Ndizet debati: Çfarë gjuhe ka folur Jezu Krishti (Hazreti Isa)?


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu u përfshi në një debat me Papa Françeskun, se çfarë gjuhe ka folur Jezu Krishti.
Netanyahu tha “Jezusi ishte këtu, në këtë vend. Ai ka folur hebraisht”.
“Aramisht,” ndërhyri Papa.
“Ai ka folur gjuhën aramike, por dinte hebraisht,” u përgjigj Netanyahu.
Por çfarë gjuhe ka folur Krishti, pyet BBC.
Dr. Sebastian Brock, profesor i gjuhës aramike në Universitetin e Oksfordit thotë se të dy kanë të drejtë.
Hebraishtja ishte gjuha e shkollarëve, por gjuha e përditshme e Krishtit ka qenë ajo aramike.
Kjo gjuhë është përdorur edhe në filmin “Pasioni i Krishtit” i Mel Gibson, edhe pse nuk mund të gjenden të gjitha fjalët e përdorura në atë kohë në këtë gjuhë.
Gjuha arabe mbërriti më vonë në Palestinë.
Por latinishtja dhe greqishtja ishin gjuhë që përdoreshin zakonisht në ato kohëra.
Profesori Jonathan Katz thotë se Krishti mund të ketë ditur vetëm pak fjalë në latinisht.
Ajo ishte gjuha e ligjit dhe e ushtrisë romake dhe Krishti nuk mund të ishte shumë familjar me to.
Gjuha greke ka më shumë mundësi. Ishte një ‘lingua franca’ (gjuhë- urë) në perandorinë romake dhe përdorej nga administratorët civilë.
Kështu që ekziston mundësia që Krishti të ketë ditur ca greqisht.
Brock thotë se nuk ka prova që Krishti ka shkruar në ndonjë gjuhë.
Në ungjillin e Gjonit, ai shkruan në rërë, por nuk dihet se në çfarë gjuhe.
Ndoshta vetëm ka vizatuar, në vend që të shkruajë, thotë Brock.