Laura Nezha, regjisorja e shfaqjes “Perëndimi i vërtetë”, në intervistë për “Shekullin” tregon kujtimet e saj në vegjëli dhe lidhjen me familjen. Dje, talent në këngë në spektaklin “Gjeniu i vogël”, sot regjisore në teatër
Valeria Dedaj
Këngëtarja Laura Nezha kësaj here prezantohet para publikut si regjisore. Shfaqja “Perëndimi i vërtetë” po prezantohet këto ditë në Teatrin eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Në një intervistë për “Shekullin”, ajo tregon për rrugëtimin që ka ndjekur për krijimtarinë e saj artistike, nga këngëtare, tek aktore, e së fundmi si regjisore teatri, dega për të cilën ajo ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Arteve.
Laura deri në moshën 10-vjeçare është aktivizuar nëpër programet artistike që janë zhvilluar në qytetin e Fierit, aty ku edhe ka lindur, më pas familja e saj zhvendoset në Tiranë. Në moshën 12-vjeçare ajo konkurron në edicionin e parë të “Gjeniut të vogël”, ku edhe u vlerësua me çmimin të tretë. Gjithashtu ka qenë pjesëmarrëse te “RinFest” dhe është vlerësuar edhe me çmim të parë. Kënga “Jo se di”, me të cilën është prezantuar te “Kënga Magjike” (2011) bëri që ajo të njihej edhe më tepër nga publiku.
Laura kësaj here riktheheni para publikut me “Perëndim i vërtetë” si regjisore... Përse kjo zgjedhje?
“Perëndimi i vërtetë”, është pjesa që po prezantoj për publikun. E zgjodha këtë vepër sepse më goditi që në leximin e parë, përpos kësaj është një pjesë që nuk është përkthyer dhe nuk është vënë asnjëherë te ne. Duke biseduar edhe me pedagogun tim, Mehmet Xhelilin, e mendova si një zgjedhje prej së cilës do të kisha se çfarë të mësoja.
Sa i flet publikut tonë kjo vepër?
Vepra trajton një dramë familjare. Bëhet fjalë për një konflikt mes dy vëllezërve. Ai që përfaqëson suksesin ka bërë një jetë të rregullt është i arsimuar dhe ka fëmijë. Ai është skenarist dhe i ka krijuar kushtet vetes, ndodhet në momentin që tenton të hyjë në Hollivud, edhe në shfaqje prezantohet pikërisht në këtë pikë të jetës së tij. Ndërkohë vëllai i tij, me të cilin skenaristi ka pesë vjet pa u takuar dhe pa komunikuar fare, është një endacak shkretëtire që sillet vërdallë, pa asnjë motiv. Ai përfaqëson dështimin nga ana tjetër, edhe jetesën e siguron duke vjedhur. Përplasja e dy vëllezërve bëhet edhe më e ashpër në momentin që vëllai i shkretëtirës, tenton që t’i vjedhë skenarin të vëllait.
Ata gjenden të dy në shtëpinë e së ëmës, aty ku vjen edhe producenti i Hollivudit. Producenti magjepset nga rrëfimet që i bën pijaneci dhe këtu fillon ndërrimi i roleve. Ne shikojmë të transformuar skenaristin në një pijanec dhe pijanecin në një skenarist, me makinë shkrimi para. Nga reagimet e publikut mendoj se, kjo shfaqje i flet shumë publikut tonë. Kjo është një marrëdhënie jashtëzakonisht reale mes këtyre dy vëllezërve, unë nuk besoj se ka vëllezër që nuk e kanë përjetuar një konflikt të ngjashëm, sepse marrëdhëniet mes vëllezërve janë përherë më të vështira se mes motrash. Te “ Perëndim i vërtetë” interpretojnë: Erblin Bejko, Ledjon Zoti, Redjan Mulla dhe Suela Bako. Skenografia dhe kostumografia janë të Ened Kuka dhe pjesa është përkthyer nga Enson Mula.
Laura nëse rikthehemi te fëmijëria juaj. Ti je me orgjinë nga Fieri, në moshën 10-vjeçare ke ardhur në Tiranë. Çfarë mban mend nga fëmijëria jote?
Nga qyteti i Fierit mbaj mend rrugët dhe lagjet, ruaj ende kujtime që lidhen kryesisht me aktivitetet artistike, sepse unë qysh në moshën 5-vjeçare kam bërë një recitim në një program të Vitit të Ri. Sapo kisha mësuar që të artikuloja fjalët dhe kisha një pjesë shumë të gjatë për të interpretuar me të cilën u gajasë gjithë salla. Mami më tregon se bëja një shqiptim shumë të saktë të fjalëve për moshën që kisha. Madje para pak ditësh isha në sallën teatrore të Fierit, për Festivalin e Aktrimit, kam parë të njëjtat karrige në të cilat kisha interpretuar dikur.
Fillimet e mia kanë qenë për piano, por kur erdha në Tiranë u shkëputa prej saj. Miqtë e fëmijërisë kanë devijuar në drejtime të ndryshme, disa janë larguar, disa kanë ikur jashtë. Por unë ruaj marrëdhënie të ngushta me Fierin, sepse atje vazhdoj të kem ende njerëz të afërm.
Përveç shkollës vazhduat të merreni edhe me aktivitete artistike, pasi erdhët në Tiranë?
Periudha e ardhjes në Tiranë ka qenë një periudhë e mbushur me mësime, por edhe me aktivitete muzikore. Unë kam qenë shumë aktive, jam vlerësuar me çmime të para, si prezantuese dhe si këngëtare, gjëra të moshës, por që unë i merrja seriozisht, as orët e mësimit nuk i lija. Kjo më ka bërë që shkollës së lartë t’i kushtoj më tepër vëmendje.
Te “Gjeniu i vogël”, vlerësoheni me çmim të tretë? Por kush e ka pikasur zërin tuaj fillimisht?
Motra ime ka qenë e para që ka evidentuar zërin tim teksa unë i këndoja nëpër shtëpi. Kurse pjesëmarrja ime te “Gjeniu i vogël” ka qenë krejt e rastësishme. Kur bëheshin regjistrimet mami hodhi idenë që unë të isha pjesë e këtij aktiviteti, ishte ajo që më shoqëronte kudo. “Gjeniu i vogël” për mua ka qenë vazhdim i ciklit që kam bërë qysh e vogël, sepse përveç pianos nuk kam pasur asnjë lloj angazhimi me muzikën. Nga “Gjeniu i vogël” nuk mbaj mend shumë gjëra, por kujtoj se Adi Hila, i cili ka qenë në komision më thotë që: “Ke një zë ‘black’ dhe duhet të fokusohemi te këngët e Tina Tërner”. Për mua ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Kujtoj edhe Manjola Nallbani, e cila fliste me superlativa, pasi unë përfundoja performancën e radhës.
Aktualisht jam e fokusuar tek teatri
Çfarë natyre është Laura?
Nuk di të them, ka momente që ndihem e dobët, por ka që ndihem edhe shumë e fortë.
Jeni optimiste?
Jo nuk jam optimiste, kjo është pika ime e dobët, por motra ime më inkurajon përherë. Ka momente që unë mund t’i shikoj gjërat të errëta, sepse kërkoj maksimumin nga vetja, kam një natyrë kritike, që ndoshta edhe e vuaj. Kam nevojë për fjalë të mirë, që të më kthej mendjen që çdo gjë do të shkojë shumë mirë. Kjo është pika ime e dobët, që nuk i shikoj gjithnjë gjërat me pozitivizëm. Por kohët e fundit kam filluar që të ndryshoj, të paktën pas pjesës që po prezantoj në skenë kam filluar që gjërat t’i shikoj më me pozitivitet.
Nga kush e keni trashëguar dëshirën për aktrim?
Prindërit nuk kanë fare lidhje me artin, as në fis dhe as më larg nuk kam fare artistë. Shpeshherë me të qeshur në familjen time thonë: “Nga ngjau kjo vajzë, se s’ka lidhje me asnjë?!”. Gjyshja ime këndonte me organizimet që bëheshin në qytetet e vogla, prandaj mund të them se këtë vesh muzikor mund ta kem nga ajo.
Sa të vështirë apo sa të thjeshtë e shikon të ardhmen tënde si artiste?
Aktualisht e shikoj të ardhmen time të pozicionuar si aktore në një pjesë, sepse kohët e fundit jam angazhuar në filmin “Tirana ‘14” me regji të Edmond Mandros. Kam pasur një rol të vogël tek “Ada” i Spartak Pecanit, por edhe në bashkëpunime studentësh për filma me metrazh të shkurtër kam pasur role.
Sa beson te miqësia e vërtetë?
Në miqësi jam natyrë përzgjedhëse edhe pse kam shumë njohje. Unë nuk i besoj shumë shoqërisë, sidomos kohët e fundit, por edhe nga shkolla që unë kam bërë askush nuk do që të jesh i suksesshëm dhe të ecësh përpara. Unë jam brenda kësaj fushe, por dua që personi që kam përballë të mos ketë xhelozi për punën time. Unë konkurroj me veten, nuk konkurroj fare me të tjerët.
Këngët që interpretoj, dua që të lënë gjurmë te njerëzit
Po kalimi nga muzika tek aktrimi si ndodhi?
Që e vogël kam shprehur dëshirën që të bëhesha aktore. Kaloja shumë kohë para pasqyrës duke aktruar. Për këtë nuk më mësonte askush, nuk e di se nga më buronte kjo dëshirë. Atëherë kur më shihte nëpër shtëpi mami, motra apo babi e kuptonin se unë kisha botën time. Kujtoj se kemi pasur një bufe me pasqyrë, brenda së cilës unë futesha dhe këndoja apo recitoja vetëm se nga aty më oshtinte zëri. Kjo gjë më pëlqente.
Fusja edhe kokën në lavatriçe për të dëgjuar zërin tim (qesh). Kam qenë një fëmijë i çuditshëm, merresha vetëm me këtë gjë, edhe kukullat i vendosja në rrethana nga më të ndryshmet, mund të kaloja me orë të tëra vetëm duke folur italisht me to, sepse ishin të dubluara. Prandaj aktrimi tek unë ka ardhur shumë natyrshëm, shkolla e lartë, që tashmë u finalizua, ka qenë pesë vjet dhe më ka kaluar si një vit i vetëm, i mbushur me shumë angazhime dhe lodhje. Kur nisa shkollën e lartë në një moment kam bashkëpunuar edhe me Stinen. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë, sepse ajo këngë është krijuar për mua, është krijuar për shijet e mia, me një tematikë që i shkonte këngës. Ka qenë fat për mua, sepse ajo dalje bëri që unë të mbahem mend. Nuk kam interpretuar shumë këngë, as mjaftueshëm do të thosha, për kohën që ka kaluar prej asaj periudhe.
Përse për regji teatri dhe jo për film?
Sepse në film e kam parë veten gjithnjë në rolin e aktores, ndoshta është pjesa e teknologjisë që më ka larguar nga filmi, nuk jam natyrë që merrem shumë me zhvillimet e fundit (qesh). Ndërsa regjia e teatrit është më e dashur, sepse lidhet shumë me aktrimin, unë mendoj se teatri është një dashuri që të shtohet gjatë kohës.
Kohët e fundit keni qenë më aktive në teatër?
Kohët e fundit kam qenë shumë pak aktive me këngën, sepse jam angazhuar me role dhe me pjesë të tjera në teatër. Jam e lumtur sepse është ajo që dua. Unë nuk dua sasi, dua cilësi në lidhje me këngët, nuk më intereson që të bëj një këngë sa për t’u pëlqyer, por dua të qëndroj në profilin tim. Nëse njerëzit e pëlqejnë këtë që unë bëj, këtë për të cilën unë jap shpirtin tim është mirë, ndryshe unë nuk e bëj dot një gjë që se ndiej.
Nuk mendoni se duke qenë sa në teatër, në film dhe në muzikë jeni edhe më e shpërndarë?
Është e shpërndarë, por e bukura është se këtë shpërndarje ma kërkojnë shumë edhe për prezantime, apo për reklama, të cilat unë i kam bërë dikur, por që nuk dua që të prezantohem si një imazh, që bën shumë gjëra dhe pak bën mirë. Prandaj në një periudhë kam vendosur që të merrem me muzikë dhe pastaj të merrem me teatër. Këtë periudhë u mora me teatrin dhe pastaj dua të merrem me këngë që ta bëj edhe atë mirë. Unë mendoj se të gjitha këto nuk mund të bëhen paralelisht, por duke i dhënë secilës kohën e saj. Pas teatrit besoj se do të kthehem te kënga, e kam shumë të nevojshme.