Nga Enver Robelli
Kosova ka nevojë urgjente për qeverisje tjetër. Alternativat nuk janë ideale, por kush do të dëshironte që Kosovën ta fuste në grusht sërish klani i deritanishëm i sundimtarëve? Secila qeveri e ardhshme, por edhe çdo opozitë konstruktive dhe realiste duhet ta ketë parasysh se bashkësia ndërkombëtare pas gati 20 vitesh investime të mëdha në arkitekturën postkonfliktuoze në Europën Juglindore nuk ka kohë të merret me huqet e politikanëve provincialë ballkanikë.
Viteve të fundit e kemi parë se shqiptarët nuk janë më në fokus të politikës botërore. As nuk janë të licencuar për të qenë përherë viktima. As nuk duhet të presin se çdo problem të tyre do ta zgjidhin “këta të huajt”, “miqtë tanë” etj. Ata mund të na i zgjidhin 10 probleme, por prej tyre 7 nuk do të jenë në favor tonin nëse ne vetë nuk bëhemi serioz e të përgjegjshëm – si individë dhe si shoqëri. Politikanët e Kosovës duhet të koncentrohen në ndërtimin e shtetit funksional kosovar. Bota e madhe demokratike gjendet para problemeve shumë të mëdha dhe të rrezikshme. Konflikti në Ukrainë është uverturë e një ballafaqimi të ardhshëm shumëvjeçar me Rusinë imperialiste. Në Irak këto ditë jemi dëshmitarë të dështimit të shtetit dhe të rrëshqitjes drejt një konflikti mes myslimanëve sunitë dhe shi-itë.
Marrëdhëniet mes Europës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë kurrë më të ftohta se sot për shkak të përgjimeve të shërbimit amerikan NSA. Bashkimi Europian ende nuk i ka kaluar pasojat e krizës së madhe financiare që nisi në vitin 2007. Në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian në shumë vende të BE-së forcat antieuropiane, raciste dhe skeptike ndaj zgjerimit kanë marrë shumë më tepër vota se ç’pritej. Politikanët e Kosovës (këtu e kam fjalën për politikanët e përgjegjshëm, nëse ka mbijetuar ndonjë i tillë në këtë sistem mafioz) duhet t’i kenë parasysh rrethanat në politikën botërore, raportin e forcave dhe rolin e aleatëve tanë, pa ndihmën e të cilëve Kosova nuk do të ishte sot shtet. Kosova (bashkë me vendet e rajonit) ka një shans të madh. Ky shans e ka këtë emër: integrime europiane.
Në këtë rrugë Kosova duhet të bisedojë me çdo palë dhe çdo fqinj, përfshirë edhe Serbinë. Kosovës i duhet një ekip i mirë që do ta përfaqësojë në bisedimet në Bruksel. Dëmi që ka shkaktuar qeveria e deritanishme është i madh, por mund te kufizohet nëse partitë që angazhohen për një shtet funksional formulojnë një platformë të qartë dhe nëse do të jenë transparente në punën e tyre. Kush mendon se problemet e grumbulluara për 15 vjet në veri të vendit apo kudo tjetër në Kosovë zgjidhen për 15 ditë me shkop magjik apo me aventura politike – jo vetëm që gabon rëndë, por edhe e dëmton Kosovën. Meqë të gjithë politikanët e Kosovës e përsërisin frazën standarde se në politikë kanë hyrë për të mirën e vendit, “me shërby” e “me punu”, atëherë shansi është këtu, por po u keqpërdorë ky shans mbase nuk do të kemi më as shtet.
Momenti historik është delikat. Pjekuri, përgjegjësi, maturi, vendosmëri dhe realizëm: këto virtyte kërkohen tani. A kemi prej kujt t’i kërkojmë? Apo duhet sërish të vazhdojmë të turpërohemi për cilësinë e personelit politik të Republikës sonë?





