Eni Koçi nudo në ‘Motivi im’ (Video)


Sapo është publikuar kënga e paralajmëruar e Eni Koçit





Eni Koçi i ka të gjitha premisat për t’u bërë artiste e madhe. Është ngjitur në skenë që e vogël, ndërsa sot, 18-vjeçarja i bën vetë këngët e saj, tekstin, muzikën… Veç kësaj, Eni është edhe vajzë e bukur, ndaj kriteret për të qenë e suksesshme në këtë fushë i përmbush të gjitha. Mirëpo ky nuk është synimi i vetëm i vajzë bionde. Ajo po përpiqet të shkëlqejë edhe në një tjetër mision, shumë më human se i pari. Eni dëshiron të bëhet doktoreshë. Të gjitha këto dhe shumë të tjera, këngëtarja i zbulon në këtë intervistë për “Bluetooth”, tashmë si vajzë e rritur dhe më e përgjegjshme se kurrë. 


Eni, sapo ke përfunduar këngën tënde më të re. Na trego pak më shumë për të, autorët, muzikën, tekstin... 


Kënga titullohet “Motivi im”. Teksti i saj është shkruar nga unë, po ashtu dhe muzika. Ndërsa orkestrimi është bërë nga “Emotional beats”. 


Po xhirimet e videoklipit, ku janë bërë? Sa ditë zgjatën? 


Për videoklipin kam bashkëpunuar me Alexandrin. Xhirimet janë realizuar të gjitha tek “Vila aeroport” dhe kanë zgjatur afërsisht 12 orë. 


Ndodh shpesh t’i thuash “Jo” ndonjë skene në video? 


Nuk i them “Jo” asnjë skene, sepse sigurisht që të gjitha skenat janë të planifikuara sipas një skenari, i cili paraprakisht miratohet nga unë. 


Motorin, e mësove dot? 


Nuk e mësova dhe nuk dua ta mësoj (qesh). 


Fotoja e videoklipit tënd të ri u komentua, për faktin që ke dalë e zhveshur. Ti e quajte ekzagjerim... Pse? Në të vërtetë, sa e veshur je aty? 


Jam aq e veshur sa për të mos u konsideruar e zhveshur. 





Kush është motivi i Eni Koçit? 


Meqë “Motivi im” do të diskutohet shumë këto kohë, po vendos ta zbuloj vetë (qesh). Familja, muzika dhe ambicia për të pasur sukses në jetë, këto gjëra më motivojnë. Sa për motivin që ka teksti i këngës, s’ka lidhje me mua personalisht (qesh). 


Dimë që më në fund e more diplomën e shkollës së mesme. Do të na e tregosh mesataren? 


Nuk e kam marrë ende në dorë, por sipas llogaritjeve të mia, e kam mesataren patjetër mbi 9. 



Do i vazhdosh studimet e larta? Cilën degë ke zgjedhur? 


Sigurisht që do të shkoj në universitet. Pasioni im është mjekësia dhe aktualisht jam në proces të aplikimeve për të studiuar jashtë vendit. Shpresoj shumë që të arrij t’i nis studimet për degën që dua. 


Tani që je zyrtarisht maxhorene, sa ka ndryshuar jeta jote? 


Nuk ka ndryshuar fare në fakt. Përkundrazi, pjekuria ime ka arritur në atë nivel sa të mund ta planifikoj çdo gjë siç duhet. Në fund të fundit, mosha 18-vjeçare edhe shkencërisht konsiderohet si mosha e pjekurisë, që do të thotë se je e stabilizuar mendërisht për të gjykuar drejt. 
Vazhdon t’u kërkosh leje prindërve për të dalë natën? Po ditën? Siç ju shpjegova, në këtë moshë njeriu arrin pjekurinë e nevojshme për të qenë i përgjegjshëm ndaj vetes dhe të tjerëve. Faktin që konsultohem me prindërit, unë nuk e konsideroj si leje për të bërë një veprim, por si një detyrim ndaj familjes. 


Cila ka qenë hera e fundit që ke qenë në pub me shoqet? 


E para, është vetë profesioni im që ma kufizon daljen nëpër pub-e. E dyta, nuk është se kam ndonjë dëshirë të madhe të shkoj në pub-e me miqtë e mi, pa pasur ndonjë rast specifik. Dhe e treta, pub-et unë i frekuentoj shpesh, sepse koncertet ku këndojmë bëhen pikërisht në pub-e të ndryshme (qesh). 


Ku do të këndosh këtë verë? Si e ke axhendën e koncerteve? 


I kam të planifikuara në bregdet, nga Velipoja e deri në Sarandë. 


Po pushime, ke planifikuar? Ku dhe me kë do t’i kalosh? 


I kemi planifikuar familjarisht, mbas mbylljes së sezonit. Zakonisht preferojmë që pushimet t’i kalojmë jashtë Shqipërisë. 


Po në festivale, pse nuk të kemi parë më? Ke plan të marrësh pjesë në ato që do të vijnë? 


Nuk marr pjesë në festivale, pasi mendoj që në to vlerësimet janë të padrejta. Nuk besoj se do të më shihni nëpër festivale.