Ambasadorët shqiptarë në Brazil


Shqipëria dhe Kosova nuk do të marrin pjesë në Botëror, por shqiptarët do t’i kenë përfaqësuesit e tyre në Brazil. Do të jenë shtatë shqiptarë, të cilët do t’i mbrojnë ngjyrat e vendeve të tjera në kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit, por që assesi nuk e fshehin faktin se janë shqiptarë.
Zvicra do të jetë më e përfaqësuara, me pesë shqiptarë. Bëhet fjalë për: Valon Behramin, Blerim Xhemajlin, Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën dhe Admir Mehmedin.
Madje, mesfushori mitrovicas i Napolit, si njëri prej lojtarëve më me përvojë, pritet ta udhëheq në fushën e blertë ekipin e Ottmar Hitzfeld.
Faktori “X”
Faktori “X” pritet ta ndihmojë shumë ekipin helvetik në Botëror. Në fakt, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka shihen si lojtarë pa të cilët nuk mund të shikohet ekipi i Zvicrës, prandaj zviceranët shpresojnë që shkronja X, që i përfshin inicialet e emrit dhe mbiemrit të dy mesfushorëve, t’ju sjellë fat. Shaqiri nuk ishte gati dy javë më parë, por kishte deklaruar për mediat zvicerane se do të jetë 100 për qind kur të fillojë Botërori.
Me flamur në Brazil
Xhaka dhe Shaqiri janë dy prej futbollistëve më patriotë shqiptarë. Edhe pse i përfaqësojnë vendet e tjera, ata nuk e harrojnë prejardhjen e tyre. Mesfushori i Borussia Monchengladbachut i kishte thënë “Zërit” se do ta marrë me vete flamurin e Kosovës, ndërsa mesfushori i Bayern Munichut, me të mbërri në Brazil, u pa me një çantë, në të cilën, krahas flamurit të Zvicrës e kishte vendosur edhe flamurin kombëtar dhe atë të Kosovës.
Adnani i Belgjikës
Belgjika ka dhënë shumë për Adnan Januzajn dhe në fund mesfushori kosovar ia shpërbleu këtë këtij vendi, duke e zgjedhur ta përfaqësojë, pasi hoqi dorë ndërkohë nga opsionet si: Anglia, Shqipëria, Kosova e Turqia. Dhe, përzgjedhësi Marc Wilmots e ftoi atë në Botëror, duke e bërë shqiptarin e parë që e përfaqëson këtë vend. Ndoshta 19-vjeçari nuk do të jetë titullar në Brazil, por 20-30 minuta në pjesën e dytë mund t’i kryejnë punë, duke e pasur parasysh moshën e tij, dhe njëkohësisht të bëjë përvojë.

Fatlumi Shkodran Mustafi
E Shkodran Mustafi ishte futbollisti më fatlum prej shqiptarëve. Qendërmbrojtësi i Sampdorias nuk u përfshi në mesin e 23 lojtarëve, edhe pse ishte në listën e gjerë, por lëndimi i Marco Reus ishte me fat për të, pasi përzgjedhësi Joachim Loew vendosi ta ftojë në Brazil. Njëjtë si Januzaj, as Mustafi nuk pritet të startojë nga minuta e parë me gjermanët, por ndonjë minutë me siguri se do t’i ofrohet. Fundja, ëndrra e tij është plotësuar tashmë.
Gjithsesi, numri i shqiptarëve në Botëror ka mundur të ishte edhe më i madh, por Pajtim Kasami dhe Arijan Ademi nuk u ftuan nga Zvicra, respektivisht Kroacia.
E këta që janë pa dyshim se mund të konsiderohen si ambasadorët shqiptarë në Brazil/zeri.info/