Përmbytje të shumta të shkaktuara nga rreshjet e dendura që pushtuan veriun e Afganistanit dje, kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 50 personave, njoftuan sot autoritetet lokale.
“Përmbytjet vranë më shumë se 50 persona në rajonin Guzargah e Nur, provincë e Baghlanit”, deklaroi zëdhënësi i pushtetit vendor, Mahmood Haqmal.
“Trupat u gjendën nëpër rrënoja”, tha ai, duke shtuar se rreth 100 të tjerë janë shpallur të zhdukur.Noor Mohammad Guzar, kreu i rajonit të prekur nga përmbytjet, theksoi nga ana e tij se “katastrofa kishte shkatërruar katër fshatra, dy mijë shtëpi, fusha dhe kishte vrarë me mijëra kokë bagëti”.
Këto përmbytje, ndaj të cilave banesat e varfëra nuk rrezistojnë dot, janë shumë të shpeshta gjatë periudhës së shirave që vjen në pranverë në pjesën veriore të vendit.






