E frikshme!

FATOS LUBONJA


PD-ja ka kohë që po del thuajse përditë për të denoncuar faktin se në administratën e socialistëve janë vendosur mafiozë. Aq e zakonshme po bëhet kjo, saqë duket se po humbet efektin goditës që ajo synon.  Kundërargumenti që dëgjon rëndom nga njerëzit është: Po pse, ata të PD-së nuk e mbushën me kriminelë. Ndonjëri ndërhyn, në mbrojtje të Berishës, duke thënë se ai, të paktën, i mbante në rresht të dytë, nuk i nxirrte si Rama, në rresht të parë.
Mirëpo pastaj të tjerë kujtojnë emra që Berisha i ka në Parlament. Dhe duket sikur njerëzit më shumë fillon i preokupon rezultati i ndeshjes së mërzitshme PD-PS, mbi atë se kush ka më shumë kriminelë, sesa përmbajtja e frikshme e këtyre lajmeve që dëgjojmë.
Nuk mund ta mohoj se edhe vetë ndiej këtë apati dhe lodhje për të reaguar ndaj këtyre lajmeve. As të shkruash nuk të vjen më se të duket sikur po përsërit të njëjtat gjëra. Punë qelbësirash të vjen të thuash e ta mbyllësh. Por të them të drejtën m’u prish gjaku keq kur dëgjova denoncimin që u shoqërua edhe me botimin nga “Corriere della Sera” dhe “La Repubblica” mbi kryetarin e sapozgjedhur nga PS të Këshillit të Qarkut Vlorë, Sadrit Danaj. U vura t’i lexoj me kujdes lajmet e dyja të përditshmeve më serioze italiane dhe sikur u zgjova nga një ëndërr e frikshme. Midis të tjerash thashë me vete: Si ka mundësi që këto lajme u anashkaluan në një mënyrë aq të turpshme nga mediat tona, nga gazetarët dhe analistët tanë, nga shoqëria jonë civile, madje edhe nga ndërkombëtarët që, me demek, po na thonë se kemi bërë hapa para drejt Europës?
Shikoni se çfarë shkruan “Corriere della Sera” në lajmin me titull “Sicilia, shqiptarë prapa një tentative për rrëmbim. Alarm i Tinebra (prokurorit): janë aleatë të Cosa Nostra-s”.
Në lajm thuhet se dy italianë dhe dy shqiptarë, Gëzim Jacaj dhe Sadrit Danaj, nga Vlora, po projektonin rrëmbimin dhe ndoshta vrasjen e të bijës së një sipërmarrësi toskan, por janë arrestuar nga karabinierët para se ta realizonin planin e tyre. Prokurori italian i Caltanissetës, ku janë arrestuar këta të katërt, është shprehur: “Jemi shumë të shqetësuar sepse kjo lidhje midis të skeduarve të Cosa Nostra-s dhe kriminalitetit shqiptar shton frikën e një rritjeje të krimit”.
“La Repubblica” jep një njoftim edhe më të hollësishëm e më dramatik. Ajo e fillon lajmin e saj (po të 23 marsit 2000) me këto fjalë: “Rrëmbimi më i mirë është ai kur e vret menjëherë pengun. Kështu trupi nuk gjendet dhe ti nuk rrezikon asgjë”. Janë fjalë që i atribuohen heroit tonë shqiptar, Sadrit Danajt, të nxjerra nga përgjimet e karabinierisë italiane.
Sipas lajmit që vazhdon pas këtij citimi, dy sipërmarrësit italianë, Graziano Ambrogetti dhe Dante Cavasini, që ishin në vështirësi ekonomike, e kishin përgatitur me kujdes planin nëpërmjet të cilit synonin të zgjidhnin problemin e tyre. Duhet të ishte një rrëmbim që të zgjaste pak ditë. Për të realizuar këtë ishin lidhur me një grup kriminal shqiptar. Por… lexoni me vëmendje të dashur lexues…. Ambrogetti dhe Cavasini hezitojnë ta realizojnë planin pasi janë të shqetësuar për fatin e pengut, d.m.th. të asaj vajzës që donin të rrëmbenin. Sepse, sipas Ambrogettit, shqiptarët që kanë zgjedhur për të kryer operacionin “Janë defiçentë, njerëz pa mend në kokë, të uritur për para aq sa nuk dinë se deri ku t’i zgjasin duart”. Kështu i thotë ky Cavasinit, i cili, i terrorizuar, i përgjigjet: “Ata mund ta vrasin. Nuk e kuptojnë se janë në Itali, ku ne na duhet të kalojmë në teh të briskut. Na duhet dikush që t’i kontrollojë”.
Pra, për fat të vajzës toskane, këto hezitime kanë bërë që rrëmbimi të shtyhet. Megjithatë, gjithë sipas “La Repubblica”-s, Ambrogetti, Cavasini dhe Sadrit Danaj vazhdojnë t’i mbajnë lidhjet. Në një përgjim të mëvonshëm nga karabinierët, duke komentuar një rrëmbim tjetër, të kryer nga të tjerë, që ka përfunduar me lirimin e pengut dhe kapjen e banditëve, kryetari i sotëm i Këshillit të Qarkut të Vlorës u thotë italianëve për pengun që është çliruar nga policia: “Duhet ta kishim varë. Vetëm kështu do të kishim shpëtuar. Sepse trupi nuk do të ishte gjetur dhe s’do të kishim rrezikuar asgjë”.
Kjo është pika kulminante e rrëfimit.
Pastaj “La Repubblica” jep edhe disa hollësi të tjera, jo pa rëndësi për shqiptarët: Graziano Ambrogetti, 42 vjeç, i kishte transferuar prej vitesh bizneset e tij në Shqipëri, në Vlorë. Dante Cavasini, 51 vjeç, pas disa përvojave biznesi të pasuksesshme, kishte qenë një vit më parë në Shqipëri për të përfunduar disa afera në fushën e ndërtimit.
E pra si u trajtua kjo histori në shtypin shqiptar. E turpshme! Gazetarët tanë u mjaftuan të japin deklaratat e PD-së dhe kundërpërgjigjet e PS-së, pa bërë asnjë koment apo analizë. Në fillim dhanë denoncimin e PD-së, që, duke qenë se nuk e ka seriozisht këtë punë, por i duhet thjesht për të manipuluar publikun, dha një version më shumë çorientues. Doli Ristani dhe tha se Sadrit Danaj ishte arrestuar e dënuar sepse kishte kryer rrëmbim e më pas kishte thënë: “Vajza duhej vrarë, vetëm kështu do t’ia kishim hedhur. Trupi nuk do të gjendej kurrë dhe ne nuk do të kishim rrezikuar asgjë”. Mirëpo, sikur ata ta kishin kryer rrëmbimin, zor se Danaj do të ishte sot jashtë. Rrëmbimi s’kishte ndodhur për arsyet që shpjegova më sipër dhe sepse më pas ata u arrestuan si masë parandaluese nga karabinieria. Se çfarë ka ndodhur më vonë, nga viti 2000 e këtej me Danajn, ne, që s’jemi vlonjatë, as njerëz të policisë apo të drejtësisë dhe as të PD-së që ka qenë në pushtet, nuk kemi asnjë informacion përveç faktit se Danaj na doli kryetar i Këshillit të Qarkut.
Po PS-ja ç’bëri? Si përgjigje të parë u tha se PD-ja gënjente pasi Danaj e kishte të bardhë certifikatën e dënimit të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë italiane. Pastaj na thanë se këta të PD-së janë të pabesueshëm, pasi Danajn e kanë votuar të dyja palët si kryetar. Ama asnjë përgënjeshtrim i asaj që shkruajnë gazetat italiane.
Pastaj doli Berisha në Parlament dhe tha se Danajn e ka vënë aty Kokëdhima pasi ky i ka dhënë 100 000 euro. Po kush e vërteton këtë? Aq më tepër kur e thotë Berisha, që veç të tjerash, nuk tha një fjalë për të tijtë që e votuan Danajn në Vlorë.
Më në fund vulën ia vuri deputeti socialist i Vlorës, miku i Kryeministrit, Koço Kokëdhima, njeriu që të vetmin mëkat që i njeh Kryeministrit Rama dhe kryetarit të Parlamentit Meta është se kanë vonuar bashkimin e së majtës. Ai e cilësoi “të vonuar”, ashtu si dhe bashkimin e së majtës, zgjedhjen e Sadrit Danajt, pasi kishin vërtetuar se qe njeri i pastër dhe zgjedhja e tij ishte mirëpritur nga të gjitha forumet e koalicionit.
Çfarë mrekullie! Në fakt edhe zgjedhja e Kokëdhimës deputet ka qenë shumë, shumë e vonuar.
Me kaq historia u mbyll. Më falni, harrova: del nganjëherë zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, dhe i thotë Kryeministrit të japë përgjigje pse ka vënë kriminelë në punët e rëndësishme të shtetit, por ky nuk ia ka ngenë të përgjigjet pasi po del nëpër botë për të promovuar, me demek, dhënien “e vonuar” Shqipërisë të statusit të vendit kandidat për Europë, duke thënë se qeveria “ka bërë gjithçka që duhej bërë për këtë”. Sigurisht, siç thotë Kryeministri, kjo nuk do të thotë se ne do të bëhemi anëtar nesër. Anëtarësinë do ta fitojmë pas dhjetë vjetësh, ndoshta kur të jetë bërë Danaj kryetar Parlamenti.
Tani, të dashur lexues, desha t’ju drejtohem juve me një pyetje: Nëse ju keni informacion se në pallatin tuaj keni një komshi për të cilin dy gazetat më prestigjioze italiane kanë shkruar ato që citova unë më sipër, d.m.th. se, sipas karabinierisë dhe prokurorisë italiane, ka qenë pjesë e kriminalitetit shqiptar në Itali lidhur me Cosa Nostra-n, njeri i gatshëm jo vetëm të kryejë rrëmbime për para, por edhe të vrasë pengjet, pasi sipas disa kriminelëve më të butë është “defiçent, njeri pa mend në kokë, i uritur për para sa nuk di se sa duhen zgjatur duart”, a do të ndiheshit të qetë vetëm se ai ju tregon një certifikatë që tregon se nuk është i dënuar? Dhe, nëse do të bëhej ndonjë zgjedhje në lagje apo në pallat, a do t’ia jepnit atij çelësat e zyrës së lagjes apo të shtëpisë? Personalisht unë do të kujtohesha se edhe Al Capone, që kishte vrarë dynjanë, nuk u dënua për asnjë vrasje, por vetëm për evazion fiskal, pas shumë e shumë vitesh. Po ashtu, personalisht, do të uroja që gjatë këtyre 14 vjetëve që kanë kaluar që nga ngjarja në fjalë, Danaj të ketë arritur nivelin e koshiencës së dy kolegëve të tij mafiozë italianë, të ketë mësuar pra, të paktën, se duart nuk duhen zgjatur deri në vrasje, por dyshimet do t’i ruaja dhe çelësat e shtëpisë nuk do t’ia jepja kurrsesi.
Tani imagjinoni, këtij i kanë dhënë çelësat e Këshillit të Qarkut të Vlorës! Dhe të gjithë, si ata të PS-së, dhe ata të PD-së. Altro che Cosa Nostra – do të thoshin italianët.
Të dashur lexues, kjo është sa e pabesueshme, aq edhe e frikshme.
Të dashur gazetarë, kjo është sa e pabesueshme, aq edhe e frikshme!
Të dashur prokurorë, kjo është sa e pabesueshme, aq edhe e frikshme!
I dashur ambasador Ganiani i Italisë që ka dhënë 15 milionë euro për rehabilitimin e Portit të Vlorës, kjo është sa e pabesueshme, aq edhe e frikshme!

Zot, na ruaj!

Related Posts: