Joleza Koka
1. Ballkani, siç e portretizojnë
Ura, barrikada, Mitrovica, projekti i gjelbërimit të urës, protesta, shqiptarë që nuk duan serbët, serbë që nuk duan kosovarët, boshnjakë që nuk duan boshnjakët, kroatë hezitantë, sllovenë në krizë, maqedonas etnikë. Lista e temave tabu për kombet e Gadishullit Ballkanik vazhdon në pafundësi, e ndrydhur në të pathënat e mekanizmave mbrojtës të psikikës kolektive.
Shpesh Ballkani i medias nuk i ngjan aspak Ballkanit të ballkanikëve. Madje më tepër se kaq: opionioni publik europian jo vetëm e portretizon Ballkanin në një mënyrë problematike, si një fëmijë plangprishës, por edhe e krijon nga e para, nga hiçi, këtë fëmijë plangprishës. Vetë koncepti i “ballkanizimit” ose Ballkani si fenomen, është stigmatizuar aq sistematikisht ndër vite, sa është kthyer në një pasqyrë në të cilën ballkanikët e shikojnë veten pa shpresë: si popuj që “nuk bëhen” ose popuj që “do të ishin bërë” nëse të tjerët nuk do t’i kishin bezdisur. Mund të themi se gabohet kur mendohet se media europiane u ka ofruar ballkanikëve imazhin që dëshirojnë; ajo u ka treguar atyre se çfarë imazh të dëshirojnë.
Në një nivel të dytë, konflikti mes shteteve ballkanikë, popujve dhe etnive të tyre, portretizohet nga mediat kombëtare të secilit shtet në mënyrë inkoherente, të pabazuar në statistika dhe fakte, të mbështetura në një konceptim të vagullt dhe problematik mbi opinionin publik dhe shoqërinë civile. Shembuj të kësaj inkoherence janë portretizimet e pabazuara mediatike të vitit 2006 në lidhje me dëshirën për ndarje të Malit të Zi prej Serbisë, ndërkohë që opinioni publik (sikundër u tregua me referendum) ishte pothuaj i ndarë pesëdhjetë-pesëdhjetë.
Në një nivel të tretë, sa herë e më shumë po krijohet një hendek moshor në çdo shtet të Ballkanit. Çfarë nënkupton kjo? Duket se sa më shumë kohë kalon, aq më shumë brezat e rinj distancohen prej qëndrimeve publike e private të brezave të vjetër. Konfliktet inter-Ballkanike sa herë e më shumë duken të vjetra e të mjegullta për brezin e ri të politikanëve dhe qytetarëve, qofshin këta kosovarë, serbë, shqiptarë, malazezë, kroatë, sllovenë, maqedonas a boshnjakë. Mediat shumë pak flasin për këtë revolucion socio-kulturor ballkanik, e në shumicën e rasteve e dëmtojnë atë duke pasqyruar ende barrikadat e konflikteve të vjetra.
2. Ballkani, siç e dëshirojmë
Para pak ditësh isha pjesëmarrëse në një cikël trajnimesh në Mal të Zi, ku FRESSH ishte i ftuar, për të diskutuar mbi social-demokracinë dhe të rinjtë së bashku me forume të tjera të majta. Ftesen e Friedrich Ebert Stiftung e pranuan gjithashtu të rinj përfaqësues të forumeve rinore social-demokrate në të gjithë Ballkanin. Pikërisht në një cikël të tillë kontaktesh kuptuam, gati njëherazi, se në Ballkan po ndodh një evoluim i heshtur kulturor. Me apo pa dashje edhe ne jemi bërë pjesë aktive e këtij ndryshimi, me dëshirën dhe solidaritetin tonë për të shkëmbyer eksperienca me homologët tanë në të gjithë shtetet fqinjë.
Atje kuptuam se barrikadat, plumbat dhe ligjet e luftës janë produkt i një brezi të dhimbshëm post-komunist i cili nuk duhe të rikthehet kurrë. Brezi i ri solidar i të majtëve socialistë, ku ben pjesë edhe FRESSH, është drejt çeljes së një epoke të re marrëdhëniesh në Ballkan, ashtu siç nuk i kemi dëshmuar kurrë.
Pyetja është: Si e dëshirojmë Ballkanin ne, të rinjtë e sotëm? Së pari, duam që të kthehet nga një rrjet zgjidhje krizash me kriza, në një rrjet komunikimi, statistikash dhe shkëmbimesh konstante akademike. Meqënëse më shumë se një gadishull Ballkani është një gjendje mendore, ne mendojmë se nëpërmjet komunikimit dhe shkëmbimit të eksperiencës, mund t’i japim jetë një epoke të re. Por që kjo të ndodhë, nevojiten dy parakushte:
1. Të ndryshojmë përqasjen ndaj historisë së përbashkët. Nevojitet që të ketë një kompromis, mes të rinjve të sotëm të shteteve ballkanike, në lidhje me mënyrën sesi duhet ta trajtojmë hatërmbetjen dhe konfliktualitetin e historisë sonë të përbashkët e të përgjakshme. Të rinjtë e sotëm duhet të jenë pjesë aktive e një debati i cili nëpërmjet mësimeve të nxjerra nga historia, punon për ta sjellë atë në udhën e duhur. Ne, forumet rinore socialiste të ballkanit po punojmë për këtë.
2. Të rinjtë social-demokratë dhe organizatat e këtij lloji janë pikënisja e një të tillë ndryshimi. Shtete si Mali i Zi dhe Kosova ende e ndiejnë mungesën e forumeve të forta rinore të majta te ngjashme me FRESSH. Mendojmë se është një detyrë morale e gjithë forumeve me eksperiencë në Ballkan që të ndihmojnë këto struktura, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të akumulohet gjithë energjia potenciale për të mbajtur ndezur motorrin e evoluimit rinor ballkanik. Forumet rinore të majta e kanë shumë të thjeshtë, për shkak të botëkuptimit dhe strategjive të tyre, bashkëveprimin në shkallë rajonale. Nëpërmjet aktiviteteve dhe bashkëpunimeve mendojmë se mund t’ia arrijmë të zbusim fërkimet e vjetëruara sociale në Ballkan.
Një shembull i fillimit të kësaj nisme është BEOGRANA, një konferencë mbi arsimin që FRESSH organizon në datat 4-5-6-7 korrik në Tiranë, në bashkëpunim me forumin rinor të majtë të Serbisë. Kjo Konferencë do të fokusohet në “Sfidat e Arsimit në Shqipëri dhe Serbi, parë nga këndvështrimi i të rinjve”. E vecanta e këtij aktiviteti do të jetë ekspozita fotofrafike “Euro-Exhibition Alpbach” e cila vjen per herë të parë në Shqipëri si bashkëpunim artistik mes Mitrovices dhe Beogradit.Nëpërmjet nismave të këtij lloji ne synojmë ta kthejmë Ballkanin, projektin tonë idealist, në një hapësirë të gjerë rinore dhe të sofistikuar.
Brezi i ri i studentëve është ai që do ta kthejë idealin për Ballkanin e bashkuar e paqësor në një praktikë normale operimi. Përtej paragjykimeve, përtej historisë, përtej plagëve të vjetra, tashmë është koha të reflektojmë.






