The Economist
Çfarë zhgënjimi duhet të ketë ndjerë Jean-Claude Junckeri në 9 qershor. Ish kryeministrit të Luksemburgut që tani shpreson të bëhet President i Komisionit Europian, iu desh të shohë katër krerë qeverish që buzëqeshnin për kamerat buzë një liqeni në Suedi, teksa shijonin një xhiro me varkë. Rremat i kishte kryeministri i Suedisë, Fredrik Reinfeldt, organizatori i një minisamiti. Në varkë ishin David Cameron i Britanisë, Mark Rutte i Holandës dhe Angela Merkel e Gjermanisë.
Tre burrat në varkë janë skeptikë që Junckeri mund të jetë njeriu i duhur për postin. Cameron e kundërshton hapur kandidaturën e tij, pasi e konsideron një federalist të thekur që nuk do të ishte i gatshëm të reformonte Bashkimin Europian. Cameron ka lënë të kuptohet që nëse Junckeri bëhet president, atij ndoshta do i duhet ta afrojë në kohë referendumin për largimin apo jo nga BE të Britanisë së Madhe.
Reinfeldt, nga ana e tij, foli në emër të shumë shteteve kur refuzoi një proces të udhëhequr nga Parlamenti për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Në prag të zgjedhjeve për parlamentin europian të 25 majit, Martin Schulzi, një socialdemokrat gjerman që ka qenë president i Parlamentit Europian, nisi të flasë për idenë që secila parti të zgjedhë një Spitzenkandidat (kandidat kryesor), dhe ai që vinte prej partisë më të madhe, më pas duhej të bëhej president i Komisionit. Vetë Schulzi ishte kandidat kryesor për socialdemokratët.
Publiku gjerman është kryesisht apatik në lidhje me këtë temë. Por, media dhe elita politike gjermane kanë pranuar logjikën e Schulzit, duke e konsideruar një president të zgjedhur nga parlamenti, si në një farë mënyre më demokratik se sa një kandidat i zgjedhur nga Këshilli Europian (i liderëve të shteteve anëtarë) dhe më pas i konfirmuar nga Parlamenti. Kjo është e pakuptimtë, argumenton Cameroni. Qeveritë në këshill janë të zgjedhura demokratikisht. Dhe Traktati i Lisbonës i jep këshillit të drejtën për të sugjeruar një kandidat.
Megjithëkëtë, thotë Simon McDonald, ambasador i Britanisë në Gjermani, media gjermane po na sulmon me argumentin se në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, kemi “Britaninë përballë demokracisë”. Nuk është habi që Junckeri e mbështet këtë linjë. Si Spitzenkandidat i Partisë Popullore Europiane të qendrës së djathtë, partia më e madhe në Strasburg, ai tani pretendon mandatin për t’u bërë president.
Si ndodh zakonisht kur udhëheqësit e Europës nuk munden të bien dakord, ata po i hedhin sytë nga Merkeli për të zgjidhur këtë lëmsh. Udhëheqësja e shtetit anëtar më të fuqishëm, ka bërë megjithatë një seri gabimesh taktikë jokarakteristikë të saj, që e kanë vendosur në një pozitë të ngushtë. Gabimi i saj më i madh ishte që lejoi socialdemokratët gjermanë, të cilët i ka partnerë në koalicion, që të lobojnë kaq fortë për idenë e Spitzenkandidatit përpara zgjedhjeve, saqë tani e ka të pamundur ta injorojë këtë ide. Një tjetër gabim ishte që pranoi Junckerin si zgjedhje e familjes europiane, ku bën pjesë edhe partia e saj. Ajo nuk ka asgjë kundër tij, por nuk e konsideron si me shumë peshë. Gjatë fushatës, mbështetja e Merkelit për të ishte shumë e vakët.
Një problem për të është i brendshëm. Ajo nuk mund t’i kundërshtojë totalisht social demokratët nga frika se mos rrezikon koalicionin, që do të thotë se Schulzi duhet “blerë” me një post të mirë në BE. Megjithatë, kufizimi kryesor i Merkelit është objektivi i saj për të mbajtur Britaninë në BE. Ky është një prioritet dhe ajo e bëri të qartë kur iu drejtua Parlamentit gjerman në 4 qershor. Ajo e përmendi kalimthi mbështetjen e saj për Junckerin, por më tej i thuri një himn të pazakontë Britanisë. Ndonëse “jo një partner i lehtë”, tha Merkeli, Britania ka kontribuar shumë për Europën dhe tani ndan me Gjermaninë shumë vlera dhe objektiva për BE-në. Ajo e konsideroi si “neglizhence të papranueshme” faktin se sa mendjelehtësisht, disa bashkëpatriotë të saj e shohin një dalje të mundshme të Britanisë.
Për Merkelin, ashtu si dhe për pjesën tjetër të veriorëve në liqenin suedez, Britania është një kundërpeshë jetike ndaj Francës dhe shteteve jugorë, për të ruajtur BE-në si një klub liberal dhe për të shtyrë për më shumë tregti të lirë, më pak rregulla dhe një buxhetim më të rreptë. Ajo nuk mund të duket sikur po dorëzohet para kërkesave të Cameronit. Por ajo dëshiron të përmbushë sa më shumë prej tyre që të mundet.
Pasi ka kuptuar se kohët e fundit ka qenë jo në formë, Merkeli po u rikthehet tashmë metodave të besuara. Kryesorja është ngadalësimi i gjithçkaje. Kështu që, ajo dëshiron të përdorë samitin e radhës në 26 qershor për të parashtruar agjendën për reforma të BE, gjë që duhet të kënaqë Cameronin, ndërkohë që do të preferonte të shtynte marrjen e një vendimi për presidencën. Eventualisht, Cameroni do të mund të shpallte fitoren dhe ta konsideronte Junckerin si të parëndësishëm. Ose Junckeri mund të tërhiqet me dëshirën e tij. “Rezultatet e mirë duan kohë”, i tha Merkeli parlamentit të saj. “Ne kemi kohë dhe do ta përdorim”./bota.al






