Ish-kryeministri rus: Bisedimet mes Rugovës dhe Millosheviqit


Variante nga më të ndryshmet rreth zhvillimeve të luftës së Kosovës, prapaskenat e bisedimeve, negociatat mes Serbisë dhe Prishtinës, ndërhyrjen e NATO-s etj. janë publikuar deri më sot.

Në 15-vjetorin e Luftës së Kosovës, është momenti për të zbuluar një tjetër këndvështrim, atë të Rusisë.
Jo se ai nuk ishte i qartë, por janë vetë protagonistët që rrëfehen.
Pasi u promovua në Tiranë, Instituti i Albanologjisë në Prishtinë promovoi dje librin më të ri të shtëpisë botuese “Helga’s Secrets”, “Prapaskenat e kapitullimit të Millosheviçit”, sjellë në shqip nga diplomati dhe njohësi i mirë i çështjes së Kosovës, Shaqir Vukaj.
Një libër me kujtime nga ish-kryeministri rus Viktor Çërnomërdin mbi negocimin e ndalimit të luftës dhe largimit të trupave serbe nga Kosova.
Këtyre kujtimeve i bashkëngjitet edhe një qëndrim tërësisht i kundërt, ai amerikan, përmes kujtimeve të ish-nënsekretarit të Shtetit amerikan, Strobe Talbott. Kujtimet e këtij të fundit zënë një vend më të vogël në libër, krahasuar me ato të ish-kreut rus, i cili asokohe, siç e pranon edhe vetë, ishte pjesë e negociatave për mbrojtjen e interesave të Rusisë dhe jo gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën.
Secili prej negociatorëve për paqen rrëfen përmes këndvështrimit të tij personal, por edhe vendit që ai përfaqëson, zhvillimet në zonën e nxehtë të Ballkanit.
Çërnomërdin tregon hap pas hapi gjithë çka ndodhi 15 a më shumë vite të shkuara e mes të tjerave, edhe takimin e shumëpërfolur mes Millosheviçit dhe Ibrahim Rugovës. Ai bën ndër të tjera edhe një panoramë të situatës politike në Kosovë, grupimet që vepronin, pozitat e UÇK-së, “qeverisë” në emigrim të Bujar Bukoshit dhe Ibrahim Rugovës, si u përçanë dhe metodat e secilit për zgjidhjen e problemit.
Sipas tij, Rugova, ashtu si edhe pjesa më e madhe e kosovarëve, nuk e dinin se ç’donin dhe si do t’i përballonin vështirësitë që do t’u dilnin përpara në rast se fitonin pavarësinë.
Duke qenë akoma në Bon, mora vesh se ka mundësi që unë të takohem me liderin e shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovën.
Pozicionin e shqiptarëve, pikëpamjet dhe kërkesat e tyre unë i njihja mirë dhe zor se do dëgjoja ndonjë gjë të re. Megjithatë, vendosa ta dëgjoja përfaqësuesin e tyre, I. Rugova, i cili, siç ishte i njohur, i përkiste krahut të moderuar të lëvizjes separatiste.
Në atë moment në lëvizjen separatiste kosovare ekzistonin tri rryma kryesore. E para, ekstremiste, e përfaqësuar nga “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” (UÇK-ja). Ajo përfaqësonte në vetvete një grup banditësh, që kryenin terror të vërtetë.
Njerëz të tillë ka me shumicë në çdo “pikë të nxehtë”. Pikërisht ekstremistët e UÇK-së, në fillim të vitit 1998, kishin provokuar përplasje me armë me policinë serbe, kishin shkaktuar një seri shpërthimesh në qytetet maqedonase Gostivar, Kumanovë dhe Prilep. Ata kuptonin vetëm një gjuhë, atë të forcës.
Njerëz të tillë, zakonisht shfrytëzohen dhe armatosen nga ajo palë, së cilës i intereson përhapja e tensionit dhe në thelb janë marioneta. Nuk kishte asnjë kuptim të zhvilloje bisedime me ta.
Rryma e dytë ishte e lidhur me të ashtuquajturën “Qeveri e Kosovës në mërgim” me në krye Bujar Bukoshin. Kjo “qeveri” ishte instaluar në Gjermani (Ulm) dhe kishte influencë të madhe në komunitetet e shqiptarëve jashtë atdheut. Pikërisht nëpërmjet kësaj qeverie në mërgim, kalonin mjete financiare të mëdha për mbështetjen e separatistëve, e ndërmjet tyre edhe ato që nxirreshin nëpërmjet tregtisë së paligjshme të armëve dhe narkotikeve.
Dhe, në fund, rryma e tretë, ajo politike. Përkrahësit e saj ishin bashkuar rreth Lidhjes Demokratike të Kosovës me në krye I. Rugovën. Lidhja shprehej për arritjen e pavarësisë së Kosovës me mjete politike. Kur, në shtator të vitit 1991, shqiptarët zhvilluan referendum për pavarësinë e krahinës dhe njëzëri u shprehën për krijimin e republikës së pavarur, Rugova u bë lider i tyre. Në maj të vitit 1992 u zhvilluan zgjedhjet për president dhe parlamentin e kësaj republike të vetëshpallur. Popullsia serbe nuk pranoi të merrte pjesë në to.
Dhe ja I. Rugova na u bë Presidenti i “Republikës së Kosovës”, ku mori shumicën dërrmuese të votave-diku 95%. Partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës, mori 20% vota më pak. Që nga ajo ditë, autoriteti i tij ishte shumë i madh, por me kalimin e kohës kur ekstremistët filluan të ngrenë krye dhe gjithnjë e më shumë të shtyjnë popullsinë drejt metodave të pastra luftarake për zgjidhjen e problemit, autoriteti i Rugovës ra. UÇK-ja vepronte e shkëputur nga partia e tij.
Nuk dija me saktësi sesa e mbështesin kosovarët Rugovën, por edhe vlerësimet për numrin e tyre ishin të ndryshme. Dikush thoshte se janë 1 milion e gjysmë, të tjerë thoshin një milion më shumë. Dhe s’ka nevojë për shumë filozofi: kufiri me Shqipërinë praktikisht e kishte humbur funksionin e vet si kufi midis shtetesh.
*****
Ekziston mendimi se përçarja në radhët e udhëheqjes shqiptare ndodhi në vitin 1998. Si shkak formal ishin pikëpamjet e ndryshme se me çfarë metodash do të arrihet pavarësia e krahinës. Në të vërtetë, shkaqet ishin shumë më të thella. Këtu ishte edhe lufta për të dalë në krye për rrëketë e parave, për armatimet, për narkotikët. Edhe influenca nga jashtë.
Udhëheqja e Shqipërisë fqinje mbështetej kryesisht te UÇK-ja. Madje, në UÇK mendonin se pavarësia nuk duhet arritur vetëm në Kosovë. Në përbërje të republikës së pavarur duhet të përfshiheshin të gjitha tokat në territorin e ish-Jugosllavisë, të banuara nga shqiptarët etnikë. Kjo ide i pëlqente dikujt në Tiranë.
Edhe ekstremistëve të llojeve të ndryshme, edhe renegatëve nga Lindja e Afërme i vinte për shtat vetë “ushtria e çlirimtarëve”, pasi ajo vepronte me “metodat e tyre të sprovuara”.
Këtyre luftëtarëve mund t’u ngulësh në tru idenë e rilindjes myslimane, të solidaritetit mysliman etj. Koordinatori politik i UÇK-së, Adem Demaçi, nuk donte të shihte me sy asgjë jugosllave, dhe për këtë ai kishte baza, sepse si asnjë tjetër, ai kishte kaluar në burgjet jugosllave mbi njëzet vjet. Ai u bë kritiku kryesor i të moderuarve, me në krye I. Rugovën.
Në Europën Perëndimore joshnin “qeverinë në mërgim”. Lideri i saj, B. Bukoshi, ishte për vazhdimin e luftës, ndërsa bisedimet i konsideronte si një akt përuljeje dhe kapitullimi të shqiptarëve. Por për dikë prej vendeve europiane, gjithsesi, ishte i afërt edhe I. Rugova. Por, në përgjithësi, situata në lëvizjen e separatistëve shqiptarë në Kosovë ishte kaq e ngatërruar, saqë askush nuk mund të thoshte se cili ka influencë e cili jo.
Në këtë kohë unë kisha krijuar mendimin tim, që u vërtetua edhe nga takimi. Ai kishte lidhje me faktin se shqiptarët kosovarë nuk po e kuptonin se ç’po ndodhte në të vërtetë. Ata i drejtonin, por ku është kufiri-ata nuk e dinin. Në këtë situatë, si më i arsyeshmi paraqitej pozicioni i I. Rugovës. Në ndryshim me ekstremistët e armatosur, ky pozicion përputhej me interesat e Rusisë. Ne e dinim, ndërmjet të tjerëve dhe nga S. Millosheviçi, se Ibrahim Rugova zhvillon me të bisedime, përpiqet të gjejë rrugëdalje nga situata e krijuar. Por, fatkeqësisht, të gjitha këto ishin të dorës së dytë. Bisedimet e tyre, për arsye të ndryshme, në përgjithësi nuk merreshin parasysh nga udhëheqësit e vendeve të NATO-s. Paqja në Ballkan varej krejtësisht nga vullneti i forcave të padukshme, irracionale. Kosova dhe pa këto, ishte krahina më e varfër e ish-Jugosllavisë, ndërsa tani po kthehej në një shkretëtirë pa jetë. Në këtë plan edhe I. Rugovën, edhe kolegët e tij të rrugës për arritjen e pavarësisë me rrugë politike, vetëm mund t’i mëshiroje fort.
* * *
Çfarë ishte Ibrahim Rugova, politikan, shkrimtar apo publicist? Rreth gjashtëdhjetë vjeç, me flokë të rrallë dhe një vështrim të shqetësuar, mbante të lidhur fort një shall joserioz, të çuditshëm alla studentesk. Arsyetimet e tij ishin mjaft të hallakatura. Fraza të përgjithshme për pavarësinë e Kosovës.
Kjo është e kuptueshme. Autonomi më të gjerë.

Gjatë gjithë historisë së fundit, krahina e Kosovës kishte fituar pavarësi gjithnjë e më të madhe, autonomi të plotë, por separatistët vendës bëheshin gjithnjë e më të pangopur. Dhe baza kryesore materiale e kësaj autonomie krijohej nga subvencionet e qendrës. Është e kuptueshme, se pavarësia nuk e shton sasinë e donacioneve dhe nga jashtë nuk është se japin shumë.
I.Rugova dukej i dërrmuar. Një njeri i demoralizuar, i përballur me fatkeqësi të padëgjuara për popullin e vet. Atë, sigurisht, e shqetësonte pyetja se, kur më në fund do të ndërpritet lufta, cilat janë shanset për normalizimin e mëvonshëm? Si përfaqësues i pjesës më të madhe të popullit të vet, ai dëshironte që të ndalohej menjëherë gjakderdhja. Ai mendonte se duhet ulur në tavolinën e bisedimeve me Millosheviçin, por menjëherë filloi të fliste për gjenocidin e popullit shqiptar.
Në tërësi na krijoi përshtypjen e një njeriu të brengosur, që dukej haptazi se nuk dinte ç’të bënte. Shtëpia e tij shkrumbonte në zjarr, dhe “zjarrfikësit” e ardhur, mbasi silleshin nga të donin, vetëm i hidhnin benzinë këtij zjarri. NATO nuk i vinte absolutisht veshin Rugovës, ai për ta ishte një material i shfrytëzuar dhe, ata vendosën atë rregull që u duhej atyre, dhe jo atij e popullit të tij të shumëvuajtur.
Ne zhvilluam një bisedë të sinqertë, por, e theksoj edhe një herë se vetë Rugova nuk të prekte. Kjo vërtetonte atë të vërtetë të hidhur, që po ndodh një tragjedi, pikërisht tragjedia e popullit, kur udhëheqësi i tij gjendet në një situatë aq të vetmuar.
Sigurisht që autonomia e Kosovës, apo një status i posaçëm-nuk është në kompetencën time dhe nuk është qëllimi i misionit tim. Ky problem do të zgjidhet vetëm mbas ndërprerjes së bombardimeve dhe luftës. Unë theksova se, nuk mund të jem ndërmjetës mes S. Millosheviçit dhe I. Rugovës, dhe midis kujtdo qoftë. Detyra ime është mbrojtja e interesave të Rusisë. Dhe në këtë moment, në interes të Rusisë është ndërprerja e veprimeve luftarake. Në një perspektivë më të largët-për të krijuar një bazë më të qëndrueshme të bashkekzistencës paqësore të popujve të krahinës. Në qoftë se kjo i konvenon edhe interesave të tij, interesave që përfaqëson ai, atëherë ne mund të punojmë paralelisht.
* * *
Për sa i takon pavarësisë, që e kërkojnë disa koka të nxehta, Rusia ka pikëpamje të qartë: Kosova duhet të qëndrojë në përbërje të Republikës Federative të Jugosllavisë, por me të drejta më të mëdha gjatë marrjes së vendimeve qeverisëse.
Nuk do të ishte e drejtë të mendohet se Rusia shprehet si avokate e udhëheqjes jugosllave. Kjo është e pamundur. Rugova e di vetë sesa të vështira kanë qenë marrëdhëniet midis BRSS dhe RSFJ por, gjithashtu, edhe midis BRSS dhe Republikës së Shqipërisë. Rusia mbron interesat e veta, por qëllimi kryesor është që në Ballkan të ketë qetësi.
Në përgjithësi, sipas pikëpamjes sime, kërkesa e pavarësisë është thikë me dy presa. Sa shembuj të tillë kam parë unë në jetën time, se si pavarësia është kthyer në fatkeqësi, në luftëra të përgjakshme dhe katastrofa ekonomike.
Po tani çfarë po ndodh? Luftë, katastrofë, e ardhme e papërcaktuar? Më përpara krahina mbijetonte sepse kosovarët punonin në republika të tjera të Jugosllavisë, merrnin donacione nga qendra. Çfarë do të ndodhë në rast pavarësie? A mendojnë mbrojtësit e saj se kush do t’i japë para? Komuniteti Europian? Amerika? Amerikës, ata i duhen si monedhë këmbimi për interesat e tyre. Komuniteti europian mund të japë mjete financiare për rimëkëmbjen e ekonomisë së krahinës, madje është e detyruar për këtë, por vështirë të besohet në mënyrë të mjaftueshme. Ky problem është diskutuar shumë herë gjatë bisedimeve, në të gjitha nivelet, por nuk ka pasur një skemë të qartë. Nga do të merren këto mjete financiare? Kërkohen nga “Shqipëria e Madhe”? Nga trafikantët e narkotikeve? Në qendrat dhe fondet islamike? Ndoshta edhe japin, por këto do të jenë para vetëm për luftë. Qëndrimi parimor i Rusisë është ruajtja e Jugosllavisë unike. Është në interes të vetë kosovarëve që të jenë në përbërje të shtetit të bashkuar, t’i zgjidhin të gjitha problemet e pazgjidhura nëpërmjet rrugës së bisedimeve.
Po, mbasi filluan veprimet luftarake, mbasi u vranë dhe u plagosën njerëz, mbasi u dogjën mijëra shtëpi, mbasi u larguan prej vendeve të tyre refugjatët, është vështirë të flitet për paqe dhe fqinjësi të mirë, por, rrugë tjetër nuk ka. Nuk duhet ecur nëpër rrugë qorre.
Unë fola edhe për programet e përpunuara për rimëkëmbjen e ekonomisë së Kosovës. E rëndësishme është, jo vetëm të ndërpriten veprimet luftarake (ky është vetëm hapi i parë), por t’u sigurosh njerëzve edhe punë më vonë. Më duket se këtë e kuptonte mirë edhe Rugova. Por ai kishte mbetur peng i idesë së fortë emocionale, që kishte përfshirë popullsinë shqiptare të krahinës. Dhe nuk mund të kthehej më mbrapa.
Ai, edhe pa këtë, kishte humbur një numër të madh përkrahësish. Ishte e vështirë të flisje me njeriun, që karrierën e tij politike e kishte ndërtuar mbi separatizmin dhe në saj të këtij separatizmi, ai kishte zënë post drejtues midis popullsisë kosovare dhe ja, tani filloi ta kuptojë, se vetë ideja nuk ka qenë krejt e drejtë.
Ai, pa dyshim që i përjetonte thellë fatkeqësitë, të cilat atij ia ngarkonin bashkëmendimtarët. Po a nuk ishte ai që, duke punuar me fjalën, shkrimtar, të cilët i quanin “ndërgjegjja e kombit”, bënte thirrje nga tribunat e larta për të organizuar “rezistencë ndaj pushtuesve serbë”? Qoftë edhe rezistencë të paarmatosur, por rezistencë ama.
Vetë kjo fjalë nënkupton një lloj përpjekjeje, force. Ja, forca vrasëse mori revan mbi arsyen. Tani, edhe Ibrahim Rugova e kishte të turbullt se çfarë do të bëhet me të ardhmen e tij, krahinën e Kosovës, çfarë mund të bëhet për shpëtimin e saj.
Në ndarje, ai më falënderoi për përpjekjet e bëra për zgjidhjen paqësore të konfliktit, për ndërprerjen e veprimeve luftarake, për krijimin e kushteve për kthimin e refugjatëve në vendet e mëparshme të banimit. /panorama/