Britanikët: Si çarmatosëm truprojat e Mbretit Zog në Londër

MBRETI ZOG ME MOTRAT: RUHIJE, MYZEJEN, NAFIJE, SANIJE DHE MAXHIDE

Dokument i Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe. 

Ardhja e Mbretit Zog në Britaninë e Madhe në mesin e vitit 1940 kaloi nëpërmjet disa vështirësive të shumta për Familjen Mbretërore shqiptare. Pala britanike negocioi me Mbretin Zog për disa detaje në lidhje me ardhjen e tij duke filluar me anëtarët e Oborrit mbretëror shqiptar. Pala britanike këmbëngulte që Mbreti Zog të merrte një numër sa më të vogël në Britaninë e Madhe, si dhe kërkoi një listë të anëtarëve të oborrit të tij që do të vinin në Londër. Ky insistim i palës britanike, shoqëruar edhe nga fakti se mbajtja e një oborri të madh kërkonte para të shumta, bëri që Mbreti Zog të largonte rreth 13 shërbëtorë dhe oficerë që e kishin shoqëruar në udhëtimin e tij në Europë, para se të shkonte në Londër pas pushtimit të Francës nga gjermanët. Me ardhjen e tij në Britani, Ministria e Brendshme përpiloi edhe një listë të saktë të Oborrit Mbretëror me pjesëtarët e përhershëm të Mbretit Zog. Por, ardhja e tij u shoqërua me një incident të vogël. Dy prej truprojave të Zogut, që ishin edhe dy prej oficerëve të tij më besnikë ushtarakë, kishin sharruar armë shotgun të cilat i mbanin me vete. Por, kjo armë ishte e paligjshme në Britani, çka bëri që ata t’i dorëzonin këto armë te policia angleze. “Për sa u përket 7 oficerëve të Mbretit Zog, në dijeninë time janë fshatarë shqiptarë të cilët janë punësuar nga Mbreti si truproja personale. Inspektori Barnes më ka shprehur ndërkohë shqetësimin e tij dhe të Skotland Jardit, faktin se disa prej këtyre personave pa normë janë shfaqur me armë shotgun të sharruara për të qenë më të vogla. Kjo armë është e paligjshme në Britani”, thuhet në raportin e hartuar nga Ministria e Brendshme për ardhjen e Zogut në Britani. 

Erald Kapri  

Mbreti Zog dhe oborri i tij u prit në Londër nga një numër i vogël shqiptarësh që punonin në Ambasadën Shqiptare në Britaninë e Madhe. Ai u vendos fillimisht në hotelin “Ritz” së bashku me një numër të madh të familjarëve të tij. Policia britanike nuk mundi dot në rastin e parë të bënte procedurat për hyrjen e tyre, por në bashkëpunim me ministrin e Oborrit Mbretëror, Sotir Martini, Ministria e Brendshme britanike hartoi një raport në lidhje me Familjen Mbretërore shqiptare, oborrin e saj, si dhe të gjithë trupën që e shoqëronte Mbretin Zog. Në total bëhej fjalë për 35 persona që do të qëndronin në mënyrë të përhershme me Mbretin Zog. Ky numër përbëhej nga familja e tij, motrat, këshilltarët, oficerët, si dhe dy infermiere zvicerane. Ardhja në Britani kaloi nëpërmjet peripecish të shumta për Mbretin Zog, duke lënë pas valixhe të shumta, por edhe mjaft prej besnikëve të tij të shumtë që nuk arriti dot t’i merrte me vete për dy arsye, financiare, si dhe këmbënguljen e palës britanike që duhet të ishin sa më pak persona dhe se Mbreti shqiptar do të duhej që fillimisht të zvogëlonte numrin e shërbëtorëve të tij. Por, Mbreti Zog nuk kishte ende një profil zyrtar për britanikët se si ai do të duhej të trajtohej. Ministria e Brendshme vendosi që ai të trajtohet në veçanti, por pa ndonjë status të veçantë në krahasim me mjaft prej shtetasve të huaj që jetonin gjatë kohës së luftës atje. Madje, ai do të mbikëqyrej njësoj nga ana procedurale si shtetasit e vendeve armike, në rastin konkret italianëve. “Ministria e Brendshme ishte e gatshme për t’u dhënë gjithçka këtyre qytetarëve për të pasur një trajtim preferencial ndryshe nga italianët, por Ministria e Brendshme ende nuk ka kritere për të vepruar, ndaj dhe sugjeroi që rruga më e lehtë është që vëmendja ndaj tyre të jetë në raste të veçanta, të cilat janë pjesë e trajtimit special të rekomanduar”, thuhet në raport. Por, pala britanike, e në veçanti me interesim të Mbretit britanik, hartoi edhe një raport në lidhje me financat e Mbretit shqiptar dhe nëse ai do të mund të paguante jetesën e vet gjatë qëndrimit në Angli. Mbretit britanik i kthehet një përgjigje duke i thënë se Zogu ka mjaftueshëm para të jetojë në Britani, por gjithnjë nëse bën një jetë modeste dhe pa shpenzime të mëdha. Këtë bëri edhe Mbreti shqiptar, të gjente një rezidencë jashtë Londrës për të ulur  sadopak shpenzimet e larta të mbajtjes së një stafi dhe familjarëve prej më shumë se 35 vetash. Nga ana tjetër, me ardhjen në Britani u shënua një incident i vogël me 7 truprojat dhe ushtarakët e Zogut të cilët mbanin armë shotgun të modifikuara. Ata i kishin sharruar ato për të qenë më të vogla për t’u mbajtur me vete. Por, në Britani kjo lloj arme cilësohej e paligjshme për shkak të fuqisë së saj të madhe të zjarrit. Kjo bëri që ata të detyrohen të dorëzojnë këto armë te policia angleze. 

DOKUMENTI I PLOTË 

Trajtimi i shqiptarëve 

Vendimi për të lejuar Mbretin Zog dhe grupi i tij për të qëndruar në Britani ka ngritur disa çështje për Ministrinë e Brendshme dhe Skotland Jardin, për të dhënë disa konsiderata në lidhje me çështjen e pyetjes për rregullat që ata duhet të ndjekin. Kur ata hynë nga Franca për në Britani, Mbreti Zog dhe grupi i tij nuk plotësoi asnjë lloj formaliteti dhe nuk u morën emrat e atyre që hynë në Britani. Kur z. A. Ryan informoi Mbretin Zog më 23 korrik se ai do të lejohej të qëndronte në Britani, u pyet në lidhje me kërkesën tonë për të pasur një listë të grupit të tij. Ajo u soll rreth asaj dite nga zoti Martini, dhe një kopje e saj është në këtë raport. Një kopje të saj ia kam dërguar ndërkohë edhe z. Oates në Ministrinë e Brendshme, si dhe inspektor Barnes të Skotland Jardit. Zyra e refugjatëve është në korrespondencë me Ministrinë e Brendshme në lidhje me trajtimin e përgjithshëm të këtyre shqiptarëve, por edhe të shqiptarëve nga Jugu me origjinë greke, po edhe me çështjen e dodekanesianëve (banorë nga ishuj të Greqisë). Situata në përgjegjësi mund të përmblidhet si më poshtë: Z A. Cadogan pyeti z Maxwell më 23 qershor për t’u siguruar që shqiptarët dhe dodekanesianët të trajtoheshin më mirë se qytetarët e huaj armiq. Ai u përgjigj se Ministria e Brendshme ishte e gatshme për t’u dhënë gjithçka këtyre qytetarëve për të pasur një trajtim preferencial ndryshe nga italianët, por Ministria e Brendshme ende nuk ka kritere për të vepruar ndaj dhe sugjeroi që rruga më e lehtë është që vëmendja ndaj tyre të jetë në raste të veçanta, të cilat janë pjesë e trajtimit special të rekomanduar. Në zbatim të sugjerimit të bëra nga z. Maxwell, Zyra e Refugjatëve po i shkruan Ministrisë së Brendshme në lidhje me çështjen e z. Dervish Duma, ish-sekretar në legatën shqiptare në Londër, si dhe për katër shqiptarë të tjerë. Ajo që shihet është se jashtë grupit të Mbretit Zog ishin vetëm 6 shqiptarë që ndodheshin në Britani. Kjo u konfirmua edhe nga z. Hodgkinson me të cilin folëm sot. Drafti nga Zyra e Refugjatëve është i bashkëngjitur. 

Grupi i Mbretit Zog mund të ndahet në 4 kategori:

1-Mbreti Zog, Mbretëresha Geraldinë, si dhe grupi mbretëror prej 17 vetash. 
2-Ministrat dhe sekretariati i Mbretit prej 7 vetash. Z. Hodgkinson shprehet se të gjithë këta njerëz, si Kastrati, Noçka, Naçi dhe Zavalani janë njerëz me reputacion, të cilët mund të na shërbejnë ne në të ardhmen. Nuk dimë asgjë për gratë e tre personave të përmendur të fundit. Z. Martini, i cili nuk njihet nga Hodgkinson, konsiderohet nga Ryan si një person i pamposhtur. Të gjithë këtyre personave duhet t’u jepet një trajtim me konsideratë sa më të lartë të jetë e mundur. 
3-Për sa u përket 7 oficerëve të Mbretit Zog, në dijeninë time janë fshatarë shqiptarë të cilët janë punësuar nga Mbreti si truproja personale. Inspektori Barnes më ka shprehur ndërkohë shqetësimin e tij dhe të Skotland Jardit për faktin se disa prej këtyre personave pa normë janë shfaqur me armë shotgun të sharruara për të qenë më të vogla. Kjo armë është e paligjshme në Britani dhe pavarësisht se Skotland Jardi do të donte të bashkëpunonte me ta për t’u thënë dy truprojave që janë të armatosur me këtë armë të rrezikshme, që ata të dy t’u japin të drejtë atyre dhe të tjerëve se duhet të binden për rregullat që ka Britania. Z Ryan, në sugjerimin tim, e preku paksa këtë çështje në takimin që pati me Mbretin Zog në datën 23 korrik, çka i hapi rrugë Ministrisë së Brendshme që së pari të zbatojë të gjitha rregullat.

4-Së fundmi, janë dy infermieret zvicerane për të cilat prezumohet se plotësojnë të gjithë rregullat në fuqi për sa u përket shtetasve zviceranë. E dërgova një draft për z. Tudor në Ministrinë e Brendshme. 30 korrik, 1940. Personat që Mbreti Zog nuk i mori dot në Britaninë e Madhe Pasi u ra dakord që Mbreti Zog do të shkonte në Britani, ai largoi nga oborri i tij

13 persona të cilët nuk mund t’i mbante më me vete. 
Bëhej fjalë për disa familjarë të Mbretëreshës Geraldinë, disa shërbëtorë, dy shoferët e tij, infermieret gjermane, si dhe disa prej oficerëve që e kishin ndjekur nga pas. Kjo listë u zbulua pasi Mbreti Zog që donte që ata të pajiseshin me lejen e qëndrimit, por më pas ata nuk mundën të vinin dot në Britaninë e Madhe.

 Lista e anetareve te Oborrit qe nuk shkuan ne Britani 

Konti Jules Apponyi Vëllai i Mbretëreshës
Zonja Ruling Zonjë në Oborr
Xheladin Nushi Profesor
Ali Mehmeti Oficer
Ana Maria Peschel Mami me shtetësi gjermane
Johana Sofia Schmol Infermiere me shtetësi gjermane
Ana Kiss Pastruese
Duhije Kaceli Infermiere
Hakik Elmazi Shërbëtor
Halil Ahmeti Shërbëtor,
Bajram Hyseni Shërbëtor
Antoine Baraby Shofer që shoqërohej nga gruaja e tij
Aziz Zeki Shofer



LISTA E GRUPIT TË MBRETIT ZOG NË BRITANINË E MADHE



1-Mbreti Zog
2-Mbretëresha Geraldinë
3-Princi i kurorës, Leka
4- Princesha Adile Zogu ( Motra e Mbretit Zog)
5- Princesha Nafije Zogu ( Motra e Mbretit Zog)
6- Princesha Sanije Abid ( Motra e Mbretit Zog)
7- Princesha Myzejen Zogu ( Motra e Mbretit Zog)
8- Princesha Ruhije Zogu ( Motra e Mbretit Zog)
9- Princesha Maxhide Zogu ( Motra e Mbretit Zog)
10- Ruhije Xhelal Zogu, Kunata
11-Princ Tati Kosova, Nipi
12-Zonjusha Tere Doshishti, Mbesa
13-Zonjusha Tanush Doshishti, Mbesa
14-Z. Salih Doshishti, Nipi
15- Z. Hysen Doshishti, Nipi
16- Z. Sherafedin Doshishti, Nipi
17- Virginia de Strale d’ Eckna, gjyshja
e Mbretëreshës Geraldinë (suedeze)
18- Sotir Martini, Ministri i Oborrit
19-Qazim Kastrati, Sekretari privat
20-Milto Noçka, Sekretar i Legatës Shqiptare në Paris
21-Gilberta Noçka, e shoqja
22-Dr. Gjenço Naçi, Sekretar i Legatës Shqiptare në Paris
23- Jeanne Naçi, e shoqja
24- Tajar Zavalani, Atasheu i shtypit
25-Selma Zavalani, e shoqja
Oficerët e Mbretit Zog
26-Zenel Shehu
27-Halil Sufa
28-Jusuf Begeja
29-Muharrem Goga
30-Ali Çupi
31-Bajram Neli
32-Qazim Prendi
33-Halin Driçe
34- Louise Marie Jaunin (Infermjere zvicerane)
35- Elisabeth Aegerter (Infermjere zvicerane)/panorama