Bektashinjtë dhe revolucioni shqiptar

Kur nacionalistët shqiptarë, në marrëveshje me xhonturqit përgatitën revolucionin kundër Abdyl Hamitit, nga radhët e bektashinjve dhe melamive në revolucion u bashkuan të rinjtë më entuziastë. Dhe kështu, ndërsa sektet masonike të Selanikut tërhiqnin drejt revolucionit të gjithë donmetë, ose ndryshe judeo-myslimanët dhe seksionet e Komitetit Bashkim dhe Progres punonin në Stamboll, teqetë e melamive dhe të bektashinjve përgatisnin revolucionin shqiptar.
Bektashinjtë shqiptarë, të çuditshëm, më shumë ateistë se besimtarë…
Shënime të studiuesit italian Antonio Baldaçi të bëra 100 e ca vjet më parë
 Mes shqiptarëve kishte edhe bektashinj. Ky sekt fetar islamik është pak i njohur. Për perëndimorët, por edhe për të krishterët e lindjes, ai është i rrethuar nga misteri. Sigurisht, që në zonat e tyre, mes Beratit, Tepelenës dhe Gjirokastrës, ku kisha jetuar gjatë në vitin 1894, nuk kisha arritur aspak të depërtoj në psikologjinë e bektashinjve, ndaj të cilëve ndjehesha megjithatë më kureshtar se sa ndaj atyre që turqit i quanin çata (andartët), dhe të studioja organizimin e tyre shoqëror.
Bektashinjtë janë menjëherë të dallueshëm, që nga paraqitja dhe veshja, sidomos nga taçi. Në doktrinën e vëllazërimit të bektashinjve, ndeshen shpesh edhe ide dhe praktika të krishtere, gjë që i bën ata të duken si heretikë para syve të myslimanëve të vijës së ashpër. Ata kanë edhe dogmën e Trinitetit (Allahu, Muhameti dhe Aliu). Në ceremonitë javore të mbajtura në teqe, hanë edhe një darkë rituale në të cilën ndajnë mes tyre bukën, djathin dhe verën, edhe pse kjo e fundit është e ndaluar në Islam. Praktikojnë gjithashtu edhe rrëfimin dhe disa prej tyre edhe beqarinë, të cilat Muhameti i ka ndaluar rreptësisht si praktika fetare. Bektashinjtë përbëjnë pothuajse tërësinë e popullsisë myslimane në ish-vilajetin e Janinës. Ata janë të shumtë në numër në Tiranë, Berat, Shkodër, Elbasan, Korçë, Shkup, Prizren, Gjakovë etj., lokalitete këto në të cilat gjenden edhe objektet e tyre më të mëdha të kultit.
Një bektashi i vërtetë nga Cukarela (kështu quhet Peristeri në gjuhën vllahe), është edhe shoqëruesi im simpatik, të cilit i pëlqen biseda me mua dhe uron të më ketë mik për të gjithë jetën, e këtejme dhe të përtejme. E falenderoj për mirësjelljen e tij, e cila shpreh miqësi deri në kufijtë e mistikes.
Përveç këtij, bektashiu shqiptar na shoqëron edhe një anadollian, i quajtur Van, i cili më thotë se nga këto anë mund të shkëmbehen letra me shtëpinë vetëm një herë në pesë ose gjashtë muaj. Bëj krahasimin mes këtyre dy lloj ushtrive, të cilat i përkasin dy provincave ekstreme të Perandorisë: tek shqiptari dallohet gjallëria dhe inteligjenca e racës ariane, tek aziatiku, semiti i heshtur dhe mistik. Ata përfaqësojnë dy qytetërime të kundërta, të lidhura nga një fe e vetme, tek e cila, të them të drejtën, shqiptari më duket shumë më pak i devotshëm se sa aziatiku.