Franca “gjunjëzon” Zvicrën 5-2


Franca gjunjëzon 5-2 Zvicrën në ndeshjen e dytë të Grupit E, jo vetëm duke pronotuar 1/8 por gjithashtu duke u shfaqur si ekipi më kompakt i këtij fillim Botërori me një lojë fizike dhe një kundërsulm vrasës. Ndeshja e zhvilluar në Salvador, u dominua nga “Le bleus”.
Vrulli i Francezëve tronditi Zvicrën që në minutat e para. Olivier Giroud në minutën e 17-të dhe Blaise Matuidi në minutën e 18-të i dhanë një shuplakë të rëndë skuadrës së Otmar Hiecfeld, që edhe pse u përpoq të reagonte nuk drithëroi asnjëherë portën kundërshtare. Nga krahu tjetër pesë minuta para pushimit, do të vinte dhe goli i tretë për Francezë, që do të mbante firmën e Mathieu Valbuena.
Fillimi i pjesës së dytë ishte i njëjtë me të parën. Karim Benzema në minutën e 67 e coj rezultatin në 4-0, ndërsa shuplakën e golin e pestë dhe të fundit e shënoi në minutën e 73, Moussa Sissoko, ndërsa në minutat e mbetura tetovari Dzemaili shënoi të parin e zviceranëve përpara se të realizonte dhe Xhaka, që me golin e dytë, u përpoq të ruante për aq sa mund të ruhej, nderin e helvetëve në këtë Botëror. U mbyll 5-2 për Francën që marshon drejt raundit tjetër tashmë me kostumin e favorites për trofeun.