Kiribati: Ishulli i vockël që vuan mbipopullimin

Zinxhiri i ishujve të Kiribatit në Paqësor është një nga vendet më të mbipopulluara të planetit. Gazetari Julian Siddle shkoi atje për të parë se si po e trajton ky ishull problemin e mbipopullimit


Julian Siddle, BBC



Kiribati ndoshta është më shumë i njohur si një nga vendet që ka më shumë gjasa të zhduket si pasojë e ngrohjes globale. Shumica e njerëzve që jetojnë në ishullin kryesor të Kiribatit – Tarava e Jugut – mbështeten te detet përreth për të nxjerrë jetesën.

Oqeani është gjithashtu edhe kërcënimi më i madh për mbijetesën e tyre në të ardhmen: nuk ka asnjë copë tokë në këtë ishull që të gjendet më shumë se 2 metra mbi nivelin e detit, kështu që rritja e nivelit të detit mund të jetë shfarosëse për ta.


Por kjo nuk është e vetmja sfidë me të cilën përballet ky komb në Paqësor. Ai shtrihet në mbi 3.5 milionë kilometra katrorë oqean. Kiribati përbëhet nga shumë ishuj të përhapur në një territor me përmasa të ngjashme me Indinë, por shumica e popullsisë është e përqendruar në Taravën e Jugut.

Kjo copë e vogël toke është shtëpia e 50 mijë njerëzve – është e mbipopulluar me densitet të ngjashëm me Tokion apo Hong Kongun.

“Ne kemi një klimë relativisht të qëndrueshme për momentin, por një ndryshim në sjelljen e motit mund të na vendosë në brezin e hurikanëve, të cilat mjaftojnë për të na fshirë nga harta”, thotë Presidenti i Kiribatit, Anote Tong.


Ai ka bërë prej kohësh fushatë në arenën ndërkombëtare për të financuar zhvillimin e Kiribatit për të ndihmuar në rritjen e rezistencës ndaj ndryshimit të klimës, si dhe për ta zhvendosur popullatën gjetkë në rast se rritja e nivelit të detit i përmbys këta ishuj.

Gjithsesi, ndërsa efektet e ndryshimit të klimës mund të duken të largëta, ndikimi i kaq shumë njerëzve të përqendruar në një vend kaq të vogël është më i afërt.

Çështjet kyçe janë ato me të cilat përballen shumë kombe në zhvillim – sigurimi i ujit të mjaftueshëm dhe i kanalizimeve të duhura.

Ndërsa këtu bie shi në mënyrë të rregullt dhe të parashikueshme, fuçitë që nevojiten për të mbledhur ujin e shiut janë të pakta. Një pjesë e madhe e popullatës bazohet te rezervuarët e nëndheshëm dhe një rrjet kanalesh që sjell ujin e shiut në këta rezervuarë.

Këta rezervuarë janë vendosur në seksionin më të egër të ishullit në Bonriki, përreth aeroportit. Dy projekte shkencore po kërkojnë mënyrat që ky ujë i magazinuar të mund të mbrohet.

“Ne kemi vendosur 15 instrumente oqeanografike përreth barrierës koralore për të kuptuar më mirë transformimin e valëve, për të matur lartësinë e dallgëve, fuqinë e rrymave, nivelin e ujit”, thotë Herve Damlamian, një ekspert modelues numerik i bregdetit te Sekretariati i Komunitetit të Paqësorit.

Banorët vendës raportojnë se pirja e ujit tashmë shijon gjithnjë e më i kripur. Projekti i Herve, vlerësimi i mundësisë së përmbytjes së Bonrikit, po përpiqet të masë rrezikun e përmbytjeve: nëse një dallgë mbret (veçanërisht një e lartë), mbulon ishullin, duke dërguar valë që përplasen nga njëri cep në tjetrin, kjo mund të mbushë sistemin e nëndheshëm me ujë deti të papijshëm.

Një projekt tjetër po mat cilësinë e ujit.

“Nëse uji i detit kapërcen majën e ishullit, kjo do të ketë pasoja të menjëhershme katastrofike, duke shkaktuar kripëzim për 15 muaj deri në dy vjet”, thotë drejtori i projektit.

Gjithsesi, presioni demografik është një problem në këtë diskutim.

“Për sa kohë që ne marrim reshje, sistemi do të rifurnizohet, por presioni i popullsisë mbi rezervën prek edhe përmbajtjen bakteriale të ujit – ne kemi kontaminim nga shtëpitë, bujqësia, nga njerëzit që rrisin derra, si dhe nga praktikat sanitare”, thotë ai.

Në pjesë të tjera të ishullit, uji është shumë i ndotur, veçanërisht në zonat ku njerëzit banojnë mbi puse. Pranë qendrave të ishujve, plazhet janë përplot me çdolloj mbetjeje.

“Kur batica është e lartë, ajo duket si një parajsë. Por kur vjen zbatica, sheh degradimin e tmerrshëm të krijuar nga njerëzit”, thotë Klif (Cliff) Julerat, një inxhinier bregdeti në Ministrinë e Punëve Publike të Kiribatit.

Një mënyrë për t’u marrë me problemet e krijuara nga rritja e popullsisë mund të jetë rikthimi te mënyrat e vjetra të jetës, sugjeron Tabao Avaerika, sekretar i Presidentit të Kiribatit.

“Është njësoj sikur të hedhim një hap prapa në histori – por është shumë e vështirë”, thotë ai.

“Ne patëm këtë ide, t’i bindnim njerëzit të hanë babai, është një bimë ushqyese vendëse, por ajo kërkon katër orë punë për t’u gatuar. Buka e orizi janë më të lehtë për t’u gatuar, më të këndshëm dhe më të lirë. Ne gjithsesi kemi nevojë për një ndryshim tërësor mentaliteti. Për të nxitur aktivitetin e qëndrueshëm në ishujt e jashtëm në mënyrë që ato të mos bëhen si Tarava”.

Gjithsesi, të bindësh njerëzit të mos vijnë për të banuar në ishullin kryesor është e vështirë.

Artan Rajit, zëvendëskryetar i ishullit Abaiang, – një zonë më pak e populluar dhe më e gjelbër me popullsi prej më pak se 10 mijë banorë, thotë thjesht: “ajo që ne duam këtu, e kanë ata në Tarava”.

Për njerëzit që përballen me një stil jetese primitiv në ishujt e tjerë të Kiribatit, mbipopullimi dhe mjedisi i ndotur duken një çmim i pranueshëm për t’u paguar. Tarava ka disa dyqane, akses tek ushqimet e importuara, mish të konservuar, oriz dhe qendra shëndetësore.

Pavarësisht rrugëve të mbingarkuara dhe makinave të vjetra, këtu ka edhe një shans për punësim kundrejt pagës – megjithëse vetëm 20 për qind e ishullit ka punë me kohë të plotë.