Kaosi përfshin përsëri Brazilin (VIDEO) (FOTO)



 Brazilia - Indigjenët sulmuan policinë me shigjeta dhe bllokuan ekspozitën e trofeut të Botërorit pranë stadiumit “Mano Garrinça”
Rio de Zhaneiro - Fusha e stadiumit “Marakana” është shumë larg standardeve të kërkuara, pasi për momentin bari po zëvendësohet nga rëra
Manaus - Qyteti që pret sfidën Angli-Itali, në xhunglën e Amazonës, vazhdon të vuajë nga përmbytja e shkaktuar nga lumi Rio Negre 

Indigjenët dhe manifestuesit sulmojnë policinë me shigjeta

Protestat - Manifestuesit kanë bllokuar dy ditë më parë edhe autobusin e seleçaos, duke protestuar kundër luksit në të cilin jetojnë këta të fundit
Kriminaliteti - Sipas shifrave të fundit zyrtare, 29 vrasje për 100 mijë banorë e bëjnë kriminalitetin në Brazil një nga më të lartit në të gjithë botën

Botërori 2014 është vetëm dy javë larg, por në Brazil nuk mund të thuhet se të gjithë janë të lumtur për fillimin e tij. Vendi që organizon këtë aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar, ditët e fundit është përfshirë nga një valë e gjerë protestash, të cilat janë bërë aq shqetësuese sa edhe shifrat në rritje të kriminalitetit, apo vonesat në ndërtimin e infrastrukturës dhe stadiumeve, duke shkaktuar panik dhe kaos.
Mendohej që me afrimin e aktivitetit, protestat popullore do të shuheshin pak nga pak dhe vëmendja do të kthehej nga spektakli i futbollit. Por sinjali i parë i qartë se një gjë e tillë nuk do të ndodhte, u dha që me grumbullimin e kombëtares braziliane, autobusi i së cilës u sulmua nga manifestuesit që arritën ta bllokonin atë për disa minuta. “Një mësues vlen më shumë se Neimar”, ishte një nga parullat që u shfaq përreth autobusit të seleçaos, pasi manifestuesit në fjalë ishin mësues që kërkonin rritjen e rrogave. Protestuesit e kanë cilësuar të papranueshëm faktin se Brazili ka shpenzuar miliona dollarë për ndërtimin e një kompleksi luksoz stërvitor për kombëtaren, me 39 dhoma dhe facilitete të tjera, ndërsa disa qindra metra larg tij, njerëzit vuanin nga varfëria e tejskajshme.
Situata është përshkallëzuar ndjeshëm në Brazilia, ku indigjenët kishin zbritur në shesh për të manifestuar kundër zvogëlimit dhe shfrytëzimit të resurseve natyrore të rezervateve të tyre. Të armatosur me harqe dhe shigjeta, ata nuk kanë ngurruar të sulmojnë policinë, ndërsa më pas janë vërsulur drejt stadiumit “Mano Garrinça” ku po ekspozohej trofeu i Kupës së Botës. Të njoftuar për një ngjarje të tillë, organizatorët kanë mbyllur menjëherë ekspozitën, ndërsa policia nuk ka ngurruar të përdorë gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën. Bilanci i kësaj beteje të mirëfilltë ishte plagosja me shigjetë në këmbë e një polici, ndërsa ka pasur arrestime mes protestuesve.
Gjatë aktivitetit do të jenë në gatishmëri 150 mijë policë dhe 57 mijë ushtarë në të gjithë Brazilin, i cili kontrollohet pa ndërprerje nga avionët ushtarakë në ajër dhe luftanijet në det. Megjithatë, Presidentja Rusef ka kërkuar që të shmangen ngjarje të tilla në të ardhmen, pasi nuk dëshiron që Botërori të njolloset nga këto protesta, apo më keq, të përsëritet hapja e Kupës së Konfederatave ku ajo dhe Blater u pritën me vërshëllima nga tifozët. Rusef ka bërë të qartë se ngjarje si ajo e kombëtares braziliane, autobusi i së cilës u ndal në mes të rrugës, nuk duhet të ndodhin me asnjë përfaqësuese tjetër, pasi do të kishte pasoja shumë të rënda për imazhin e Brazilit në botë. Njëkohësisht, është kërkuar që policia të bëjë kontrolle më të rrepta për të ulur shifrat e kriminalitetit të cilat kanë arritur në kulmin më të lartë që nga viti 1980. Gjithë kjo situatë emergjente për sa i përket sigurisë, ka ndikuar edhe në përgatitjen e infrastrukturës, ku dihet që Brazili është në luftë me kohën për të plotësuar kushtet minimale të kërkuara nga FIFA për zhvillimin e Botërorit.