Kriza ukrainase zbuloi influencën ruse në Ballkan

Nga PETRIT HALITI




Aneksimi i dhunshëm i një pjese të territorit të Ukrainës nga Rusia dhe konfl ikti, që Moska ka ndezur në pjesën lindore të atij vendi shkaktuan tronditje në sistemin europian të marrëdhënieve ndërkombëtare, por nga ana tjetër ato ndihmuan që të shihen më qartë orientimet strategjike të shteteve të veçanta në Ballkan. Sanksionet, që vendosi Bashkimi Europian ndaj Rusisë, në shenjë dënimi të agresionit rus në Ukrainë, u shndërruan në gur prove për të matur dhe për të nxjerrë në sipërfaqe thelbin e politikës së jashtme të disa shteteve ballkanike. Këto shtete, të cilat betoheshin për orientimet solide europiane dhe për dashurinë e madhe europiane, u detyruan në koniunkturën e re ukrainase që të flakin këtë maskë europiane të politikës së tyre të jashtme dhe të mbajnë qëndrime, që mbështesin dhe favorizojnë Rusinë.
Ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, me sanksionet e Bashkimit Europian ndaj Rusisë, u bashkua Shqipëria dhe Mali i Zi. Kundër sanksioneve të BE dhe në mbështetje të Rusisë doli Serbia, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina. Janë qëndrime të karakterit strategjik, që evidentojnë atë ndikim të thellë dhe të fuqishëm të Rusisë në shtetet që nuk iu bashkuan sanksioneve, siç tregojnë edhe vokacionin e vërtetë filorus të udhëheqjeve politike të shteteve, të cilët nuk iu bashkuan sanksioneve.
E parë në planin teorik, mbajtja e një qëndrimi të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës kundër sanksioneve të BE ndaj Rusisë është një e drejtë, që buron nga liria e të zgjedhurit të çdo shteti se cilin do të ketë aleat strategjik dhe cilin do të mbështesë. Mirëpo në rastin e krizës ukrainase dhe të sanksioneve të BE ndaj Rusisë, si ndëshkim për ndërhyrjen e dhunshme ruse kundër integritetit territorial të një shteti europian, ndryshon interpretimi.
Është fjala për statusin e disa shteteve ballkanike, që janë pjesë e procesit të stabilizim-asociimit dhe të integrimit në BE. Është fjala për shtete, të cilat kanë shpallur si politikë dhe orientim zyrtar të politikës së tyre të jashtme anëtarësimin në BE. Serbia është shtet kandidat, i cili këtë vit filloi edhe bisedimet me BE për Traktatin e Pranimit në organizatë. Maqedonia është shtet me statusin e kandidatit, i cili po pret nga BE një datë për hapjen e bisedimeve për Traktatin e Pranimit. Bosnjë-Hercegovina është kandidate potenciale për anëtarësim në BE.
Ka një kriter dhe kusht, sipas të cilit shtetet, të cilat kërkojnë të anëtarësohen në BE, në momentin që nisin procesin institucional të aderimit në atë organizatë, janë të detyruara që të apdejtojnë, të përshtatin dhe të përputhin politikën e tyre të jashtme me atë të Bashkimit Europian, ku duan të anëtarësohen. BE ka përcaktuar një qëndrim të qartë ndaj krizës ukrainase dhe ndaj Rusisë, dhe ndërmori sanksionet ndaj saj. Kjo do të thotë që edhe shtetet e tjera, të cilat janë në rrugën e anëtarësimit në BE, duhet të përputhin qëndrimet e politikës së tyre të jashtme me atë të BE. Kjo është tepër e rëndësishme, sepse Ukraina është një shtet europian, anëtar i OKB, i cili ka nënshkruar edhe marrëveshjen e asociimit me BE. Ukraina është një shtet i rëndësishëm dhe kriza ukrainase ka e do të ketë efektet e saj në strukturën dhe perspektivën e marrëdhënieve mes BE dhe Rusisë. Pjesë e kësaj perspektive janë edhe shtetet ballkanike, të cilat janë në rrugën e integrimit europian. Mirëpo Serbia, Maqedonia dhe Bosnjë- Hercegovina zgjodhën të distancohen nga BE dhe të mbështesin Rusinë, dhe të mos respektojnë kërkesën e përputhjes së qëndrimeve të politikës së tyre të jashtme me BE. Madje, Serbia ndërmori edhe një hap sfidues diplomatik, duke pritur në Beograd, menjëherë pas formimit të qeverisë së re serbe të kryeministrit A.Vuçiç, kryetarin e Dumës Ruse, Sergej Narishkin, i cili është një person, që ndodhet në listën e zezë të sanksioneve të BE dhe nuk mund të udhëtojë në asnjë vend të BE.
Ajo që duhet theksuar në këtë rast, është edhe fakti se Brukseli u kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë shteteve ballkanike, që janë në rrugën e integrimit europian, që të bashkohen me politikën e tij të sanksioneve ndaj Rusisë. Maja Koçijançiç, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE për politikën e jashtme, Ketrin Eshton, deklaroi me këtë rast se “Si rregull, BE gjithmonë i fton vendet e treta ta rreshtojnë veten me pozicionet tona, veçanërisht përsa u përket sanksioneve. Kjo është shumë e vlefshme për shtetet kandidate dhe kandidate potenciale, që janë angazhuar nëpërmjet marrëveshjeve të asociimit të rrisin konvergjencën me BE në çështjet e politikës së jashtme. Progresi i tyre drejt BE vlerësohet gjithashtu në këtë kontekst”.
Serbia, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina refuzuan t’i binden detyrimit të tyre dhe kërkesës së organizatës, ku ata zyrtarisht kërkojnë të hyjnë. Në zgjedhjen strategjike mes BE dhe Rusisë, ato zgjodhën Rusinë. Natyrisht, kjo përbën një realitet të ri politik, diplomatik dhe strategjik në Ballkan, gjë e cila ka disa domethënie.
Domethënia e parë është dyshimi nëse shtetet ballkanike, që refuzuan të bashkohen me sanksionet e BE, janë vërtet dhe realisht të interesuara të anëtarësohen në BE. Domethënia e dytë është nëse anëtarësimi i tyre në BE është një orientim strategjik vullnetar apo një veprim taktik i ndikuar nga një strategji afatgjatë e anëtarësimit si Kuaj Troje të politikës ruse në Bashkimin Europian. Domethënia e tretë është se për udhëheqjet politike dhe shtetërore të shteteve, që nuk iu bashkuan sanksioneve, Rusia del më e rëndësishme se sa Bashkimi Europian.
Në këtë mënyrë, nga këto qëndrime mund të konkludohet se influenca e Rusisë në shtetet ballkanike, që nuk iu bashkuan sanksioneve, është më e madhe dhe më e thellë nga sa mendohet në disa qarqe diplomatike në Bruksel. Sepse përderisa shtetet ballkanike, refuzuese të sanksioneve, dolën kundër, kjo do të thotë se ata vlerësojnë që politika agresive ruse nuk është rrezik për Europën. Qëndrimi i tyre kundër sanksioneve është mbështetje për Rusinë dhe një këmbanë e madhe paralajmëruese se në çdo përplasje apo konflikt të ardhshëm mes BE dhe Rusisë, këto shtete ballkanike do të rreshtohen me Rusinë.
Serbia, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina zgjodhën të përkrahin Rusinë, pra të përkrahin politikën ruse të aneksimit me dhunë të territoreve të shteteve sovrane. Kjo tregon se tri shtetet e mësipërme ballkanike nuk vlerësojnë rreziqet e mëdha, që përfaqëson politika agresive e Rusisë, që nisi marshimin e saj ushtarak në Ukrainë. Është një situatë e re e krijuar në raportet gjeopolitike në Ballkan, e cila të shtyn për një reflektim ndaj pasojave të kësaj politike të rreshtimit me Rusinë nga tri shtetet e mësipërme.
Shpresojmë që kjo situatë e re gjeopolitike në Ballkan të ketë zgjuar dhe krijuar disa krisje në politikën e indulgjencave të pakuptimta, që diplomacia e Brukselit ka ndjekur me shtete si Serbia dhe Maqedonia në rrugën e tyre të integrimit në BE. Serbisë iu dha statusi dhe iu hapën bisedimet e pranimit, ndonëse në qeverisje erdhi një garniturë nacionaliste, produkt i asaj politike që deri para 19 vjetësh shkaktoi katër luftëra agresive në ish-Jugosllavi. Asaj iu hapën dyert e integrimit dhe të anëtarësimit, ndonëse mban tensionet të ndezura në Mitrovicë dhe nuk po lejon prej 19 vjetësh që të konstituohet shteti unik i Bosnjë-Hercegovinës, duke mbajtur të gjallë zjarrin e separatizmit të “serpska republikës”. Maqedonisë iu dha marrëveshja e stabilizim-asociimit në kulmin e luftës së armatosur etnike kundër popullit shqiptar në Maqedoni.
Në planin gjeopolitik dhe strategjik mund të dëgjohet në Bruksel një justifikimi i kësaj indulgjence se ka qenë për të mos lejuar Serbinë dhe Maqedoninë të shkojnë zyrtarisht drejt Rusisë. Por a e ka penguar indulgjenca europiane këtë prirje proruse të udhëheqësve të këtyre shteteve? Kriza ukrainase zbuloi se nuk e ka penguar dhe se diplomacia europiane ka gjëra për të rishikuar në politikën e saj ballkanike, pas kësaj çarjeje që Rusia shkaktoi në rajon. Nuk duhet harruar se tolerancat nuk sollën ndonjë fitim as me ish-presidentin ukrainas Viktor Janukoviç, për të cilin disa në Bruksel menduan se e kishte braktisur prorusizmin e tij. Sanksionet e BE ndaj Rusisë dhe kriza ukrainase evidentuan se influenca e Rusisë në shtete si Serbia dhe Maqedonia është më e thellë nga sa mendojnë në Bruksel.
Është një prirje e brendshme, e cila nuk çrrënjoset aq lehtë dhe të dyja shtetet do ta sjellin me vete edhe kur të bashkohen me familjen e BE. Sepse anëtarësimi nuk i shndërron automatikisht shtetet dhe udhëheqjet nga prorusë në proeuropianë. Besoj se në Bruksel nuk e kanë harruar që presidenti i tanishëm i Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka deklaruar se Serbia është më mirë të jetë gubernë e Rusisë se sa anëtare e BE.
Në këto rrethana bëhet akoma më e nevojshme që indulgjenca e Brukselit të drejtohet në adresë të shteteve si Shqipëria dhe Mali i Zi, që në këto momente dramatike për Europën iu bashkuan qëndrimit të BE .
Krijimi në Ballkan i dy grupeve të shteteve, njëra palë që iu bashkuan sanksioneve të BE kundër Rusisë dhe një palë që nuk iu bashkuan sanksioneve, është një rrethanë e re e rajonale, e cila kërkon reflektimin e vet. Rusia ka influencë të rëndësishme në vendimmarrjet strategjike të shteteve si Serbia dhe Maqedonia. Kriza ukrainase e zbuloi këtë dhe diplomacitë e shteteve të tjera ballkanike është mirë ta mbajnë shënim këtë zhvillim të ri dhe të nxjerrin mësimet e duhura.