David Cameron: Çështja e Irakut kërkon durim dhe inteligjencë


Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron ka kërkuar durim dhe inteligjencë përballë situatës në Irak dhe ka përjashtuar për momentin pjesëmarrjen e Britanisë në çfarëdolloj operacioni ushtarak. “Do të ishte një gabim të besosh se zgjidhja e vetme për këto probleme është sulmi i ashpër dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë, që nga ana e saj mund të krijojë probleme në vetvete”, deklaroi kryeministri duke u distancuar qartësisht nga paraardhësi i tij Tony Blair. Në një artikull të publikuar përmes zëdhënësit të tij, Blair u shfaq në favor të një ndërhyrje të re ushtarake dhe kritikoi vendimin e Obamas për të tërhequr trupat nga Iraku shumë shpejt. Pavarësisht se është distancuar David Cameron ka kujtuar se gjithsesi konflikti në Irak ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek britanikët. “Po përballemi me vendosjen e një regjimi ekstremist në qendër të Irakut që jo vetëm aspiron të fitojë territor, por planifikon të sulmojë edhe Mbretërinë e Bashkuar. “Përgjigja e përshtatshme duhet të jetë afatgjatë”, theksoi Cameron minuta para mbledhjes urgjente të kabinetit të tij për të trajtuar çështjen në Irak. “Duhet të mendojmë mirë, me durim dhe inteligjencë, llojin e bisedave që duhet të bëjmë. Sepse këto probleme do të lulëzojnë sërish dhe do të na godasin në shtëpinë tonë, nëse nuk e bëjmë”.
Kërcënimi xhihadist
“Askush nuk duhet të dyshojë se ajo që po shohim në Siri dhe Irak nga ana e ISIS është një kërcënimi i madh për sigurinë e Britanisë së madhe sot për sot”, shtoi kryeministri konservator. “Numri i luftëtarëve të huaj, duke përfshirë edhe disa nga Mbretëria e Bashkuar, mund të tentojnë të kthehen në vendin tonë dhe të shndërrohen në një kërcënim real. Do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për të mbajtur të sigurt popullin tonë”, theksoi Cameron. “Dhe, kjo do të thotë të evitojmë daljen e njerëzve, të arrestojmë ata që planifikojnë atentate, të përqendrohemi tek siguria dhe sforcimi i koordinuar i inteligjencës në atë zonë të botës”. Cameron konfirmon në fund restaurimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe rihapjen pas tre vjetësh  të ambasadës britanike në Teheran si pjesë e strategjisë për të gjetur një zgjidhje afatgjatë në konfliktin e rihapur pranë Irakut.