Zgjedhjet Europiane, rriten ndjeshëm euroskeptikët

-Sipas exit poll-eve PPE ka 211 eurodeputetë dhe PSE 193. Le Pen, forcë e parë në Francë-


Partia Popullore Europiane ka arritur mazhorancën relative në Parlamentin Europian me 211 eurodeputetë ndërkohë që Partia Socialiste Europiane ka arritur në nivelin e 193 vendeve. Këto janë të dhënat e para të dala nga exit poll-et e zhvilluara në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, pas votimeve të ditës së djeshme. Këto të dhëna.i bën të ditur agjencia italiane e lajmeve ANSA.
Sipas ANSA-s grupi i tretë në Parlamentin europian pritet të dalë ai i liberaldemokratëve me 74 deputetë. Të gjelbrit duket se do të jenë forca e katërt  me 58 vende përpara të Majtës së Bashkuar me 47 dhe konservatorëve të Ecr me 39 eurodeputetë.
Sipas exit poll-eve të cituara nga ANSA, grupi i euroskeptikëve në përbërjen e tij thelbësore pra UKIP dhe Lega Nord do të ketë 33 deputetë, natyrisht pa Frontin Nationale të Mari Le Penit që është regjistruar te grupi i pavarur që pritet të marrë 40 deputetë.
Ndërkaq një numër prej 56 deputetëve do ta përbëjnë forcat e reja që nuk kanë qenë të pranishme në legjislaturën e kaluar si Lëvizja 5 yje e Bepe Grillo-s në Itali, liberalët e Ano, euroskeptikët gjermanë të Afd  apo dhe ekstremistët e Agimit të Artë.
Forcat euroskeptike kanë arritur rezultate të rëdësishme kudo në Europë, ku në Francë arritën të dalin forcë e parë, Në Britaninë e Madhe kanë marrë rezultat të rëndësishëm Ukip që kërkon daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Rezultate të qarta kanë marrë forcat euroskeptike në Austri, Gjermani, Itali etj.
Në Itali, sipas të dhënave paraprake Partia Demokratike e Kryeministrit Matteo Renzi është në krye e shkëputur nga Levizja 5 yje e Bepe Grillo-s, gati me 20 pikë diferencë.
Kandidati i PSE për President i Komisionit Europian Martin Schulz deklaroi se është gati të hyjë në tratativa me PPE-në për të krijuar një mazhorancë absolute dhe një koalicion të madh në Parlamentin Europiian.
Parlamenti Europian ka gjithsej 751 deputetë dhe mazhoranca absolute për të formuar e vetme “qeverinë” pra Komisionin Europian përbëhet nga 375 eurodeputetë.