Bindja është “krijesë” e fakteve

Nga Majlinda Bushja




Krijimi i bindjeve të çfarëdolloji në jetën tonë janë tregues i besimit të plotë mbi fakte të mëparshme, lidhur me çështje të caktuara, (qofshin këto të sferës politike, ekonomike, sociale, kulturore, sportive, etj). Të kesh bindje do të thotë, të besosh plotësisht në diçka, e më pas të krijosh bindjen se, ajo që beson qendron në krye të të gjitha bindjeve të tjerëve me pretendimin personal, se është më e mira. Me pak fjalë të kesh bindje do të thotë që besimi yt, nuk ka pranuar fakte te tjera të mëparshme, pavarsisht të vërtetave, ai ka seleksionuar ato sipas këndvështrimit të vet dhe më pas ka krijuar bindjen duke nisur nga aty, (si në rastin e politikës). Për këtë arsye nëse zotërojmë një bindje të caktuar, për diçka, ne shpesh udhëhiqemi edhe nga dëshira për ta mbrojtur atë, me çdo kusht  për këtë shkak.
Nëse i referohemi jetës së përditshme qendrimi ynë si individ, është të jemi plotësisht bindës përballë të tjerëve, jo thjeshtë për të bindur, por për ta vendosur të drejtën në anën tonë me çdo kusht, domosdoshmërisht. Prandaj, të jesh bindës në jetën e përditshme është një “luftë” e vazhdueshme me fakte, përballë bindjeve të të tjerëve, në përpjekje të vazhdueshme për t’i ndryshuar ato. Pasi, të bindësh të tjerët, në një farë mënyre do të thotë të dish të drejtosh, e të dish të drejtosh do të thotë se je më i afti në komunikimin me të tjerët, duke e kthyer të drejtën në anën tënde. Çështja është të bindësh të tjerët sipas bindjeve të tua, e t’i bashkosh për të njëjtin qellim, sa herë fryma si lidër përcjell zhvillim të përbashkët. E për këtë arsye duhet gjithmonë një rol i cili do t’i shërbej triumfit të shumëdëshiruar që çdo individ e kërkon. Kështu, me një rol “diplomati” bindja bëhet më e thjeshtë, e thjeshtësia nga ana tjetër është një pjesë që i përket masës, duke rezultuar e suksesshme.  
Kur ke me vete bindjen pozitive lidhur me një çështje të caktuar, në anën tjetër ke dhe vendosmërinë, e cila përveçse të jep siguri,  e lë të plotë hapsirën e veprimit në lidhje me atë çështje për të cilën ke bindjen. Pasi, vet bindja është siguria që rrjedh nga besimi ynë, i cili e sheh “llogjikën” e vet në të cilën janë mbledhur faktet e mëparshme, si të pagabueshme dhe brilante. Kështu, sa herë krijojmë bindjen për diçka me vete kemi dhe ndjenjën e absulutizmit, i cila jo gjithmonë na nxjerr absolut në fund, duke na lëkundur në disa raste bindjet e mëparshme  ndonjëherë dhe pa kthim. Kjo gjendje haset shumë në sferën politike, e cila përdor shpesh median, por jo vetëm atë, si mjet për të bindur qytetarët e vet. Zhvillimi i teknologjisë nga njëra ana ka rritur numrin e “mjeteve bindëse”, por nga ana tjetër i ballafaqon qytetarët me shumë fakte, duke lënë të hapur besueshmërinë dhe përzgjedhjen, por edhe ndryshimin e bindjeve.
 Zakonisht, ambjentet e debateve televizive në fushata zgjedhore, por edhe më tej shpesh na ballafaqojnë me një duel bindjesh të partive politike kundërshtare të cilat kërkojnë të bindin elektoratin se alternativa çfarë ofrojnë e besojnë ata, është më e mira. Përdoren të gjitha strategjitë e nevojshme që dukja t’iu shërbejë bindjeve të tyre, për t’i përcjell ato sa më të kulluara e me shenja të theksuara perfeksioni masës së gjerë. Qellimi është që bindja ime partiake, të bëhet dhe jotja për t’i shërbyer fitores sime, që në dukje nuk reflekton e tillë. Këtë “luftë” të vazhdueshme nuk e bëjnë vetëm politikanët, por dhe analistë të ndryshëm që dukshëm shfaqin bindjet e tyre pozicionuar përkrah një partie politike. Qellimi është të krijojmë bindjen e nevojshme tek të tjerët, për aq koha që, ajo, i shërben jetësimit afatgjatë të bindjeve partiake. Pasi kush bind, bind se di, jo se ka gjithmonë të drejtë. Nisur nga kjo logjikë veprohet me të gjitha format për ta kthyer bindjen personale në politikë, në bindje të shumicës me çdo çmim, qoftë dhe duke kërkuar fakte të paqena ndonjëherë.
Nëse i referohemi bindjes së shoqërisë për një çështje të caktuar, natyrisht që do të hasim në diversitet konkluzionesh, e më pas bindjesh, pasi faktet e mëparshme shihen nga shoqëria në këndvështrime të ndryshme, nga një pjesë e saj pranohen, e nga një pjesë tjetër kundërshtohen. Më e vështirë është kur shoqëria e një vendi, përpiqet të bind shoqërinë e një vendi tjetër, se vlerat që ajo zotëron janë më superiore përballë saj. Mospërputhja e vlerave për shkak të kushteve në të cilat ato jetojnë i bëjnë këto shoqëri që ndonjëherë të jenë konfliktuale mes tyre, vetëm për arsye të bindjeve që ato zotërojnë. Në përgjithësi tendencat e shoqërive në çdo cep të botës, në mënyrë të vazhdueshme janë konkurencat midis tyre në aspektin zhvillimor. Kur shoqëria e një vendi ka arritur një nivel të caktuar për shumë arsye që shpesh i atribuohen historisë së shumë brezave dhe rrethanave që kanë favorizuar këtë zhvillim, ajo në një farë mënyre kërkon nëpërmjet këtij zhvillimi përhapjen e kulturës së vet edhe tek shoqëritë e tjera. Kërkon të bind duke u imponuar si model ndonjëherë. Sidoqoftë, çdo ndryshim pozitiv pavarsisht mënyrës sesi vjen, nëse shërben për të përmirësuar jetën tonë duhet pranuar. Megjithatë, detyrimi nuk duhet të jetë kusht, ndaj konkluzionet që vet shoqëritë duhet të nxjerrin kërkojnë ballafaqimin e alternativave, duke mos u bërë fanatike të traditave të veta.
Faktet tregojnë se, ajo që po ndodh në ditët e sotme është ndërthurja e kulturave të ndryshme, ku efekti globalizues ka bërë të vetën.  Ne shohim prurjet e reja në çdo aspekt jetësor të cilat me kohën i kemi bërë tonat për shkak të efektit krahasues, duke ndryshuar bindjet e mëparshme nisur nga faktet. Vet shoqëria jonë nuk e përfytyron më veten me bindjet e mëparshme, por i sheh ato si të vjetëruara sa më shumë koha kalon. Diferencën e bën krahasimi i vlerave nëpërmjet fakteve, të cilat ndryshojnë bindjet e mëparshme të shoqërisë, kështu pavarsisht vështirësisë që has individi në bashkësi e bën mirë dallimin dhe pranon duke ju përshtatur alternativës më frytdhënëse. Nëse deri dje kishim vetëm një parti që përpiqej të na bindte për sukseset e saj, sot qënia e një partie as që imagjinohet, pasi vet spektri partiak është shenjë e lirisë që vetëm demokracia mund të ta sjell, ndaj dhe bind më tepër. Shembuj të tjerë janë pafund, sesi shoqëria me kohën heq dorë nga bindjet e mëparshme, të cilat e kanë ushqyer për shumë kohë në aspektin negativ duke ndryshuar plotësisht. Si rrjedhojë, fakte të reja, rrëzojnë fakte të vjetra, duke ndryshuar bindjet e mëparshme të shoqërisë. Në përgjithësi tendenca është drejt bindjes që ka pas vetes faktet më të forta, në aspektin pozitiv ose e kundërta.

Kështu, të krijosh bindje qoftë si individ, apo shoqëri, së pari, duhet të mbështetesh në disa fakte të mëparshme, që më pas të krijosh bindjen. Perpjekja e gjithsecilit në çdo kohë është të kthejë të drejtën në anën e vet, përmes bindjes. Pasi duke qenë bindës bëhemi edhe më të suksesshëm përballë qellimeve tona, e besueshmëria jonë, nuk është më e jona.