Orientimi i dijes nga tregu

BAJRAM HYSA



Në gazetën “Panorama” të datës 7 janar 2014, në opinionin me titull “Suksesi ekonomik varet nga arsimi”, kam theksuar se: “Arsimi është kusht paraprak për funksionimin e tregut.
Përgatitja profesionale e shkencore rrit kapacitetin absorbues të tregut të punës”. Kryeministri Rama, duke e trajtuar reformën e arsimit të lartë si një “emergjencë kombëtare”, deklaroi pak më parë se: “Nuk duam të bëjmë vetëm një reformë të arsimit të lartë, por synojmë që kjo reformë të jetë pjesë e një procesi që të lidhë dijen me tregun”. Cilido ka të drejtë të ndihet optimist pas deklarimeve të tilla, që korrespondojnë me qëndrimet tona si drejtues të institucioneve të arsimit të lartë dhe që i njohim nga afër problemet e këtij sektori. Shqipëria ka nevojë për qytetarë të formuar dhe edukuar më mirë, si edhe për një forcë pune më të aftë, të bazuar në dije. Për këto arsye, është nevojë imediate që arsimi të jetë prioritet kryesor në vitet e ardhshme. Kjo mënyrë e re konceptimi dhe funksionimi të arsimit të lartë ka hapur rishtas dialogun mbi atë se nga duhet të drejtohet arsimi? Arsimi i lartë jo vetëm që është faktor thelbësor për zhvillimin, por duhet të shoqërohet me politika adekuate, të cilat kanë të bëjnë me tregun e lirë të ekonomisë dhe me tregun e punës.

Deficitet në arsim

Jam i mendimit se kemi arsye të pohojmë se arsimi në vendin tonë në vitet e tranzicionit nuk ka gëzuar mbështetjen dhe reputacionin e duhur për të garantuar rolin e vet, për të ruajtur dhe ushqyer zhvillimin e institucioneve që i duhen ekonomisë kombëtare dhe një demokracie të vërtetë. Kjo pa dyshim ka zgjeruar hendekun mes nesh dhe vendeve perëndimore. Zhvillimi i shoqërisë dhe promovimi i standardeve të demokracisë nëpërmjet edukimit të studentëve për një jetë qytetare aktive, zhvillimi ekonomik i vendit në përgjithësi dhe atij rajonal në veçanti, mbeten domosdoshmëri që i dikton procesi ku ka hyrë Shqipëria, integrimi europian i vendit. Modernizimi i sistemit të arsimit të lartë dhe forcimi i qeverisjes në universitete janë elemente me rëndësi kritike.
Në raportin e komisionit “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”, midis të tjerave konkludohet se: Perceptimi i opinionit publik për sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri është ai i një sistemi problematik përsa i përket sistemit për “të prodhuar” profesionistë që u përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Një shembull i kësaj është mungesa e profilizimit të universiteteve rajonale sipas nevojave të tregut dhe transformimi i tyre në miniatura të universiteteve publike qendrore”.

Çfarë duhet të përfshijë programi i reformës?

Sistemi i arsimit të lartë ka nevojë urgjente për rishikim dhe zhvillim, duke vënë në zbatim disa politika strategjike për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Programi i reformës në arsimin e lartë duhet të përfshijë: modernizimin e kurrikulës, përmirësimin e legjislacionit dhe të formulës së financimit, forcimin e lidhjeve midis punës kërkimore dhe mësimdhënies, përforcimin e mekanizmave të sigurimit të cilësisë dhe të akreditimit si dhe përforcimin e lidhjeve me tregun e punës. Duke transformuar arsimin e lartë në një sistem modern dhe cilësor, kostot e zgjerimit do të jenë më shumë investim për të ardhmen, sesa thjesht shpenzim. Zgjerimi i arsimit të lartë është një prioritet që duhet të ndiqet në vijimësi, por pa cenuar cilësinë. Si reagim ndaj sfidave të reja rajonale dhe globale, Universitetet duhet të tregojnë vullnet për të ndryshuar, në mënyrë që të jenë të suksesshëm në misionin e vet për të ofruar arsimim cilësor, që bazohet në hulumtime shkencore, që i shërbejnë nevojave të studentëve, ekonomisë dhe shoqërisë

Qëndrimi larg biznesit

Arsimimi dhe kualifikimi shkencor duhet të konsiderohen si kushte paraprake, në mënyrë që tregu të funksionojë. Shkollimi i lartë universitar duhet të sigurojë diploma profesionale, si dhe tituj të tjerë kualifikimi, me orientim të fortë nga tregu. Ato mund t’i japin një nxitje të rëndësishme zhvillimit të biznesit dhe industrive të reja. Nëse të rriturit dhe të rinjtë që hyjnë në tregun e punës nuk kanë aftësi, një gjë e tillë është pengesë e patejkalueshme për zhvillimin e ekonomisë. Një ndër dobësitë kryesore që e ka karakterizuar universitetet tona deri tani ka qenë qëndrimi larg biznesit. Kjo dukuri nuk mundëson krijimin e baraspeshës në mes të ofertës së programeve mësimore nga universiteti dhe kërkesës së tregut. Edhe pse ekzistojnë iniciativa në disa prej njësive akademike për zhvillimin e programeve në konsultim të ngushtë më palët e interesit, një praktikë e tillë ende nuk është e formalizuar, gjë që ndikon në masë domethënëse që dija që ofrohet në studime të mos jetë në përputhshmëri më kërkesat dhe nevojat e ekonomisë dhe shoqërisë. Universiteti duhet të jetë në proces të zhvillimit të kurrikulave që ofrojnë ndërlidhje më të mirë me tregun e punës, konform përvojave të universiteteve më të mira europiane. Nuk ekziston bashkëpunim i mjaftueshëm me ekonominë dhe me industrinë, sidomos përmes partneritetit publik-privat, për gjenerimin e fondeve për kërkim dhe zhvillim. Përveç kësaj, dobësi tjetër e theksuar është edhe mosekzistimi i mundësive të institucionalizuara në kuadër të universiteteve për kryerjen e praktikës përmes të cilave do t’u mundësohet kandidatëve në nivelin pasdiplomik – master dhe të doktoratës – që një pjesë të hulumtimeve të tyre t’i zhvillojnë nëpër kompani.

Ligjërata pa bereqet

Pra, mund të themi se universitetet tona vetëm prodhojnë dhe askujt nuk i intereson tregu i punës. Studentët nuk janë në gjendje që të gjykojnë se cili profil do të ketë gjasa më të mëdha për zhvillim. Kjo duhet që urgjentisht të ndryshojë. Mund të kesh përfunduar shkollën e lartë, por nuk arrin dot të mbrosh diplomën e dhënë nga universiteti. Ky fenomen po ndodh sot me të diplomuarit e 60 universiteteve, por në mënyrë të veçantë me të rinjtë që dalin nga 45 shkollat e larta private. Nëse do t’u referohemi degëve të mjekësisë, 70% e studentëve të diplomuar për farmaci në universitetet private nuk kanë arritur të kalojnë në provimin e shtetit. Çdo vit nga universitetet private diplomohen mbi 1500 mjekë, farmacistë dhe stomatologë të rinj, ndërsa në Universitetin publik 250. Nga të diplomuarit në Fakultetin e Mjekësisë nuk arrijnë të marrin provimin e shtetit vetëm 5% e kandidatëve. Kjo shpjegohet me traditën 62-vjeçare të ekzistencës së këtij fakulteti si dhe me seriozitetin dhe cilësinë e mësimdhënies.

Si të hyjmë në “treg”

Në kuadrin e aspiratave të Shqipërisë për anëtarësim në BE, sfida kryesore, përsa i takon sektorit të arsimit, është zhvillimi i një sistemi dhe i institucioneve që përgatisin kuadro rezultativë në tregjet e punës, për t’u bërë qytetarë aktivë dhe për të kontribuar në konkurrueshmërinë e Shqipërisë. Rëndësia e investimit në kapitalin njerëzor është edhe më e theksuar në një vend si Shqipëria, ku burimet janë të pakta. Reformimi i sistemit të arsimit të lartë duhet të jetë në përputhje me objektivin afatgjatë të integrimit të vendit në BE dhe me nevojat e ardhshme të tregut të punës dhe dëshirat e studentëve për të hyrë në sistemin e arsimit të lartë. Një numër i madh i të diplomuarve do të punësohen në të ardhmen në veprimtari të sektorit privat që sot mund të mos ekzistojnë – dhe ata duhet të jenë të përgatitur për t’u riorientuar profesionalisht dhe ripunësuar disa herë gjatë jetës së tyre. Tregu i punës në Shqipëri ndoshta ende nuk e koncepton plotësisht nevojën e një përgatitjeje të tillë, prandaj mund të kërkohen veprime aktive nga ana e qeverisë për të inkurajuar punëdhënësit që të njohin dhe t’u përgjigjen sfidave të së ardhmes. Nga institucionet e arsimit të lartë duhet të gjenden metoda të reja që të jenë më afër tregut të punës, për shembull fondet publike t’u bëhen të disponueshme përfituesve të trajnimit dhe jo ofruesve të këtij shërbimi. Orientimi i dijes nga tregu nuk mund të realizohet pa një strategji të kërkimit shkencor, që ka të bëjë me hartimin e një plani për racionalizimin e kapaciteteve kërkimore në shkallë vendi dhe për shpërndarjen e fondeve në funksion të këtij racionalizimi.

Arsim – kërkim shkencor!

Që të arrihet reformimi i sistemit të arsimit të lartë, para së gjithash duhet të ekzistojë një lidhje organike në mes të funksionit arsimor që ushtrojnë institucionet e arsimit të lartë dhe veprimtarisë kërkimore-shkencore që ato zhvillojnë. Mund të themi se kërkimi shkencor në universitetet tona është në kuota mjaft modeste. Ai duhet të evoluojë, nëse Shqipëria dëshiron të ketë vendin e saj në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë (HEAL). Nga një analizë e thellë dhe e detajuar e funksionimit, drejtimit, organizimit dhe akreditimit të IAL, si dhe nga vlerësimet e bëra në vite nga institucionet vendase dhe të huaja, thuhet në raportin e komisionit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, rezulton se sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri paraqet një sërë problematikash komplekse dhe nuk u përgjigjet nevojave aktuale dhe perspektive të zhvillimit të vendit, si përsa u përket aspekteve të mësimdhënies, ashtu edhe atyre të punës kërkimore shkencore. Veprimtaria kërkimore-shkencore duhet të jetë shoqëruese e natyrshme e të gjitha programeve akademike dhe pjesë e pandashme e veprimtarisë së zakonshme ditore të njësive akademike të Universitetit. Fakulteti i Mjekësisë është përpjekur t’i kushtojë kujdes ndërtimit të një sistemi efektiv, që të përkrahë në mënyrë adekuate aktivitetet kërkimore-shkencore dhe zhvillimore. Studentëve me dëshirë për t’u përfshirë në projekte shkencore, dekanati u ka krijuar mundësinë të diplomohen, duke mbrojtur një temë kërkimore, duke mos iu nënshtruar provimit të përvitshëm të diplomimit. Ky vendim shënoi nismën e parë për promovimin e kërkimit shkencor në shkencat bio-mjekësore. Por, me gjithë dëshirën e madhe, fatkeqësisht edhe në fakultetin tonë muajt e fundit kërkimi shkencor është asfiksuar për mungesë fondesh. Ky stopim do të thotë se më pak shkencëtarë do të kërkojnë karrierë në fushën e studimeve mjekësore.


*Dekan i Fakultetit të Mjekësisë