Nga Stefan Füle
Viti 2014 shënon një përvjetor të rëndësishëm: u bënë dhjetë vite që kur Evropa Perëndimore dhe Lindore u ribashkuan. Ndërsa etapat e mëparshme të zgjerimit të BE ishin mbi të gjitha të lidhura me idenë ë zgjerimit dhe konsolidimit të tregut të përbashkët dhe ankorimit të demokracisë në shtetet me përvoja regjimesh autoritare si Spanja, Portugalia dhe Greqia, zgjerimi i vitit 2004 qe një ҫast vendimtar i historisë sonë bashkëkohore: ai shëroi një përҫarje artificiale dhe riktheu së bashku një kontinent të ndarë gjatë Luftës së Ftohtë.
Sot, nacionalizmat në Evropë, nxitur nga pasiguria ekonomike, do të mund të na ndrydhnin përsëri brenda vetes sonë. Po a është vërtëtë kjo pëgjigja që Bashkimi Evropian i ditëve të sotme do t’u japë ambicieve të pranueshme të popullatave ende jashtë dyerve të tij? Nëse duam një Evropë që udhëheqëse të ҫështjeve botërore, të sigurt e të fortë ekonomikisht, ne nuk duhet të shkëpusim shikimin nga objektivi ynë thelbësor: së bashku, ne jemi më të fortë dhe mund të arrijmë më shumë.
Ashtu siҫ ishte rasti edhe në vitin 2004, procesi i zgjerimit sot, duke përfshirë vendet e Evropës Juglindore, vazhdon të luaj një rol të rëndësishëm në nxitjen e stabilitetit në kontinentin tonë. Mbi 10 vjetë pas Samitit BE-Ballkan mbajtur në Selanik, angazhimi ynë politik ndaj një të ardhme Evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor qendron ende. Ne mbajmë premtimet e bëra që nga ai moment, sic tregohet rishtazi nga rasti i anëtarësimit të Kroacisë. Turqia është gjithashtu pjesë e këtij procesi. Një anëtare e NATO- që nga viti 1952, Turqia tashmë luan një rol kyҫ në stabilitetin Evropian. Një proces anëtarësimi i besueshëm me Turqinë është mënyra më e mirë për BE në ruajtjen e rolit të saj si ankorues demokratik i reformave dhe modernizimit të vendit. Bashkimi Evropian si fuqi civile, më shumë se me ҫdo mjet tjetër, përmes tërheqjes gravitacionale mund të arrijë më shumë në zgjerimin e paqes dhe prosperitetit, lirisë dhe demokracisë.
Dhe ky është thelbi i politikës së zgjerimit: ajo na bën të gjithëve më të fortë. Jam i ndërgjegjshëm për shqetësimin e shumë qytetarëve të BE lidhur me zgjerimin e BE: a është vërtet një ҫështje delikate ajo e lejimit të hyrjes së anëtarëve të rinj? A mos na duhet ne në rradhë të parë të ndreqim problemet tona? A janë ata vërtet të gatshëm të na bashkohen e të respektojnë rregullat tona? Çfarë mund të përfitojmë ne nga zgjerimi?
Këto janë të gjitha pyetje të drejta dhe ne u përgjigjemi atyre nëpërmjet një procesi zgjerues mjaft të kujdesshëm, bazuar në kushte të rrepta, dhe në përmbushjen e rezultateve të dukshme. Funksioni i anëtarit të BE është kërkues, ҫka do të thotë që një vend i cili ndodhet në rrugën drejt BE duhet të jetë vërtet i përgatitur ndaj sfidave. Ndërsa ritmi i progresit në ndërmarrjen e reformave të domosdoshme varet nga meritat individuale të sejcilit shtet, gjatë kohës procesi është bërë edhe më i ndërlikuar dhe i rreptë, duke ankoruar ‘themelet’ në brendësi të ҫdo hapi të procesit. Deri në momentin e anëtarësimit në BE, vendet aspiruese duhet së pari të tregojnë arritjet në fushën e të drejtave të njeriut, respektit ndaj minoriteteve, lirisë së medias dhe të shprehjes, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së shëndetshme ekonomike. Atyre u duhet të dresojnë ҫështje si reforma në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që në fazat e para të negociatave për antarësim, të tregojnë rezultate të forta, të qendrueshme dhe të pakthyeshme. Më lejoni t’u kujtoj se këmbëngulja ndaj standarteve tona të larta edhe jashtë kufinjve tonë na sjell përfitime vetjake: ajo ul rrezikun që për shembull, qytetarët e BE të preken nga ndotja e importuar.
Ka ende shumë punë përara në vendet që shprehin ambicie dhe ne do të vazhdojmë ti mbështesim ata në adresimin e sfidave me të cilat përballen. Ndërsa shumë akohen se kushtet janë të ashpra, ne vazhdojmë të sqarojmë se rrugët e shkurtra nuk do të funksionojnë: ato nuk do të ndihmonin as BE dhe as vendet që duan të anëtarësohen. Vendet ambicioze duhet të ndërmarrin reforma rrënjësore, të modernizojnë shoqëritë dhe ekonomitë e tyre, dhe përforcojnë proceset e tyre demokratike. Kjo është një marrëveshje e mirë si për ta edhe për ne njëlloj. Një marrëveshje e mirë për një Evropë më të sigurt, të qendrueshme dhe të begatë. Është ky vizioni nëpërmjet të cilit perspektiva e anëtarësimit në BE mund të funksionojë dhe të sjellë përfitime për të dyja palët. Dhe ne nuk do të ndalemi këtu: ne do të vazhdojmë të kërkojmë mënyra për ta përmirësuar procesin e zgjerimit, të sigurohemi që ky I fundit të luaj më së miri rolin e tij në përvijimin e rolit të Bashkimit Evropian në botë.
********
*Stefan Füle është Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë. Në të shkuarën ai ka mbajtur pozicione të rëndësishme brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme të Çekisë. Füle ka ushtruar detyrën e Sekretarit të Parë në Misionin e Përhershëm të Republikës Çeke pranë OKB në New York nga viti 1990 deri në vitin 1995. Ai ka shërbyer gjithashtu si Ambasador i Çekisë në Lituani (1998-2001) duke qenë edhe personi i kontaktit për NATO-n aty. Në vitin 2000 Füle pranoi pozitën e Zëvendës Ministrit të Parë të Mbrojtjes por më pas iu rikthye karierës diplomatike. Ai ka studiuar në Universitetin e Pragës dhe Institutin Shtetëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Moskë.
Origjinali i botuar në Balkans in Europe Policy Blog, 23 Maj 2014 – Përktheu nga origjinali http://www.balkansineurope.org/: Lorena Pullumbi