Flora Nikolla
“Magjia e futbollit mund të krahasohet me lojën e shahut. Duhet të llogarisësh lojtarët e tu me zgjuarsi dhe të jesh i varur nga lëvizjet e kundërshtarit”.
Edlira.L. nga Tirana 35 vjeç e pohon këtë sintezë për sportin magjik bile ‘krenare’, thotë se ka vite që është tifoze me Gjermaninë. Për Edlirën, që kur ka nisur Botërori, ditët i ka më të ngarkuara dhe ajo ndihet më mirë se zakonisht. Tifoze që kur ishte fëmijë, ajo tregon se preferon ta shohë futbollin e këtij botërori me disa mikesha të sajat . “Mblidhemi çdo natë në një klub pranë shtëpisë, ku nuk ka tifozë burra” thotë ajo.
Në ndryshim nga Kampionati i mëparshëm,duket se femrat në Shqipëri ndodhen më të organizuara për të kaluar ditët kur burrat apo të dashurit janë të justifikuar ndaj tyre për të qënë të lire… !, kësaj here me Botërorin.
Por duket se edhe femrat ndihen më të shpenguara dhe jashtë kontrollit ‘rigoroz’ të seksit mashkull. Një kafe, apo një darkë e lehtë me mikesha, grupime sidomos në klube që nuk frekuentohen nga burra, një shetitje apo edhe një pazar, mbushin konsiderueshëm ditët e futbollit, sidomos për shtresën e mesme të popullsisë .
“Futbolli është një mundësi për të harruar andrallat e ditës, është një dritare për një botë të lirë ku njerëzit jetojnë lirinë” shprehet Eni, studente në Fakultetin e mjekësisë. “Një fitore, për mua është një shkak për të festuar dhe harruar të përditshmen qe të dembelon“, thotë ajo.
Por jo pak femra ‘vuajnë’ bastet që bashkëshortët e tyre vendosin në pikat e shumta që ndodhen në Tiranë. Kjo ju jep atyre ankth dhe i detyron të ngulen edhe pranë ekranit për të ndjekur jo më shumë spektaklin që ofrohet se sa rezultatin i cili në fund të fundit do t’i japë apo edhe do t’i … marrë para ! Në disa nga pikat e bastit në Tiranë, të rezervuar të thonë se, shumat që kanë vënë tifozët gjatë këtyre ditëve kanë arritur shuma marramëndëse.
Të mjerat dhe të lumturat gra!
Moza, 43 vjeç, e cila e shikon ndeshjen e mbrëmjes gjithnjë me bashkëshortin e saj, thotë se, shumë herë mendimi i saj është vendimtar për përcaktimin e rezultatit”. “Jo se kemi fituar gjithnjë por edhe pa gjë nuk kemi dale” shprehet ajo.
Në fakt në pikat e basteve të cilat janë hapur pa fund , sidomos gjatë viteve të fundit, të thonë se numri i femrave që frekuentojë këto pika janë shumë pak . Por nuk mund të harrojmë faktin se në Shqipëri ka pika bastesh ku pronaret janë femra…, apo edhe kur në emisionet televizive mund të shohësh edhe femra që të japë ide apo njohuri që kanë mbi futbollin…!
Klodi, 21 vjeç, e cila ka qënë ‘e çmendur’ pas futbollit që e vogël, thotë se , “ëndërron të ketë një ekip futbolli femrash”.
“Kam luajtur dhe vazhdoj të luaj futboll dhe për mua do të jetë ëndërr sikur një kampionat futbolli për femra të jetë interesant dhe të ndiqet siç ndiqet ai meshkujve”, këmbëngul ajo.
Ndërkohë, jo në pak vende të botës gratë janë organizuar për të kaluar ditët e futbollit… Për to nuk ka as birrë, dhe as të bërtitura nga thellësia e mushërive në rrugë .Se në fund të fundit një zonjë mbetet zonjë kur shkon në futboll .
Ndërkohë, jo në pak vende të botës gratë janë organizuar për të kaluar ditët e futbollit… Për to nuk ka as birrë, dhe as të bërtitura nga thellësia e mushërive në rrugë .Se në fund të fundit një zonjë mbetet zonjë kur shkon në futboll .
Por jo vetëm kaq, tashmë kur Botërori ka marrë udhën e tij, psikologët japin këshillat e tyre për gratë të cilat pavarësisht jetës që bëjnë gjatë këtyre ditëve, duhet të kenë kujdes në sjelljet e tyre më burrat .
Me humor ata këshillojnë që gratë, deri në mesin e korrikut , duhet të lexojnë faqet sportive që të kenë argumet të flasin më bashkëshortët e tyre … , që të mos harrojnë se gjatë botërorit, televizori në shtëpi u takon vetëm burrave dhe se duhet të jetë e ndaluar t’u kërkojnë detyrime burrave si për vizita apo edhe punë shtepije …!
“Do të ishte mirë të mbani shumë birra në frigorifer, çikërrima ushqimore, t’i buzëqeshni miqve të burrit që janë duke parë futbollin në shtëpinë tuaj. Si falenderim për këtë ju mund të shihni televizior deri pas mesnate “, këshillojnë psikologet.. “Në se ju shihni se burri juaj ndihet i trishtuar kur ekipi i tij është duke humbur mos nxitoni t’i thoni “mos u mërzit” apo “do të fitosh ” se kjo do ta mërzisë më shumë” , shprehen ata. Sepse për tifozët dhe bastet e tyre nuk ka rëndësi në se luan apo jo Brazili , Hollanda apo ndonjë ekip që nuk vlen të përmëndet : për ta të gjitha ndeshjet për një muaj rresht janë të rëndësishme…!
Dhe pastaj më në fund, gratë mund t’u thonë burrave pa drojë “sa mirë që Botërori zhvillohet një herë në katër vjet …”/atsh








