhe kur rriten. Duhan pirja tek fëmijët ndikon shumë në rritjen e mushkërive dhe mund të duket edhe tek vështirësia e frymëmarrjes që kanë ndërsa luajnë sporte të ndryshme. Një studim i të rinjve ka treguar se 77 për qind e duhanpirësve të rinj kanë bërë përpjekje për ta lënë duhanin por shumë pak prej tyre e kanë lënë. Varësia nga nikotina është më e madhe tek të rinjtë sesa tek të rriturit. Të rinjtë mund të krijojnë varësi na nikotina brenda disa javësh që pinë dy tre cigare në ditë”, shtojnë më tej ekspertët e shëndetit publik.