![]() |
Lord Xhorxh Bajron |
Poeti rebel për letërsinë e kohës, Xhorxh Bajron, politikën, moralin dhe poezinë i ka të pandashme në veprën e tij. Jeta e trazuar e tij, soj i shkrimtarit romantik, konsideruar përherë i mallkuar, Bajroni krijonte midis jetës dhe veprës harmoni perfekte.
I ngushëlluar nga kënaqësitë dashurore, i lëshohej gjithnjë pasionit, duke u shpjeguar si kulti i tij i lirisë. Më poshtë janë disa poezi që përkthyesja e shkrimtarja Meri Lalaj bën ftesë për lexime në “Logos&Art”
Lord Xhorxh Bajron
(1788-1824)
Sot jam tridhjetë e gjashtë vjeç
(Misolongji, 22 janar 1824, pak kohë para se të vdiste)
Po e mbaj zemrën fort mos më tronditet,
Kur të tjera zemra i ndalën trokitjet,
E megjithëse nuk më dashurojnë
Lermëni të dashuroj!
Ditët e mia u zverdhën një nga një;
Lule e fryte dashurie nuk ka më;
Brenda thellë në shpirt më janë:
Krimb-vreri dhe brenga shafran.
Në gjoksin tim një zjarr i strukur
Si ishull vullkanik i përgjumur;
Dhe nuk ndez dot asnjë pishtar
Jam i pakalluri në varr.
Largoj tej vetes me përçmim,
Shpresën, frikën, zilinë,
Por dhimbjen e të madhen dashurinë
Shtrënguar i mbaj fort.
Veç nuk është as kështu, as këtu-
Më parë të shkundej shpirti im, jo tani,
Kur Lavdia përkëdhel me dashuri
Heronjtë e rënë për liri.
Një fushë lufte, shpatë e flamur,
Lavdia e Greqia vështrojnë përreth,
Spartani i armatosur që në djep
Me vargonj po merr e jep.
Zgjohu! (jo Greqia-ajo s`ka gjumë!)
Zgjohu, shpirti im, në dej ke gjak
Duhet bërë edhe më shumë
Për të marrë hak!
Larg dëshirave të vogla
Të njeriut pa vlerë!-Buzëqeshjet
A s`janë njësoj me ngërdheshjet
Bukuria është gjetkë.
Nëse të dhimbset rinia, përse jeton?
Kjo tokë e vdekjes me nder
Atje në sheshmejdan të fton
Dhe frymën ty ta merr.
Ç`gjë tjetër mund të kërkosh
Përveç një varr ushtari,
Aty të shtrihesh të pushosh
I kositur nga zjarri.
STROFA PËR MUZIKË
As e them dot, as e shkruaj, as e pëshpëris emrin tënd;
Gërmat e trishtuara më duket sikur i lëndoj:
Veç lotët që më bien në faqe më zhytin në të thellat
Mendime që rrinë heshtur pas zemrës.
Sa të shkurtëra e të gjata njëkohësisht
Ato orë-mos na ndau gazhidhërimi dyfish?
Ne do ia falim njëri tjetrit, do e këputim zinxhirin-
Do ndahemi, do ikim larg e do ta lidhim prapë!
Oh! Ti paç gjithnjë hare, unë vetëm qortime!
Më fal e adhuruar! Braktismë po të mundësh;
Me siguri zëri jot do të nemitet patjetër,
Nuk do të thyhem kurrë çfarëdo që të më bësh.
Sa i ashpër jam me të liqtë, aq i butë jam me ty
Shpirti im në pikëllimin më të zi do bjerë;
Ditët ikin shpejt dhe minutat trokasin ëmbël
Ty të kam kaq pranë, por fjalët i kam ndër këmbë.
Një psherëtimë prej teje, një vështrim dashuror,
Do më largojë ose afrojë, do më shpërblejë a mallkojë;
Ata zemërgurët do habiten nëse do braktisem-
Buza jote do t`ju përgjigjet jo atyre, por shpirtit tem.
XHON KIC
Kush të vrau, o Xhon Kic?
Ti ishe vërtet artist
Unë them `E Përkohshmja`
Ajo e egra dhe e poshtra.
Kush qëlloi me shigjetë?
Milmani-ai prifti poet:
(Gati të vrasë çdo njeri
Apo Bërou, ndoshta Sauthi.
(Bërou, Milman, Sauth-poetë të kohës
KUR U NDAMË NE TË DY
U ndamë ne të dy
Në heshtje e lotë.
Nuk u pamë me sy
Zemrat copë-copë.
Ti e zbehtë meit
Puthja jote e ftohtë
Mbeta kandil pa dritë
Malldjeguri në botë.
Vesa mëngjesore
Më ka lagur ballë,
S`të kap më përdore:
Jam akull e uj` valë.
Premtimet u shuan
Fluturuan n`erë
Emrin tënd përflasin
Të quajnë pa nder.
Sa dëgjoj emrin tënd,
Më pikon thellë në shpirt;
Diç më shpon tej e tej
Pse ishe aq e mirë?
Njerëzit e dijnë
Shumë të desha ty
Dhe të njohin mirë:
Sa vlen kjo për të dy.
Fshehur u takuam
Po vuaj në vetmi
Të ta harroj zemrën
Si të dyshoj për ty?
Po të të takoj
Pas shum` e shum` vjete
Do të të përshëndes:
Me lotë dhe heshtje.
GRUAS
Grua! Përvoja më ka rrëfyer se të gjithë
Duhet të të duan, janë të detyruar,
Sigurisht përvoja duhej të më kish mësuar
Se premtimet e tua të zjarrta janë hiç;
Për përballë joshjeve të tua të ëmbla
Harroj çdo gjë, vetëm të adhuroj ty.
O Kujtesë! Ti qofsh përditë e bekuar,
Isha i mbushur përplot me shpresë,
Por sa të mallkon çdo i dashuruar
Kur shpresa venitet, pasioni mbaron!
Grua, gënjeshtare, e bukur lozonjare
Djelmoshat hidhen për ty në zjarr,
Si na vërshen gjaku kur për herë të parë
Shohim sytë e tu xixëllonjës të kaltër
Që lëshojnë shkëndia guri të rrallë
O, sa shpejt i zemë besë çdo fjale
Dhe i gjunjëzohemi betimit tënd
Gënjehemi sikur do vazhdojë përherë
Medet! Ti ndryshon që të nesërmen
E kështu do të ndodhë përngaherë
`Grua! Betimet i shkruan në rërë!`
MË PYETËN SE KU ISH FILLIMI I DASHURISË
`Fillimi i dashurisë` – Ah, përse
Më bëni këtë pyetje mizore.
Kur mund ta lexoni në shumë sy
A nuk fillon sapo të shoh ty?
As dua t`ia di për fundin e saj
Zemra s`më ndjell keq, frika ikën larg.
Ajo vjen heshtur me dhimbje pa fjalë
Por jeton – gjersa të jem gjallë.
Përktheu nga anglishtja: Meri Lalaj
Standard