Fqinji anglez: Jeta e panjohur e Geraldinës në Londër

Mbretëresha Geraldinë me të birin e porsalindur, Princ Lekën

Ndoshta në fillim gjithçka lindi si kërshëri. Nuk të qëllon shpesh të kesh gjiton një mbret dhe një mbretëreshë. Neil Rees, një shkrimtar amator i apasionuar pas historisë së Shqipërisë, qëlloi të kish pranë kështjellën e famshme të lordit Parmur, të cilën Mbreti Zog e bleu gjatë viteve të qëndrimit në Angli. Janë ecejaket e gjithë familjes mbretërore, nga dasma e organizuar sipas Kodit Civil shqiptar dhe e zgjedhur pikërisht në ditën që përkonte me përvjetorin e martesës së Skënderbeut me Donikën (Marina Andronika), më 27 prill 1938. Ndërsa, vetëm një vit më pas u mor vesh shtatzënia e Mbretëreshës Geraldinë, e cila pati një lindje tejet të vështirë, ndërsa fëmija vetëm pesëjavësh, i pagëzuar me emrin Leka, po humbte peshë dita-ditës, çka e shqetësoi jo pak nënën e re. Zhvendosja me eskortë drejt Greqisë dhe një ambulancë e staf mjekësor që shoqëronte Mbretëreshën, e cila vetëm dy ditë më parë kish sjellë në jetë një fëmijë. Udhëtimi i princeshave, motrave të Mbretit Zog në Boston, për të siguruar kështu pajtimin mes peshkopit Fan Noli, i cili kishte qenë kundërshtar politik i Mbretit prej ditës së parë që ai ishte ngjitur në fron. Vendqëndrimi i parë pas Greqisë do të ishte Franca, aty ku pikërisht Mbreti do të shqetësohej më së shumti, pasi mësoi se e motra Ruhija ishte me kancer. Ai i vuri në dispozicion një infermiere, që i bënte shërbim të përditshëm, në kushte të rënduara fizike. Më pas, ishte Londra dhe qëndrimi disaditor në banjat e hotelit Ritz, e mandej blerja e kështjellës nga ana e Mbretit. Kujdesi për pulat, për dhitë, për kafshët shtëpiake e portretizimi i princeshë Adiles, motrës së Zogut, si nëna e familjes, për shkak se ishte personi që merrej kryesisht me anën guvernante. Shpresat e vakëta për kthimin në atdhe, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, dhe urrejtja për diktatorin Hoxha, për të cilin Mbretëresha Geraldinë thotë se ishte Zogu ai që i kishte ofruar një bursë studimore për në universitet…

Data

Martesa e Mbretit Zog me konteshën Geraldina Aponi u caktua më 27 prill 1938. Mbreti Zog e zgjodhi këtë datë, sepse ishte përvjetori i dasmës së Skënderbeut me Marina Andronikën më 27 prill 1454.

Miqtë austriakë dhe hungarezë

Farefisi i afërt i Geraldinës erdhi në mes të prillit dhe qëndruan me të. Pjesa kryesore e krushqve hungarezë erdhën më 25 prill dhe u vendosën në Hotelin Internacional. Mbretëresha Geraldinë kujton: “Përpara ceremonisë, e cila u zhvillua sipas Kodit Civil shqiptar, unë u nisa me makinë nga vila në pallat, ku më priste mamaja për të më vënë vellon në kokë dhe pastaj hyra në paradhomë për t’u takuar me Mbretin dhe princeshat. Trumbetierët i ranë një fanfare dhe unë hyra në krahun e burrit tim të ardhshëm, e veshur me një fustan të bardhë mëndafshi me bisht të gjatë dy metra, që e mbanin… nipërit e mbretit”. Një angleze me emrin Ruth Mitchell e paraqiti kështu dasmën për revistën e ilustruar të Londrës: “Në shkurt kisha në plan një udhëtim rreth botës për të studiuar çështjen e rinisë, për të cilën kisha pasur kurdoherë interesimin më të madh, kur më ofruan një pagesë të mirë që të shkoja në Shqipëri për të fotografuar martesën e Mbretit Zog. Vajta pa ndonjë qejf të madh. Vajta te martesa e Mbretit Zog me nusen e tij të vogël hungareze, konteshën Geraldina Aponi… Është Italia që e ka të plotë nën thundrën e saj atë vend të vogël dhe po i merr frymën… Por, qe më të vërtetë madhështore hordhia e farefisit hungarez të nuses, që kishte zbritur mbi atë vend të vogël… Veshjet e tyre, sidomos të burrave, ishin nga trashëgimia familjare e vjetër, shkëlqenin nga koka te këmbët me gurë të çmuar, kadife dhe ar. Ishin me të vërtetë gjëja më e hijshme që kisha parë ndonjëherë në Europë për pasurinë. Fisnikët e vjetër, që qëndronin drejt, krenarë dhe të patundur, sikur kishin dalë drejt e nga një libër përrallash”.

5 prill 1939
Princ Leka

Geraldina: “Në vjeshtë e mora vesh se do të lindja një fëmijë. Natyrisht, Mbreti mezi e priste një trashëgimtar…”. Mbreti Zog po ndërtonte një pallat për vete, ndërkohë Mbretëresha Geraldinë banonte në shtëpinë e princeshës Sanie në Tiranë. Geraldina: “Në orën tre e gjysmë, të mërkurën në mëngjes, përpara Pashkëve, në 5 prill 1939 e linda në pallat fëmijën, që do të kurorëzohej princi Leka…”. E quajtën Leka, që është trajta shqipe e emrit Aleksandër. Gjysmëmotra e Mbretëreshës Geraldinë, Sylviane Muselier, kujton: “Foshnja mbretërore bënte përshtypje, kur e pamë pasi na çuan te dhoma e fëmijëve. Motra ime, Geraldina, dukej e rraskapitur dhe nuk po e merrte veten nga një lindje e vështirë. Njëkohësisht lufta na kishte ardhur te pragu i derës …Brenda dy ditësh, familjes mbretërore iu desh të largohej menjëherë dhe të kalonte në Greqi duke e marrë Mbretëreshën me një ambulancë, ndërsa ne u detyruam të ktheheshim në Francë nga veriu”.

Shkurt-mars 1938
Udhëtimi i “Zogeshave” në SHBA

Pas fejesës së Mbretit Zog më 1938-n dhe përpara dasmës së tij, tri motrat më të vogla të Mbretit Zog bënë një udhëtim të vullnetit të mirë në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u kthyen nëpër Angli, Francë dhe Itali. Ato u nisën nga Napoli në Itali më 20 shkurt 1938 me anijen italiane “Konte di Savoia” dhe arritën në Nju-Jork më 28 shkurt. I priti Faik Konica, ministri shqiptar në SHBA, që u bë përkthyesi i tyre. Vendi i qëndrimit të tyre në SHBA ishte suita mbretërore në hotelin Ritz-Carlton në Nju-Jork dhe kudo udhëtuan me tren. Qëllimi i udhëtimit ishte të siguronin pajtimin politik me peshkopin Fan Noli, të garantonin investime amerikane në Shqipëri dhe ta ngrinin reputacionin e Shqipërisë në SHBA. Interesi publik i amerikanëve për Mbretin Zog qe ngjallur për shkak të fejesës së tij me konteshën gjysmëamerikane, Geraldina Aponi. Për pasojë, mediat amerikane e mbuluan me interes udhëtimin dhe u vunë motrave të Zogut nofkën “Zogeshat”.

Boston

Me tren ato udhëtuan nga Nju-Jorku në Boston, ku u pritën nga 6 mijë shqiptarë. Më 12 mars u bëri vizitë peshkopi Fan Noli, kreu i Kishës Ortodokse shqiptare. Noli ishte kundërshtar politik i Mbretit Zog, që kur Zogu mori pushtetin më 1924. Ato morën pjesë në një shërbesë të mëngjesit në katedralen e Shën Gjergjit, në rrugën “Emerald”, ku Fan Noli për herë të parë bëri lutje për Mbretin Zog. Kjo bëri aq përshtypje, saqë dëgjuesit bënë një gjë të pazakontë: duartrokitën. Pajtimi mori trajtë simbolike, kur Fan Noli publikisht zbriti nga navata, u shtrëngoi duart motrave të Zogut dhe u lut për to. Ato u larguan nga Bostoni më 19 mars.

7-8 prill 1939
Arratisja nga Shqipëria

Familja mbretërore mori me ngut pasaporta të reja diplomatike më 6 prill 1939. Kur u nis me karvanin e makinave, Mbretëresha Geraldinë nuk e kishte marrë veten nga lindja e djalit, dy ditë më parë. Mbreti Zog mbeti pas dhe u bashkua me të më vonë. Mbretëresha Geraldinë u nis me truprojën Zejnel Shehu. Foshnja dhe dadoja vinin pas me truprojën Muharrem Gjoka, në një makinë tjetër. Rrugës Mbretëreshës i hipën ethet dhe nuk mund t’i jepte më gji foshnjës. Geraldina: “Më shtrinë për së gjati në një dyshek të makinës ‘Chrysler’, pranë kisha një mjek dhe brenda pak minutash u nisëm. Nuk pata kohë as t’i thosha lamtumirë tim shoqi. Foshnja ishte në një makinë tjetër me njërën nga motrat e Zogut, me dadot dhe një mami që më kishte pritur fëmijën… Rrugët ishin rrëshqitëse për shkak të shiut dhe baltës në fushë, ndërsa ishin të rrezikshme me një shtresë ngrice e akulli nëpër male… Ishte një udhëtim i tmerrshëm dhe ende sot e kujtoj me tmerr. Lindja e fëmijës qe e vështirë dhe e ngadaltë, mua më kishin mbushur me ilaçe dhe isha gjysmë e pavetëdijshme. Ndërsa po largoheshim nga Tirana, ku rrugët ishin të mbushura me njerëz të shqetësuar, më bëri përshtypje qetësia e fshatrave dhe e qyteteve. Shumica e tyre nuk kishin radio dhe as mjete të tjera për të marrë vesh se çfarë po ndodhte në bregdet dhe se tashmë kishim humbur lirinë. Karvani ynë çuditërisht nuk ngjallte asnjë farë interesi. Hymë në Korçë aty nga mesdita dhe ndaluam për një drekë me ngut. Vëllai im më i vogël, Gyula, djalosh 14 vjeç, mësonte në Liceun Francez atje. Dikush vrapoi ta gjente duke e kërkuar klasë më klasë, derisa u plas në një dhomë me fëmijë të vegjël që mësonin aritmetikë, dhe u shtangën. Pa i thënë asnjë fjalë mësuesit, ai rrëmbeu Gyula-n dhe u nis me vrap te makinat, ndërsa librat e shkollës ende i kishte në dorë. Më në fund, iu afruam kufirit në të ngrysur, pas një udhëtimi të ankthshëm prej më se 14 orësh. Makinat na ishin bërë të kuqe prej baltës dhe fytyrat na ishin spërkatur e ishin hequr nga mundimet. Pika e kalimit kufitar nuk përdorej shumë dhe prandaj kishte vetëm një ushtar grek në krye të detyrës… një nga ushtarët e ngriti trarin e kufirit dhe ne kaluam në tokën greke”.

Mërgimi Prill-shtator 1939
Kërkesa për të shkuar në Angli

Në maj 1939, Mbreti Zog u lidh me Ministrinë e Jashtme britanike nga Legata Shqiptare në Ankara dhe kërkoi strehim në Angli për vete dhe shpurën e tij, që atëherë ishte 32 veta. Pasi u sigurua që ai kishte shtatë arka me ar dhe para në disa llogari bankare, u pranua strehimi i tij më 15 qershor. Kushtet e pranimit ishin që ai do të vetëfinancohej dhe se nuk do të merrej me veprimtari politike.

Largimi nga Turqia

Shumica e shpurës së Mbretit Zog, ndër ta edhe i vëllai, princi Xhelal me familjen e vet, vendosën të qëndronin në Stamboll. Më 30 qershor, një grup prej 19 vetash, duke përfshirë edhe tri motrat më të vogla të Mbretit Zog, u larguan nga Stambolli për në Rumani. Ata morën rrugën për Francë nëpër Europën Lindore dhe Skandinavi, ndërsa qëndruan rreth një javë në secilin shtet. Udhëtimi u bë me një karvan të madh makinash, që udhëtuan nëpër tokë dhe me traget. Mbretëresha Geraldinë dhe shumica e familjes mbretërore udhëtuan me tren.

Francë

Më 8 gusht 1939, Mbreti Zog dhe grupi i tij arriti me një karvan makinash në “Chateau de la Maye” në Versajë. Kur mbërritën aty, u pritën nga familjet e princeshës Adile dhe të princeshës Nafije, si edhe nga gjyshja e Mbretëreshës Geraldinë, Virginia de Strale d’Eckna dhe i vëllai Gyula Apponyi, që tashmë banonin në Paris. Kur mbaroi qiraja për kështjellën, ata kaluan në hotelin “Trianon” në Versajë. Aty qëndruan derisa shpërtheu lufta në shtator 1939. Kur Mbreti Zog u kthye nga Londra, e lëvizi grupin nga Versaja në Brittany, për t’iu shmangur bombardimeve të mundshme. Pastaj banuan në vende të ndryshme në veri të Francës. Mbreti Zog punësoi një infermiere zvicerane, zonjushën Elizabeth Aegerter, që të kujdesej për motrën e tij, Ruhijen, e cila kishte dalë me kancer. Më 13 qershor, Mbreti Zog dhe grupi prej 35 vetash e la Parisin, me një karvan prej nëntë makinash. Ata u arratisën drejt jugut për Bordo, që t’u shmangeshin gjermanëve. Të nesërmen, gjermanët pushtuan Parisin. Mbretëresha Geraldina kujton: “Nganjëherë, francezë të sjellshëm na i hapnin shtëpitë. Më kujtohet se si në një shtëpi të tillë, nusja e re e shtëpisë po priste fëmijën e vet të parë. Fëmija lindi pas nja dy ditësh më vonë, ishte një vajzë dhe si kujtim të vizitës sonë ia vunë emrin Geraldine”.

Londër: Ritz nën sulmet e Blitz

Mikesha e Mbretëreshës Geraldinë, Rozmaria, mban mend që i kishte bërë vizita shpurës së Mbretit Zog, e cila jetonte në katin e sipërm të hotelit, ndërsa shpesh flinin në banjat e grave në qilarët, të cilët ishin kthyer në strehim kundër bombardimeve. Mbretëresha Geraldinë kujton: “Jeta jonë në Londër, në Hotelin Ritz pas pak kohësh u bë diçka e zakonshme”. Teri Cooper mban mend se truprojat shkaktonin shqetësim netëve duke patrulluar nëpër korridoret dhe shkallët e hotelit. Ata e kishin zakon të mblidheshin te Lyon’s Tea Rooms, ku dy prej tyre zunë dashnore angleze, ndërsa Muharrem Gjoka gjeti partneren e vet, Mary Ward.

Vajtja në kishë

Familja e Mbretit Zog ishte myslimanë, por Mbretëresha Geraldinë ishte katolike e patundur. Veç kësaj, shumica e shërbëtoreve austriake e zvicerane, gratë franceze e belgjiane të zyrtarëve të Mbretit Zog dhe disa prej shqiptarëve gjithashtu ishin katolikë, ndër ta edhe dama shoqëruese e Mbretëreshës Geraldinë, Selma Zavalani. Të dielave, Mbretëresha Geraldinë dhe katolikët e tjerë shkonin të dëgjonin meshën në kishën katolike, aty afër në Farm Street, Mayfair, Londër W1. Kjo kishë jezuite pranonte rrëfimet në shumë gjuhë europiane për mërgatën europiane në Londër. Kur po ktheheshin nga mesha me gjyshen amerikane më 3 shtator 1940, ato dëgjuan të parën sirenë të alarmit ajror. Kur ra një bombë në Pikadilli, që hapi një krater të madh afër hotelit Ritz, shumica e familjes mbretërore iku në Chelsea, por Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldina qëndruan aty. Julian Amery ka shkruar: “Në një kohë kur mbretërit e tjerë të mërguar nuk u ndaheshin restoranteve dhe klubeve të natës në Londër, Zogu rrallë dilte në publik… Ai e quante të papërshtatshme të dukej në vende të argëtimit publik, ndërkohë që atdheu i tij ishte nën pushtimin e armikut”. Më 28 nëntor 1940, përvjetori i 28-të i pavarësisë së Shqipërisë u festua me bashkësinë shqiptare.

Ikja nga Londra

Mbretëresha Geraldinë ka shkruar: “Në maj 1941, sulmet ajrore u bënë më të rënda. Unë zakonisht rrija shtrirë, duke mbrojtur Lekën me trupin tim dhe, ndonëse ai ishte dy vjeç, më thoshte: “Mos ki frikë mami, mos ki frikë”. Epo, ndonëse ai nuk kishte frikë, unë kisha dhe që nga ajo kohë asnjëherë nuk më ka dalë frika nga bombardimet, prandaj iu luta bashkëshortit të na lejonte të iknim nga ai vend. Deri atëherë, Mbreti Zog nuk kishte pranuar të ikte nga Londra. Ai thoshte se tashmë kishim shpenzuar shumë kohë duke marrë arratinë. Por më në fund ai pranoi se unë mund të merrja me qira një shtëpi në Askot. Dhe ashtu bëmë”. Më 10 maj 1940, Mbretëresha Geraldinë, shoqëruesja e saj Selma Zavalani, princi Leka, dadoja e tij dhe disa nga shpura ikën nga Londra dhe u vendosën në Sunninghill, në Berkshire. Aty zunë vend në hotelin Berystede në rrugën Bagshot, ndërsa prisnin të gjenin një shtëpi më të lirë. Mbreti Zog erdhi të nesërmen me motrat e veta dhe pjesën tjetër të grupit. Me grupin ishte edhe një kamerier i mëparshëm nga hoteli Ritz, z. Jim Evans, i cili punonte si kryeshërbëtor, së bashku me gruan e vet zvicerane, Katy, e cila punonte si shërbëtore vetjake e mbretëreshës.

Mbajtja e shtëpisë Parmur

Mikesha e Mbretëreshës Geraldinë, Rosemary Trasenster, e mban mend që princesha Adile bënte pjesën më të madhe të gatimit, ndërsa Mbretëresha Geraldinë punonte më shumë në kopsht. Përdornin kopshtin e kuzhinës të Lord Parmurit dhe mbanin pula për vezë e lopë për qumësht. Kishin gjithashtu një dhi, dy qen, dhe një mëz për kaloshinin. Teri Cooper-i mban mend që princesha Adile shpesh i merrte në Londër për t’i çuar te një ushqimore italiane në Soho për të blerë vaj ulliri dhe makarona, të cilat nuk ishin me racion. Nganjëherë gjithashtu i shoqëronte Mbretëresha Geraldinë. Po ashtu shkëmbenin mish derri dhe racionet e pulës me banorët vendas. Phyllis Gordon- Spenceri kujton që princesha Adile “ishte një zonjë e madhe shtëpie, por ndërsa motrat e tjera të Mbretëreshës dhe të Zogut ishin shkolluar në Francë dhe në Angli, e mbanin veshje luksi të Parisit, ajo gjithnjë mbante një fustan pëlhure të thurur ngjyrë të zezë, ndërsa flokët i lidhte fort prapa si një xhufkë mbi kokë. Por, njeriu nuk mbetej aspak në dyshim se çfarë ndikimi kishte ajo mbi familjen, ndërsa e bënte vet gjithë pazarin dhe gatimin. Ishte si një copë e vërtetë nga jeta ballkanike, që kishte ardhur në Çilterns!”. Shumë veta në Frith kujtonin se ajo ishte e ëma e Zogut.


ERMIRA ISUFAJ