Anjeza ndryshon look, së shpejti me këngë të re

Dorjana Bezat


Këngëtarja që i ka munguar skenës muzikore Anjeza Branka këtë verë shfaqet me një look shumë modern dhe tërheqës dhe tregon se këtë verë do të vijë me një këngë të re që shpreson të bëhet hit. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” ajo tregon për planet e saj për verën dhe për jetën e saj përtej skenës.

Ju mund të konsideroheni si një ndër vajzat me fizikun më të bukur të showbiz-it shqiptar. Cili është sekreti i të qenit gjithmonë elegante dhe e tonifikuar?

Për mua ka qenë gjithmonë e rëndësishme mbajtja e trupit në formë prandaj jam treguar e kujdesshme me trupin tim. Jam munduar të kem një rregull ushqimor dhe kam shkuar shpesh në palestër. Jam e kënaqur me rezultatin e arritur dhe më pëlqen trupi im.

Në rrjetet sociale qarkullojnë komente që thonë se ju keni bërë operacion plastik buzët dhe se keni imituar Beyonce-n me gërshetat e flokëve. Si ju përgjigjeni këtyre komenteve?

Këto janë komente të zakonshme dhe nuk më bëjnë përshtypje, pasi çdo gjë e re komentohet.

A mund të presim ndonjë këngë ritmike këtë verë nga ju?

Jam duke u marrë me një këngë të re, të cilën pres ta publikoj së shpejti. Kjo këngë besoj se ka për t’i surprizuar të gjithë, sepse dhe stili i këngës është ndryshe nga herët e tjera. Kam punuar që të sjell diçka të veçantë për këtë verë.

Jeni e distancuar nga kompeticionet dhe festivalet muzikore të organizuara në Shqipëri. Pse kjo zgjedhje?

Nuk kam qenë shumë aktive në skenat shqiptare kohët e fundit, sepse kam qenë shumë e përkushtuar ndaj familjes time. Kjo ka qenë arsyeja e vetme e mungesës sime. Por, kjo nuk do të thotë që do të mungoj edhe për shumë kohë.

Shpesh ju shohim të shoqëruar me djalin tuaj Leanzo si një nënë e përkushtuar. A ju ka kushtëzuar të qenit nënë në karrierën tuaj muzikore?

Aspak mendoj që është një gjë shumë e bukur të besh një karrierë si këngëtare dhe në të njëjtën kohë t’i përkushtohesh fëmijës tënd. Unë jam përpjekur t’i bëj të dyja dhe them se ia kam dalë.

Ku keni planifikuar t’i kaloni pushimet këtë verë?

Gati çdo vit unë i kaloj pushimet jashtë Shqipërisë. Tashmë më është  bërë traditë kjo gjë, prandaj mendoj se edhe sivjet do të pushoj jashtë.

Ethet e kampionatit botëror kanë pushtuar gjithë botën. Po ju me cilën skuadër jeni tifoze?

Me Brazilin, përgjithmonë (qesh). Shpresoj shumë që dhe kupën ta fitojë Brazili.

Ku ju pëlqen t’i shihni ndeshjet e këtij kampionati?

Zakonisht qëndroj në shtëpi për ta parë ndeshjen, pasi ndihem më komode.