AGRON TUFA
E përnderuara zonja ministre,
Kohët e fundit pata fatin të lexoj një roman të jashtëzakonshëm me një titull të zakonshëm – “Nata fantazmë”. Nuk jua rekomandoj ta lexoni, e dashur ministre, sepse është një libër për nervafortët – roman i vëllimshëm, i tipit tolstojan, që na risjell të përjetojmë në një mënyrë shumëplanëshe e kapilare substancën e terrorit të përditshëm psikik gjatë diktaturës komuniste. Rrëfimi përfshin dhjetëra fate personale e familjare të shoqërisë së një province nga banorët e thjeshtë, deri në nivelet piramidale të pushtetit qendror. Shkurt, një epope e trishtuar aheroike. Por nuk është ky thelbi që më shtyn t’ju shkruaj, znj. ministre… I habitur fort nga ky zbulim, kërkova të mësoj më shumë për autorin e romanit, shkrimtarin Sokrat Shyti. Madje ia dola të gjej ndër bukinistët tanë edhe dy romane të tjera të këtij autori – “Madam doktoresha” dhe romanin e parë të trilogjisë “Zhgënjimi (I)”. Është e tepërt të shtoj se provova të njëjtën mahnitje. Po prapë, znj. ministre, nuk është ende ky thelbi i kësaj epistole. U interesova për autorin dhe mezi arrita të marr vesh se ai ishte gjallë, e madje jetuaka në Tiranë. Me disa përpjekje të tjera, njëlloj si në përralla, arrita të gjej një numër kontakti dhe e ftova z. Shyti për një kafe. Më tha se s’ishte në gjendje të mirë shëndetësore të dilte dhe se, po të doja, isha i mirëseardhur t’i bëja një vizitë në shtëpi: “Pyet për ish-Kopshtin Nr. 9 te Shallvaret”, më tha dhe, në të vërtetë e gjeta lehtë. Kështu, zonja ministre, ngjita shkallët e atij ish-kopshti gjysmë të rrënuar, me mure të zhvoshkura nga lagështira e igrasia dhe, duke çarë përmes një duhme të rëndë, përzier me erë perimesh, hyra në një habitat të allasojtë, që përbënte banesën e shkrimtarit misterioz, Sokrat Shytit. Ai banonte, bashkë me zonjën e tij të moshuar, në një hapësirë 45 m2, që konfigurohej prej një dhome të vetme prej 25 m2 dhe një banjoje të përbashkët që e ndanin me komshiun. Ndërsa paradhomën e zinte tërësisht një krevat bashkëshortor dhe atë e kishin rregulluar si dhomë fjetjeje. Të flasësh për mobiliet, znj. ministre, të lëshon kuraja njerëzore: dy-tre kolltukë dhe një dollap rrobash (i cili qe vendosur në mes të asaj qele, për ta ndarë skematikisht me kuzhinën), – mobilie, të cilat kishin qenë, mbase, krenaria e interierit në fillim të viteve ’60, por tani, pas gjysmë shekulli, duke shtegtuar në internimin e gjatë 30-vjeçar të familjes, dukeshin të shfytyruara prej çdo identiteti e origjine. Isha i pataksur prej sikletit dhe angështisë, znj. ministre, sepse nuk e besoja kurrë që një shkrimtar, i cili kishte pasur aftësinë të më mahniste me fuqinë e penës, të jetonte në një katakomb të tillë mizerabël. Nga ana tjetër duhej ta përmbaja veten e të përqendrohesha në qëllimin e vizitës sime.
Shkrimtari, si duket, e kishte pikasur tronditjen time, andaj nxitoi të më fuste në një hulli natyrale të kuvendimit: më ftoi të ulesha dhe zonja e tij na solli dy gota për të uruar mirëseardhjen. Mbi një si biçim tavoline, ndërmjet nesh, ishin vënë pirg do dosje të fryra, te të cilat më kishin mbetur sytë.
“Mund t’i shohësh, z. Agron… janë, gjithsej 10 romane e disa novela që i mbijetuan internimit… me dorëshkrimet e tjera nuk pata fat…”
“Çfarë po thoni, – ndërhyra unë, – keni qenë në internim?”
“Jo shumë…, – tha, duke u munduar të shkërbejë një buzagaz ironik, – gjithëqysh, vetëm 27 vjet…”.
“27 vjet!! … dhe thoni jo shumë…!?”
“Po… derisa u strehuam në këtë banesë, bëhen plot 30 vjet, zotëri…”
“Hëm… dhe thoni se ju kanë humbur dorëshkrime të tjera?” – pyeta, duke marrë në dorë njërën nga dosjet.
“Jooo… jo! Të tjerat m’i dogjën në oborrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme… dhe, për më tepër, para syve të mi… si me thënë, për inat…”.
“Kur ka ngjarë kjo, z. Sokrat… se… të më falni, unë nuk di asgjë për ju…?”
“Eh, more zotëri i dashur!… Kjo ka ngjarë… nëse saktë… në shtator të vitit 1963! Histori e gjatë…”.
Dhe vërtet, znj. ministre, historia e tij, ashtu si kalvari i tij familjar, ishte e gjatë e pikëllimplote, absurde dhe indinjuese, siç ka qenë në gjendje të prodhojë saga të tilla mizore vetëm stalinizmi ynë. Por një vigjilencë e ndjenjës së masës më thotë të mos zgjatem, e nderuar ministre, përveçse në disa detaje të thukëta, sa për të krijuar një ide se kush ishte shkrimtari Sokrat Shyti e pse këtë rrëfim jua adresoj juve. Të tjerat, le t’ia lëmë shkrimtarit të dergjur në mizerjen e vet të tashme, nëse nuk e ka shkruar tashmë…
2
I kthyer nga studimet në Universitetin shtetëror të Moskës fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike në vitin 1960, Sokrat Shyti punon në radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në Rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21-vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor arratiset jashtë shtetit. Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti e internojnë familjarisht me nënën dhe motrën e vogël në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tri herë në ditë tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pas rënies së komunizmit vazhdoi të qëndrojë edhe për tre vjet të tjerë në atë vend vuajtjeje dhe vetëm në vitin 1993, kur dy fëmijët iu bënë për shkollë, arrin të shpërngulët pa plëng në Tiranë, ku së bashku me 9 familje të tjera të internuarish politikë, pushteti i atëhershëm i strehon në ish-Kopshtin Nr 9. Pas viteve 2000, me mundime të mëdha e falë ndihmës së dashamirëve të tij, Sokrat Shyti ia del të botojë në tirazh të pakët e lidhje të thjeshtë 3-4 libra – një pjesëz të vockël të krijimtarisë së tij. Me kohë fëmijët rriten, martohen, krijojnë familjet e tyre dhe lavdi Zotit, shpëtojnë nga ajo shtrofkë klaustrofobike prej 25 m2. Po, fëmijët shpëtojnë, por prindërit mbeten aty… dhe tani, edhe këtë strehë të vogël, të vetme e të frikshme, shteti kanoset t’ua marrë, siç pata rastin të mësoj e trishtohem në fund të vizitës sime…
3
Tani jemi bash në thelbin e problemit, e nderuara znj. ministre. Bashkëshortët Shyti, të strehuar pas 30 vjetësh internim politik, tok me 9 familje të ngjashme në ish-Kopshtin Nr. 9 (të përshkruar më lart), pra, këta dy pleq 73-vjeçarë, të dy të sëmurë, Ministria juaj e Zhvillimit Urban (MZHUT) u kanoset t’i nxjerrë jashtë. Kështu thotë një shkresë e Juaja e datës 5.5.2014 me nr. protokolli 1282/3, e cila ia delegon kompetencat Entit Kombëtar të Banesave (EKB), që u bën me dije bashkëshortëve Shyti, si më poshtë: “Duke iu referuar dokumentacionit të paraqitur nga Ju rezulton se të ardhurat e familjes e tejkalojnë kufirin e përcaktuar në VKM 456, datë 16.04.2008, pra janë mbi 14000 lekë për frymë (pasi Ju keni 18 941 lekë të ardhura në muaj dhe znj. Shyti ka 17 969 lekë në muaj) dhe për këtë arsye Ju duhet të paguani vlerën e plotë të truallit (sic)”.
Ju, e nderuara zonja ministre, e dini se këta pleq duhet të paguajnë vlerën e këtij, apartament i thënçin, 1ax1b prej 45 m2, që vlerësohet për m2, siç e kanë vlerësuar specialistët e EKB koston, me 50 dollarë. Dhe mirë! Por ju këmbëngulni gjithashtu në shkresë (d.m.th., zyrtarët tuaj), që përveç kostos së shfrytëzimit të banesës, bashkë me këtë “furrik” të zymtë t’u shisni këtyre pleqve të rrëgjuar edhe truallin, ku po sipas specialistëve tuaj, një metër katror i kësaj ngrehine-kalbësirë të shitet me 1250 dollarë! A me njëmend mendoni, zonja ministre, se këta 73-vjeçarë të sëmurë do të jenë në gjendje të paguajnë, përgjatë 25 viteve një shumë fikse që arrin vlerën 48 000 dollarë?! Seriozisht e keni?! Që për 25 vite (a thua se kemi të bëjmë jo me pleq, po me Terminator 1.2.3.4.5 etj!), këta pensionistë të paguajnë çdo muaj nga 162 dollarë (njërin nga pensionet)?! Njëzetfishin e kostos së përcaktuar po nga specialistët tuaj!
Atëherë me çfarë mbetet të jetojnë këta dy pleq të sëmurë, që një shumë të tillë e harxhojnë për ilaçe? Asnjë lek, znj. ministre…, asnjë lek! Këta pleq të sëmurë e të rraskapitur për 30 vjet në internim nuk mund të jenë blerës trualli me 1250 dollarë për çdo metër katror karakatinë!
Diktatura komuniste, pasi u grabiti lirinë dhe i detyroi të punojnë si skllevër të papaguar, i hodhi si vemje, ndërsa ju sot, me absurditetin e ligjit, po i shtypni përfare! A nuk mendoni, znj. ministre, se këtyre njerëzve, para se t’u kërkoni e t’i kërcënoni të paguajnë këtë shumë të çmendur, shteti shqiptar duhet t’u paguajë qindfishin, mijëfishin, çdo ditë, përgjatë 27 viteve që i ka shfrytëzuar, shkelur e poshtëruar, e prapë të mos ua shlyejë dot kurrën e kurrës! Para tyre gjithë shteti ynë, gjithë shoqëria jonë është borxh deri në fyt. Zbatojini ligjet tuaja, ato që keni gjetur gati nga qeveria e mëparshme dhe të tjera që i bëni përditë, – por provoni t’i zbatoni për multimilionerët – ata qindra biznesmenë që kanë zaptuar falas çdo pëllëmbë trualli të këtij vendi në qytete e bregdet, e që ju sponsorizojnë të vini në pushtet! Në këtë rast, askush nuk mund të fshihet me nihilizëm pas sloganit “çdo qytetar është i barabartë para ligjit”, sepse ja, pikërisht në rastin konkret, “ligji nuk është i barabartë para qytetarit!”.
Çfarë cinizmi, znj. ministre! Kërcënoni dy pleq të sëmurë, ish-të internuar të komunizmit, t’ju blejnë një mall, të cilin s’guxojnë as ta ëndërrojnë, e jo më ta bëjnë pronën e tyre, edhe sikur ta rinisin jetën nga e para! Se po të kishin aq të ardhura, kujtoni ju se do t’i ngrysnin netët në këtë ngrehinë-ahur!? Le të marrin pra guximin reporterët televizivë t’jua sjellin pamjet e llahtarisëse në ekran, nëse s’ju lejon axhenda e punëve ministrore ta shihni me sytë tuaj! Unë tani, zonja ministre, nuk po flas më për shkrimtarin Sokrat Shyti, që komunizmi i shkatërroi barbarisht ëndrrat, talentin, pasionin, rininë dhe vitet e jetës që nuk kthehen më… Unë po flas për atë grimë humanizëm ndaj këtyre njerëzve, të cilin humanizëm – ju si klasë politike – e majtë apo e djathtë, e shfrytëzoni vetëm si ekzotikë të retorikës elektorale, si demagogji, sa të vini në pushtet. Por, zonjë e nderuar ministre, është me vend t’jua kujtoj, me këtë rast, një thënie të Ciceronit: “Ligjet duhet të çrrënjosin veset dhe të mbjellin virtytet”.
Në një shtet, zonja ministre, ku 24 orë flitet për demokraci, kurrsesi s’duhet të përmenden fakte tronditëse e mizore si këto që ndodhin realisht, e sidomos kur titullarët e institucioneve këmbëngulin me kokëfortësi cinike t’i kundërvihen faktit jetik, ta shesin “sapunin për djathë”, ata duhet të tregohen, para së gjithash, njerëzorë, të arsyetojnë sipas thelbit të ligjit, të marrin parasysh shëndetin e qytetarit, pamundësinë reale të pagesës së këstit mujor (një pension i plotë), kur pensionistët gjenden në recesion të përhershëm ekonomik dhe me shumë vështirësi mezi përballojnë mbijetesën!…
Në platformën tuaj të koalicionit qeverisës “Rilindja” ju keni, e nderuar znj. ministre, një kapitull që flet për ndjeshmërinë që do të tregoni ndaj kësaj shtrese ish-të përndjekurish, të parehabilituar e të margjinalizuar në shoqërinë shqiptare. Ja pra tek e keni mishërimin e një rasti ideal të një pasoje të rëndë të komunizmit! Ish-i internuari për 27 vjet, qytetari Sokrat Shyti, ju ka shkruar personalisht. Po ju? Ju, përmes zyrtarëve tuaj, i keni dërguar në derë zbatimin pa ekuivok të ligjit, që e shtrëngon – o të paguajë 48 000 dollarë, o të thyejë qafën në esfel!
Jam kurioz dhe jam në pritje ta di, zonja jonë ministre, se ku fshihet sekreti “humanist” i platformës së qeverisë “Rilindja” përballë kësaj pasoje konkrete të komunizmit? Shpresoj për një zgjidhje humaniste, zonjë e nderuar, dhe, nëse vërtet do t’ia dilni ta zhdavarisni këtë absurditet të ligjit ndaj një viktime të komunizmit, unë, zonjë (dhe jo vetëm unë), do t’ju duartrokas, pa qenë më nevoja t’ju shkruaj një tjetër letër të tillë, me përmbajtje kaq të pikëlluar…
*Autori është drejtor i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)






