Burrat… tash urrejnë pak e nuk martohen me askënd

MARK STABER KOBO

Mark Staber Kobo është quajtur poeti mjeshtër lirik, libri i tij paraqet një shkallë të re poetike. Duke kundërshtuar të gjitha teoritë e botimeve dhe rrymave letrare Projekti i Poetëve më të Mëdhenj të Gjallë synon një mjeshtëri të re në gjuhën amerikane dhe përfaqëson një sfidë ndaj rrymës së poezisë akademike. Njëherazi metafizike dhe e kuptueshme lirika e tij është moderne. Nga libri me poezi: “Më i madhi poet i gjallë”

     Perënditë e çuditshme
Diçka filloi tek unë e nuk pati më kurrë fillim
Diçka do të mbarojë me mua e nuk do të ketë më mbarim
                                                Carl Sundburg

O perëndi eshtra-shkathët që nuk patët rini për t`u ngjitur aq lart,
gjithçka që mund të bëja dukej se para meje ishte bërë,
gjithçka që mund të doja ish se para meje dashuronin;
dora ime njerëzore një dru i zgavërt, mishi im trimëror
i tërë sahati përballë pa rrotëza brenda.

                      Mbretëritë e fjalëve
Kurrë nuk i vlerësova shtigjet e ngjitjes në karrierë
por vrapova pas shushurimës të gjakut tim
poshtë rrugëve buzëkuqe, nëpër luftërat e vrimat e lepujve,
edhe veshi im një shtëpi thesar për të mbajtur këtë tingull.

Isha prifti tek konviktet kujtim të dëshirës sime
për të kënaqur mbretëritë e fjalëve të gjuhës sime,
plot kujdes për të mos humbur monedhën e vockël vezulluese
që e mbaj në grusht pas një vrime në xhepin
e kohës time shpërthyese

edhe veshi im një shtëpi thesar për të mbajtur këtë tingull.


                    Llogari të papaguara
Po të vrapoja tokës, prejardhjes, gjakut,
po të zgjidhja një tjetër sërish ty do të të zgjidhja
nëse nuk na ka mbetur gjë dhe prapë duhet të japim
veç do jemi të padjallëzuar.

Kur të ketë puthje dhe krahë të përqafuar,
kur mund t`i mbaroj gjithë luftërat civile,
a të kryej veprat që kam në mendje,
sikur ta gjeja mënyrën.

Po të jetë ende një shkak a një synim
pranë a larg betimeve të përsëritura.
Po të mundja të të mbaja vesh për orë të tëra,
të paguaja faturat e të të lëpija shpinën.

Dhe po të mos mundem,
mos vuaj për mua që të harroj
të vockëlat, por të denjat buzëqeshje.

Dhe po të largohem,
mos vuaj që unë do të harroj
duart e vogla të përsosura.

Megjithatë prejardhja dhe toka që ende
pranojnë diç të vogël e të mirë
do të vuajnë.


                  Cingërimë natën
Sy të zinj, vetulla, kaçule shtrënguar përreth,
qyrkun gri, çapiti cingërima dhe qiriu i bardhë
në çdo perlë harkohej rëndshëm duke kulluar;
kupë e vogël shiu mbi faqen e dylltë, buzë të kuqe;
fryma e ngrohtë përpëlit qerpikët e lehtë të njomur.

Numëroj gjërat pa shkak që kam bërë, kujtova
dikur fytyrat nën dritat e rrugës, avullin
tok me orizin dhe niseshtenë
që njëherazi i ngjiti natës gurstërpikur

tërë errësirën pezull të ndalimqarkullimit.


Burrat e martuar
Ndonëse marrin thesarin e përkryer,
nuk e mbajnë dot nuk e përanditin,
nuk mund ta shesin as nuk e tregtojnë dot.

Në ekstazë dhe vdekje gojët çapëlehen;
gojët luten, këndojnë, mbyten. Gojët
falen në kënaqësi dhe vdekje.

Gojët e hapura të lagëta, thesar i ngrohtë.
Mendjet e ftohta dhe ethet molepsin
ngërthejnë, copëtojnë çdo thesar.

Po të martohen gjithçka që donin e urrejnë;
tash urrejnë pak e nuk martohen me askënd;
ngërthejnë, copëtojnë çdo thesar.

Fjalët dhe urrejtjet më dënojnë mua dhe gjithë zemrat.
Në kthinat e vogla gojët e hapura presin
me gjuhët e spërdredhura,

ku çdo gjë e çmuar ka humbur,
dhe gojët e çapëlyera të thara.
Ngërthejnë, copëtojnë çdo thesar.

Burrat e vetmuar
Për ata që takohen në Udhën Kineze,
cili zvarris duarsh tokën nga mejhanet e tyre?
çdo dromcë shkelur me këmbë,
kujtimet pastruar prej hapave.

Çfarë jete do ndanim nën tokë,
nëse takohemi, puthemi e kthehemi vetëm?
të palosim pluhurin e tragave
pastruar dhe ruajtur prej gjurmëve.

Si duhej të mbajmë hapat posi hapat e vdekjes
të dijetarit labirint i blertë i rregullt?
E si do të jetonim paskëtaj rishmë duke ngrënë
jetën që mbush gojët tona?

Kur jemi të pastër si fryma e së dashurës
a ç`gjë do të marrim para se të japim?
me gojë dhe me fjalë
do jetojmë e do jemi të pastër.

Si mbi veglat prej druri të dardhës,
disa do luajnë mbi ne para se të vdesim,
kush vrapon në nevojën tonë
si ujët e nxehtë nëpër tel.

E si do vdesim të dy brenda forcës tonë,
a të cytur nga mishi i historisë dhe mitit tonë?
të kujtuar dhe të sprovuar,
të përmendur prej zjarreve.

Poetët e vetmuar
Çfarë premtimi bënë ata para gjinkallës? U lartësuan.
U gremisën. Ata kërkojnë shtigje për të gjetur botët.
Ngrenë kokat e tyre gjer në qiejt. Por janë të flashkët,
porsi përgjumja nër sytë tanë.

Kur jemi të rinj flasim me perënditë, veç ngaherë
refuzojmë kupën e gjakut që të tërheq. Më të moshuar
marrim trashëgiminë tonë dhe ia japim një vajze
për pjalmin rënë në qafën e saj.

Gjithë ikjet tek dëshira jonë plotzemër, tërë rrëfimet e vërteta.
Disa ngjitin foltoret, disa trikëmbëshat. E ndonëse njëherë
u rrëzova e u thyeva, tash kam në kornizë shkresën e gjykatësit
ngjyrosur nga jashtë vijat me diej dhe yj të ngjitur.

Disa për llogari të tërë viteve tanë, disa për shpenzimet
e të gjitha të ngrënave, këto janë tamam borxhe. Sokratit,
për të gjitha fjalët e tij, i nevojitej vetëm djali.

Njëherë për gjithë këtë borxh të çmuar kam paguar,
e dëbova fjalën e përsosur mbi buzën time
derisa kënaqej të adhuronte krijesat në kofshën time,

mbetet vetëm pluhur i stërpikur
mbretëria ime yjore e paanë.

Gratë e martuara
Prej buzëqeshjeve të mia zgjidhni dënimin tuaj.
Merrmëni gëzimin që duhet ta shuaj.
Shuamëni dhe ma shpurritni trurin.

Çirrmëni krahët, nuk mund t`ju mbaj dot.
Dërrmomëni duart nuk mund t`ju prek.
E ha dëshirën. Kapërdij neverinë.

Çfarë sendi kërkoni pa dhurata,
urreni duke fituar atë që mund të fitohet,
çmimin plastik apo miratimin?

Fshihni kënaqësinë time, shmangni sytë e mi,
madje të ndrojturit duhet të vuajnë.
Më vjen keq për ne nuk ka dhurata.

Por ju, të heshtura, duke ngritur një tas nga hijet,
Më shushatni veshët. Unë ju dëgjoj.
Më qëlloni syve. Unë mund t`ju shoh.

Më shijoni dhe bëhuni që t`ju shijoj.

Përktheu nga anglishtja: Meri Lalaj
Shënim:Verën e kaluar duke pirë kafe tek një lokal në Tiranë, rastësisht u takova me një pilot amerikan dhe u habita kur ai më dhuroi librin e tij me poezi. Kujt më bukur se sa një pilotit që bredh hapësirave qiellore atje tek rrinë Perënditë, do t`i shkonte për shtat poezia. Teksa lexoja librin u ndodha përballë një forme të re të shkruari që m`u duk tejet e veçantë për këtë shkak solla në gjuhën shqipe disa prej poezive të tij.
Mark Staber Kobo është quajtur poeti mjeshtër lirik, libri i tij paraqet një shkallë të re poetike. Duke kundërshtuar të gjitha teoritë e botimeve dhe rrymave letrare Projekti i Poetëve më të Mëdhenj të Gjallë synon një mjeshtëri të re në gjuhën amerikane dhe përfaqëson një sfidë ndaj rrymës së poezisë akademike. Njëherazi metafizike dhe e kuptueshme lirika e tij është moderne. Nga libri me poezi: “Më i madhi poet i gjallë”/standard

Related Posts: