Valeria Dedaj
Dizanjeri Idriss Guelai (1968) fillimisht kalonte kohën e lirë duke krijuar aksesorët e viteve ’90. Në vitin 1989 shpiku një mburojë të shkëlqyer që filloi të përdorej në diskot e mbarë botës, ndërsa vazhdonte edhe të punonte si arredues vitrinash, të dizajnonte objekte dhe orendi shtëpiake. Më pas nga interneti u kontaktua nga një fotograf, i cili i kishte parë punën dhe i propozoi që të realizonin diçka së bashku. Guelai hyri zyrtarisht në treg vetëm para dy vjetësh. Marka e tij ishte pjesë e dyqaneve më luksoze të Luisa Via Roma për gjëra komerciale. Ky lançim do të ishte pasaporta e tij për në botën e madhe të modës. Sot krahas Madona-s, Beyonce-s, Rihanna-s e Lady Gaga-s, së fundmi në Shqipëri ka qenë e interesuar edhe këngëtarja Besa Kokëdhima, për të krijuar aksesorët që i ka përdorur në video-klipin e saj të fundit “Mbretëreshë”. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Guelai tregon se si u bë pjesë e dyqaneve të modës, për raportet e tij me aksesorët, për mënyrën e të parit të gjërave sipas gjendjes shpirtërore etj.
Ai shprehet se, nuk ka hasur vështirësi në zgjedhjet që ka bërë fillimisht, sepse mosha e ka ndihmuar që të bëjë zgjedhjet e duhura dhe inteligjente. Ndërsa për përdorimin e aksesorëve, ai mendon se duhet të jenë vetëm në shërbim të personalitetit dhe karakterit të femrës. “Gjendja e aksesorit duhet të jetë në shërbim të gruas. Nuk duhet të jetë më i rëndësishëm se gruaja, shumë gra mendojnë se janë më interesante nëse aksesori bie në sy..., kjo është shumë e gabuar, aksesorët duhet të zgjidhen edhe në bazë të personalitetit dhe të karakterit të një personi, duhet të kryejnë rolin e një kornize për gruan, si për një pikturë të bukur ”, tregon ai.
Idriss, kur dhe si e ke filluar karrierën tënde?
Mhh... zyrtarisht para dy vjetësh me hyrjen time si markë zyrtare në dyqanet luksoze të Luisa Via Roma, por më parë krijoja për pasion aksesorët e viteve ’90-të.
Raportet e tua me aksesorët?
Adhuroj që të punoj me materiale të ngurta dhe e adhuroj figurën femërore... kështu që rezultati është i qartë.
Kërkimi juaj konstant për bukurinë dhe krijimtaria juaj janë rezultat i një estetike të vendosur mirë, cila është ajo?
Unë nuk do ta quaja estetik... Unë do të thoja që është mënyra ime e të parit të gjërave, nuk kërkoj bukurinë, por unë kërkoj që të komunikoj me botën duke përdorur gjuhën time. Pastaj do të jetë kush që më “dëgjon”, që do të perceptojë nëse ajo që unë “them” është e bukur.
Shpesh, komponentët emocional dhe rrënjët janë elementet thelbësore në punën e një dizanjuesi. Sa të rëndësishëm janë në kërkimin tuaj?
Ndjeshmëri dhe teknikë arsyetimi... unë varem nga këto, e para sepse mënyra ime e të parit të gjërave, varet nga gjendja ime shpirtërore, e dyta sepse më lejon mua që t’i risjell realitetit një mendim timin, një shkrimtar përdor fjalën, unë përdor materialet. Rrënjët mund të kenë rëndësi në fillim të një karriere... pastaj në mënyrë të pashmangshme duhet t’i lësh nëse dëshiron të rritesh/ndryshojnë.
Cilat janë vështirësitë kryesore që ke ndeshur kur ke vendosur të transformosh idenë tënde në realitet? Si ke mundur t’i përballosh ato?
Nëse duhet të jem i sinqertë... në fillim nuk kam ndeshur vështirësi, besoj se varet nga fakti që mosha ime (1968) më ka ndihmuar të bëj zgjedhjet e duhura dhe inteligjente. E kuptoja tashmë se ku mund të gaboja..., nuk është çështja vetëm të krijosh objekte interesante, por edhe se si t’i prezantosh dhe kujt t’ia prezantosh… nëse fillon në mënyrë të gabuar, rrezikon edhe të qëndrosh në vendin e gabuar.
Çfarë mund të na tregosh për bashkëpunimin me Besën?
Haa… janë shumë gjëra për të thënë… një ARTISTE që duhet ta shkruaj me të mëdha… një profesioniste e vendosur që kërkon maksimumin nga bashkëpunëtorët e saj, por në të njëjtën kohë e aftë për të shprehur një ndjeshmëri të madhe dhe respekt. Ajo është shumë e kujdesshme ndaj detajeve, dhe kërkon gjithnjë të përmirësojë atë që bën, ja përse stafi i saj është i përbërë nga profesionistë, serioz dhe të aftë. Është e dukshme që kërkon t’i transmetojë emocione publikut të saj, dhe nuk mendon vetëm për suksesin personal, siç kam parë të bëjnë shumë artistë të tjerë.
Aksesori duhet të jetë në shërbim të gruas
Kush është sipas teje një ikonë mode?
Janë revistat e mëdha të modës që tregojnë ikonat e modës dhe që ndryshojnë shpesh opinion, unë megjithatë mendoj se, Iris Apfel është shembulli i drejtë i një “Ikone mode”.
Një përkufizim për bukurinë femërore?
Bukuria që u intereson të gjithëve, quhet fotozheni, bukuria që më intereson mua quhet sharm, bota është plot më gra të “bukura”, por pastaj plaken... ndërsa sharmi dhe eleganca e disa grave është e përjetshme. Udhëtoni shpesh për punë.
Në cilin qytet ndeshni njerëzit më elegantë?
Eleganca nuk është “veshja”, por “mënyra se si e mban veshjen”. Shumë herë në Paris, Nju Jork. Pekin, Milano mund të shikoni gra të veshura me nga 20.000 euro, që ecin me klasin e një lope. Eleganca është mënyrë të sjelluri, që ju mund të keni me një kimono në Japoni, një Sari në Indi ose një fustan arbëresh në Shqipëri, eleganca si e imagjinoj unë nuk ka nuk ka kufij.
Më lejoni që t’iu pyes se cili aksesor mund të bëjë një grua, GRUA?
Gjendja e aksesorit duhet të jetë në shërbim të gruas. Nuk duhet të jetë më i rëndësishëm se gruaja, shumë gra mendojnë se janë më interesante nëse aksesori bie në sy..., kjo është shumë e gabuar, aksesorët duhet të zgjidhen edhe në bazë të personalitetit dhe të karakterit të një personi, duhet të kryejnë rolin e një kornize për gruan, si për një pikturë të bukur. A keni parë ndonjëherë në muze piktura ku korniza është më e rëndësishme? Çdo gjë shkon mirë, në qoftë se ndiqni këtë rregull.
Çfarë planesh keni për të ardhmen?
Të jetoj qetësisht dhe sa më gjatë të jetë e mundur...
Për një ide, ëndërr duhet?
1) Duhet kuptuar se një ëndërr duhet të jetë e realizueshme dhe që ke vërtet talent për ta bërë..., ndryshe për shumicën e jetës suaj do të jeni vetëm një person i pakënaqur, që vrapon pas një ëndrre të pamundur.
2)Një herë që je i sigurt që mund t’ia dalësh, duhet të reshtësh së frekuentuari njerëzit edhe miqtë që fillojnë të qeshin kur u flet për projektin tënd.
3)Duhet të jesh origjinal, kjo do të thotë që duhet të jesh vetvetja, sepse je unik në mesin e miliona njerëzve, të mendosh të krijosh apo të bësh të njëjtat gjëra si të tjerët është hapi i parë për të dështuar.
4)Në ndonjë cep të vendit tënd dhe në botë është dikush që adhuron atë që mund ta bësh vetëm ti, duhet vetëm ta bësh të ditur se ekziston, sot ekziston një instrument i jashtëzakonshëm, që nuk ekzistonte pak vjet më parë... INTERNETI, përdore atë me inteligjencë.






