Në ambientet e Medresesë së Tiranës, këto ditë ata kanë qenë në qendër të vëmendjes. Dy nxënës të kësaj shkolle kanë arritur të marrin medalje bronzi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Erald Fezullau dhe Erion Rika (16), kanë konkurruar mes bashkëmoshatarëve të tyre nga 66 vende të botës duke u renditur në vendin e tretë për projektin më të mirë mjedisor dhe teknologjik. Ne shkuam në ambientet e kësaj shkolle për t’i takuar këta djem e për të na treguar më shumë për diplomën dhe medaljen e fituar. Nuk janë nga ata çunat e ndrojtur të medreseve që shumëkujt mund t’i vijnë ndërmend. Që të dy vijnë nga i njëjti qytet, Elbasani. Kanë zgjedhur këtë shkollë, pasi ua kanë sugjeruar si një ambient studimor që të jep më shumë mundësi për të ardhmen e për më tepër të mban larg veseve të adoleshencës. Ata e respektojnë profilin fetar të shkollës, madje thonë se lëndët që flasin për fenë u kanë dhënë më shumë informacion. E pranojnë me buzën në gaz që kur vendosën të frekuentonin Medresenë e Tiranës nga shumë miq e të afërm kanë dëgjuar shprehjen: “ Aha, tani që shkove atje, do bëhesh hoxhë”. Por nuk është kështu, ti je i lirë të bësh çfarë të duash, nëse do mund të bëhesh hoxhë, por ka shumë nxënës që nuk e kanë zgjedhur këtë rrugë, por kanë preferuar degë të tjera jashtë profilit fetar. Nuk është hera e parë që nxënës nga Medreseja e Tiranës arrijnë rezultate të tilla. Pothuajse çdo vit dëgjojmë nga kjo shkollë lajme të mira aq sa në korridorin e saj, një kënd është i mbushur me medalje të fituara pikërisht nga ata që marrin mësime në këto ambiente.
Kur i pyesim djemtë se pse kanë zgjedhur Medresenë, ata përgjigjen:
Eraldi: Së pari, për shkak të cilësisë së shkollës, në krahasim me gjimnazet e tjera më pëlqen më shumë këtu, por edhe duke parë mundësitë që të jepen në krahasim me gjimnazin. Kisha dëgjuar më parë që Medreseja çonte njerëz në olimpiada, qoftë jashtë shtetit, qoftë edhe brenda. Kisha dëshirë të provoja veten në këto konkurse. Por një shtysë të madhe e kisha marrë edhe nga shumë persona apo të afërm që kanë përfunduar këtë shkollë dhe u ka dalë për mirë.
Sa ndikim ka në përzgjedhje profili fetar i shkollës?
Erion: Feja është pjesë ekstra, nëse ti do, patjetër që mund të thellohesh më shumë në të. Një nga arsyet është disiplina që është këtu, e cila të mbledh e të mbron nga veset. Më pas, kur je larg familjes, mendon më shumë për ta duke thënë: Ata po sakrifikojnë për ne, s’kemi pse ua shpërblejmë duke shpërdoruar besimin e tyre.
Ju jeni nga ata nxënësit e mirë të shkollës?
Erald: Jemi nxënës mestarë, që do të thotë, te nota mbi tetë e lart. Nuk jemi nga ata absolutët, por nuk i lëmë pas dore mësimet. Studiojmë sistematikisht për të arritur rezultate më të mira në mësime, pasi kjo do të na shërbejë dhe do të na lehtësojë në të ardhmen.
Ju sapo jeni kthyer nga SHBA me medalje bronzi, na tregoni pak me cilin projekt konkurruat?
Erion: Në konkurruam në profilin e projekteve që duheshin mbi mjedisin. Arritëm të ndërtonim një projekt për të cilin mendonim se do të kishim rezultate pozitive. Më pas aplikuam për të marrë pjesë në konkurs. Projekti përshinte tri çështje: Mjedisin, uljen e radioaktivitetit dhe ekonominë.
Më konkretisht, me çfarë kishte të bënte projekti juaj?
Erion: Ideja ishte se si të mbrojmë botën nga radioaktiviteti dhe këtë ta bëjmë me kosto më të ulët se sa është bërë tani. Elementi kryesor që përdorëm ne ishte lëvozhga e vezës, e cila është e përbërë nga 94 për qind gëlqere edhe është ndalues i mirë i radioaktivitetit. Këto lëvozhga që shërbejnë për të ndaluar radioaktivitetin, ne menduam t’i aplikonim në tri anë: fillimisht te satelitët, pasi dielli bëhet shumë aktiv dhe satelitët dëmtohen. Deri më tani është përdorur plumbi si veshje mbrojtëse të satelitët. Tashmë dimë që plumbi është shumë i kushtueshëm dhe për këtë shkak ne menduam të gjenim një alternativë më të lirë, që kushton më pak. Aplikuam lëvozhgën e vezës.
Si aplikohet veza?
Erald: Merret lëvozhga e vezës, shtypet, bëhet pëlhurë, bëhen provëzat, më pas i jep formën dhe e vesh me një pllakë alumini nga jashtë. Kjo shërben edhe për përparëset e mjekëve që punojnë në bërjen e grafive apo në sallat ku aplikohen rreze. Projekti ynë u vlerësua nga juria e atjeshme dhe na vlerësuan me çmimin e tretë nga 66 vende që morën pjesë.
Prisnit më shumë apo më pak?
Erion: Fillimisht ne prisnim që të arrinim në vendin e dytë, por përsëri edhe me këtë jemi të kënaqur, sepse vendi i tretë në botë nuk është keq. Konkurrenca ishte e madhe.
Sa orë në ditë studioni?
Erald: Edhe ne nuk jemi të fiksuar pas mësimeve që të rrimë 24 orë mbi libra. Duke qenë se vijmë nga rrethet, qëndrojmë në konvikt dhe konvikti ka dy orare studimi të detyrueshme në ditë, sepse ky është profili i tij. Duhet t’i respektosh këto orare, mëson nuk mëson, mbi libra do qëndrosh kështu që, mirë është të lexosh. Këto dy orare studimi janë të mjaftueshme për të qenë një nxënës mesatar.
Një tjetër aspekt i shkollës tuaj është edhe profili fetar. Kur keni filluar të besoni?
Erald: Unë, përpara se të vija këtu nuk dija asgjë rreth fesë. Nuk dija ndryshimin mes feve me njëra-tjetrën. Këtu kam marrë njohuritë dhe jam i kënaqur për këtë. Jam praktikant i fesë myslimane dhe ndihem mirë.
Ndiheni të paragjykuar për shkollën ku jeni?
Erion: Po edhe ndihemi, sepse ka njerëz që nuk kanë njohuri për shkollën dhe për Medresenë. Dinë se po erdhe këtu do të bëhesh hoxhë. Këtë gjë na e thonë edhe të afërmit.
Erald: Ndërsa unë kam babanë që më mbështet në çdo gjë dhe nuk e kam vrarë shumë mendjen se çfarë thonë të tjerët. Kam pasur shumë paragjykime nga shokët, por besoj e kanë kuptuar në fund.
* * *
Dorjan Burnazi /Profesori udhëheqës
Dy medalje të tjera në fondin e krenarisë së shkollës
Ai që u ka qëndruar pranë në vazhdimësi djemve në këtë punë të paraqitur për konkurrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është profesori i lëndës së Fizikës në këtë shkollë, Dorjan Burnazi. Edhe pse i ri në moshë (23 vjeç), pas përfundimit të studimeve, ai është emëruar menjëherë mësues, kjo për shkak të rezultateve të larta që ka pasur gjatë viteve shkollore. Në një komunikim me të, mësojmë se Burnazi, ka përfunduar studimet e larta në Ankara. Për sa i përket mësimdhënies tregon se: “Në fillim nuk e kisha qejf si profesion mësuesinë, por me kalimin e kohës po më pëlqen. Është një profesion që të mban gjallë”. Për sa i përket temës që i ka çuar nxënësit e tij në SHBA, ai shprehet: “Kemi filluar punën vitin e kaluar, me përzgjedhjen e temës, përgatitjen e raportit, më pas shkuam te Qendra e Fizikës Bërthamore për të vënë në zbatim eksperimentin me profesor Luan Qafëmollën.
Dorjan Burnazi
E reja në këtë punë është zgjidhja e tri problemeve. Projektet e këtyre niveleve nuk mund të hyjnë direkt në treg apo zgjidhin problemet menjëherë, por qëllimi është që në një të ardhme të vihen në zbatim dhe këta nxënës të japin diçka nga vetja dhe ta shohin që edhe ata mund të japin diçka. Projekti zgjedh pjesën e radioaktiviteti, e mjedisit dhe të ekonomisë. Duke ricikluar zgjidh tri probleme të tjera. Ne ndihemi shumë mirë që shkollës sonë, në morinë e medaljeve iu bashkuan edhe këto të dyja”, përfundon profesori komentin e tij në lidhje me punën e Eraldit dhe Erionit.








