Drita Gjylbegu, bashkëshortja e Zenel Islamit
“Zeneli asht si ajo tokë e mirë e pllehshme ku fara dosido e hjellun zen, rritet dhe ep fryt ma tepër se pritej”. Kur i shkroi këto radhë, Migjenin nuk e çonte përfytyrimi aq larg sa të hamendësonte të ardhmen e nxënësit të tij më të dashur. Zenelit! E mbajti pas vetes, herë duke menduar se po hapte një rrugë, e herë duke u mëdyshur se lartësitë ku donte ta çonte përmes shkollimit, mund edhe ta ndëshkonin. Sado që, ndëshkimi që iu bë a i bëri vetes Zenel Islami, nuk u zbardh kurrë. Pas portës së shtëpisë së Gjylbegëve në Shkodër, ku e shoqja Drita, bashkë me tre fëmijët jetoi pas jetës së tij, ka qenë gjithnjë një hije e zezë që të mban lidhur pas misterit të vdekjes së Zenelit. Nga 9 korriku i 1961 kanë kaluar më shumë se 50 vite, e megjithatë Drita jeton ende me kujtimin e të shoqit. Sado i parrokshëm mund të jetë për shumëkënd ky realitet, ai duket në çdo rrudhë të 87 viteve të saj. Prandaj edhe nuk është nevoja të flasë gjatë për ta kuptuar. E ka aty, në fotografinë portret që koha s’do ta vjetërsojë, te koka e krevatit. E ka në ajër, e ka në sy. Fëmijët u rritën pa praninë fizike të të atit, por në çdo fjalë e në çdo veprim që bënin mateshin mirë. E ëma, përpara se t’u thoshte mendimin e saj, kishte fjalinë që e dinin të gjithë “Zeneli nuk do ishte dakord të veproje kështu; Zenelit nuk do t’i pëlqente kjo gjë”. Ishte në të 30-at kur lajmi i vdekjes i erdhi në shtëpi. Lajm që për katër vite me radhë refuzoi ta besojë e ta pranojë. Nga qielli i shtatë ku vallëzonte, u përplas në tokë. Nuk u rehatua më kurrë. Shtrëngoi dhëmbët që të ishte aty për fëmijët. Por kush është Zenel Islami, muza e Migjenit që ndau vite të tëra me të. Ç’i ndodhi në korrik të vitit ’61, kur pas festës ku shkoi nuk u kthye më?! Kjo pyetje, Dritës i bluan kockat për më shumë se 50 vite. Djali i Zenelit, Bedri Islami, i dhuroi së ëmës një libër që ia kishte kushtuar të atit. Drita nuk e ka lexuar ende. E mban në komodinë prej 17 vitesh, por nuk e ka shfletuar dot. Në të gjenden copëza rrëfimesh që ajo i ka thënë të birit gjatë jetës, por përsëri nuk mundet t’i lexojë. Tema rreth tij është aty gjithnjë dhe asnjëherë. Nuk kalon asnjë ditë të mos përmendet, e çdo ditë është e mbushur me frikën se përmendja e fundit do të përjetohet keq. Ndaj edhe Drita, kur ta takonim, donte të kishte të bijën në shtëpi, për çdo reagim të tensionit që të tërin, nuk e ka shfryrë kurrë.
Pa mbërritur te ngjarja që ju ndryshoi jetën, na tregoni pak për fëmijërinë e Zenelit. Cila ka qenë marrëdhënie e tij me Migjenin?
Ai ka qenë njeri që fliste fare pak, sidomos për këtë çështje sepse nuk donte ta shiste si krenari. Unë më shumë di prej atyre që më kanë thënë të tjerët, sesa prej atij vetë. Zeneli ka lindur në Pukë, aty ku mësoi edhe në shkollën me mësues Migjenin. Shkolla muze që është ende sot. Ai e pat mbajtur afër mbase prej inteligjencës dhe kur përfundoi 4 vjetët e para të shkollës, donte ta mbante aty në mënyrë që të vijonte studimet. Zeneli bënte një orë rrugë në këmbë për të shkuar nga shtëpia e tij në shkollë, kështu që ndërprerja ishte ndonjëherë edhe e justifikuar për shkak të vështirësisë. Kështu, Migjeni i lidhi një rrogë, duke “e punësuar” si shërbyesin e tij e të shkollës, vetëm për ta mbajtur aty. Zeneli qëndroi aty deri në largimin e Migjenit nga Puka.
A ju ka folur ai për Migjenin? Marrëdhënia e tyre duhet të ketë qenë e afërt, për sa kohë ai i ka kushtuar poezinë “Luli i vocërr” e mandej novelën “Zeneli”. Ç’tregonte për të?
Ju thashë që tregonte fare pak, thuajse asgjë. Aq sa unë e kam marrë vesh që Zeneli im ishte ai i novelës, vetëm kur e thirrën për të përuruar shkollën që kishte marrë emrin e Migjenit. Nonda Bulka ka shkruar gjithashtu një novelë “2 Zenelat”. Kur pati njohur Zenelin student, nuk e dinte që ishte ai i novelës e më vonë shkroi edhe ai një, duke u nisur nga njohja e mandej historia.
Pra, njëfarësoj, Migjeni ia doli që të çonte shkollimin e Zenelit deri në të lartin. Për çfarë studioi?
Studioi së pari në Shkollën e Partisë, pastaj shkoi në Moskë për Filozofi.
Po ju kur e keni njohur?
E kam njohur kur ka qenë 23 vjeç. Unë punoja në Komitetin e Partisë ku ai vinte për punë të tijat.
Ç’punë bënte?
E emëruan në Elbasan pasi erdhi nga Bashkimi Sovjetik. Fillimisht u emërua sekretar i Komitetit të Partisë, më pas kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Qarkut. Me thënë të drejtën, kur e transferuan Zenelin nga Puka, ku pritej të kthehej dhe i komunikuan emërimin në Elbasan, mua më dogji, por nuk mund të flisje dot në atë kohë. Edhe ai vetë u mërzit. Më parë kishte punuar në komitetet e Partisë dhe ato ekzekutive në Pukë, Shkodër, për pak kohë dhe në Lezhë.
Na tregoni për largimin e tij të fundit prej nga nuk u kthye më…
Nuk e harroj kurrë atë ditë. Ka qenë data 8 korrik e vitit 1961. Në atë kohë Zeneli kryente funksionet e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Elbasanit dhe kishte mjaft punë. Atë ditë ai ishte fare i qetë, njëlloj si të gjitha ditët e tjera krejt të zakonshme. Shkoi në punë dhe mbasi erdhi nga pritja e popullit më tha: “I mbarova të gjitha punët sot, që të mos dal nesër në zyrë. Në atë moment, ra zilja e telefonit dhe pasi foli me dikë, Zeneli më tha: “Më duhet të shkoj pasi më thërret dikush”, dhe përmendi emrin e një gjenerali që e kërkonte, Mihallaq Ziçishtit. Pas një ore, erdhi përsëri në shtëpi, ku unë e prisja e veshur për të dalë dhe tha, t‘i lëmë për sot ato çka kishim planifikuar, se i bëjmë të dielën, kur të kthehemi nga festa. Nesër në 7 të mëngjesit do të vij t’ju marr dhe shkojmë në festë bashkë. E pyeta se ku do të shkonte. Nuk e dinte me saktësi. Nuk kam dëshirë të shkoj, më tha, tjetër gjë kisha në mendje, mirëpo ngulin këmbë. Më duket se do të vijë edhe Llambi. E kishte fjalën për Llambi Peçinin. Dhe iku. Para se të dilte nga shtëpia, vajza e vogël qau. Zeneli e mori në krahë dhe pasi e puthi fort, nxori nga xhepat diçka që kishte dhe ia dha asaj. Përqafoi edhe dy djemtë e doli. Ishte fare i qetë.
Po e thërrisnin për një festë apo jo? Ç‘ngjau?
Po e prisja të kthehej siç më tha, në mëngjes. Gjatë gjithë ditës pyesja veten pse po vonohej. Nuk e kishte zakon të mos lajmëronte. Në orën 16:00 trokiti dera e shtëpisë dhe pashë aty Arif Peqinin, që ishte sekretar i Komitetit të Partisë të rrethit të Elbasanit, mjekun e njohur Ali Deliallisin, dhe disa kuadro të Sigurimit të Shtetit. (Në atë kohë unë punoja shefe kuadri në një ndërmarrje aty në Elbasan dhe i njihja). I ftova të hynin brenda dhe i pyeta ku është Zeneli? Më thanë: Ulu njëherë. Duam të bisedojmë diçka, por largoji fëmijët. Pasi u ula, sekretari i Partisë tha se Zeneli ka vrarë veten. Brofa në këmbë dhe u thashë se nuk është e mundur! Pse e ka vrarë, çfarë ndodhi?!
Po ata si e shpjegonin këtë veprim të Zenelit?
Sekretari i Partisë, Arif Peqini, tha: “Dritë, Zeneli ka kërcy e ka këndu me çifteli, deri 100 veta i ka mbajt me muhabet e biseda gjithë natën aty në fshatin Labinot, ku ishim ne. Zeneli u çua në mëngjes, u rrua dhe u la, e në vend të kafes hëngri një llokume. Pas kësaj doli te kroni dhe aty i ka ra vetes shtatë herë me armë. Kur kanë rënë pushkët, kanë gjetë Zenelin të vramë aty te kroni”. Unë i thashë Arifit se dakord, po pse e bëri këtë, si i la ai fëmijët jetimë. Si i ka ra ai shtatë herë vetes me pushkë, dhe me çfarë pushke i ka ra?! “Me pushkën e vet”, më thanë. U thashë, mirë, po shkoj të shikoj a e ka pushkën. U ngrita e shkova në dhomë për të parë a ishte aty pistoleta, të cilën ai nuk e merrte kurrë me vete. Aty e gjeta pistoletën e Zenelit me dorezë të kuqe, e mbështjellë me rroba siç e linte ai zakonisht. Njëri nga ata të Sigurimit, që më shoqëroi nga pas në dhomë, më tha: “Ma jep mua”, dhe ma mori. Ndërsa ata u ulën, unë dola e mora Bedriun (në atë kohë ishte 10 vjeç) dhe dy fëmijët e tjerë, Agronin (5 vjeç) dhe Zanën (7 vjeçe) e u thashë se kjo punë ka ndodhë, të mbahemi. Fëmijët filluan të qanin dhe unë isha si e ngrirë.
Që të arrihet në këtë veprim, ju më shumë se kushdo duhet të kishit vënë re diçka më parë…a e besuat dot? A kërkuat shpjegime?
U kërkova përsëri të më tregonin se si dhe pse kishte ndodhur ajo gjë. Arifi më tha se nuk kishte pasur asnjë lloj shqetësimi, ishte krejt në rregull dhe i qetë. Nuk e dinin se si ishte puna. E pashë që nuk më tregonte të vërtetën. E pyeta se kur e kishte parë Zenelin për herë të fundit. Nuk më ktheu përgjigje. E pyeta se te kush kishin fjetur dhe a kishin fjetur të gjithë në një shtëpi. Arifi tha se kishte qenë në shtëpi tjetër. Mos qofsha gabim, Arifi kishte dalë nga shtëpia ku banonim rreth orës pesë të mëngjesit. Kishte ardhur e kishte dalë menjëherë. Unë dëgjova zhurmën e makinës e thashë se mos ishte Zeneli. Arifi më tha se Zeneli kishte lënë një letër. Ia kërkova, por nuk ma dhanë as atëherë e as më vonë. Kurrfarë letre nuk pashë. Pas pak ata ikën dhe aty në shtëpi qëndruan vetëm dy prej tyre, krejt të panjohur, të cilët më shoqëronin dhe më ndiqnin në çdo lëvizje që unë bëja nëpër shtëpi. Ndërkohë u lidha me telefon me vëllain tim në Shkodër, Xhavit Gjylbegun (mjek i njohur), ku dhe jetova më vonë.
Atë mbrëmje a erdhi njeri nga udhëheqja e lartë aty?
Aty nga ora 22:00 e asaj darke, pak para se të vinte Xhaviti (vëllai) nga Shkodra, në shtëpi na erdhi Haki Toska, anëtar i Byrosë Politike, i cili tha se kishte ardhur me porosi direkte të Enver Hoxhës. Jam urdhëruar prej tij të të them: “Çfarë do nga ne? Fol! Kjo është një fatkeqësi e jona në radhë të parë dhe pastaj e jotja”. Pasi e ngriti shumë Zenelin, Haki Toska vazhdoi: “Enver Hoxha nuk ka qarë për nanën e tij, ndërsa për Zenel Islamin ka qa”. Hakiu qëndroi aty derisa erdhi vëllai im nga Shkodra dhe kur po ikte më tha: “Do t’i plotësojmë të gjitha, e kemi porosi nga Enver Hoxha”. Drejtuesit e Elbasanit nuk donin që të largohesha nga qyteti.
Në fakt ju ikët menjëherë?
Po, fill pas ngjarjes u largova. Erdha në shtëpinë ku jam ende sot. Për katër vite nuk isha në gjendje pune, pastaj rifillova.
Po me ju u morën? Vetëvrasja, e vërtetë ose jo, dënohej atëherë…
U morën sa ç’nuk kishin sa të merreshin më. Më kërkuan që ta ndaja pas vdekjes pikërisht për arsyen që thoni. Një muaj kam shkuar në hetuesi në orën 7 e jam kthyer në 4, si të isha në punë. Nuk kanë lënë pyetje pa bërë derisa u dorëzuan e thanë lëreni, ajo asgjë nuk di. Dhe vërtet, asgjë nuk kisha për të thënë. As e besoja e as e besoj që Zeneli të ketë vrarë veten, ndaj s’kisha ç’të thosha.
A u hap arkivoli për të shuar, së paku sipërfaqësisht, dyshimet?
Ne nuk na lejuan që ta hapnim dhe dhoma ku ndodhej arkivoli ruhej nga dy njerëz të Sigurimit. Por dy kushërinj të Zenelit nga Puka, gjetën momentin dhe hynë nga dritarja e pasme e shtëpisë për ta parë. Ata e hapën dhe erdhën e më thanë: “Nuk e ka vrarë veten Zeneli, ai kishte dhe disa plagë të tjera në gjoks”.
Sot e gjithmonë, a e keni çuar qoftë edhe një herë në mend se ka qenë vetëvrasje?
Askush nuk e njihte Zenelin më mirë se unë. Mund t‘u fshihesh të gjithëve, por nuk i fshihesh dot njerëzve të tu. Ta kisha pasur edhe një fije dyshim, nuk i isha ndarë Zenelit askund. Nuk e besoj kurrë vetëvrasjen. Unë e kam thënë gjithmonë dhe e them se nuk kishte asnjë arsye që Zeneli të bënte vetëvrasje. E para, se ai ishte rritur vetë jetim, së dyti nuk e vret kush veten me disa plumba, një në anën e majtë të ballit e disa në gjoks dhe e treta, ne ishim një familje e lumtur. Zeneli ishte njeri i ndershëm, kush e ka njohur nuk e ka harruar kurrë. Dhe askush nuk mund ta besojë se një burrë 36 vjeç, pa asnjë të keqe, me asnjë merak për pozitë të shkojë në vetëvrasje. Atë natë, kur më sollën lajmin, njërit prej burrave të Sigurimit i kam thanë: “Ju e dini më mirë se ai nuk e ka vrarë veten”. I rri këtij mendimi.
Pas asaj ngjarjeje, ku u sistemuat me punë në Shkodër?
Pas ngjarjes u sëmura rëndë. Katër vjet isha shumë rëndë. Pas katër vjetësh që isha e sëmurë, shkova të kërkoja punë në Komitetin Ekzekutiv të Shkodrës, por nuk më jepnin. Pas kësaj u detyrova dhe i shkova në zyrë Bilal Parrucës, kryetarit të komitetit, të cilit i thashë që të më jepte fshesën e të fshija rrugët e qytetit, pasi nuk kisha mundësi tjetër për të rritur fëmijët. I thashë se ato çka më kishte lënë Zeneli ne i kishim shitur për të jetuar dhe nuk kisha me se t‘i rrisja fëmijët. Bilali kishte qenë shok i afërt me Zenelin, kishin studiuar bashkë në Moskë dhe dy familjet kishim jetuar në një shtëpi. Ai me dashamirësi më dërgoi në shtëpinë e fëmijës në Shkodër, ku unë punova si ekonomate dhe magaziniere për 21 vjet me radhë, derisa dola në pension.mate dhe magaziniere për 21 vjet me radhë deri sa dola në pension.
Nga tregimi “Zeneli” i Migjenit
Çohet me syt e tij të gështejtë të përqëndruem mendueshëm ndër syt e mij. Dhambët e bardhë, ftyra e zeshkët, balli i rregulltë, kryet e zgjatun për mbrapa. Flet. Përgjegjet me besim të madh në vetvete. E at besim e fitoj me shum prova, mbasi gjithmon kur s’dijnë tjerët atij i takon me folë. Dhe flet me ball pak të rrudhun në mes të syvet. Nganjëherë – ashtu tue folë – e trathton Zenelin fantazija fëminore, i hypë kalit imagjinarë me flatra dhe fluturon nga reja në re, – por me të vumun re buzëqeshjen t’eme, kujtohet se asht tue gabue, ndalet, disi ndjehet ngushtë, ulet pa i thanë unë me ndejë, dhe mbulon fytyren me duer nga turpi. Atëherë qeshem unë, qeshen shokët e tij dhe sjellin kryet herë nga unë, herë nga Zeneli. Shpeshherë më pëlqente të mendoj mbi ardhëmenin e Zenelit. Por ç’e do. Nuk mjafton vullneti i mirë i em që t’a baj Zenelin të hypi nder majat e nalta kah shpërthejnë horizontet e dritës. Mandej dhe pjesa e eme fataliste arsyetonte: lene Zenelin të rrojë jetën stërgjyshore, primitive, e ka ma mirë: mos e merr në qaf me e hypë ndër majat e nalta nga mund të thejë qafen i dëshpëruem tue pa të vett të dashtun tepër ultë dhe tue mos mujtë me u ndihmue.
ANI JAUPAJ/panorama






