Gratë dhe të dashurat e futbollistëve të pasur: Presioni për t’u dukur perfekte

Femrat që përballen me një presion të madh duke jetuar me idealet e bukurisë së një kukulle Barbie

Sheena McKenzie, CNN
Trupa të shkëlqyer, të ardhura multimilion dollarëshe, statusi i të qenit të famshme – këto janë femrat. Kur po del me një nga futbollistët më të mirë të planetit, presioni për t’u dukur në mënyrë perfekte është shumë i madh. Në dallim nga Hollywood-i, shqyrtimi që media i bën lojtarëve të elitës është tepër i ashpër. Madje dhe paparacët janë aq të uritur për fotografitë e grave dhe të dashurave të tyre, që në gjuhën e tabloidëve britanikë quhen “WAGs”. Lentet janë zmadhuar edhe më shumë gjatë Kupës së Botës, saqë edhe ish-partnerja e ish-trajnerit të kombëtares angleze Sven-Goran Eriksson, Nancy Dell’Olio e kuptoi këtë gjë. “Mënyra se si ata ndiqnin partneret ishte e padrejtë dhe tepër seksiste”, tha avokatja amerikano-italiane 52-vjeçare. “Ishte tepër e bezdisshme dhe nuk më linte të pavarur,” shtoi Dell’Olio, që për më shumë se një dekadë shihte profilin e saj të diskutohej nëpër faqet e shtypit. “Por kur je në krah të një personaliteti aq të rëndësishëm të futbollit, duhet të mësohesh me një gjë të tillë”. Por ashtu si me grupet e vogla sociale, ekziston një hierarki edhe për partneret e sportistëve. “Ka shumë dallim nga të qenit partnerja e një trajneri dhe partnerja e një futbollisti,” thotë Dell’Olio.
Kjo është bota e femrave magjepsëse që kanë dëshirë të blejnë veshje nga më të shtrenjtat. Por ç’është e vërteta, këto partnere përballen me një presion të madh duke jetuar me idealet e bukurisë së një kukulle Barbie. “Askush nuk do që të jetë e dashura ose partnerja e shëmtuar”, thotë autorja dhe kolumnistja e “The Secret WAG”, gruaja e një lojtari anglez që e ka mbajtur identitetin e saj të fshehur. “Ne vendosemi nën një presionin shumë të madh për t’u dukur sa më perfekte të jetë e mundur. Ne të gjitha përpiqemi të jemi më elegantet, më simpatiket, dhe me flokët më të bukur”. Ajo thotë se “më shumë ka të bëjë me pasiguritë tona personale, sepse vetë futbollistët nuk kanë ndonjë reputacion të madh për këto punë. Ka kaq shumë thashetheme nëpër gazeta, sa ne jetojmë me frikën se mos gabojmë”. “Sot futbollistët nuk janë vetëm disa djem që luajnë me top. Ata janë persona të famshëm. Ata kanë lidhje me supermodele, aktore etj. Për ne vajzat normale, që nuk kemi karrierë në sytë e publikut, është një presion i madh me të cilin duhet të jetojmë”.

Nuk duhet thënë që partneret e futbollistëve janë thjeshtë disa aksesorë të bukur – në disa raste ato janë më të famshme se partnerët e tyre sportistë. Victoria Beckham dhe Shakira nuk kanë nevojë të mbështeten tek profilet e të dashurve të tyre David Beckham dhe Gerard Pique, që të kenë sukses në karrierën e tyre. Megjithatë kjo gjë ndihmon. “Libri i Coleen Rooney ka shitur më shumë kopje se sa libri i bashkëshortit të saj Wayne Rooney”, thotë Alison Kervin, botuesi sportiv i gazetës britanike ‘Mail’.
Partneriteti me lojtarë të mëdhenj që fitojnë më shumë se 70 mln dollarë në vit, është një biletë e shpejtë drejt famës dhe pasurisë. “Një futbollist mund të të zhvendosë nga një botë ku jeton një jetë bazë në një strehim social, në një rezidencë multimilion dollarëshe dhe me udhëtime në të gjithë botën,” thotë Kervin. Kanë pak a shumë historinë e një Hirusheje. Dell’Olio ka qenë një avokate e suksesshme pronash në Itali edhe para se të takonte Eriksson-in. Por që kur dilte me këtë të fundit, ajo është shumë më e famshme në Britani duke marrë pjesë në emisione si “Footballers Cribs”, “Strictly Come Dancing” dhe së shpejti në Festivalin e Edinburgh. Ajo e pranon që lidhja me Eriksson ka ndikuar në rritjen e famës së saj publike. Por ajo refuzon të pranojë se femrat i ndjekin futbollistët për të hedhur një hap më shumë në karrierat e tyre. “Mendoj se kjo është qesharake”, thotë ajo me kokën lart. “Dashuria është në rradhë të parë. Çdo çift duhet të qëndrojnë sëbashku në rradhë të parë për dashuri”.

Lidhja me një futbollist nuk është një marrëdhënie për zemërlëshuarit, me gratë që duhet t’i përkushtohen klubeve të futbollit aq sa dhe burrat e tyre. “E gjitha jeta ime ka shkuar duke ndjekur bashkëshortin tim kudo nëpër botë, duhet të lëvizësh sa herë që ai ndryshon skuadër,” thotë ‘The Secret WAG’. “Kam shumë vite që studioj dhe kurrë nuk kam qenë në një situatë ku mund t’i vë vitet e mia të studimit në përdorim. Ndonjëherë më duket sikur jetoj nën hijen e partnerit tim, dhe më është dashur kohë që ta pranoj këtë gjë”.
Në asnjë vend tjetër nuk janë më në qendër të vëmendjes jetët private të lojtarëve se sa në Britaninë e Madhe. “Britania është vendi i thashethemeve,” thotë Dell’Ollio. Fjala WAG (të dashurat dhe gratë e futbollistëve) lindi si fjalë e re në tabloidët britanikë gjatë Kampionatit Botëror 2006, dhe tashmë është pjesë e fjalorit Oxford. Në atë kohë iu kushtua shumë hapësirë në gazetë Victoria Beckham dhe Cheryl Cole në stadium pas performacës së dobët të Anglisë tetë vite më parë. “Meqë Anglia nuk ia doli aq mirë në atë botëror, nuk kishte gjë tjetër se për çfarë të raportohej,” thotë Kervin. Aq joshëse sa këto vajza mund të duken, sot e kësaj dite ato janë vetëm dy femra normale që përpiqen të jenë dy nëna dhe bashkëshorte shumë të mira,” thotë ‘Secret WAG’. Njerëz normalë, me jetë të jashtëzakonshme.
Përgatiti: Endri Farka