Brazil 2014, profilet e 32 skuadrave pjesëmarrëse

BBC: Nga Brazili, Gjermania, Italia e deri tek Koreja e Jugut. Cilët janë lojtarët kyç dhe formacionet favorite. Gjithçka që duhet të dini për secilën skuadër./Përgatiti: Endri Farka

GRUPI A
1. Brazili
Mikpritësit janë një nga favoritët kryesorë të këtij turneu dhe kanë një rekord prej 11 vitesh që nuk munden në shtëpi. Brazili po kërkon të harrojë Kupën e Botës 1950, kur ata u mundën nga Uruguai në finale. Brazili i këtij viti është formuar po nga i njëjti trajner me të cilin fitoi Kupën e Botës 2002, Luis Felipe Skolari. Lojtarët e talentuar dhe fansat e apasionuar me siguri do të inspirojnë skuadrën e fanellë verdhëve për të trembur kundërshtarët.
2. Kroacia
Gjysmëfinalistët e Kampionatit Botëror 1998 në Francë, Kroacia, ka luftuar në skenën e madhe të futbollit vetëm pasi mundi Islandën në playoff. Mario Manxhukiç, 28 vjeç, kishte një mesatare prej më shumë se një goli në një ndeshje gjatë vitit 2013, duke ndihmuar Bajernin e Mynihut të fitonte tripletën historike. Gjithashtu ka shënuar 4 gola me Kroacinë në ndeshjet kualifikuese. Por kohët e fundit golat janë pakësuar, duke regjistruar vetëm 2 në 11 aparencat e fundit. Sipas trajnerit bavarez Pep Guardiola nuk ka asnjë lojtar më të mirë se ai në lojën e ajrit.
3. Meksika
Meksika përdori 47 lojtarë dhe 4 trajnerë në një fushatë kualifikuese që la një sërë pyetjesh pa përgjigje. Fituesit e Medaljes së Artë të Lojërave Olimpike 2012 kanë shumë pak kohë për të gjetur formulën fituese. Vetëm fitorja ndaj Panamasë në Shtetet e Bashkuara i shpëtoi meksikanët nga eliminimi në raundin final. Ato e morën veten në ndeshjen kundra Zelandës së Re, të cilën e mundën 9-3 në rezultat total.
4. Kameruni
Ka kohë që Kameruni e ka humbur pseudonimin e tij si “Luanët e Pamposhtur”. Ata nuk arritën të kualifikoheshin në dy kampionatet e fundit të Kupës së Afrikës. Federata e Futbollit të Kamerunit u pezullua për një kohë të shkurtër nga FIFA qershorin e kaluar për shkak të ndërhyrjes së qeverisë. Ndërsa kombëtarja e futbollit është e pasur me mesfushorë defensivë, por mungesë kreativiteti duke qenë se Aleks Song nuk e ka kryer mirë rolin e tij si organizator në skuadrën e Barcelonës.
*****
                            GRUPI B 
1. Spanja
Heroi i finales së Kampionatit Botëror, Andres Iniesta mbetet një pjesë jetësore dhe thelbësore e mesfushës spanjolle që shpreson ta udhëheqë vendin në fitoren e titull pas titulli. Kampionët në fuqi nuk humbën asnjë ndeshje në grup, ku bënte pjesë edhe Franca. Por Spanja pësoi një humbje të thellë 3-0 nga Brazili në Kupën e Kofederateve. Trajneri Vincente Del Bosque synon të bëhet trajneri i dytë në histori që fiton 2 Kupa Bote njëra pas tjetrës.
2. Hollanda
Golashënuesi më i mirë i Hollandës, Robin Van Persie do të jetë një lojtar kyç në shpresat e vendit për një hap më tej në Brazil. Sulmuesi i Mançester Junajtid ishte gjithashtu golashënuesi më i mirë në grupet kualifikuese të botërorit 2014, ku edhe skuadra fitoi nëntë ndeshje dhe barazoi vetëm një. Por si gjithmonë është e vështirë të përcaktohet se deri ku do të arrijë Hollanda me treshen e saj Roben, Van Persi, Shnaijder.
3. Kili
Ylli i Barcelonës Aleksis Sanchez udhëheq një skuadër të fortë në këtë Kupë Botë, në të cilën bën pjesë edhe mesfushori i Juventusit, Arturo Vidal. Kili, që doli e treta në ndeshjet kualifikuese të Amerikës së Jugut, arriti të merrte një fitore të merituar 2-0 përballë Anglisë në Uembli. Me potencialin që kanë mund të arrijnë në çerek-finale për të dytën herë në histori, nëse lojtarët kryesorë të formacionit nuk dëmtohen.
4. Australia
Golashënuesi më i mirë i Australisë, Tim Kahill, edhe një herë tjetër do të ndihmojë ekipin për të tretën herë rradhazi që vendi merr pjesë në botëror. Australianët i kanë miksuar rezultatet gjatë ndeshjeve kualifikuese, por arritën të merrnin vendin e tyre në botëror, duke përfunduar të dytët pas Japonisë. Australia ka shumë pak premise për t’u kualifikuar.
*****
                            GRUPI C 
1. Kolumbia
Kolumbia pas 16 vjetësh do të marrë pjesë në botëror, pasi zuri vendin e dytë në fazën kualifikuese pas Argjentinës me 30 pikë. Ndeshjet më të mira të Kolumbisë ishin fitorja 4-0 kundra Uruguait, dhe fitorja 3-1 kundra Kilit. Radamel Falkao ka qenë në qendër të vëmendjes së bashku me shokun e tij të skuadrës së Monakos, Xheims Rodriguez. Por Falkao tronditi ekipin kur deklaroi se nuk do të merrte dot pjesë në Botëror. Tani shpresat janë tek Rodriguez. Megjithatë kushtet e Brazilit mund t’i përshtaten kolumbianëve.
2. Greqia
Greqia futet në Kupën e Botës me besim të madh pavarësisht se u kualifikua nëpërmjet playoff-it. Skuadra e Fernando Santos-it do të kërkojë të bëjë një hap më shumë se sa në Afrikë të Jugut 2010. Ata duan të arrijnë në fazën e nokautit. Parashikuesit i vlerësojnë grekët si skuadra më e dobët e europiane nga ato skuadra që marrin pjesë në Brazil, por ia vlen të kujtojmë që Rusia nuk e kishte aspak të lehtë t’i mundte në çerekfinalet e Euro 2012-s.
3. Bregu i Fildishtë
Goli i Salamon Kalou-së kundra Senegalit në playoff e dërgoi skuadrën e tij për të tretën herë rradhazi në Kampionatin Botëror. Bregu i Fildishtë ka disa lojtarë tepër të talentuar përfshi golashënuesin më të mirë të vendit, Didier Drogba, dhe mesfushorin e Mançester Sitit, JaJa Ture. Ky turne pritet të jetë i fundit për karrierën ndërkombëtare të Didier Drogbasë.
4. Japonia
Prisni të papriturën nga kampionët e Azisë. Ata hyjnë në Kampionat Botëror pas tre disfatash në Kupën e Konfederatave. Humbjet përballë Serbisë dhe Bjellorusisë çuan në shkarkimin e trajnerit Alberto Zakeroni. Barazimi përballë Hollandës dhe fitorja kundra Belgjikës ka ringjallur shpresat se Japoni ende mund të na surprizojë.
*****
                                         GRUPI D
1. Uruguai
Fituesit e Kupës së Amerikës 2011 do të shpresojnë të përsërisin performancën e Kupës së Botës 1950 në Brazil ku ata mundën mikpritësit në një ndeshje finale dhe fituan turneun. Sulmuesi i Liverpulit, Luis Suarez u emërua në 23-shen e skuadrës që do të shkojë në Brazil, pavarësisht dëmtimit të tij në gju. Suarez, 27 vjeç, bëri një operacion në 22 maj dhe shpreson të luajë në ndeshjen e parë kundër Kosta Rikës në 14 qershor. Sulmi Suarez-Kavani është tepër i frikshëm.
2. Kosta Rika
Kosta Rika siguroi kualifikimin në kampionatin botëror duke i fituar të gjitha ndeshjet të zhvilluara në shtëpi. Megjithatë kanë kaluar 24 vjet që kur ata për herë të fundit arritën në fazën e nokautit. Ndoshta është skuadra më e mirë që Kosta Rika ka pasur ndonjëherë por qëlluan pa fat në grupin në të cilin ranë. Trajneri kolumbian Jorge Luis Pinto i ka dhënë një identitet skuadrës, u ka dhënë lojtarëve besim dhe i ka bërë vështirë të thyeshëm.
3. Anglia
Për herë të parë Anglia futet në një turne kryesor me pritje të vogla. Të kryesuar nga Roi Hodgson, trajneri i parë anglez që udhëheq Anglinë në një Kampionat Botëror që prej 16 vjetësh. Presioni është shumë i madh për Tre Luanët. Vetëm dy herë më parë anglezët nuk kanë arritur të kalojnë grupet në një kampionat botëror, në vitin 1950 dhe 1958, një kampionat nga të cilët u mbajt në Brazil.
4. Italia
Italia nuk humbi asnjë ndeshje në fazën kualifikuese, dhe trajneri Çesare Prandeli shpreson që sulmuesi Mario Baloteli të përsërisë formën e tij sulmuese kur ai shënoi 5 gola në 5 ndeshje. Por ylli mbetet regjisori gjeni Andrea Pirlo. Nëse Italia fiton në Brazil, ata do të barazojnë rekordin e kupave të fituara me Brazilin. Italia e Prandelit di se si ta menaxhojë lojën pas fazës së grupeve: ata dolën në finale në Euro 2012 dhe zunë vendin e tretë në Kupën e Konfederatave.
*****
                               GRUPI E 
1. Zvicra
Zvicra ka disa të rinj të talentuar që kanë ardhur nga rradhët e skuadrës U17 që fitoi Kampionatin Botëror për të rinjtë në vitin 2007 dhe arriti finalet në kampionatin europian për të rinjtë U21. Zvicra ka një mbrojtje të mirë, së bashku me dy mesfushorë qendrorë pas 4 mbrojtësve. Golat e paktë të pësuar janë tregues i fuqisë së mbrojtjes të përmendur më parë.
2. Ekuadori
Gjatë kualifikimeve, Ekuadori la vetëm dy pikë në shtëpi, kundra Argjentinës, por nuk arriti të fitonte asnjë ndeshje në transfertë duke marrë vetëm 3 pikë në 8 ndeshje. Nuk ka asnjë dyshim që Ekuadori ka sulmues të talentuar por ka mungesë cilësie në mbrojtje. Rezultatet e tyre jashtë Ekuadorit nuk kanë qenë të mira.
3. Franca
Në katër Kampionatet e fundit Botërorë, Franca ose nuk ka fituar asnjë ndeshje (2002,2010) ose ka arritur në finale (1998 ,2006). E përditshmja sportive L’Equipe pyeti nëse “është kjo skuadra më e keqe që Franca ka pasur në historinë e saj?” humbjes së ndeshjes së parë në playoff me Ukrainën. Pas kthimit të rezultatit ndaj Ukrainës dhe kualifikimit të Francës, gazeta hapej me titullin “Respekt”. Në këtë Botëror sytë e francezëve pas dëmtimit të Riberi janë tek Benzema dhe Pogba.
4. Honduras
Hondurasi është kualifikuar përsëri në një Kampionat Botëror por akoma nuk ka mundur të fitojë një ndeshje në 2 aparencat e saj në vitin 1982 dhe 2010. Mungesa e aftësive teknike mund të kompensohet me kushtet e nxehta dhe të lagështa të motit me të cilat Hondurasi është mësuar.
*****
                               GRUPI F
1. Argjentina
Argjentina ka një nga sulmet më kërcënuese dhe më të forta në turne, me pjesëmarrjen e Mesit të Barcelonës dhe Serxho Aguerros të Mançester Siti-t. Ata kanë përdorur në të shumtën e rasteve formacionin 4-3-3 në fazën kualifikuese. Por kanë përdorur edhe formacionin 5-3-2 me Angel Di Marian si pjesë e mesfushës. Me këtë formacion ofron mbrojtje më të fortë.
2. Bosnje-Hercegovina
Pavarësisht se janë të vetmit debutues në Kupën e Botës, Bosnja është ndër më të kuotuarat për të arritur në fazën e nokautit në sajë të sulmit të tyre dhe aftësive teknike. Falë taktikave të tyre kanë arritur të shënojnë 30 gola, 18 nga të cilat janë shënuar nga dyshja Edin Xheko dhe Vedad Ibiseviç. Ndërsa skuadra është e mbushur me organizatorë të lojë, ka mungesë në mbrojtje. Kundra Argjentinës mund ta ndërrojnë formacionin, kurse përballë Nigerisë dhe Iranit pa dyshim që do të sulmojnë shumë.
3. Irani
Kjo është prezenca e katërt e Iranit në një kampionat botëror, por kurrë nuk kanë arritur të kalojnë përtej fazës së grupeve. Ata i kanë shpresat tek mesfushori i Fulhamit Ashkan Dejagah dhe tek kapiteni veteran Javad Nekounam. Falë tyre mund t’i kalojnë grupet. Skuadra do përpiqet të përmirësojë rekordin vetëm me një fitore në nëntë ndeshje në tre Kampionate Botërore.
4. Nigeria
Nigeria zuri vendin e parë në grupin e saj në fazën kualifikuese përpara se të mundte bindshëm Etiopinë 4-1 në playoff. Duke u mbështetur tek kapiteni i tyre dhe portieri Vinsent Enieama, ata kanë edhe një sulm cilësor me Viktor Moses dhe Peter Odemuingie. Pas dështimit për t’u kualifikuar në Kupën e Afrikës 2012, “Super-Shqiponjat” ka pësuar një transformim radikal nën udhëheqjen e Steven Keshi. Politika e tij përzgjedhëse bëri që Nigeria të fitojë titullin e parë afrikan që prej 1994. Ata ishin tepër kompetitivë në Kupën e Konfederatave, por duhet më shumë përmirësim për të kaluar fazën e grupeve në botërorin 2014.
*****
                                GRUPI G
1. Gjermania
Tre herë kampionët e botës kryesuan grupin e tyre me 36 gola të shënuar. Të bekuar me shumë cilësi, ato konsiderohen skuadra më e mirë gjermane. Formacioni i tyre 4-2-3-1 mbështetet tek Bastian Shvainshtaiger dhe Sami Kedira. Përpara mesfushës qëndron boshti kreativ Mesut Ozil, që zakonisht rrethohet nga i rrezikshmi Tomas Myler.
2. Portugalia
4 golat e Kristiano Ronaldo-s në dy ndeshjet e playoff-it përballë Suedisë çuan Portugalinë në Brazil. Me Ronaldon në skuadër, qielli është kufiri. Megjithatë, duke marrë parasysh grupin e ndërlikuar, objektivi kryesor do të jetë arritja në fazën e nokautit përpara se të fillohet të mendohet për çerekfinalen kundra Argjentinës. Prania e Pepes dhe Joao Mutinjos jep siguri në mbrojtje, por ata mbeten pa një sulmues të klasit botëror, duke bërë që e gjithë pasha e sulmit të mbetet në shpatullat e Ronaldos.
3. Gana
“Yjet e zinj” po fantazonin përsëritjen, biles dhe përsmirësimin e arritjes së tyre në Kampionatin Botëror 2010. Ata kërkonin të arrinin më shumë se në çerekfinale në Brazil. Kjo derisa u hodh shorteu. Megjithatë besimi nuk shuhet në rradhët e ganezëve. S’ka arsye të ndodhë sepse skuadra është e kompletuar me përvojë dhe me talentë të klasit botëror. Rikthimi i Michael Essien ka qenë thelbësor, ndërsa trasferimi i Asamoah Gyan në Lindjen e Mesme nuk e ka zbehur nuhatjen e tij për të shënuar gol.
4. SHBA
Shtetet e Bashkuara kryesuan grupin e tyre në fazën e kualifikimeve për të siguruar pjesëmarrjen e tyre të 7 radhazi në Kampionatin Botëror. Trajneri Jurgen Klinsman thotë se qëllimi minimal është të arrihet faza e nokautit. Një rekord kombëtar me 16 fitore në vitin 2013 – përfshi edhe Gjermaninë – i jep atyre shkasë për besim. Shqetësimi më i madh është mbrojtja dhe mungesa e vazhdimësisë. 37 lojtarë u përdorën në fazën e kualifikimeve.
*****
                              GRUPI H
1. Belgjika
Pavarësisht se ndodhej në një grup të ndërlikuar, Belgjika arriti të kualifikohej që nga viti 2002 dhe nuk humbën asnjë ndeshje në fazën kualifikuese. Belgjika ka treguar se është një ekip i fuqishëm dhe i organizuar. Me mbrojtjen e disiplinuar, ata janë përgatitur që të jenë të duruar. Ata kanë një bollëk me sulmues të ndryshëm dhe një shpirt luftarak të indoktrinuar nga trajneri Marc Ëilmots.
2. Algjeria
“Dhelprat e Shkretëtirës” kanë përmirësuar politikat e tyre përsa i përket lojtarëve me prindër algjerianë. Zinedine Zidane, Karim Benzema dhe Samir Nasri janë lojtarë me prejardhje algjeriane. Tani Algjeria shpreson që të jetë më e kujdesshme me lojtarët cilësorë që i drejtohen Francës dhe të përmirësojnë pozitën e tyre në botën e futbollit. Algjeria është i vetmi vend arab që merr pjesë në Brazil. Maradona dhe Rivaldo besojnë se Algjeria do të jetë surpriza e këtij viti.
3. Rusia
Fabio Kapelo dhe Rusia punojnë për të përmirësuar pikat e forta të njëri-tjetrit. Pjesën më të madhe të lojtarëve Kapelo i ka marrë nga kampionati rus ( sidomos nga skuadra e Zenit St Petersburg dhe CSKA e Moskës) sepse ka arritur t’i njohë pikat e dobëta të këtyre lojtarëve shumë shpejt. Mesfusha është kyçi i kësaj skuadre. Thembra e tyre e Akilit vazhdon të mbetet kur ata përballen me një skuadër që luan me një stil të ngjashëm me ta.
4. Koreja e Jugut
Kur Koreja e Jugut dhe Japonia u zgjodhën si mikpritëse të Botërorit 2002, kjo ndodhi për arsye që të sigurohej stërvitje më e mirë, infrastrukturë dhe objekte më të mira jo vetëm për këto dy vende por për të gjithë futbollin aziatik në përgjithësi. Koreja e Jugut e përqafoi dhuratën që FIFA I bëri. Sot, lojtarët e Koresë së Jugut shihen si sfidues gjenialë për t’u kualifikuar. Kjo është aparenca e 8 radhazi në Kampionatin Botëror dhe ata kanë arritur të kalojnë fazën e grupeve në 2 nga 3 edicionet e fundit.