Historia: Gruaja siriane që i mbijetoi bllokadës 700-ditore

Një 65-vjeçare mbeti e ngujuar në bllokadën e bërë kundër rebelëve nga qeveria siriane. Për plot dy vjet, ajo dhe vëllezërit e saj jetuan me ushqim të pakët dhe nën bombardime të ashpra

Nga The Associated Press

Gjatë 700 ditëve të një bllokade, bota e saj u tkurr duke u kthyer në jetën e kuzhinës dhe dhomës së ndenjjes. Ajo mbijetoi duke ngrënë bimë dhe duke lexuar libra. Ajo refuzoi të shihej në pasqyrë, sepse pamja e saj e mjeruar mund t’i copëtonte shpirtin.
Zeinat Akhras, një farmaciste 65-vjeçare, vuan ende efektet e ngujimit dyvjetor në shtëpinë e rrethuar nga ushtarë rebelë gjatë bllokadës nga qeveria të lagjeve të vjetra në qytetin sirian Homs.
Ajo peshon tani 38 kilogramë, ndonëse ka shtuar katër kilogramë pas fundit të bllokadës në fillim të majit me dorëzimin e rebelëve në qytet. “Çdo ditë, thoshim se do të mbarojë nesër”, – shprehet Akhras në një intervistë për The Associated Press. “Nëse do t’i kishim numëruar ditët, do të ishim dorëzuar”.
Qyteti i Vjetër i Homs, një numër lagjesh të populluara, u gjend në mes të bombardimit dhe më pas rrethimit nga një fushatë e forcave qeveritare që synonin të linin në uri të plotë rebelët. Homs ishte një nga qytetet e para që u ngrit kundër regjimit të Presidentit Bashar Assad në protestat e marsit 2011. Pas urisë dhe rënies së moralit, rebelët e fundit u larguan në maj të këtij viti.
Akhras dhe dy vëllezërit e saj ishin mes pak civilëve që qëndruan deri në fund. Ata qëndruan sepse kishin frikë se mos rebelët i zaptonin shtëpinë dhe merrnin nën kontroll dyqanin e veshjeve apo farmacinë.
Në fillim, rrethimi ishte i përballueshëm pasi familja e Akhras kishte disa ushqime të ruajtura. Me thellimin e bllokadës, Akhras rrallë e linte ndërtesën, ndoshta doli vetëm gjashtë herë gjatë 700 ditëve, sipas llogarive të saj. “Kthehesha e trishtuar nga shkatërrimi që shihja. Kjo zonë kishte qenë më parë plot gjallëri”.
Jeta u bë rutinë
Vëllezërit Anas dhe Ayman dilnin për të kontrolluar bizneset e tyre dhe ruanin kishën aty pranë. Ajo gatuante dhe pastronte ndërtesën. Ngrihej në agim dhe flinte në perëndim, meqenëse nuk kishte elektricitet. Gjatë dy viteve, të paktën 12 predha ranë mbi shtëpinë e tyre, duke shkaktuar dëme në katet lart. “Ishte e frikshme, sepse dëgjonim shpërthime ditë dhe natë. Por u mësuam”. Teksa rrethimi zvarritej, luftëtarët rebelë u kërkonin atyre vazhdimisht ushqime dhe naftë. “Ata vinin zakonisht në grupe dhe bastisnin kuzhinën duke marrë ushqimet që mbanim”, – kujton ajo.
Gjatë fundit, luftëtarët as nuk e merrnin mundimin të vinin me armë – ata thjesht trokisnin në derë dhe kërkonin ushqim. Në fund, nga mesi i 2013-s, rebelët e armatosur rrethuan ndërtesën dhe hynë brenda duke marrë pothuajse çdo ushqim dhe karburant. Atyre u mbeti vetëm pak grurë që mbaroi nga janari. Megjithatë, ajo dhe vëllezërit e saj nuk u ngacmuan nga rebelët suni për faktin që ishin të krishterë, ndoshta sepse ishin shtëpia e vetme që kishte ushqim.
Tragjedia ndodhi në dhjetor. Një nga vëllezërit, Anas, që po vuante nga kanceri, u largua me anë të një evakuimi të organizuar nga OKB së bashku me qindra civilë nga Qyteti i Vjetër. Ai vdiq 19 ditë më pas. Në muajt e fundit, Akhras e mbajti mendjen te detyrat e përditshme. Pa karburant, vëllai tjetër i saj mblidhte dru zjarri. Ushqimet e tyre ishin vetëm pak çaj, ullinjtë dhe erëzat. Vëllai sillte në shtëpi bimë të llojeve të ndryshme, të cilave iu referoheshin thjesht si “bar”. Edhe ato ishin të dyshimta, pasi Akhras mendonte se ai i mblidhte në varrezat e kishës.
Vaktet e hidhura dhe të pakta, i shkaktuan gruas humbjen e oreksit. Ajo ishte 58 kilogramë kur filloi bllokada dhe në fund të saj ishte vetëm 34 kilogramë. Vetëm pas përfundimit të rrethimit, ata e panë diferencën në masën trupore. “Isha bërë më e vogël se një fëmijë!” – rrëfen e mbijetuara.
Orët e lira të ngujimit në shtëpi, Akhras ua kushtonte librave – Biblës dhe historisë së shenjtorëve. Ajo mbeti e vetme pasi edhe vëllai tjetër u largua në një ndërtesë për të ruajtur furnizimet e pakta që u kishin mbetur.
Akhras fillimisht nuk e dinte se më 9 maj bllokada kishte përfunduar dhe se trupat qeveritare kishin hyrë në lagje. Ajo nuk kishte radio dhe nuk i kishte dëgjuar lajmet. Në një nga endjet e rralla nëpër lagje pa një burrë që i tha se ushtria kishte mbërritur. Akhras pa një ushtar dhe i kërkoi pak bukë. Ai i dha dy bukë. “Hëngra një bukë vetëm unë, – tha ajo teksa sytë i shkëlqenin. – Kishte shije ëmbëlsire”. Fundi i vuajtjes kishte ardhur.