Trupat ukrainase kanë nisur sulmet ajrore për të rimarrë kontrollin e aeroportit të Donetsk, që mbahet nga rebelët pro- rusë.
Sipas BBC, në këtë zonë po bëhen luftime të ashpra.
Përplasjet vijnë pikërisht në kohën kur personi që do marrë postin e presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, tha se ai ka ndërmend që të nisë bisedimet me Rusinë për t’i dhënë fund krizës.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov tha se Moska është e hapur për dialog, por shtoi se aksionet ushtarake kundër separatistëve duhet të përfundojnë.
Poroshenko tha se ai shpreson që të takohet me liderët rusë në fillim të muajit që vjen, pas një udhëtimi në Poloni ku do takohet me presidentin e SHBA dhe liderët e BE.
Megjithatë, ai paralajmëroi se do mbajë një qëndrim të ashpër ndaj separatistëve.
“Qëllimi i tyre është që ta kthejnë rajonin e Donbass-it në Somali. Nuk do e lejoj askënd që të bëjë diçka të tillë me shtetin tonë dhe shpresoj që Rusia të mbështesë qasjen time,” tha Poroshenko.