Si ndodhi që një skuadër studentësh mposhti kazinotë

Kur vjen puna te bixhozi, të gjithë e dinë se kazinotë janë ato që fitojnë – dakord? Por në vitet 1990, një grup studentësh vërtetuan se lojtarët nuk ka nevojë domosdoshmërisht të jenë humbës. Kjo është historia e skuadrës së Bllekxhekut nga MIT
Bixhozi Janet Ball, BBC

Bill Kaplan qesh, duke kujtuar reagimin e nënës së tij kur i tha asaj se po e shtynte për më vonë nisjen e studimeve në Harvard dhe se synonte të bënte pasuri në bixhoz. “O Zot, kjo është qesharake! Çfarë do të mund t’u them mikeshave të mia?”, tha ajo. Kaplan pati lexuar një libër mbi numërimin e letrave të bixhozit dhe besonte se mund të përdorte një model matematikor për të bërë para nga Bllekxheku (Blackjack). E sigurt qe që kjo nuk ishte ëndrra e nënës së tij për një djalë që duhej të bëhej as në mësime. Por njerku i Kaplanit qe më i hapur ndaj idesë dhe i bëri një sfidë. “Luaj me mua çdo natë dhe më dëshmo se mund të fitosh”, tha ai. “Unë e dërrmova atë për dy javë rresht”, rikujton Kaplani. “Ai i tha nënës sime ‘nuk mund ta besoj, por ai me të vërtetë është në gjendje të fitojë këtë lojë – lëre atë të ikë’. Nëna ime nuk qe shumë e gëzuar për këtë, por unë ika në Vegas dhe kalova një vit atje”. Ky qe viti 1977 – Kaplan mori 1 mijë dollarë dhe brenda nëntë muajsh i ktheu ato në 35 mijë. Ai shkoi të diplomohej në Harvard dhe me kalimin e kohës vijoi të luajë Bllekxhek nëpër botë. Jeta e tij mori një kthesë dramatike kur udhëheqësi i një grupi të vogël studentësh nga Instituti i Teknologjisë së Masaçusetsit (MIT), i cili qe marrë pak me letrat, e dëgjoi atë rastësisht duke diskutuar eksplorimet e tij në Vegas. Ata i kërkuan atij të trajnonte dhe menaxhonte atë që më vonë u njoh si skuadra famëkeqe e Bllekxhekut në MIT. Më 1992, ndërsa industria e bixhozit po lulëzonte dhe megakazinotë e reja po ngriheshin çdo ditë, Kaplan dhe partnerët e tij panë mundësinë për t’u bërë mega gjithashtu. Miq dhe partnerë që më parë kishin parë norma fitimi 100 për qind në investime më të vogla, krijuan një fond marramendës 1 milion dollarësh për të themeluar një kompani të re, Strategic Investments, e cila duhej të trajnonte studentë të shkëlqyer për numërimin e kartave dhe për të luajtur bixhoz. Studentët do t’u përvisheshin kazinove që nuk e dinin se me kë kishin të bënin. Një nga këto studentë qe Majk (Mike) Aponte), në atë kohë një 22-vjeçar i cili nuk qe i sigurt se çfarë dëshironte të bënte me jetën. Pasi perfeksionoi teknikën në klasa universiteti, ai u trondit kur mori 40 mijë dollarë në dorë për të luajtur bixhoz për llogari të skuadrës. Ai u trondit akoma më shumë kur humbi 10 mijë dollarë në dhjetë minutat e para të lojës në tavolinën e Bllekxhekut në Atlantik Siti. “Një drejtor i kazinosë erdhi menjëherë tek unë dhe më përshëndeti. Ai më dërgoi te suita në katin më të lartë të hotelit. Unë kisha jakuzi, tavolinë pingpongu – qe e mrekullueshme. Unë qëndrova në dhomë, por nuk e shijova aq sa duhej ta shijoja normalisht, për shkak se isha i tronditur nga humbja e gjithë atyre parave”. Ky qe një leksion se sa i luhatshëm mund të bëhet Bllekxheku – edhe me një sistem të vërtetuar shkencërisht. Por ai vijoi të mbështetej te metoda e skuadrës dhe gjatë një fundjave, qe në gjendje të kthehej në universitet me një fitim neto prej rreth 25 mijë dollarësh. Menaxherët e kazinove kërkojnë për lojtarë të dorës së lartë – klientë që luajnë me shumë para – dhe i shpërblejnë ata me ushqim, pije, bileta dhe dhoma, pavarësisht nëse fitojnë apo jo. Kështu studentët, të cilët e kalonin javën duke shkuar në shkollë, duke ngrënë në mensa dhe duke ndarë dhomat e fjetjes, shpejt u mësuan të udhëtonin dhe të trajtoheshin si njerëz të rëndësishëm. Por ata duhej gjithashtu të dukeshin si lojtarë të pasur – diçka që nuk qe e lehtë për shumë prej tyre. Për Aponte, kjo qe njësoj sikur të bëhej agjent i fshehtë. “Ty të duhet të kalosh testin fillestar kur ata të shohin dhe fillojnë të mendojnë, ‘Ok, ky është një nga ata që do të na japë shumë para’”. Ai thotë se megjithëse qe i aftë në matematikë dhe kjo nuk është fare problem për askënd te MIT “ajo që qe e rëndësishme është të dukeshe dhe ndiheshe rehat, të mund të bëje gjëra me vëmendje të plotë, për shkak se paraja është pikërisht nga ato gjëra që të josh”. Si një aziatik, Aponte thotë se ai kishte avantazh të madh. “Ne me të vërtetë e shfrytëzuam stereotipin që thotë se aziatikët janë bixhozxhinj të mëdhenj të çmendur. Pra historia ime standard qe që unë vija nga një familje e pasur dhe isha djali batakçi”. Nëse studentët shpejt u mësuan duke shijuar jetën e kazinosë, ata u mësuan të jenë edhe rehat në situatat kur mbajnë shumë para me vete. Në disa raste, ata u rehatuan me tepri. Një natë disa anëtarë të skuadrës erdhën drejtpërsëdrejti nga një udhëtim bixhozi në Las Vegas për një seminar në një klasë në MIT. Njëri vendosi një çantë të thjeshtë letre ngjyrë kafe që përdorej për ushqim të gatshëm nën karrigen e tij. Në orën 6 të mëngjesit tjetër, Kaplan mori një telefonatë. “Nuk do ta besosh dot çfarë kam bërë!”, tha studenti. “Ti e di që unë erdha nga Vegasi dhe kisha 125 mijë dollarë në çantën e letrës? E pra, e harrova në klasë. Harrova fare. Kur u ktheva, nuk qe më aty”. Doli se pastruesi e kishte futur çantën në dollapin e tij. U desh gjashtë muaj hetim nga Agjencia Ligjzbatuese për Drogën (DEA) dhe nga FBI para se skuadra më në fund të merrte paratë e veta. Presioni filloi të rritej, pasi gjithnjë e më shumë lojtarë filluan të shihen nëpër kazino dhe filluan të ndalohen të luajnë. Një detektiv privat qe punësuar për të gjetur ata dhe ai kuptoi nga adresat në zonën ë Bostonit të shumë prej atyre që u kapën se bëhej fjalë për një skuadër nga MIT. Ai madje arriti të marrë dhe një album fotografik të tyre. Shumë shqetësoheshin se mos kapeshin dhe pse Aponte thotë se ai zakonisht nuk ndiente asnjë shqetësim. “Maksimumi do të merrje një prekje nga pas dhe ai burri i sigurisë do të të thoshte, ‘Majk, menaxhmenti i kazinosë ka vendosur se ti je i mikpritur për të luajtur çdo lloj loje me përjashtim të Bllekxhekut’”. Por ai thotë se në disa raste rojet e sigurisë mund të bëheshin agresivë dhe jashtë SHBA-së, situata bëhej edhe më e rrezikshme. Ai rikujton eksperiencën e një anëtari të skuadrës, i cili sapo kishte kaluar testin për të vepruar si një lojtar i madh. “Tani që e shoh pas, qe një gabim për shkak se atij nuk kishte një pamje të përshtatshme për t’u dukur si lojtar i madh. Ai kishte syze dhe personalitet shumë të ndrojtur dhe ai thjesht dukej me të vërtetë inteligjent. Në fund të fundit, ai qe inteligjent, qe student doktorature”. Ai sapo qe martuar dhe pati menduar se do të qe ide e mirë të merrje bashkëshorten e tij të re, e cila qe gjithashtu në skuadër, deri në Bahamas për të provuar fatin te kazinotë atje. “Ai kishte arritur të fitonte sakaq 20 apo 30 mijë dhe kazinoja kuptoi se ai po numëronte letrat dhe vendosën të sjellin policinë. Ata e futën në burg dhe konfiskuan jo vetëm të gjitha paratë që patën fituar, por edhe paratë që kishin sjellë me vete. Ai lojtar dhe bashkëshortja e tij nuk luajtën më kurrë për skuadrën”. Pasi kapeshin, shumë hiqnin dorë. Por disa morën masa drastike për të vijuar të qëndronin në skuadër. Kaplan mban mend se si një 21-vjeçar ia doli të vijojë të luajë si vëzhgues – dikush që numëron kartat dhe pastaj i sinjalizon partnerit të tij që vendos bastet për të rritur dorën në çastin që letrat bëhen favorizuese. “Ai rruajti kokën, vendosi një parruke, u vesh si femër dhe pastaj luajti për një kohë shumë të gjatë. Ai qe një djalë me pamje shumë simpatike!” Në fund, rritja e presionit bëri që kompania Strategic Investments të shpërndahej në dhjetor 1993, duke i dhënë fund karrierës së Kaplanit si lojtar Bllekxheku. Në këtë pikë, skuadra qe rritur në rreth 80 lojtarë dhe ai thotë se qe koha e përshtatshme për ta mbyllur. “Si lojtar, kjo është një eksperiencë e mrekullueshme, por si menaxherë ne kishim 10,20,30 njerëz duke luajtur në pesë kazino të ndryshme në qytete të ndryshme, disa në Las Vegas, disa në Nju Orlins, disa në Kanada dhe ne na duhej të punonim për të mbajtur nën kontroll lojën, ne u përpoqëm për t’u siguruar se askush nuk po vidhte paratë tona”. Sipërmarrja pati një sukses të përzier dhe paratë e fituara nuk qenë aq shumë sa patën shpresuar disa, veçanërisht se ajo duhej të ndahej mes kaq shumë lojtarëve dhe investitorëve. Kaplan vendosi se, duke marrë parasysh normën e fitimit, atij i leverdiste më shumë të investonte në prona apo biznese. Bashkëshortja e tij u lehtësua që njerëzit nuk po merrnin në telefon në orën 2 të mëngjesit për të thënë: “sapo u përzura nga Caesars, çfarë duhet të bëj tani?” “Unë po drejtoja një biznes dhe situata filloi të bëhej e tillë ku biznesi shkaktonte më shumë dhimbje koke sesa kënaqësi”, thotë ai. Pas Strategic Investments u mbyll, Aponte iku për të krijuar një skuadër tjetër, siç bënë edhe lojtarë të tjerë. Këto skuadra mësuan nga eksperiencat e tyre me Strategic Investments dhe u përqendruan më shumë te personalitetet e njerëzve që rekrutuan. Majk thotë se sasia e parave që fituan u rrit shumëfish. Në fund, Aponte u bë një numërues letrash tepër i njohur për të luajtur, por vijon të nxjerrë jetesën nga kjo lojë. Ai është bërë kampion i Garës Botërore të Bllekxhekut në vitin 2004, jep leksione për njerëzit si të luajnë dhe këshillon kazinotë. Ironikisht, ai është bërë shok me disa nga njerëzit që kalonin kohën duke e kërkuar. Por ai shikon pas në kohë te dita e skuadrës MIT me nostalgji. “Ne realizuam diçka që shumë pak njerëz e kanë bërë. Të gjithë e dinë  rregullin e artë se ti nuk mund të mposhtësh kazinonë vazhdimisht dhe vazhdimisht, por ne qemë në gjendje të bënim pikërisht këtë”.     Matematika Si funksionon numërimi i letrave? Te Bllekxheku apo 21, letrat e mëdha favorizojnë lojtarin, letrat e vogla, kazinonë. Kështu që numëruesi i letrave duhet të memorizojë letrat që kanë dalë, duke shtuar 1 për letrat e vogla dhe duke zbritur 1 për letrat e mëdha. Kur totali rritet, kjo do të thotë se të pahapura kanë mbetur më shumë letra të mëdha sesa letra të vogla. Pikërisht në këtë moment lojtari matematikan e di se është koha për të filluar për të rritur dorën e bastit. Ata që numërojnë letrat nuk do të fitojnë në çdo rast – ata shpesh humbasin shumë para – por statistikisht dhe me kalimin e kohës, “fati” është në anën e tyre. Kjo skemë duhet të bëhet gjithashtu në mënyrë sekrete, sepse pavarësisht se nuk është ilegale, kazinotë nuk e pëlqejnë atë dhe kanë të drejtën të refuzojnë disa njerëz nga loja. Kjo skemë u krijua fillimisht në vitet 1950 nga një profesor i matematikës nga MIT, Eduard (Edward Thorp), duke përdorur disa nga kompjuterët më të hershëm. Më 1962 ai publikoi një libër mbi këtë skemë të titulluar “Mposhte Kazinonë” dhe kjo ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si publiku e shikon bllekxhekun.

Related Posts: