IRINEJ DHE IDEOLOGJIA SHOVINISTE ANTISHQIPTARE SERBE

Xhelal Zejneli




            Prononcimi i kryepeshkopit serb Irinej me rastin e qëndrimit të tij në Tiranë, dëshmon për aspiratat hegjemoniste, ekspansioniste, dominuese dhe kolonialiste serbe. Duke qenë se Kisha Ortodokse Serbe historikisht ka qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve, dhe duke e ditur se Irineji është një antishqiptar i përbetuar, ai nuk është dashur të thirrej në ceremoninë e shenjtërimit të katedrales “Ngjallja e Krishtit”, aq më tepër kur shoqërohej edhe nga huliganë serbë. Për qëndrimin e tij antishqiptar të demonstruar në mes të kryeqytetit shqiptar duhet të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë kryepeshkopi Janullatos.

*          *          *

            Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, serbët kryen dy revolucione të mëdha. Anembanë Serbisë kryen jogurt revolucionin (revolucionin e kosit), ndërkaq në viset e Kroacisë, të banuara me serbë – balvan revolucionin (revolucionin e trungjeve).
            U quajt jogurt revolucion, për arsye se qumështorët e Vojvodinës ishin të detyruara që çdo pjesëmarrësi në tubim, d.m.th. çdo revolucionari serbë t’u jepnin falas nga një gjevrek dhe nga një gotë plastike me kos. Ndërsa revolucioni i trungjeve në Kroaci e mori emrin nga prerja e lisave, me trungjet e të cilave serbët e armatosur i zinin rrugët, për të parandaluar ndërhyrjen e forcave kroate të sigurisë.
            Në krye të këtyre dy revolucioneve të mëdha nacional-socialiste serbe ishte zjarrvënësi i Ballkanit – S. Millosheviqi.
            Shtylla të politikës hegjemoniste, ekspansioniste, pushtuese dhe kolonialiste serbe ishin: Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, e njohur si Francuska 7, d.m.th. “Rruga e Francës nr. 7”, ku ndodhej selia e saj në Beogad, elita politike serbe, Kisha Ortodokse Serbe dhe ushtria jugosllave, e mbizotëruar kryesisht nga ushtarakët serbë.
            Në shërbim të kësaj politike hegjemoniste, ekspansioniste, pushtuese dhe kolonialiste u vunë edhe mediumet serbe, të shkruara dhe ato elektronike, sidomos televizioni i Beogradit.
            Pjesë e pandarë e politikës së sipërthënë ishin radikalët serbë, të udhëhequr nga njeriu i çekuilibruar Vojislav Shesheli. Bashkëmendimtar i tij ishte nacionalisti i skajshëm Vuk Drashkoviqi. Ndërkaq, kryetari i përtashëm i Serbisë, Tomisllav Nikoliqi, dhe kryeministri i sotëm serb Aleksandër Vuçiq ishin militantë të politikës populiste të Sheshelit. Rrethit të Milosheviqit i përkiste edhe kryeministri i paradokohshëm, tani zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq. Veprimtar i devotshëm i realizimi të idesë serbomadhe ishte edhe ish-kryeministri Vojisllav Koshtunica.
            Duke filluar që nga viti 1985 e këndej, në Serbi filloi të mbizotëroi njëmendimi politik dhe ideologjik. Ai që mendonte ndryshe konsiderohej tradhtar. Me një fjalë, i gjithë populli serb, tërë shoqëria serbe dhe të gjitha institucionet politike, shkencore, arsimore, fetare, ushtarake, policore, informative etj. duhej të viheshin në shërbim të ideologjisë serbomadhe. Hegjemonizmi serb u shndërrua në politikë shtetërore. Për ta realizuar ekspansionin, në fillim të viteve ’90, Beogradi ndoqi politikën e forcës. Pjesë e pandarë e kësaj politike ishin edhe organet policore si dhe njësitë paramilitare serbe.
            Me një propagandë gebellsiane dhe politikë agresive, Beogradi i ndërmori të gjitha veprimet për ta shtrirë ndikimin e vet ultranacionalist në të gjitha republikat e Jugosllavisë, përfshi edhe Vojvodinën dhe Kosovën. Pas kësaj politike populiste dhe agresioni propagandistik, Serbia i sulmoi ushtarakisht: Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën. Lufta pushtuese serbe në vendet e sipërthëna përfundoi me çlirimin e tyre nga kolonializmi serb. Krimet serbe në vendet e sipërthëna janë të papara në Europën e pasluftës.
            Thelbi i ideologjisë politike serbe ka të bëjë me rimëkëmbjen e perandorisë së Car Dushanit. Kjo ideologji buron nga Naçertania e Ilia Garashaninit në shekullin XIX, për të vazhduar me akademikët Jovan cvijiqin, Vlladan Gjorgjeviqin, Vaso Qubriloviqin dhe Dobrica Qosiqin, i mbiquajtur baba i kombit serb. Projektin për një Serbi cardushaniste, në kuadër të politikës shtetërore serbe, pandërprerë u përpoqën ta realizojnë Nikolla Pashiqi, karagjorgjeviqët, Aleksandër Rankoviqi dhe Sllobodan Millosheviqi. Rrugës së tyre shkojnë sot e kësaj dite Tomisllav Nikoliqi, Ivica Daçiqi dheAleksandër Vuçiqi. Në qenien e tyre, sot e gjithë ditën flenë kriminelët e luftës Shesheli, gjeneral Ratko Mlladiqi dheRadovan Karagjiqi, portretet e të cilëve i kanë ngjitur nëpër rrugët e Beogradit.
            Uashingtoni dhe Brukseli kurrë nuk duhet të harrojnë se Serbia e sotme udhëhiqet nga luftënxitësit dhe kriminelët e djeshëm. Për t’u integruar në BE, Serbia duhet të bëjë në radhë të parë kthesë ideologjike. Pa një transformim të tillë, ajo duhet t’i ketë të mbyllura duart e Brukselit.

            Duke qenë satelite e përhershme e Rusisë, Serbia ende nuk e ka dënuar agresionin rus mbi Ukrainën.