Reality-t pëlqehen dhe shumë madje. Përse? Le të përpiqemi të kuptojmë arsyet e këtij suksesi.
Të lançuar për herë të parë në Shqipëri më 2002 me “Kafazi i Artë” dhe tani me “Big Brother”, reality-t konsistojnë në vëzhgimin e një grupi njerëzish të zgjedhur nëpërmjet një audicioni dhe të vendosur në një situatë të veçantë. Ata janë të mbyllur dhe të filmuar në ambientet e tyre personale. Në të gjitha reality-t, jo vetëm ato të tipit “Big Brother”, qëllimi është gjithmonë i njëjtë: të vëzhgosh drejtpërsëdrejti reagimet e kandidatëve. Sa më të tepruara, të forta, apo të pakulturuara qofshin ato, aq më mirë është.
- Janë argëtues
Ky është qëllimi i tyre! Reality-t janë krijuar për të na çlodhur pas një dite të gjatë pune. Ja përse kanalet televizive i transmetojnë në orare strategjike, gjatë pasdites. E vetmja gjë që duam është të na serviret një program që na përfshin, por pa na bërë shumë të mendojmë, ndonjëherë pak i rënde, por kurrë i patretshëm. Me pak fjalë, një program që shihet dhe pa pasur dëshirë. Funksionon! Prova? Vazhdohet të shihet edhe në ditët në vijim.
- Janë imponues
Një nga sekretet e reality-ve është se na bëjnë të jemi kureshtar për atë që do të ndodh më vonë. Por asgjë nuk i lihet rastit. Në të kundërt të asaj që besohet, në këto programe, reale është vetëm ajo që duhet të shfaqet. Ajo që është në bazë të reality-ve, në të vërtetë është një koncept i studiuar shumë mirë. Miqësi, rivalitet, sekrete, rrëfime, seks, surpriza…gjithçka është fryt i një skenografie të studiuar mirë, në mënyrë që ta mbajnë telespektatorin në suspancë.
- Na lejon të hyjmë në jetën e njerëzve
I shoh unë? Jo! Thjesht kureshtar. Pavarësisht nga lloji i reality-ve (eksperienca, ngjarje nga jeta, apo dhe joshje) jemi të parët për të parë se çfarë u ndodh kandidatëve, ndonjëherë dhe në intimitetin e tyre me të thellë. I shohim të qeshin, të qajnë, të vuajnë, ndonjëherë gjejmë veten tonë në disa karakteristika të personalitetit të tyre dhe imagjinojmë sikur jemi në vendin e tyre. Reality-t ia arrijnë dhe kësaj: të na bëjnë të besojmë se jeta jonë mund të ndryshojë, mjafton që ta dëshirosh këtë.
- Vendos ti kë të eliminosh
Nëse të pëlqejnë relaity-t, është edhe sepse ti mund të marrësh pjesë në zhvillimin e tyre dhe madje të marrësh fuqinë! Kjo është një nga arsyet e suksesit të këtyre programeve: bashkëpunimi me telespektatorin është si qershia mbi tortë. Për të na bërë të varur, asgjë nuk është më efikase se të na besojnë një mision. Të shpëtosh kandidatin tënd të preferuar, apo të eliminosh ata që urren: edhe ti mund të influencosh në rrjedhën e ngjarjeve.
- Asiston në momentet kult
Ambientet janë të mbushura me telekamera, nuk humbet asgjë. Disa episode bëjnë pjesë në momentet kult të televizionit. Pavarësisht nga talenti i tyre, kandidatët kanë një pikë të përbashkët: janë të gatshëm për gjithçka vetëm të fitojnë dhe pëlqejnë të vihen në dukje. Rezultati? Është një spektakël i vazhdueshëm. Nëse i pëlqen reality-t është edhe për këtë.
- Të gjithë të kënaqur
Në fund të fundit, kandidatët kanë firmosur për tu shfaqur 24 orë nën 24 dhe 7 ditë nën 7, sepse të gjithë përfitojnë, apo jo? Ndonjëherë prekemi para fatkeqësive të protagonistëve, shpesh gjendemi duke i kritikuar, themi se duhet të jesh dinak dhe se në vend të tyre duhet të ishin bërë, apo thënë gjëra të tjera. Por në fund, askush nga ne do të donte të gjendej në vendin e tyre, sepse “ne” nuk jemi njerëz “të tillë”! Në çdo rast mund të na duken të këndshëm, apo patetik, por gafat e pjesëmarrësve, të paktën kanë meritën që të ushqejnë bisedat tona të pafundme mes shoqeve dhe vetëm për këtë ne nuk humbasim asnjë skenë. / O. J.






