DOBRICA QOSIQI, ai që hapi dyert e ferrit në Ballkan

Salih Kabashi

Dobrica Qosiqi ka qenë një njeri me pak shkollë. Nuk e kishte të mbaruar as shkollën e mesme bujqësore. Doli partizan dhe u bë komisar politik. Disa nga biografët e tij thonë se në Beograd i ka shkelë opinga vetëm pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Aty ai vijon atë tipin e shkollave të cilat i mbarojnë me sukses të gjithë vijuesit edhe kur janë nxënës krejt të dobët. Të tilla ishin shkollat e partisë në komunizëm. E tillë ishte edhe Shkolla e Lartë e Partisë “Gjuro Gjakoviq” ku u formuan dhe nga ku dolën me diploma të barasvlershme me diploma universitare kuadro të panumërt shtetëror. Të tilla shkolla mbaroi pothuajse mbarë garnitura dirigjuese e shtetit komunist jugosllav. Si Dobrica Qosiqi, nxënës në atë shkollë ka qenë edhe Fadil Hoxha.

Dobrica, katundari nga Drenova e Poshtme e Terstenikut në Pomoravle herët ishte sprovuar në krijimtari letrare duke shkruar tregime të cilat nuk tërhiqnin vëmendjen e vlerësimin e askujt.

Por më 1951, 30 vjeçar, ai boton romanin e tij të njohur, të përkthyer menjëherë në gjuhën shqipe dhe i lexuar gjerësisht nga shqiptarët dhe nga jugosllavët tjerë. “Dielli është larg” (Daleko je sunce), arriti të bëhej lektyrë shkollore e domosdoshme dhe liber mjaft popullor, pothuajse njëfarë romani model për tërë letërsinë jugosllave. Praktikisht ky ishte romani i parë serb. Ngaqë proza serbe deri me paraqitjen e “Dielli është larg” të Qosiqit, nuk njihte formë tjetër letrare pos tregimeve e novelave.
Dobrica Qosiqi ka vizituar disa herë edhe Kosovën. Ai atje shkrimtarëve serbë e shqiptarë të vëllazërimbashkimuar të “Kosmetit”, me autoritetin e funksionarit, krijuesit e të ideologut të madh komunist serbojugosllav, iu ligjëronte për politikën, letërsinë, Serbinë e Jugosllavinë, për njeriun e ri të Jugosllavisë së re e të epokës poashtu të re të Josip Broz Titos…
Edhe disa vepra tjera letrare të ish-komisarit politik dhe të shefit për Agjitacion e Propagandë pranë Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Serbisë janë përkthyer shqip menjëherë pas daljes së tyre në serbishte.
Dobrica Qosiqi ka gëzuar privilegjet e shtetit komunist. Edhe kur konsiderohej “disident”, ai ishte njeriu që hynte pa trokitur në zyrat e funksionarëve të lartë serbë e jugosllavë. Ai ka mbajtur miqësi dhe ka gëzuar përkrahje nga Leka e Qeqa (Aleksandar Rankoviq dhe Svetislav Stefanoviq, i pari zëvëndës i Titos dhe krijues i OZNA-s dhe UDB-së, i dyti ministër i brendshëm i Serbisë dhe ndërtues i Goli Otokut, ishullit-burg në Adriatik.
QOSIQI PER SHQIPTARET: Në shënimet e tij të përmbledhura në serinë “Koha e gjarpërinjve” (Vreme zmija), para pak vitesh ai kishte shkruar: “Shqiptarët janë fundrrinat politike e morale të Ballkanit tribal e barbar”. “Shqiptarët përkrahen nga Amerika e UE”, në vend se një mbështetje të tillë ta gëzonin serbët – “populli më demokratik, më i civilizuar dhe më i arsimuar i Ballkanit”. Shkrimtari serb e ka pasur obsesion ndarjen e Kosovës mes Shqipërisë e Serbisë. Flitet se një një takim më 1945 në rrethinat e Kralevës ai kishte takuar Fadil Hoxhën dhe i kishte thënë:
“Kur do ta marrësh atë copë Kosove që të takon e t’ia bashkosh Shqipërisë tënde….?
E Fadili gjoja i ishte përgjigjur:
“Shoku Dobrica, sa mirë mi lexoni mendimet e mia dhe dëshirat e Kosovës…”.
Nuk mund të thuhet nëse ishte i vërtetë ose jo ky llaf që qarkullonte vesh më vesh në Kosovën e pas 1981-shit. Por mund të pohohet me siguri se karriera e tij politike në Jugosllavinë titiste merr fund më 1966 kur ai has në refuzimin e Titos dhe të liberalëve serbë (Latinka Peroviq dhe Marko Nikeziq) në idenë e tij të shfaqur publikisht në një forum partiak për ndarje të Kosovës.
Ai ishte i mendimit se sa më gjatë që do të rrinte Kosova në kuadër të Serbisë e të Jugosllavisë, ekspansioni demografik i shqiptarëve mund të çonte edhe deri te albanizimi i vetë Serbisë.
QOSIQI DHE GËNJESHTRA. Pjesa intelektuale serbe e joindoktrinuar me nacionalizëm e shovinizëm te Dobrica Qosiqi shumë herët kanë parë “një pandershmëri mbimesatare”, “një njeri që sa më shumë zhytet në amoralitet e në gënjeshtra aq më shumë i rritet fama”, “një disident me vendpune UDB-në”…
Dobrica Qosiqi nuk e kishte për turp kur shkruante për “madhështinë”, “pavarësinë”, “demokratizmin” e “humanizmin” e Titos. Në stilin e agjitpropistit të talentuar ai ka lënë të shkruar edhe këtë:
“Të jesh në rrugë të Titos domethënë të kesh qëndrim titoist ndaj jetës, titoistisht të mendosh, titoistisht të luftosh në kohën tënde, në të tashmen tënde dhe përgjithmonë…”.
Vetëm pak kohë pasi vdes Tito, ai që kishte shkruar për “revolucionarin i cili në historinë e Jugosllavisë, Ballkanit dhe Evropës hyri me hapa të mëdhenj, me ide të reja, me zërin idhnak e të butë, krejt i ndryshëm nga të gjithë prijësit, udhëheqësit e luftës e të politikës në Ballkan… ai e ndryshoi fatin e Jugosllavisë dhe emri i tij i dha vulë një epoke…”
Me të vdekur të monarkut komunist Tito, Qosiqi akuzon titoizmin se “kombin serb e la pa kokë”.
Gënjeshtra gjithmonë ka qenë veçori e Qosiqit. Gazetës italiane “Il Tempo” më 27 korrik 1989 i kishte thënë se ndarja e tij me Titon kishte ndodhur më 1960. Kishte harruar se atë vit kishte qenë i ftuari i Titos në vizitën gati tremuajshe nëpër vendet e Afrikës dhe me Titon kishte kaluar ditët në anijen Galeb, duke lundruar përreth kontinentit të zi. Kishte harruar shkrimtari i oborrit se më 1961 kishte shkruar parathënien e librit të Titos me titull “Dyzetenjëshi”. Ndoshta duke menduar se mund ta gënjejë edhe shtypin e huaj sikurse edhe publikun serb. Më vonë gjoja largimin e tij nga Titoja e kishte sellë në 1963 e 1964, por edhe këto korrigjime të tij ishin, siç thoshte Danilo Kish, gënjeshtra që një katundar dinak e bënin figurë edhe më groteske. Po Danilo Kish kishte shkruar një satirë të bukur me emrin “Poeti i revolucionit në anijen e kryetarit”, ku tallej deri në lot me katundarin me frak, i cili këmbë e kokë ishte Gexha vetë, kështu quhej një personazh i veprës së Qosiqit, Gexha ishte edhe ofiq i tij. Vojvodinasit, të gjithë serbët në jug të Beogradit, edhe sot i quajnë gexhë. Me gexhët nënkuptohen katundarët primitivë serbë… Satira e Danilo Kishit tallej me poetin e revolucionit si me një ronxhobonxho, i cili nuk di të sillet sipas protokolit, nuk di të flasë, nuk di të vishet…, i cili pshtyn në dysheme, shtin gishtat në hundë, ka probleme me higjienën…
DISIDENTI I ÇUDITSHËM. Mirko Kovaç, shkrimtari i njohur disident serbo-malazez, një kundërshar i rrebtë i nacionalizmit serb dhe i Millosheviqit, me kohë e kishte krijuar distancën me Dobrica Qosiqin, të cilin ai e konsideronte shkrimtar të raporteve intime me udhëheqësit e UDB-së, shkrimtar të favorizuar, të cilit i ishte lejuar të vizitonte Goli Otokun, njeriu që shkruante nekrologë për udbashët e vdekur, si fjala vjen për Rankoviqin, Peneziqin, Stefanoviqin…
“Kur në botën komuniste një penë shkrimtari shkruan një nekrolog për nder e lavdi të policit, i cili pas vetes ka lënë shumë fatkeqësi e drama njerëzore, ai shkrimtar kudo do të tregohej me gisht si një horr të cilit edhe do t’i merrej e drejta e fjalës. Por, në Serbi vlerat lexohen së prapthi dhe një shkrimtar i tillë vetëm sa fiton famë.”
“Disidenti” Qosiq kurrë nuk është marrë në pyetje, as një ditë nuk e ka kaluar në burg as në mërgim, ka mundur të shkojë e udhëtojë kah ka dashur e kur ka dashur dhe të shkruaj çfarë t’i donte qejfi… Ai ka mundur që pa dronë e UDB-së apo me bekimin e saj të merrte pjesë në hartimin e projekteve të cilat kanë qenë uvertyra për luftërat e përgjakshme e spastrimet etnike.
Idetë e Dobrica Qosiqit, i cili vdiq para një jave, kanë pasur ndikim vendimtar në gjithçka që politika nacionale e shtetërore serbe ka bërë për të destabilizuar e më pastaj edhe shkatëruar Kroacinë, Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën e shqiptarët e saj.
QOSIQI DHE PARALAJMËRIMI I LUFTËS. Në Lubjanë qysh më 1988 më kishte rënë të dëgjoja nga miq sllovenë për një takim të çuditshëm dhe një debat të frikshëm që kishte pasur Dobrica Qosiqi, dr. Mihailo Markoviqi (këshilltari i mëvonshëm i Millosheviqit) dhe dr. Luba Tadiq (i ati i ish-presidentit serb Boris Tadiq) me kolegët e tyre sllovenë, Dimitrij Rupelin, Taras Kermaunerin, Milan Apihun dhe disa redaktorë të revistës “Nova revija”.
Takimi ishte zhvilluar duke u zgjatur nga dreka deri në darkë më 15 nëntor 1985 në Restaurantin Mrak në Lubjanën e Vjetër.
Të gjithë aty kishin shfaqur pakënaqësitë e tyre me zhvillimet në Jugosllavi, kishin shfaqur disa ide që do të çonin në krijimin e një Jugosllavie tjetër, të tretës brenda shekullit, ose për shpërndarjen e federatës. Shkrimtarët e akademikët sllovenë e kishin thënë hapur para kolegëve të tyre serbë se Sllovenia nuk e ndjen veten jugosllave dhe se dëshiron shkëputjen nga Federata. Serbët e pranishëm, ku fjalën kryesore e kishte Dobrica Qosiqi, kishin thënë se Serbia nuk mund të durojë më tutje “mosbarazinë” e saj me republikat e tjera jugosllave dhe sidomos me dy krahinat e saj të cilat vetëm në letër janë në kuadër të Serbisë federale, pasiqë ato ishin barazuar me Serbinë në nivel Federate. “Delegacioni” serb kishte hedhur idenë e bashkimit të të gjithë serbëve në një shtet. Serbia, sipas tyre nuk kishte problem me Malin e Zi e me Maqedoninë, por donte që Kosova e Vojvodina të ktheheshin në pozitën e para 1974-shit.
- Çfarë do të bënit me serbët në Kroaci? e kishin pyetur Qosiqin.
- Nuk na bëhet vonë për ta…, kishin qenë fjalët e Qosiqit.
- Po serbët e Bosnjes?
- Serbia me asnjë kusht nuk do ta lëshojë Bosnjen. Atë do t’ia bashkojmë Serbisë…
Nuk kishte si të mos shtrohej problemi i Kosovës. Dobrica Qosiqi kishte thënë diçka që sot mund të quhet paralajmërim i skëterrës pë Kosovën:
“Serbia kaherë e ka humbur Kosovën. Një ditë ne do të detyrohemi ta braktisim atë përgjithmonë. Por, me atë rast ne do ta bëjmë Kosovën tokë të djegur… Jo vetëm kaq. Shqiptarët do t’i hedhim 50 vjet mbrapa…”
U dogj Kosova vërtetë. U shemb pesëdhjetë mbrapa? Edhe kjo duket se po. Sepse shqiptarët nacionalizmin e mësuan nga nacional-fashisti Dobrica Qosiq.