FERDINAND DERVISHI
EKSKLUZIVE/ Dokumentet e Shërbimit Sekret Amerikan
![]() |
| Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu |
Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, pa i dhënë popullit kohë për mendime të paudha, Enver Hoxha përpiloi një deklaratë të quajtur “Tablo sinoptike”, ku përbaltte pikërisht gjithë figurën e numrit 2 të kupolës së shtetit komunist shqiptar. Në këtë dokument, Mehmet Shehu epitetohej “armik” i popullit dhe Partisë dhe njëkohësisht “agjent” i britanikëve, sovjetikëve, amerikanëve e shumë të tjerëve. Madje, kjo histori e agjentit jepej edhe me shpjegime përkatëse. Jepeshin datat kur Mehmeti kishte realizuar takime të fshehta, personazhet me të cilët ishte takuar e të tjera. Gjithsesi, në këtë kohë jo të gjithë e besuan Enver Hoxhën. Për më tepër, ndryshimi i sistemit politik në fillim të viteve ‘90 të shekullit të shkuar dhe publikimi i dëshmive apo dokumenteve të ndryshme shkonin kundër të dhënave të kësaj të ashtuquajture “Tablo sinoptike”. Ndërsa aktualisht mund të thuhet se Enver Hoxha, për arsye politike, ka gënjyer në gjithçka. Ky madje ka mbetur edhe opinioni më dominues. Por dokumenti që do të publikojmë më poshtë, thotë se një burim apo agjent i CIA-s arrinte të realizonte kontakte me Mehmet Shehun në zemër të kryeqendrës zyrtare shqiptare, – në zemër të Tiranës. Në dokument thuhet madje, se përgjatë një bisede, Mehmet Shehu, në këtë kohë Kryeministër i vendit, ishte për hapje me Perëndimin. Po kështu, në dokument shkruhet se Mehmeti Shehu i ka dhënë bashkëbiseduesit të besojë se faktori dominues në mentalitetin shqiptar, më tepër se ideologjia, – në këtë rast marksiste-leniniste, – ishte nacionalizmi. Këto të dhëna të CIA-s janë ndërfutur në një studim voluminoz me titull “STUDIM AKTUAL I STAFIT TE INTELIGJENCËS. MARRËDHËNIET SOVJETO- -SHQIPTARE 1940-1960), që është deklasifikuar kohët e fundit. Është një material që para se të bëhej publik për të gjithë, i është nënshtruar censurës edhe një herë të fundit. Duket ligje të panjohura të shërbimeve sekrete parashikojnë t’i ruajnë përjetësisht disa nga burimet apo informatorët e tyre, pasi në material janë fshirë pothuaj të gjitha pjesët ku përmenden emrat e informatorëve. Gjithsesi, krahasuar me materiale të tjera, ky dokument ka pak pjesë të fshira. Por pikërisht mes këtyre të dhënave të pakta të fshira, një dorë e kujdesshme është kujdesur t’i zhdukë të gjitha germat që përmendnin gjeneralitetet e njeriut që kontaktonte Mehmet Shehun në Tiranë. Ka shumë të ngjarë që njeriu që kontaktonte Mehmet Shehun në periudhën pas vitit 1954, kur ai me ndihmën apo urdhrin e sovjetikëve u bë Kryeministër, të ketë qenë një zyrtar i lartë, apo ambasador i ndonjë përfaqësie të shteteve perëndimore. Rrethi i të dyshuarve mund të ngushtohet, po të mbahet parasysh se në këtë periudhë Enver Hoxha kishte vendosur marrëdhënie të tilla vetëm me Francën dhe me Italinë. Duke u afruar më konkretisht në këtë periudhë kohore, mund të thuhet se kontaktet ishim më të mundshme me diplomatët francezë, ndërkohë që italianët mbaheshin larg, kjo për shkak edhe të luftës, gjurmët e së cilës ishin ende të freskëta. Për këtë arsye, ka shumë gjasa që informacionet e nxjerra nga goja e Mehmet Shehut në këtë kohë t’i kenë kaluar CIA-s përmes bashkëpunimit të një diplomati francez.
Dokumenti: Raportet nga Tirana
Faksimile e dokumeteve të CIA-s për konfliktin e Enverit me kryeministrin Mehmet Shehu
“Privatisht liderët shqiptarë ka të ngjarë rtë uajnë disa rezerva për bashkimin dhe për besimin e tyre në mbështetjen e Moskës. Më 29 gusht (të dhënat ku presupozohet të jetë identiteti i marrësit të informacionit janë të fshira. Red.) pati një bisedë të gjatë me Kryeministrin Shehu, i cili ia dedikoi pjesën më të madhe të bisedës së tij Lindjes së Mesme, u angazhua në një sulm ndaj revizionizmit jugosllav dhe foli për dëshirën e marrëdhënieve më të mira me Perëndimin. Përgjatë bisedës së tij, Shehu nuk bëri referenca virtuale ndaj Bashkimit Sovjetik dhe ishte impresioni (fshirë emri i informuesit, red.) se ai ishte duke u përpjekur për të kërkuar për Shqipërinë një politikë të jashtme më të pavarur nga Bashkimi Sovjetik, sesa deri tani. (pjesë e fshirë, red.) Ndonëse besonte se (fshirë emri i informuesit, red) po lexonte shumë në mënyrat e Shehut, të vëzhguara në kohën kur, pavarësisht nga prirjet staliniste të liderëve shqiptarë, faktori dominues në mentalitetin shqiptar, më tepër se ideologjia ishte nacionalizmi. Konkludohet se Shqipëria nuk duhet të hiqet nga lista si mospërfillëse për të ndryshuar”.
Konflikti i Enverit me Mehmetin
Enver Hoxha, lideri absolut i komunistëve shqiptarë, njeriu që shkëlqente tribunave të festave, mitingjeve e ceremonive, njeriu që dukej sikur adhurohej nga një popull i tërë dhe që të jepte përshtypjen se kishte gjithçka nën kontroll, ka kaluar një periudhë të gjatë kohore me tabanin të lëvizshëm nën këmbë. Periudha llogaritet të ketë nisur menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e Titos dhe vazhduar deri në vitin 1961, në kohën kur Enver Hoxha u shkëput edhe nga sovjetikët. Pra, me ndryshimin e padronit dhe kalimin pa kushte, në vitin 1948, në prehrin e sovjetikëve, Enver Hoxha është përballur me një rrezik edhe më të konsiderueshëm. Situata, e mbajtur krejt e panjohur deri në ditët tona, ka qenë fotokopje e së parës. Pra, pas rrezikut jugosllav, Enver Hoxha përballet me një tjetër problem, me dominancën sovjetike, e cila kishte zgjedhur si njeriun e saj të preferuar pikërisht numrin dy të pushtetit – Mehmet Shehun. Nuk dihet se nga vinte kjo simpati e sovjetikëve për Shehun, por ka shumë të ngjarë që urat të jenë hedhur në vitet 1945-1946, gjatë kohës që Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë studionte në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” në Moskë.
Sipas dokumentit të CIA-s, të përkthyer më poshtë, Enver Hoxha në këtë periudhë nuk përmbushte dy kërkesa madhore të sovjetikëve për të gëzuar statusin e njeriut të tyre të preferuar. E para, ai shihej si një ish-mik i Titos, të cilit i ngjante shumë në formim dhe veprime. Së dyti, sovjetikët kishin vendosur që pushteti në vendet satelite të mos përqendohej në një dorë të vetme, por të shpërndahej. Ndërkohë Enver Hoxha, përmes publicitetit të tepruar, por edhe ushqimit të kultit të individit, kishte arritur të bënte për vetë pjesën më të madhe të popullit. Duke marrë në analizë edhe rastin e Titos, duket sovjetikët kishin mbërritur në përfundimin se popullariteti absolut e vishte një lider me imunitet. I tillë ai mbetej jashtë kontrollit, nuk bënte dot marionetën sovjetike. Për këto arsye ka shumë të ngjarë që sovjetikët e kishin llogaritur se karizma e Enver Hoxhës në një rast apo një tjetër do u vihej përballë duke i penguar të diktonin hegjemoninë dhe kontrollin e tyre.
Dokumenti i CIA-s i vitit 1951, që vjen i përkthyer më poshtë, zbardh pikërisht këtë situatë të krijuar në majën e kupolës komuniste të Tiranës.
Dokumenti
SEKSIONI I INFORMACIONIT
10/15/51
XI STOCKHOLM 268 3628
ALBANIA
Enver HOXHA, shefi komunist në Shqipëri, sipas një informacioni të freskët dhe të besueshëm, raportohet të jetë përfshirë në një betejë të hidhur popullariteti me të preferuarin e ri të Rusisë, gjeneralin Mehmet SHEHU.
Shkaku i betejës, e cila është ruajtur në rreth të mbyllur, është unik në vendet satelite të sovjetikëve. HOXHA, themeluesi i Partisë Komuniste aktuale në Shqipëri, i ka rritur famën vetës si një udhëheqës në hije i rezistencës gjatë luftës. Ashtu si edhe TITO, ai ka qenë shok armësh me shumë nga bashkëpatriotët e vet. Për të përmbushur ambiciet e tij personale, dhe njëkohësisht për të përforcuar qeverinë e tij pasi Jugosllavia ndërpreu marrëdhëniet me Kominformin, HOXHA ka nisur t’i bëjë publicitet vetes si të ishte një tjetër SKËNDERBEJ, – Heroi Kombëtar i shqiptarëve, që mbrojti vendin nga turqit rreth 500 vjet më parë. Si rezultat i kësaj fushate të suksesshme, komunizmi shqiptar është duke u personifikuar përditë e më tepër me një njeri – me HOXHËN.
Rusia ndërkohë e sheh rritjen e popullaritetit të Enver HOXHËS me disa dyshime, qysh nga koha kur ajo dëshiron ta shpërndajë pushtetin te satelitët përmes disa liderëve komunistë, të cilët në një farë mase duhet të konkurrojnë me njëri-tjetrin.
Ndonëse HOXHA dënoi pa mëshirë të gjithë elementët titistë të Partisë Komuniste Shqiptare, ngjashmëria e tij personale me TITON, po aq sa edhe përqendrimi i popullaritetit, e kanë vënë atë në shënjestër të dyshimeve të sovjetikëve.
Për më tepër bashkëpunimi i ngushtë i dikurshëm i HOXHËS me jugosllavët gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës, ka të ngjarë që do të përdoren nga rusët kundër HOXHËS sa herë që ata do dëshirojnë të promovojnë të parapëlqyerin e tyre, – SHEHUN.
(Gjatë luftës, partizanët shqiptarë, forcat e dy divizioneve, në një rast shpëtuan forcat e TITOS të zëna në grackë. Në kohën e pasluftës hegjemonia jugosllave mbi Shqipërinë ishte një fakt i hapur, që u materializua te formimi i shumë kompanive të përbashkëta jugosllavo-shqiptare, tek ekspertët jugosllavë që punonin në Shqipëri, dhe në fund, në aferën e TITOS për të bashkuar monedhat e dy vendeve në një – në dinarin jugosllav, që do të zëvendësonte monedhat shqiptare.)
Gjeneral SHEHU nuk ka një të kaluar politike aq të ngarkuar sa Hoxha, edhe pse ai ka pasur një numër postesh nën Hoxhën në Qeveri. Më pak inteligjent dhe jo aq i miredukuar sa Hoxha, Shehu mbështetet hapur nga Legata Sovjetikë në Tiranë, e cila përditë e më tepër e konsideron atë si të besuar, sidomos në çështjet ushtarake.
Kjo betejë e brendshme mes Shehut dhe Hoxhës është mbajtur në mënyrë të zgjuar larg popullit shqiptar, që nuk ka informacion për këtë.
Komenti i Cia-s për kryeministrin Shehu
Në vitin 1954, Enver Hoxha u dorëhoq nga posti i Kryeministrit të Shqipërisë, për t’ia lënë këtë detyrë Mehmet Shehut. Kjo ngjarje rezulton të jetë zhvilluar si krejt e papritur për shërbimet sekrete të interesuara, sidomos për CIA-n. Në këto kushte, informacionin më të plotë për këtë zhvillim e kanë dhënë agjentët e saj në Itali. Madje, informacioni është përpiluar në gjuhën italiane dhe në këtë formë, pra i pandryshuar, ka mbërritur deri në ditën kur është deklasifikuar.
Në dokumentin prej dy faqesh, që mban datën 4 shtator 1954, thuhet se Mehmet Shehu është emëruar Kryeministër i Shqipërisë si i preferuar i sovjetikëve. Në vazhdim sqarohet se konfliktet mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut ishin të vjetra. Ato, të paktën zinin fill qysh nga viti 1944, kur Enver Hoxha, jo vetëm që nuk e kishte përfshirë Mehmet Shehun mes ministrave të qeverisë së tij, por e kishte larguar duke e “degdisur” në Moskë, që të studionte në një akademi ushtarake.
Rikthimi i Mehmet Shehut si i besuar i sovjetikëve dhe vendosja e tij në një nga dy postet më të larta të organizimit komunist të shtetit në Shqipëri, i ka bërë agjentët e CIA-s të besojnë për nisjen e një lufte të hapur për pushtet mes tij dhe Enver Hoxhës. Një betejë që ata rekomandojnë të shfrytëzohet për të bërë të mundur që shqiptarët të dilnin nga stadi i robërisë ku gjendeshin.
Dokumenti
4 shtator 1954
SHËNIM (mikrofilmuar 22 Prill 1963)
Subjekti: Reflektimet e brendshme të përcaktuara në Shqipëri për shkak të ndryshimit të qeverisë.
Burimi: Moralisht i besueshëm
Gjatë transmetimit të mbrëmjes së datës 20 korrik të këtij viti, “Radio Tirana” përsëriste diskutimet e Enver Hoxhës e të Mehmet Shehut, të mbajtura para Asamblesë Popullore me rastin e sesionit të parë të legjislaturës së tretë komuniste.
Në këto rrethana, Enver Hoxha paraqiste dorëheqjen e tij dhe i kërkonte Asamblesë të pranonte propozimin e bërë nga Komiteti Qendror i Partisë për të nominuar Mehmet Shehun si Kryeministër.
Ndërsa ky, nga ana tjetër, duke vënë në dukje rezultatet e kënaqshme të arritura në të shkuarën, premtonte se në të ardhmen do të kujdesej të përmirësonte kushtet e jetesës së popullit shqiptar, duke rritur nivelin ekonomik kombëtar. Më tej, ai paraqiti listën e anëtarëve të kabinetit të ri.
Ky ndryshim i papritur i eksponentëve të regjimit komunist shqiptar në realitet është rezultat i rivalitetit dhe mosmarrëveshjeve mes dy hierarkëve komunistë, të fshehura prej një kohe të gjatë.
Kremlini, duke qenë i informuar dhe duke u frikësuar se me Enver Hoxhën do të shkohej në një dobësim të pushtetit komunist në Tiranë, më 1 qershor të këtij viti dërgoi në portet shqiptare një grup anijesh të komanduara nga admirali Gorçkov me instruksione specifike për qeveritarët shqiptarë.
Tani mbetet të parashikohet që Mehmet Shehu me anë të premtimeve të mëdha të përpiqet të rrisë simpatinë e popullit, me qëllim që të zbusë edhe rrymën antikomuniste; të evitojë të bëhen të dukshme fërkimet që e ndajnë nga Enver Hoxha, sepse kjo do u jepte një forcë të re kundërshtarëve të komunizmit; në të njëjtën kohë ai nuk do e shpërdorojë rastin për të luftuar në mënyrë të fshehtë kundërshtarin e tij, me qëllim që të ketë mundësinë ta neutralizojë në momentin e duhur.
Rivaliteti mes dy personazheve komunistë shqiptarë të cituar, është manifestuar qysh në nëntor të vitit 1944, kur Shqipëria ra nën regjimin aktual.
Me zgjedhjet e asaj kohe dhe proklamimin e të ashtuquajturës Republikë Popullore, u formua qeveria me kryetar Enver Hoxhën, që kishte zgjedhur si bashkëpunëtorë një maxhorancë të besnikëve të tij.
Një nga njerëzit e tij më intimë ishte KOÇI XOXE, të cilit ai i besoi dikasterin e Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që Mehmet Shehu ishte dërguar që të studionte në Moskë, pranë Akademisë Ushtarake Voroshillov, ku do të mbetej deri në vitin 1946.
Pasi u kthye më 1947, ai u emërua shef i Shtabit të Përgjithshëm. Pak kohë më pas, Koçi Xoxe, që përveçse ishte ministër i Brendshëm, mbulonte edhe detyrën e sekretarit Organizativ të Partisë, e liroi nga kjo detyrë e rëndësishme, duke e emëruar ministër të Komunikacioneve. Në të njëjtën kohë, të gjithë njerëzit e besuar të Mehmet Shehut u larguan nga postet e tyre në Komandë.
Kjo ndodhi kur në Shqipëri ekzistonin këshilltarë jugosllavë e rusë, ndërkohë që të parët kishin rëndësi më të konsiderueshme.
Me të mbërritur përçarja politike mes Rusisë dhe Jugosllavisë, Kremlini që gjatë gjithë kohës kishte qenë në dijeni të luftës së heshtur të Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes ndaj Mehmet Shehut, mori masat e duhura për të garantuar një mbrojtje eventuale të Shqipërisë.
Në bazë të këtij programi, Mehmet Shehu, i mbështetur nga ministri rus në Tiranë, Çuvakin, mbajti një mbledhje të Partisë në lokalin “Kinemaja e Brigadave”, ku dënoi Plenumin XI të Partisë Komuniste. Gjatë mbledhjes, ai kërkoi vëmendjen e Asamblesë për ndryshimet e nevojshme që duhet të bëhen për të neutralizuar vendimet e marra në Plenumin VIII të Partisë, që kishte një karakter antisovjetik.
Krejt papritur, ditën tjetër, shtypi i Tiranës lajmëronte emërimin e Mehmet Shehut si ministër i Brendshëm dhe Koçi Xoxes si ministër i Drejtësisë.
Pak kohë më pas, ky i fundit u arrestua dhe u dënua me vdekje si tradhtar i Partisë dhe i Bashkimit Sovjetik. Në të njëjtën kohë, u ndërprenë marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe u përzunë këshilltarët e saj.
Kjo përmbledhje e shkurtër e këtyre ngjarjeve shërben për të provuar edhe një herë tjetër mosmarrëveshjen e thellë dhe të fshehur që ekziston mes dy krerëve dhe sistemin e përleshjeve të shurdhëta e të padrejta që ata përdorin për të luftuar.
Një fakt i rëndësishëm për t’u nxjerrë, është se nga të dyja palët duhet të evitohet një përballje e hapur, që do të prodhonte një krizë të fortë për regjimin komunist në Shqipëri, të ndarë në dy rryma filosovjetike e filojugosllave.
Me shqetësim kërkohet që populli shqiptar nën udhëheqjen e krerëve të rinj dhe me mbështetjen e fuqive perëndimore të mësojë më në fund të përfitojë nga armiqësia mes këtyre dy të shiturve te të huajt për të dalë nga ky stad tragjik robërie.







