Bujqësia: A po shkaktojnë pesticidet probleme shëndetësore në Argjentinë?

Argjentina është vendi që përdori bimët e modifikuara gjenetikisht që në fillim. Sot bujqësia është zemra e ekonomisë së vendit. Por përdorimi i pesticideve ka ngritur shqetësime të mëdha për shëndetin dhe një debat të ashpër mbi shkaqet
Linda Pressly, BBC

A mundet që pesticidet – përdorimi dhe abuzimi me to – të rrisin nivelin e kancerit dhe defekteve në lindje? Kjo është pyetja që shtrohet nëpër një zonë të stërmadhe të Argjentinës ku rriten bimë të modifikuara gjenetikisht. Në Kaço, ministri i Shëndetit Publik dëshiron krijimin e një komisioni të pavarur për të hetuar një krizë shëndetësore në zhvillim.
Në një ditë të nxehtë dhe pa erë, zhurma e një avioni të vogël në largësi mezi dëgjohet. “Ata spërkasin të gjithë zonën me aeroplanë”, thotë Karlos (Carlos) Fria, i cili ka dalë për të blerë fruta dhe zarzavate në Avia Terai. Kjo bashkësi e vogël rurale gjendet në një zonë të hapur në mes të Çakos – provincën e sheshtë dhe të stërmadhe që gjendet në kufi me Paraguain.
Karlos jeton pranë Avia Terai dhe thotë se kimikatet bujqësore spërkaten pranë shtëpisë së tij, duke shkelur ligjet vendore.
“Nëse era ndryshon drejtim, kimikatet vijnë në shtëpinë time. Xhaxhai im sapo vdiq nga kanceri. Bashkëshortja ime u nda nga jeta gjithashtu nga kanceri. Tashmë gjithnjë e më shumë njerëz po vdesin nga kanceri – më herët nuk qe kështu”, thotë ai.
Kanceri po bëhet më i zakonshëm gjithkund. A mundet që eksperienca e Karlos të jetë pjesë e jetës në botën moderne? Ai nuk mendon kështu.
“Mendimi im është se kjo ka të bëjë me helmin që ata hedhin nëpër fusha”.
Çako qe dikur një zonë e famshme për pambukun. Bagëtia e trashë e rritur për mish dominonte fushën e pafundme. Tashmë është soja ajo që dominon. Argjentina është bërë një nga prodhuesit më të mëdhenj të botës për sojën e modifikuar gjenetikisht, me rreth 20 milionë hektarë nën kultivim. Ky është eksporti kryesor i vendit.
Revolucioni bioteknologjik në bujqësi ka filluar të transformojë Argjentinën në mes të viteve 1990. Dhe janë kimikatet bujqësore të cilat mbështesin prodhimin dhe njëkohësisht shqetësojnë njerëzit.
Një studim i kryer në vitin 2012 sugjeron se nga njerëzit e pyetur në Avia Terai, gati një në tre raportoi se ka dikë në familje me kancer të shfaqur përgjatë dhjetë viteve të fundit. Sa për krahasim, mes bashkësive të Çakos që merren me blegtori, vetëm 3 për qind e të pyeturve raportuan se kanë një të afërm me kancer.
Një nga autorët e raportit qe Dr. Maria del Karmen Seveso, e cila kishte detyrën e shefes së kujdesit intensiv në një spital në qytezën fqinje të Presidencia Rokue Saenz Pena, para se të dilte në pension.
Ajo thotë se rezultatet e studimit janë në përputhje me eksperiencën e saj me numrin gjithnjë e më të madh të pacientëve me kancer agresiv. Rreth një dekadë më parë ajo vuri re diçka tjetër – rritje të numrit të grave shtatzëna me eklampsia, një gjendje në të cilën rrezikohet jeta.
“Ne pamë 20 raste në pesë vjet. Pastaj më 2006, ne patëm 20 gra në vetëm një vit. Më 2007 numri u rrit sërish – ky qe viti kur ata e spërkatën tokën me kimikate në mënyrën më intensive të mundshme dhe mbollën shumicën e sojës këtu. Pastaj mjeku në detyrë për shërbimet neonatale në spital më dha disa statistika. Ato tregonin se rreth 3.5 për qind e foshnjave të lindura në spital kishin defekte në lindje, ai tha se shifra më e zakonshme duhet të jetë në rreth 1 për qind”.
Dr. Raul Horacio Lucero, kreu i biologjinë molekulare në Universitetin Kombëtar në Çakon Verilindore, mblodhi gjithashtu të dhëna për foshnjat me aftësi të kufizuara që iu referuan atij gjatë viteve 1990.
“Po flas për të gjitha llojet e aftësisë së kufizuar – disa kishin gjymtyrë mangët, të tjerë kishin shmangie në organet seksuale”, thotë ai.
“Nuk pashë asnjë ndryshim në nivelin kromozonal, kështu që unë fillova të marr në pyetje nënat. Ajo që këto nëna kishin të përbashkët qe ekspozimi ndaj kimikateve bujqësore”.
Por një nga këto vëzhgime përbën një provë shkencore.
Raporti i Sevesos, i cili bazohet në pyetësorë dhe prova anektodike nga njerëzit e zonës si Karlos, është shumë larg gjetjes së një marrëdhënieje shkak-pasojë mes kimikateve bujqësore dhe kancerit. Dhe nuk është e qartë as se ndaj cilave llojeve të pesticideve qenë ekspozuar gratë.
Mund të këtë arsye të tjera për këtë rritje të dukshme të rasteve me eklampsi dhe me deformime në lindje – ndoshta më shumë gra kanë pasur shtatzëni problematike, ose më shumë gra janë vizituar nëpër spitale  ose ndoshta më shumë foshnja të sëmura kanë mbijetuar. Problemet shëndetësore mund të shpjegohen gjithashtu, sipas sugjerimeve të shkencëtarëve, nga kimikatet brenda shtëpisë, arsenikut në ujë, apo metaleve të rënda në tokë. Askush nuk e di me siguri.
Ndërkohë, prodhuesit e kimikateve bujqësore thonë se ato janë shkencërisht të vërtetuara si jokancerogjene dhe as nuk prekin zhvillimin e riprodhimit.
Por kjo nuk e ka ndaluar debatin në Argjentinë.
Herbicidi më i përdorur në këtë vend është glifosati. Është vrasësi i barit më i shitur në botë dhe është zhvilluar në vitet 1970 nga gjiganti ndërkombëtar Monsanto. Tashmë prodhohet nga shumë kompani dhe është i miratuar si lëndë e sigurt nga agjencitë rregullatore në shumë vende të botës, përfshirë SHBA-të dhe Europën.
Soja e modifikuar gjenetikisht është rezistente ndaj glifosatit, kështu që kur kjo lëndë u spërkatet bimëve, ajo vret vetëm barishtet dhe jo bimët e sojës.
Një nga shkencëtarët më të njohur të Argjentinës, dr. Andres Carrasco, nga Universiteti i Buenos Airesit, ekspozoi embrione bretkosash përballë formulimit tregtar të glifosatit të Monsantos, që quhet Roundup.
“Ne e tretëm formulimin 5 mijë herë dhe disa nga embrionet vdiqën e disa të tjera u bënë të deformuara. Unë vendosa të injektoj glifosat të pastër tek embrionet dhe ne morëm të njëjtin rezultat”.
Keqformimet krijuan rajonet e zemrës dhe kokës. Ato qenë të ngjashme, thotë dr. Carrasco, në lidhje me disa defekte që janë shfaqur te fëmijët në zonën bujqësore me modifikime gjenetike.
Kjo qe provë eksperimentale laboratorike:
“Nuk mund të lidhësh dy gjëra bashkë në mënyrë që të mësosh shkakun e këtyre deformimeve te fëmijët, duhet të bësh eksperimente me fëmijët dhe kjo nuk është e mundur”, vijon ai. “Por është një zile alarmi për të thënë se ne duhet të shohim te problemet shëndetësore në zonën ku ne po i përdorim këto kimikate”.
Gjetjet e dr. Carrasco, të publikuara në vitin 2010, mbeten të debatuara. Monsanto i hedh poshtë ato.
“Studimi i dr. Carraco është refuzuar nga shumë shkencëtarë”, thotë Luiz Beling, president i Monsantos për rajonin jugor të Amerikës Latine.
“Ne nuk u habitëm nga rezultatet kur pamë metodologjinë e përdorur. Embrionet nuk janë mënyra më e mirë për të testuar efektivitetin e produkteve dhe ndikimin e tyre në shëndetin e njerëzve. Mënyra më e mirë për këtë është që të përdoren kafshë të gjalla. Ne kemi të dhëna shumë bindëse që tregojnë se produkti është shumë i sigurt. Nuk ka prova që, nëse ai përdoret në mënyrën e duhur, glifosati shkakton ndonjë dëm në shëndetin e qenieve njerëzore”.
“Mendoj se mundësia që ne kemi si industri është – si të sigurohemi që rregullat janë në fuqi dhe zbatohen siç duhet në mënyrë që fermerët t’i përdorin këto produkte në mënyrën e duhur?”
Nëpër zonën bujqësore me modifikime gjenetike ka ankesa se ligjet që qeverisin mënyrën se si përdoren këto lëndë dhe distanca e detyruar nga qendrat e banuara për spërkatje, nuk po respektohet. Ka gjithashtu raporte se disa familje përdorin fuçitë bosh të kimikateve kimike për të magazinuar ujë në shtëpi.
Pranë Leones, thellë në vendin e sojës, Provinca e Kordobës, ferma e  Alejandro Ferreros me 1200 hektarë ka qenë nën pronësinë e familjes që nga viti 1921. Rreth 700 hektarë janë mbjellë me sojë – - një det me bezhë të artë, gati për t’u vjelë. Ferrero përqafoi teknologjinë e modifikimit gjenetik që nga fillimi i revolucionit bioteknologjik, dhe vetëm soja i solli atij një rritje në rendiment prej 40-50 për qind. Ai nuk i beson pretendimet për një lidhje mes kimikateve bujqësore dhe shëndetit të keq.
“Mendoj se nuk ka pasur studime shkencore serioze për ta vërtetuar atë. Ka një tendencë për të akuzuar sojën dhe bimët e modifikuara gjenetikisht për shumë gjëra të këqija – kjo është politike. Por derisa unë të shoh studime serioze shkencore, unë do të vijoj të përdor këto kimikate. Në anën tjetër, unë jam i vetëdijshëm se këto kimikate duhet të përdoren me përgjegjësi”.
Ferrero thotë se ai e ka reduktuar sasinë e kimikateve bujqësore që ai përdor te bimët e veta përgjatë 20 viteve të fundit. Por nëpër pjesën tjetër të Argjentinës, përdorimi i tyre është rritur me tetë herë që nga vitet 1990 derisa ka mbërritur në mbi 300 milionë litra në vit.
Ajo që ka ndodhur është që barishtet janë bërë rezistente, pra kimikatet janë përzier ose po përdoren me përqendrim më të lartë. Ose thjesht fermerët nuk e kuptojnë siç duhet dhe nuk i ndjekin udhëzimet siç duhet.
Një nga argumentet origjinale të përdorura për të promovuar shfrytëzimin e bujqësisë së modifikuar gjenetikisht qe që barra e përdorimit të kimikateve do të ulej. Kështu, duke marrë parasysh nivelin e herbicideve që po përdoren në Argjentinë, pyetja është: A po dështon teknologjia e modifikimit gjenetik? Jo, mendon Luiz Beling nga Monsato.
“Tridhjetë e pesë milionë tonë grurë u prodhuan në Argjentinë më 1990, në krahasim me 100 milionë tonë aktualisht. Kjo është një rritje e stërmadhe – një trefishim i sasisë së drithit të prodhuar. Po, sasia e kimikateve të përdorura është rritur. Por askush nuk flet për nivelin e toksicitetit. Para vitit 1995 niveli i toksicitetit në produkte qe shumë më i lartë. Dhe me shfaqjen e Roundup dhe Glifosatit – një produkt shumë i siguritë me nivel të ulët toksiciteti, niveli i toksicitetit në tërësi është reduktuar”.
Por cili është mendimi i qeverisë mbi këtë debat në Argjentinë? Ministritë e Shëndetësisë, Bujqësisë dhe Teknologjisë që të gjitha refuzuan kërkesat për intervistë.
Në Avia Terai, Viviana Perez, dëgjon zhurmën e një avioni të lehtë që fluturon sipër, rrugës për të spërkatur fushat.
Duke u ulur mbi karrigen e saj me rrota pranë Vivianës, në kopshtin e tyre të vogël, është vajza e saj 14-vjeçare, Nadia.
“Nuk ka ilaç për vajzën time. Mjekët më thanë se shkaku i sëmundjes së saj qe pjesërisht gjenetike, por se edhe kimikatet patën ndikim të madh”, thotë Viviana.
Sëmundja e Nadias është progresive.
“Unë do të desha shumë që vajza ime të kishte të njëjtën aftësi siç e kishte më parë – të qe në gjendje të ecte vërdallë dhe të fliste me mua”.
Nuk ka prova se sëmundja e Nadias u zhvillua si rezultat i ekspozimit të nënës së saj ndaj spërkatjes së bimëve. Në Çako, ministri vendor i Shëndetit Publik, Antonio Morante, një mjek i cili ka lindur në Avia Terai, po u përgjigjet shqetësimeve të banorëve të zonës si Viviana. Ai dëshiron të komisionojë një studim shëndetësor të pavarur në provincë.
“Ne dëshirojmë që dikush të vijë nga jashtë dhe të kryejë një analizë shteruese të të gjitha këtyre rasteve. Si mjek, si ministër dhe si Cakuen, (banor i zonës), unë jam i shqetësuar që këto gra të reja  kanë aborte të padëshiruara në mënyrë të vazhdueshme dhe se fëmijët lindin me deformime, apo se ka shumë raste me kancer. Por ne kemi gjithashtu edhe shumë raste në këtë zonë ku nuk përdoren kimikate bujqësore. Pra duhet ta trajtojmë këtë me rreptësi shkencore – kjo është çfarë po bëjmë këtë vit”.