Ekspedita polake, një skelet 900-vjeçar në Rozafat

Nga gërmimet arkeologjike të ekspeditës polake në Kalanë e Rozafës

Shkodër- Ekspedita arkeologjike polake që po kryen prej ditësh gërmime në Kalanë Rozafat të Shkodrës dhe në pjesën përreth saj, ka gjetur skeletin e hershëm të një njeriu, i cili është dërguar për analiza dhe ekspertizë të mëtejshme. Ky skelet mendohet se është rreth 900-vjeçar dhe i përket periudhës së pushtimit turk, por kjo ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht. Megjithatë, pritet që ai të dërgohet për ekspertizë në një laborator në Francë, ndërsa përgjigjja do të vijë vetëm pas një viti. Ekspertet polakë kanë qenë mjaft të kujdesshëm në evidentimin e këtij skeleti, i cili sapo është gjetur, është nxjerrë në sipërfaqe me mjaft kujdes, me qëllim që të mos dëmtohej. Përgjegjësi i arkeologjisë në Shkodër, Helidon Sokoli, shprehet se këto kërkime synojnë të zbardhin lashtësinë e kështjellës së Rozafatit, konkretisht gjetjen e gjurmëve helenistike. “Kemi vazhduar me disa kërkime në tri oborret e Kalasë për të parë shtresëzimin e strukturave, duke filluar që nga ato më të vonat otomane mesjetare, veneciane, për të vazhduar më thellë me të antikitetit. Kemi disa ditë që kemi filluar dhe jemi akoma në shtresat e periudhës otomane mesjetare. Ne jemi të interesuar për të parë si është e zhvilluar Kalaja në fazat më të hershme nga antikiteti i vonë, deri në fazat helenistike, por që duhet të shkojmë shumë më thellë për të kapur këto shtresa të hershme”, tha Sokoli. Gërmimet në këtë zonë arkeologjike mundësohen nga një marrëveshje 5-vjeçare, me të drejtë rinovimi mes Ministrisë së Kulturës, Parkut Arkeologjik Shkodër dhe Institutit të Arkeologjisë së Varshavës, ndërsa financohen nga Ministria e Turizmit dhe Ambasada Polake në Tiranë. Ky është viti i tretë që kjo ekspeditë po bën kërkime në të gjitha pjesët e Kalasë. Ekspedita polake, dy vite më parë, po në ambientet rrethuese të Kalasë, nxori në dritë fakte të rëndësishme historike, pasi në të është zbuluar jo vetëm muri i fortifikimit, por edhe ndërtime urbanistike: shtëpi banimi e lokale, brenda dhe pranë murit të rrethimit të vjetër të qytetit të Shkodrës. Po në atë kohë në oborrin e dytë të Kalasë, në një nga ujëmbledhësit e saj, është gjetur një mbishkrim, i cili sipas specialistëve të asaj kohe u mendua se i përkiste shekullit të parë para Krishtit.