Dashuria jetësore quhet Refiela Shoraj

 


 “The invalid mode”, krijuar në vitin 2013, është projekti i  Refiela Shoraj, studentes shqiptare  e cila prej vitesh jeton në Itali. Është një blog mode që flet nëpërmjet syve të Refielës, e cila për një moment rrezikoi të humbasë gjithçka, edhe vetë jetën! Si i tillë, është  projekt që synon të hapë portat e një vështrimi të ri jo vetëm për modën, por edhe për jetën! Refiela, ka kapërcyer sot gjymtimin që pësoi nga një aksident në moshën 9 vjeçare, përpara shkollës së saj. Andaj edhe blogun e ka quajtur INVALID! Por pasioni për modën e ka ngritur sërish në këmbë 24 vjeçaren nga Vlora, e cila është duke i dhënë jetë edhe markës së saj të modës që do të quhet Nume. Flet për modën nëpërmjet vetes dhe trupit të saj me shenja dhe defekte! Janë të “shëmtuara” në sytë e shumë njerëzve, por stili i saj u jep elegancë! “Faleminderit modës! Ajo arrin të tregojë se mund të ketë stil, elegancë dhe bukuri mbi një trup estetikisht jo të bukur”, thotë Refiela. The Invalid Mode,  lindi për t’u dhënë njerëzve kurajon dhe për të rikthyer tek ata dashurinë për jetën, për të luftuar kundër idesë së bukurisë së gabuar! Sepse, në fund të fundit, ajo mendon se të gjithë janë të bukur, por e rëndësishme është të gjejnë mënyrën dhe mjetin për ta përcjellë atë. Dhe Refiela Shoraj gjeti modën! “Cilido është i lirë të zgjedhë botën e tij”, mendon Refiela, e cila ka përfunduar studimet në Akademinë e Luksit dhe tashmë është duke përfunduar edhe studimet në degën Ekonomi.
Refiela, Vlora është vendlindja juaj prej së cilës jeni larguar kur ishit fare e vogël. Megjithatë duket se keni një lidhje të veçantë me këtë qytet…! Ç’përfaqëson Vlora për ju? Po Montevarchi, qyteti italian ku jetoni sot?
Isha 3 vjeç kur u largova për herë të parë nga Vlora. Arsyeja ishte se im atë jetonte në Itali, prej mëse një viti. Në vitin 1996, u kthyem në Shqipëri me besimin se do të jetonim në Vlorë, por trazirat e asaj periudhe ndikuan në vendimin final të prindërve të mi. Nga ai moment, Shqipëria u bë vendi ku mund të kaloja një pjesë të pushimeve, sidomos në vendlindjen time, Vlorë. Në fakt, kam kuptuar se Vlora nuk ishte vetëm vendi i pushimeve, por edhe vendi ku gjej vetveten dhe ku ndihem gjithnjë pjesë e saj. Asnjëherë nuk e kam humbur dashurinë dhe interesin për qytetin tim që e dua më shumë se çdo gjë tjetër. Sa zbres në portin e Vlorës ndiej se mushkritë e mia mbushen me oksigjen. Vetëm në Vlorë ndihem vërtetë në jetë, edhe pse ndiej trishtim kur shoh degradimin urban, por edhe njerëzor të qytetit tim. Megjithatë shpresoj se do të jenë sërish njerëzit që do të gjejnë forcën për ta ndryshuar, falë historisë, edukatës, por edhe dashurisë për Vlorën e mrekullueshme. Për mua Vlora është qyteti që më ka dhënë jetën. Është vendi për të cilin nuk pushoj kurrë së luftuari e së dashuri! Montevarchi është shtëpia ime. Italia sot është vendi im! Ndjehem pjesë e këtij populli. Kthimi në Toskanë më shtyn të them gjithmonë: “Shtëpi e ëmbla shtëpi”!
 “The Invalid Mode” është një blog të cilin e keni krijuar pak kohë me parë dhe që, sipas jush, flet nëpërmjet syve të asaj që rrezikoi të humbasë gjithçka, edhe jetën…! 
Projekti im lindi në vitin 2013, për t’i dhënë zë të gjithë atyre që kanë qënë të përjashtuar nga bota e modës, vetëm sepse nuk janë shumë të bukur, perfekt, ose janë jo normal, sikurse i quajnë! Unë flas në emër të të gjithë atyre që janë të ndryshëm, ose më mirë të themi me defekte. Unë jam invalide për shkak të një aksidenti që pësova përpara godinës së shkollës ku mësoja këtu në Itali. Isha 9 vjeç atëherë, një vajzë e vogël, një fëmijë i huaj në një vend që me shumë vështirësi do të mund të më pranonin, kur përfundova nën rrotat e një kamioni dhe mbeta invalide! Andaj edhe blogu im quhet INVALID! Është invaliditeti, defekti që bënë projektin tim të veçantë dhe të hapur për të gjithë, ndërsa ky projekt më bënë mua një vajzë jashtë së përditshmes. Pra, ky projekt flet për modën nëpërmjet meje dhe trupit tim plot me shenja dhe defekte. Janë të shëmtuara në sytë e shumë njerëzve, por mendoj se stili im u jep atyre elegancë. Faleminderit modës, përmes së cilës arrij të tregoj se mund të kesh stil, elegancë dhe bukuri mbi një trup estetikisht jo të bukur. Dua të theksoj këtu, se përmes modës synoj të ekspozoj krijimet e mia dhe jo invaliditetin tim. The Invalid Mode lindi për t’u dhënë njerëzve kurajon dhe për të rikthyer tek ata dashurinë për jetën, për të luftuar kundër idesë së bukurisë së gabuar. Të gjithë jemi të bukur, por mendoj se e rëndësishme është të gjejmë mënyrën dhe mjetin për ta përcjellë atë. Unë gjeta modën! Cilido është i lirë të zgjedhë botën e tij. Refiela, ështe personazh në librin ” Vlora-Histori Suksesi”, promovuar më 10 maj në qytetin e Vlores si një bashkëpunim i Albanian Excellence , Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe  Bashkisë  së qytetit bregdetar.

Çfarë synoni përmes “The Invalidi mode”?
Është një projekt që ka si objektiv kryesor të hapë portat e një vështrimi të ri jo vetëm të modës, por edhe jetës. Cilido mund të marrë pjesë apo të mbështesë këtë projekt. Blogu “The invalid mode” është një hapësirë e vogël dedikuar të gjithëve, pra cilitdo që ka dëshirë dhe nevojë, si unë, që të dëgjohet! Nuk kërkon t’i mësojë asgjë askujt! Dëshiron vetëm të tregojë se forca e gjesteve të vogla mund të bëjë të lirë shumë njerëz që për fat të keq jetojnë një jetë përgjysmë. Pra, ky blog ka lindur për të gjetur çelësin për t’u larguar nga hipokrizitë, nga diskriminimi, nga paragjykimet, nga tabutë që kjo botë moderne kërkon të injorojë. The Invalid Mode është një hapësirë dedikuar të gjithë të apasionuarve të modës dhe atyre që besojnë në lirinë e të shprehurit.
Fatkeqësia duket se të ka dhënë më shumë forcë për të ecur përpara. Keni përfunduar Liceun Shentifico në Montevarchi, më pas Akademinë e Luksit (Stilizmit) dhe aktualisht jeni studente në degën Ekonomi, në Universitetin e Sienës…
Besoj se kam qënë gjithmonë një studente e rregullt, pavarësisht problemeve që kanë shoqëruar jetën time. Kam qënë e vendosur dhe këmbëngulëse edhe kur të tjerët besonin se unë nuk do të mundesha të arrija objektivat e mia. Falenderoj familjen që gjithmonë ka besuar tek unë dhe më ka nxitur të ecë përpara.
Jeni shprehur diku se prindërit janë heronjtë e tu…Ç’është familja për ju?
Për mua familja është mbi gjithçka! Është e vetmja siguri e jetës sime! Familja është një dhuratë si jeta. Thjesht jam me fat!
Jetoni në Montevarchi dhe prindërit tuaj drejtojnë një biznes. Sa e vështirë është të krijosh dhe të drejtosh një aktivitet të tillë në një vend të huaj, duke pasur parasysh se edhe ju i jeni futur një rruge të tillë, pak a shumë?
Të rritesh si i huaj ka qënë shumë e vështirë, por të punosh si i huaj ka qënë akoma edhe më e vështirë në fillimet e saj. Kështu ka qënë për prindërit e mi, por ata ia dolën falë vullnetit dhe këmbënguljes. Unë kam pak vite që jam në kontakt me botën e punës. Tashmë, jam qytetare italiane dhe mund të them se për mua mundësitë janë edhe më të mëdha, pavarësisht se kriza ka ulur ritmin e punës në të gjithë sektorët. I vetmi sektor në këmbë është ai i modës. Për këtë arsye dhe për pasionin tim vendosa të investoj kohën time. Të punosh sot në Itali është e vështirë jo vetëm si i huaj, por edhe si qytetar italian. Është e domosdoshme të kesh shumë durim, por jam e sigurt se Italia ka akoma shumë për t’u dhënë të gjithëve. Besoj shumë në ekonominë e këtij vendi.

Vitet e fundit jeni angazhuar edhe në shfaqje teatrale. Është ky një pasion apo dhunti?
Ndonjëherë kam frikë të dëgjoj heshtjen e dhimbjes sime…! Kësisoj tek teatri kam gjetur hapësirën për të shprehur dhimbjen time! Është një pasion i lindur nga ndikimi i vëllait tim, Enoid. Ai është aktor i vërtetë dhe artisti i familjes. Recitimi është për mua mënyra që më ndimon të shprehem, por edhe për të të qënë më afër me vëllanë tim që aktualisht vazhdon studimet në Londër, për aktrim. Është një botë magjepsëse që më ka forcuar karakterin, më ka rritur kurajon dhe më ka bërë të mundur të shpreh gjithë aspektet e mia. Një pasion që nuk do ta braktis kurrë!
Duket se përkundër vështirësive të jetës keni zgjedhur të vraponi…!
Për mua vrapimi është stili i jetës! Gjithmonë kam synuar të mos pengohem nga paragjykimet, të mos përkulem asnjëherë para vështirësive! E di që në këtë “vrapim” do të kem vështirësi, por e rëndësishme për mua është se unë besoj në zgjedhjet e jetës time.
Sipas jush cili është çelësi për një jetë me dinjitet dhe të suksesshme jashtë atdheut?
Dinjiteti lind nga vetvetja dhe nga baza edukative e familjes. Të jetosh jetën me dinjitet dhe të gjesh çelësin e suksesit do të thotë të besosh në vetvete, të duash familjen tënde, origjinën tënde, mos të harrosh kurrë nga vjen dhe të kultivosh dashuri dhe respekt për cilindo që takon në rrugën e jetës, mikun dhe armikun tënd! Suksesi për mua është që të arrish të edukosh gjeneratën e re, të bëhesh një model për të gjithë të rinjtë. Çelësi është besimi!

Cilat janë ambiciet për të ardhmen?
Jam një ëndrrimtare e përjetshme! Ëndërrimi është ushqimi i jetës sime! Kam shumë dëshira që kërkojnë shumë punë dhe sakrificë. Për momentin jam në fazën e realizimit të firmës sime në fushën e modës, që shpresoj të jetë prezent në tregun ndërkombëtar në sezonin e vjeshtës. Marka ime e modës do të quhet Nume. Vendosa ta ndaj këtë projekt me bashkëatdhetarët e mi, të cilët shpresoj se do të më mbështesin dhe do të besojnë në këtë aventurë të vështirë.
Jeni pjesë e iniciativës së Albanian Excellence për prezantimin e historive të suksesit të qytetarëve vlonjatë jashtë Shqipërisë. Cili është mendimi juaj për këtë iniciativë?
Është një privilegj të jem pjesë e kësaj iniciative dhe që jeta ime është zgjedhur si shembull suksesi. Besoj se sot është e nevojshme që të ketë shembuj pozitiv për të ndjekur. Shpresoj dhe besoj se historia ime mund të ndihmojë bashkëqytetarët e mi jo vetëm jashtë, por edhe ne Shqipëri. Është e nevojshme të mësohet kuptimi i vërtetë i bashkëjetesës, i punës dhe i sakrificës. Besoj që Albanian Excellence është një iniciativë e bukur dhe e gatshme t’i japë popullit shqiptar suksesin intelektual sot në botë, përfshirë edhe brezin e ri!
/f.n/atsh