Një djalosh 21-vjeçar, në verën e vitit 1853, vizitoi Shqipërinë, apo vendin e egër - siç e quan ai - që shtrihej në kufijtë e civilizimit të asaj kohe. Quhej Ferdinand Maximilian, Arkiduka i Austrisë, që më vonë do kurorëzohej Perandor i Meksikës. Mbresat e udhëtimeve të shumta, që ai ndërmori nga viti 1851 e më pas, përfshi edhe udhëtimin në Shqipëri, do t’i shërbenin për të shkruar veprën voluminoze; “Kujtime të jetës sime”, ku një kapitull i gjatë i kushtohet Shqipërisë. Këto shënime, në formën e një ditari, po i botojmë për herë të parë të përkthyera në shqip
Nga Darling Ismail Vlora
Historia e lashtë e popullit tonë, më të vjetrit në Ballkan, luftërat shekullore të tij për të jetuar i lirë, sjellja karshi miqve dhe armiqve, doket e zakonet, paraqitja fizike, por edhe peizazhi i mrekullueshëm, ku ky popull trim e liridashës ka jetuar në shekuj, gjithmonë ka tërhequr artistë nga e gjithë bota e nga çdo fushë, kronistë, diplomatë, etj., shumë prej të cilëve, nga më të shquarit e kohës, si Evliya Çelebi, Hammer-Purgstall, William Martin Leake, Lord Byron, John Galt, John Hobhouse, Luis Dupré, Johann Georg von Hahn, Edward Lear, Hyacinthe Hecquard, Antonio di San Giuliano, Edith Durham, Antonio Baldaçi, Justin Godard, Maximilian Lambertz, Franz Babinger, Luigi Ugolini, etj., etj., na kanë lënë trashëgim vepra dhe dokumente të çmuara, të cilat na ndihmojnë për të plotësuar boshllëqet, apo veprimet dashakeqe që na la koha. Në këtë grumbull të stërmadh personazhesh të shquar ndeshesh me emrin e një djaloshi 21-vjeçar, i cili në verën e vitit 1853 vizitoi vendin tonë, apo vendin e egër - siç e quan ai - që shtrihej në kufijtë e civilizimit të asaj kohe. Në fund të udhëtimit të tij, përgjatë bregdetit piktoresk shqiptar, ai vizitoi edhe Vlorën. Ky djalosh i ri, kurajoz, besimtar, i apasionuar pas natyrës dhe detit, që për të shuar dëshirën e tij kish marrë nën komandë anijen e luftës austriake “Minerva”, nuk ishte shkrimtar, piktor apo turist dokudo, por Ferdinand Maximilian, Arkiduka i Austrisë, që më vonë do kurorëzohej Perandor i Meksikës. Mbresat e udhëtimeve të shumta, që ai ndërmori nga viti 1851 e më pas, përfshi edhe udhëtimin në Shqipëri, do t’i shërbenin për të shkruar veprën voluminoze “Kujtime të jetës sime”, e cila u botua në gusht 1867, dy muaj mbas vdekjes së tij tragjike.
Në kapitullin e gjatë, dedikuar Shqipërisë, duke folur që në fillim mbi qëllimin e këtij udhëtimi, Maximiliani përshkruan me pasion përshtypjen e bukur që i la bregdeti ynë dhe ndalesat që ai bëri në disa prej qyteteve bregdetare, ku pati rastin të vëzhgonte nga afër mënyrën e jetesës, kontrastet dhe interesat e njerëzve që në shekuj kishin banuar në to. Sipas shënimeve të tij, ky udhëtim përkoi me ditët e fundit të korrikut, deri më 21 gusht 1853, kur Arkiduka, herët në mëngjes u largua nga Vlora, duke përfunduar kështu udhëtimin e tij në Shqipëri.
Në atë periudhë, Vlora administrohej nga Mahmud bej Vlora (1814-1866), i ati i Ismail Qemalit. Duke qenë se Mahmud beu ndodhej në Thesali, për të zmbrapsur andartët grekë, të cilët, nën komandën e gjeneralit Theodoros Grivas (1797-1862) kishin depërtuar në tokën shqiptare, administrimi i Vlorës, sipas zakonit të atëhershëm, i kishte kaluar përkohësisht kushëririt të tij, Selim Pashë Vlorës (1820-1875), një ndër udhëheqësit e shquar të kryengritjes popullore kundër reformave të Tanzimatit (1847-48) (1).
Selim Pasha, Beu i Vlorës, siç shënon Maximilian-i, i bëri vizitë Arkidukës, në anije, po atë mbrëmje. Në grupin e shoqërimit, edhe pse 9-vjeçar, ishte edhe nipi i tij, Ismail Qemali, syrit kureshtar të të cilit nuk do t’i shpëtonin detaje të kësaj vizite të rrallë dhe të famshme për të cilën, shumë vite më pas, do shënonte: “Duke qenë i vetmi mashkull i familjes, megjithëse shumë i ri, xhaxhai më mbante gjithnjë pranë, ndaj bëra pjesë në delegacionin zyrtar, që i bëri vizitë Arkidukës në bordin e një anije lufte austriake. Arkiduka na priti në një sallon të mobiluar në mënyrë të përsosur, së bashku me komandantin, oficerët e anijes dhe shpurën e tij, duke na bërë një përshtypje të madhe me sjelljen magjepsëse dhe pamjen fizike. Arkiduka ishte një djalë i bukur, rreth 20 vjeç, me tipare delikate, dhe bënte një përjashtim nga familja e Habsburgëve...”(2).
Më 20 gusht, shoqëruar nga një shpurë e madhe dhe e mrekullueshme(3) Maximilian-i zbriti në Vlorë. Fillimisht ai vizitoi kalanë e Skelës, e cila fatkeqësisht tashmë është zhdukur krejtësisht. Kalaja e Skelës, ndërtuar më 1531, nga Sulltan Sulejmani I (1494-1566), kishte formën e një poligoni tetë brinjësh, ku shquhej “mjeshtëria e otomanëve”(4). Pasi vizitoi kalanë, nëpërmjet rrugës që lidhte portin me qytetin, Maximilian-i u drejtua për në sarajet e Vlorajve. Selim Pasha e shoqëroi mysafirin e shquar në sallonin e madh të Selamllëkut, pikërisht në atë sallon ku më 28 nëntor 1912, u mbajt Kuvendi i Vlorës dhe u Shpall Pavarësia e Shqipërisë.
Sarajet e bukura të Vlorajve(5), siç vërente Edward Lear gjatë vizitës që bëri në Vlorë, në tetor 1848, atë kohë ishin dëmtuar për arsye se, pas shtypjes së kryengritjes së Tanzimatit, Vlorajt, si udhëheqës kryesor të saj, u internuan, së bashku me familjet.
Në vend të tyre, qeveria qendrore e Stambollit caktoi një Guvernator turk, i cili qëndroi në Vlorë gjatë viteve 1848-51, dhe jetoi në sarajet e tyre. Më 1851 Mahmud bej Vlora u lirua nga internimi dhe u kthye në Vlorë, së bashku me familjen. “Kthimi ynë, - kujton Ismail Qemali, - u bë sinjali i largimit të menjëhershëm të Guvernatorit të zonës dhe administrimi i rajonit i kaloi sërish babait tim, si kryetar i familjes. E gjetëm shtëpinë tonë thuajse të shkatërruar. Gjatë mungesës shtëpia ishte zënë nga guvernatori, i cili sapo mësoi lajmin e kthimit tonë, shkatërroi gjithçka dhe mori me vete çdo gjë që kishte vlerë”(6).
Nga sarajet e Vlorajve, Arkiduka vazhdoi shëtitjen nëpër qytet dhe u ngjit në Teqenë e KuzBabait e po atë natë, u largua nga Vlora. Të nesërmen, 21 gusht 1853, herët në mëngjes, anija e tij u drejtua në brigjet e Dalmacisë, drejt shtëpisë, duke përfunduar kështu misionin e tij në tokën shqiptare.
Shënimet e tij mbi Shqipërinë dhe Vlorën, ndoshta jo shumë të pasura, janë reale dhe na sjellin, në mos më shumë, një panoramë interesante të atyre viteve të largëta, ashtu siç ishte në të vërtetë edhe vizita e tij.
Qershor 2008
1, “The Memoirs of Ismail Kemal Bey”, edited by Sommerville Story, London (Angli) 1920, f.15;
Eqrem bej Vlora “Kujtime”, Vëllimi I-rë, Tiranë 2001, f.157; f.314.
2/3, “The Memoirs....”, f.16; po aty.
4, Evlija Çelebi “Shqipëria para tre shekujsh” (përkthyer nga Sali Vuçiterni), Tiranë 2000, f.71.
5, Edward Lear: “Journals - Landscape painter in Albania, &c.”, London (Angli) 1851, f.215.
6, “The Memoirs...”, f.13.
Perandori
Ky djalosh i ri, kurajoz, besimtar, i apasionuar pas natyrës dhe detit, që për të shuar dëshirën e tij kish marrë nën komandë anijen e luftës austriake “Minerva”, nuk ishte shkrimtar, piktor apo turist dokudo, por Ferdinand Maximilian, Arkiduka i Austrisë, që më vonë do kurorëzohej Perandor i Meksikës
Edhe Ismail QemaliSelim Pasha, Beu i Vlorës, siç shënon Maximilian-i, i bëri vizitë Arkidukës, në anije, po atë mbrëmje. Në grupin e shoqërimit, edhe pse 9-vjeçar, ishte edhe nipi i tij, Ismail Qemali, syrit kureshtar të të cilit nuk do t’i shpëtonin detaje të kësaj vizite të rrallë
Mbresa udhetimi
Mbresat e udhëtimeve të shumta, që ai ndërmori nga viti 1851 e më pas, përfshi edhe udhëtimin në Shqipëri, do t’i shërbenin për të shkruar veprën voluminoze “Kujtime të jetës sime”, e cila u botua në gusht 1867, dy muaj mbas vdekjes së tij tragjike
Kujtimet
Më vonë Ismail Qemali do shënonte: “Duke qenë i vetmi mashkull i familjes, megjithëse shumë i ri,
xhaxhai më mbante gjithnjë pranë, ndaj bëra pjesë në delegacionin zyrtar, që i bëri vizitë Arkidukës në bordin e një anije lufte austriake
Në sarajet e beut të Vlores
nga Maximilian I, Perandor i Meksikës
“...Korrik 1853
Në kufijtë e civilizimit të këtyre viteve gjendet një vend i egër, që mban emrin harmonioz Albania. Në qytetet e tij të drunjta, turqit, derrat e egër dhe shumë të krishterë katolikë jetojnë në një kontrast të dukshëm dhe në një konflikt të përhershëm, sikur duan të bëjnë gara me njëri-tjetrin; sjellje që në vetvete, nuk ka asnjë kuptim. Ashtu si në kohën e Dioklecian-it, mesha mbahet nën një ankth të frikshëm dhe qirinjtë e altarit, po si atëherë, shërbejnë për t’i bërë dritë këtij vend-takimi të errët të besimit. Pikërisht, për t’i dhënë këtyre të krishterëve të varfër një lloj mbështetje morale dhe për të vëzhguar më nga afër mënyrën e tyre të jetesës, korveta “Minerva”, nën komandën time, ndërmori një udhëtimin në këto ujëra.
Misioni që ne ndërmorëm do të kishte qenë edhe më efikas, në qoftë se kushtet dhe situatat e kohës do të na kishin lejuar të vepronim më energjikisht, por në të vërtetë nuk rezultoi edhe aq i këndshëm, për vetë faktin se episodet e gjakshme të Smyrna-s (Izmir), që sapo kishin ndodhur, ku çdo pjesë e Turqisë po kalonte momente frike dhe pasigurie, bënë që arritja jonë në këto brigje të shikohej me xhelozi dhe dyshim, si të huaj prej të cilëve duhet të prisje veçse përbuzje. Në të tilla kushte, vizita jonë në Shqipëri kërkonte shumë kujdes, energji dhe maturi, pasi parashikohej se mund të ndeshnim në pengesa dhe pakënaqësi, të cilat i kishim hasur edhe gjatë udhëtimit që kishim bërë, po atë vit, në Kostandinopojë, në Azinë e Vogël, në Tokën e Shenjtë dhe në Egjipt mirëpo, rrethanat politike na penguan për të realizuar qëllimin tonë...
19 Gusht
Gjatë natës, tempulli përballë bregut me ornamentet e tij fantastike dhe piktoreske u zhduk në errësirë dhe anija jonë luftarake ju rikthye sërish rregullit rigoroz ushtarak... Në orën 8 të mëngjesit filluam lundrimin... Atë ditë lundruam me një erë të fortë, gjithsesi më shpejt sesa avullorja e Lloyd-it, përgjatë bregdetit piktoresk të Vlorës dhe në orën 4 të pasdites ankoruam në 21 këmbë ujë.
Bregdeti i Vlorës është një peizazh i bukur natyror. Përgjatë Kepit të Triportit shtrihet një brez i gjelbër, ndërsa përtej fushës ngrihet një mal i lartë dhe i rregullt, në bazë të të cilit është ngritur qyteti i Vlorës. Pas malit shikohet të ngjitet përpjetë një grykë dhe diku në të majtë të kësaj lartësie, duket një xhami e vogël e rrënuar. Përpara se të arrish në qytet, në zonën e plazhit dhe menjëherë pas Doganës, ndodhet një fortesë e madhe, tashmë gërmadhë, ku thuhet se një princ i Hohenstaufen të jetë strehuar, sulmuar dhe vrarë. Në drejtim të Jugut, nga ku ka ankoruar korveta jonë, shikohen disa male të errët e të mrekullueshëm që rrethojnë gjirin, i cili është i lëmuar si një pasqyrë, pamje që më sjell ndërmend malet melankolik përreth liqeneve të Austrisë së sipërme. Në Perëndim ndodhet Kepi i Gjuhëzës, i cili mbyll gjirin, duke e projektuar kështu shumë larg në det, ndërsa përballë tij gjendet ishulli tepër i thepisur i Sazanit.
Gjatë asaj dite na vizitoi agjenti ynë konsullor, i cili përpiqej të sillej si një dipllomat i vërtetë dhe imagjinonte veten, siç bëjnë në përgjithësi burrat, të ishte qendra e botës, njëkohësisht imagjinonte që mirëqenia e saj varej nga sjellja politike e Vlorës. Por në përpjekjet e tij për të evidentuar vetveten, siç bëri edhe bretkosa e përrallës, ai u tejkalua nga një aventurier prusian, që me sa dukej, ishte shumë më dhelparak nga ç’mendonte ai. Prusiani ishte një doktor turk dhe e mbante veten si miku personal i Beut dhe dukej të ishte një njeri i rëndësishëm në Vlorë. Ai na bëri ftesë në emër të Pashait; porositi në emër të Pashit; prezantoi vetveten në emër të Pashait, ndërsa përfaqësuesi ynë i gjorë, i cili nuk zotëronte një mënyrë kaq elokuente të foluri, filloi të shfryhej ashtu si një jastëk ajri londinez që i është liruar pipthi dhe siç ndodh gjithmonë në tilla situata, i pacipi fitoi. Kështu që, prusiani, me të folurën e tij, na mbërtheu të gjithëve në mënyrë perfekte duke bërë për vete edhe agjentin tonë konsullor. Më vonë krijova bindjen se ai ishte një intrigant dhe mjaft i rrezikshëm, por ky intrigant ishte një njeri i veprimit dhe falë situatës që ishte krijuar në Turqi, ai kishte arritur të behej drejtor i punëve në Vlorë. Prandaj, për nevojat tona, vendosëm të merremi vesh për çdo gjë me të. Informuam prusianin mbi të gjitha kërkesat dhe dëshirat që kishim, kështu që rivalit të tij, agjentit tonë konsullor, nuk i mbeti gjë tjetër vetëm t’i përmbahej etiketës diplomatike.
![]() |
“ F e r d i n a n d Maximilian”, nga Franz Xaver Winterhalter (1805-1873) |
20 Gusht
Paradite erdhi për vizitë Beu i Vlorës, një burrë i pashëm dhe i ri, i cili e kishte marr “llustrën” në Kostantinopojë. Gjatë prezantimit me të, agjenti ynë konsullor, qëndroi pas nesh, si në hije, pasi dhelparaku Reinecke (prusiani), servil dhe i djallëzuar, veproi si përkthyes duke i mbajtur fjalët e para me gojën vesh më vesh. Vendosa që atë pasdite t’i ktheja vizitën Beut. I shoqëruar nga një shpurë e madhe zbrita në breg, ku Beu, me njerëzit e tij, kishte dalë për të na pritur. Një hamshor arab madhështor, me një shalë të shkëlqyer lëkure ariu, ishte përgatitur enkas për mua. Vizituam fortesën që përmenda më lart, e cila tashmë ishte vetëm një hapësirë e madhe dhe e zbrazët, me disa mure rrethues, dhe që jo shumë kohë më parë, kishte shërbyer si spital. Vazhduam të ecim më tutje, përmes një hapësire të mbuluar nga fusha dhe pemë, drejt pjesës Lindore të qytetit. Përgjatë rrugës binin në sy xhamitë, e rrethuara nga plantacione dhe shtëpi të vjetra duke arritur kështu tek pallati i Beut, familja e të cilit ka drejtuar këtë vend për një kohë të gjatë. Pallati i tij është një ndërtesë e vjetër druri në stil tërësisht turk, me shkallë dhe dritare të shumta, mbuluar me rrjeta hekuri. Kulmet e çative të harkuara janë pikturuar ose zbukuruar me figura groteske, peizazhe dhe arabeska...
Pallati ngrihet në një hapësirë të madhe, rrethuar me mur, në hyrje të të cilit është një kullë-roje. Beu nuk është i martuar, kështu që pallati i dytë, Haremi, është bosh dhe pothuajse i rrënuar. Për Beun thuhet që ka një lidhje europiane me gruan e një francezi, i cili nuk e kundërshton këtë gjë, meqenëse kështu favorizohet pozicioni i tij në Vlorë. U drejtuam për tek divani nëpërmjet një shkalle druri që kërciste. Divani, në këtë rast, i korrespondon sallonit të pritjes tek ne. Në një ambient mjaft të këndshëm, ulur këmbëkryq mbi shilte luksoze, pimë së bashku duhan dhe kafé. Megjithëse fliste një gjuhë të huaj për ne, Beu na i bëri të gjitha nderimet me një mënyrë mjaft të këndshme. Prusiani (Reinecke), u ul në të djathtë të Beut, me vëllain e vet, konsullin e nderuar, të të plotfuqishmes Angli; megjithatë, ai ishte një njeri i paedukuar dhe më pak dinak se i vëllai.
Sapo u ulëm, duke shkëmbyer disa fjalë të vendit, një turk me çallmë e mjekër të bardhë hyri nxitimthi në dhomë, dhe me një nënqeshje paksa mburrëse, u prezantua si një njëqindvjeçar i cili, 70 vjet më parë, kishte qenë tregtar në Trieste. Gjithsesi, ai ishte një kuriozitet i gjallë dhe interesant i Vlorës, Nestori i privilegjuar i qytetit, i cili e kishte parë Triesten kur ajo ishte e ngritur në mes të pyjeve, e rrethuar nga kënetat dhe e famshme si një çerdhe hajdutërish dhe vend piratësh. Burri i imët, pavarësisht nga mosha, ishte akoma i freskët dhe mjaft aktiv dhe mbi të gjitha, dukej që ruante akoma shpirtin e humorit.
Nga shtëpia e tij, nëpërmjet qytetit, i cili kishte disa vende mjaft piktoreske, rrethuar me plantacione, Beu na shoqëroi tek xhamia e ngritur mbi rrethinat. Ajo ndodhej në fund të varrezave dhe kishte një pamje të mrekullueshme mbi fushën, detin, malin dhe qytetin konfuz Oriental. Kjo xhami e vogël, edhe për turqit, është e famshme për një legjendë, sipas së cilës, një Shenjtori, nuk e kam idenë sepse, i kishin prerë kokën në atë vend. Koka e tij mbeti në vendin e ekzekutimit, ndërsa trupi u varros aty ku sot ngrihet xhamia. Shenjtori, i vendosur për të ruajtur integritetin e tij, në sytë e çuditur dhe të tmerruar të vlonjatëve, vrapoi përgjatë grykës, e mori kokën e tij dhe e mbajti atë nën sqetull si një kungull. Këtë legjendë po na e tregonte Reinecke, i cili ishte tepër i kënaqur me aftësinë e tij për të bashkëbiseduar me një gjerman...
Përgjatë kthimit, në rrugicat e rëndomta të qytetit, vizitova kishën e veçuar greke, një godinë relativisht e madhe, por e pisët, në stilin tipik të të gjithave kishave greke. Këtu na shoqëroi një prift i fisëm grek, i bukur si një Apollo dhe me të gjitha karakteristikat greke dhe sytë të zinj të mrekullueshëm. Në Vlorë nuk kishte asnjë kishë katolike dhe At Negri i Durrësit, mundohej të mbante gjallë shpirtin kristian të katolikëve të Vlorës, duke i dhënë atyre mbështetje shpirtërore.
U ndamë nga Beu, Reinecke dhe nga gjithçka tjetër brenda mureve të qytetit, dhe mbi kuaj vazhduam rrugën për tek korveta jonë e dashur. Diku larg, krenare, shihej varka ime e mirë angleze, trashëgimia më e vlefshme e mikut tim të ndjerë K... Ajo drejtohej nga 4 rremtarët më të mirë dhe shkonte mbi valë si një dallëndyshe. Megjithatë, mendoj që megjithëse fitimtarë, këta burra nuk kishin rremuar mirë ose aq shpejt sa duhej dhe si një ndëshkim atyre iu desh të rremonin bashkë, në të njëjtën varkë, nga mesnata deri në orën një të mëngjesit.
Ajo ishte një nga ato mesnata fantazmë ku deti, nën shkëlqimin e argjendtë të hënës, nuk mund të turbullohej as nga një frymëmarrje dhe një erë misterioze frynte mbi valë si një vello e bukur, ku malet të shfaqeshin me dyfishin e lartësisë së tyre, yjet dyfish më të shkëlqyeshëm; ku ledhatimi i lehtë i rremave mbi sipërfaqen e ujit dukej mjaft i largët, dhe njeriu ndjehej kaq në ankth, kaq i izoluar, por gjithsesi shumë i pavarur. Akoma sot e kësaj dite mbeti si një rebus tek marinarët përse komandanti i tyre urdhëroi këtë ekskursion në këtë orë fantazmë.
Patëm dëgjuar disa pëshpëritje rreth një dhurate me ushqime që Beu donte të na jepte, por këtë pikë dëshiroj ta anashkaloj. Në këtë zakon intolerant të Lindjes, unë e kisha bindur vetveten që Vlora nuk zinte asnjë lloj rëndësie dhe vlere në pikëpamjen e çështjes katolike. Herët në mëngjesin e 21 gushtit filluam përgatitjet për udhëtimin drejt shtëpisë, në bregdetin dalmat.
Ndërkohë që era e lehtë po na shoqëronte në ngritjen e spirancës, diku larg nga bregu, dëgjuam zhurmën e bagëtisë që Beu donte të na dhuronte. Gojët e njerëzve mund edhe të kenë folur, por në të vërtetë unë isha shumë i kënaqur që nuk pata asgjë që të më lidhte me Shqipërinë turke. Shqipëria është një vend shumë premtues për të ardhmen, por për momentin pasuria e saj konsiston në konflikte dhe keqkuptime midis qyteteve të saj, njerëzve të saj dhe pyjeve të derrave të egër...”.
Përktheu, nga versioni anglisht (Londër, 1868): Evis Golja
Kush ishte Ferdinand Maximilian Joseph (1832-1867)
Lindi në Schönbrunn (Vjenë-Austri), djalë i dytë i Arkidukës Franz Karl i Austrisë (1802-1878) dhe i Princeshës së Bavierës, Sophie (1805-1872); Vëlla i Franz Joseph-it (1830-1916), Perandor i Austrisë (1848-67) dhe Perandor i Austro- Hungarisë (1867-1916). I apasionuar pas marinës, Maximilian-i hyri në karrierën ushtarake duke arritur shumë shpejt grada të larta. Edhe pse i ri, dha një kontribut të rëndësishëm në rikonstruktimin e portit të Triestes (atëherë pjesë e Perandorisë Austro- Hungareze) dhe në krijimin e Flotës ushtarake detare. I tërhequr nga idetë përparimtare të kohës, u shqua si liberal dhe më 6 shtator 1857, u vendos në Milano, emëruar mëkëmbës i Mbretit në Mbretërinë Lombardo-Veneto, që në atë kohë varej nga Perandoria Austriake, ku ndoqi një politikë reformiste, që konsistonte në një
autonomi të gjerë administrative të Mbretërisë. Mirëpo, për të vënë në jetë reformat e tij, ndeshi gjithmonë në kundërshtimet e vazhdueshme të Vjenës. Më 20 prill 1859, tashmë i martuar me Princeshën Charlotte (1840-1927), vajza e Mbretit Leopold I të Belgjikës (1790-1865), Maximilian-i u largua nga Mbretëria Lombardo- Veneto dhe jetoi kryesisht në Trieste. Më 1863, pas pushtimit të Meksikës nga trupat ushtarakë francez, një plebishit popullor rrëzoi nga pushteti Presidentin Benito
Juàrez (1806-1872) dhe shpalli rikrijimin e Perandorisë Meksikane. Një komision meksikan shkoi në Trieste për t’i ofruar Maximilian-it kurorën, duke i paraqitur një dokument në të cilin shprehej dëshira e popullit meksikan për të pasur një sovran europian. Nga ana tjetër, Maksimilian-i mendohej si kandidati ideal për kr- Edhe Ismail Qemali Selim Pasha, Beu i Vlorës, siç shënon Maximilian-i, i bëri vizitë Arkidukës, në anije, po atë mbrëmje. Në grupin e shoqërimit, edhe pse 9-vjeçar, ishte edhe nipi i tij, Ismail Qemali, syrit kureshtar të të cilit nuk do t’i shpëtonin detaje të kësaj vizite të rrallë ijimin e një monarkie të moderuar. Duke pasur edhe mbështetjen e Perandorit të Francës, Napoleon-it III (1808-1873), Maximilian-i e pranoi ofertën meksikane dhe më 28 maj 1864, zbarkoi në Veracruz. Që në fillim të mbretërimit të tij, edhe pse ndoqi një politikë përparimtare, ndeshi në vështirësi të mëdha të krijuara nga liberalët meksikanë të cilët, nën udhëheqjen e ish-Presidentit Juàrez, refuzuan ta
njihnin si Perandorin e tyre dhe vazhduan luftën kundër trupave franceze. Pas përfundimit të Luftës Civile (9 prill 1865), Amerika filloi t’i furnizojë me armë revolucionarët meksikanë. Rritja e forcës revolucionare si dhe qëndrimi i Amerikës, detyroi Napoleon-in III që më 1866, të tërhiqte trupat ushtarakë nga Meksika. Edhe pse largimi i trupave francezë ishte një goditje e rëndë për Perandorin e ri,
Maximilian-i, për të mos abandonuar mbështetësit e tij, refuzoi të largohej nga Meksika. Në shkurt 1867 ai u tërhoq në Querétaro, ku rezistoi i rrethuar për disa javë rresht. Më 15 maj, në një tentativë për të çarë rrethimin, u arrestua dhe nga një trup gjykues ushtarak, u dënua me pushkatim. Me gjithë përpjekjet e shumë sovranëve të Europës dhe figurave të shquara liberale të kohës (midis të cilëve
shkrimtari i famshëm francez Victor Hygo), të cilët kërkuan që Maximilian-it t’i falej jeta, Juàrez nuk pranoi, me qëllim që ky ekzekutim të shërbente si model për të dëshmuar se Meksika nuk do toleronte më asnjë qeveri të vendosur nga fuqitë e huaja. Dënimi u ekzekutua më 19 qershor 1867. Së bashku me Perandorin u ekzekutuan edhe dy gjeneralë të tij: Miguel Miramon (1831-1867) dhe Tomas Mejia (1820-1867). Trupi i Maximilian-it u balsamos dhe më pas u dërgua në Vjenë./milosao
![]() |
“Ekzekutimi i Maximilian-it I të Meksikës”, nga Edouard Manet (1832-1883) |