A do ta mundin mikrobet mjekësinë?

ISUF KALO

         
Farmacitë dallohen së jashtmi nga një kryq. Ai zakonisht pulson dritë të gjelbër si simbol shprese për klientët. Kurse në brendësi të kryqit shihet i vizatuar edhe një gjarpër i përdredhur rreth një kupe. Farmacitë më parë te ne nuk kishin kryqe të tillë, por gjarpri gjendej në brendësi të tyre i vizatuar mbi vazo të bardha të vendosura mbi raftet me barna. Atëherë kur unë nuk isha ende mjek pata pyetur veten i frikuar: Ç’dreqin do gjarpri aty? A nuk mund të helmojë ai barnat, farmacistët dhe në klientët pranë tij?

NGA HELMI I GJARPRIT TEK INXHINIERIA GJENETIKE

Atëherë nuk e dija se që në lashtësinë e thellë gjarpri u pat shërbyer njerëzve pikërisht me helmin e tij si ilaç shërues. Nuk dija dhe që “helmi apo farmaku” i tij i kish dhënë emrin dhe simbolin farmakologjisë e farmaceutikës si një ndër shkencat, industritë dhe bizneset më të fuqishme të sotme. Miliona jetë njerëzore të shpëtuara, sëmundje të shëruara, dhimbje e shqetësime gjithfarësh trupore e mendore të lehtësuara janë vepër e barnave e produkteve të panumërta të farmaceutikës. Fillimisht me ekstrakte nga gjethe, nga rrënjë, lule, bimë, rrëshira pemësh, kocka kafshësh, helme gjarpërinjsh, eleksirë, vajra e tintura apo organe të pluhurosura egërsirash e më pas me kombinime substancash komplekse me anët të inxhinierisë kimike deri së fundi me inxhinieri gjenetike, numri spektrumi dhe variete të barnave dhe substancave me përdorim mjekësor u rrit dhe përjeton sot një zhvillim të pandalshëm. Disa nga arritjet me efekt spektakolar në mposhtjen e epidemive dhe sëmundjeve vrastare që ndryshuan grafiket e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë të njerëzimit të tilla si anispetikët, antibakterialet, vaksinat, analgjetikët, anestezikët. Insulina, kortizoni dhe preparatet e tjera hormonale kontraceptivet, antikuagulantët, antidepresantët imunodepresoret dhe analeptiket përfaqësojnë tashme gur kilometrik të paharruar të kontributeve të farmaceutikës në mjekësi. Por kryearritja, ajo më fatlumja për shpëtimin e jetës së njerëzve ish pa dyshim zbulimi 85 vite më parë nga Aleksander Flemingu i Penicilinës, i antibiotikut të parë. Fill më pas saj dhjetëra lloje të reja antibiotikësh më të fuqishëm dhe më specifik se sa ajo u prodhuan ndër vite nga industria farmaceutike. Kjo epokë e lavdishme e mjekësisë dhe farmaceutikës mori emrin “Epoka e antibiotikëve”. Falë tyre, por edhe barnave të tjera të reja, kryqi i gjelbër pulsues në dyert e farmacisë u bë fanar shprese për qytetarët, sidomos për ata të rrezikuar në dallgët e detit të sëmundjeve. BARNAT SI ARMËT Por kjo mirësi, jo gjithmonë. Jo te cilido dhe jo pafundësisht sepse barnat, përveçse kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë mrekulli shëndetësore, për fat të keq bëjnë edhe “zullume”. Disa prej tyre nuk kanë rezultuar aq të efektshme, aq të dobishme e shpëtimtare dhe aq pa rreziqe sa ç’janë fillimisht reklamuar. Miti e fetishizmi i barnave është krijuar herë nga naiviteti apo nga mosnjohja e plotë e të vërtetave të tyre dhe herë është krijuar qëllimisht lidhur me interesat financiare tregtare e të shitjeve të tyre. E mira dhe e keqja, e dobishmja dhe e dëmshmja e tyre janë të përziera. Madje disa barna janë shëndetërisht të dëmshme, të rrezikshme, deri dhe vrastare. Prandaj një strukturë e posaçme e Farmakovigjilencës është ngritur për t’i monitorizuar dhe minimizuar ato. Parimi themelor i saj në vlerësimin e raportit dobishmërirrezikshmëri të barnave është: “Çdo bar është i rrezikshëm përderisa përfundimisht të jetë provuar shkencërisht që nuk është i tillë”. Fatkeqësisht një provë e tillë e sigurisë së plotë e përfundimtare nuk disponohet në kohën kur bari i ri me reklamë të bujshme hidhet së pari në treg. Të dhënat e besueshme vijnë shumë kohë më pas: vetëm pas përdorimit të gjatë e në shkallë të gjerë të tyre e pas studimeve dhe analizave rigorozisht shkencore. Barnat janë pa dyshim një ndër armët tona më efikase kundër sëmundjeve, por si të gjitha armët në rastet, kur keqpërdoren, ato në vend që të na mbrojnë, mundet pa dashje të na vrasin. Apo të vetëvritemi me to.

 “LIMITET E MJEKËSISË”

Për dualitetin e dobishmërisë dhe rreziqeve shëndetësore prej barnave është shkruar që në lashtësi, por libri “Limitet e mjekësisë” i filozofit e sociologut austriak Ivan Ilich, i botuar në vitin 1975, pat tronditur mjekësinë dhe botën me analizën e thellë dhe origjinalitetin e vështrimit në thellësi të këtij problemi. Ilich argumentoi se mjekësia e sotme me përdorimin e tepruar të barnave i ka kapërcyer kufijtë shkencorë të natyrshme dhe legjitim të saj. Ajo nën trysninë e farmaceutikës është “medikalizuar” e farmakologjizuar duke adaptuar qëndrime eksesive me barna qoftë dhe ndaj simptomave ose fenomeneve të natyrshme biologjike të jetës njerëzore. Në vend të ishte ndihmëse e “shërbyese” e mjekësisë, thoshte ai, farmaceutika është bërë drejtuese dhe udhëheqëse e mjekësisë. Ajo po e tërheq për hunde atë drejt interesave të ngushta të saj. Zgjidhja farmaceutike është bërë alibia prioritare dominuese e sistemeve shëndetësore. Mjekët, pacientët, qytetarët, por edhe drejtues, vendimmarës e politikëbërës të shëndetësisë janë bërë “farmakodipendentë”. Te barnat janë varur të gjitha shpresat e tyre në përballimin e sëmundjeve. Duket sikur të gjithë janë magjepsur pas barnave si lundërtarët e Odisesë nga kënga joshëse e sirenave. Për pasojë, janë kaluar në plan të dytë ose harruar masat parandaluese dhe zgjidhjet e tjera efikase jo medikamentoze shëndendet fituese. Ivan Ilich e denoncoi konceptualisht këtë fenomen jatrogjenik si: “konter produktiv, jo ekonomik dhe si monopolizëm radikal”. “Jatrogjenitë” janë dëmtime shëndetësore që u shkaktohen të sëmurëve prej keqpërdorimit të praktikës klinike mjekësore. Por Ilich ndriçoi disa aspekte psikologjike dhe sociale të dëmeve të paevidentuara më parë, që u shkaktohen atyre sidomos nga keqpërdorimi i barnave. Ai identifikoi “jatrogeninë sociale” (humbja e vendit të punës, marginalizimi, dëmtimi karrierës), “jatrogeninë kulturore” (të depandancës ndaj disa barnave) dhe “katastrofën financiare jatrogjenike” (nga shtrenjtësia e papërballueshme e barnave dhe proceduarave mjekësore) si pasojë e shpenzimeve farmaceutike për sëmundjet.

“KËMBËT E FSHEHURA” TË GJARPRIT

Pas Ilich, edhe autorë të tjerë e cenuan dhe grisën “dëlirësinë e shenjtë” të pretenduar të farmaceutikes. Jacky Law dhe Alison Bass botuan respektivisht në vitin 2006 dhe 2008 librat e bujshëm “Big Pharma” (Farmaceutika e madhe) dhe “Side Effects” (Efekte të padëshirueshme anësore). Të dyja denoncuan devijime të farmaceutikës nga misioni i pretenduar i saj shkencor humanitar si dhe nga etika, nga mekanizmat rregullatorë dhe ligjorë mbi të cilët ajo pat premtuar se do të operojë. “Farmaceutika, – shkruan Law, – është biznes. Kur ia do interesi shtiret edhe si edukatore, filantrope, si ofruese e shërbimeve shëndetësore apo dhe si avokate e pacientëve”. Dy mjekë, Robert Witaker në vitin 2010 dhe Ben Goldacre në vitin 2012, me librat e tyre “Anatomy of en epidemic” (Anatomia e një epidemie) dhe “Bad Pharma” (Farmaceutika e keqe) nxorën në pah praktika abuzive të industrisë farmaceutike lidhur me prodhimin, reklamimin e dhe marketimin e produktive si dhe manipulimet e tyre me mjekët në praktikën mjekësore në dobi të shitjes dhe përdorimit jo gjithmonë të nevojshme të tyre. Psikiatri Whiter evidentoi që “përdorimi i barnave psikotop në vend që të rregullojë çrregullimet e trurit, i shtoi ato duke krijuar epidemi”. Njëra nga mënyrat e shpërdorimit është shpikja apo fryrja e sëmundjeve duke i sajuar apo rritur artificialisht ato me anë të zgjerimit të kritereve diagnostike, me shenja apo shfaqje që janë natyrale e të zakonshme në jetën njerëzore. Kështu, në manualin e Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë të vitit 1980 figuronin 160 diagnoza psikiatrike, kurse në atë të vitit 1994 ato ishin bërë 300. Kjo vetvetiu krijoi “bum” në shitjen e antidepresantëve dhe benzodioazepinët, të cilët dolën në krye të listës së barnave më të shitura. Në diabetologji po kështu u zgjerua territori diagnostik duke ulur nivelet “patologjike” të glicemisë esëll nën shifrat e dikurshme, çka përfshiu nën mjekim medikamentoz edhe “diabetin e fshehtë” dhe prediabetin (ose para sëmundjen!!). Barnat më të shitura sot janë jo aq ato të lidhura me sëmundjet e rënda e të shpeshta, por ato që lidhen me ankesa simptomatike të popullatës apo me stilin e jetës, si barnat kundër ankthit, pagjumësisë, ato për nxitjen e dëshirës dhe fuqisë seksuale, kundër rënies apo për mbirjen e flokëve, për tharjen e lëkurës, heqjen e rrudhave, të njollave në lëkurë, ato nxitëse ose frenuese të oreksit, për rënien në peshë, barna kundër plakjes “zëvendësues të nikotinës” etj. Megjithatë, jatrogjenia më e rrezikshme për popullatën tonë dhe përgjithësisht për njerëzimin në shekullin e ri po bëhet rezistenca mikrobiale dhe bakteriale ndaj antibiotikëve, të shkaktuara nga mbipërdorimi dhe keqpërdorimi i tyre.

NJË LUFTË E TRETË BOTËRORE, JO SI TË TJERAT?

 Lufta e tretë botërore do jetë ajo kundër mikrobeve! Kështu po e quajnë jo për humor fenomenin e frikshëm të shtimit dhe përhapjes progresive të rezistencës së baktereve ndaj antibiotikëve, të cilët deri më sot patën qenë përdorur nga mjekësia më shumë efikasitet kundër tyre. Falë efektit kundërmikrobik të antibiotikëve, jeta mesatare e njerëzve në botë u rrit 20 vjet. Por çuditërisht tani bakteret po marrin revanshin, duke “paralizuar” antibiotikët dhe mundur vit pas viti mjekësinë. Keqpërdorimi i pavend, anarshik i antibiotikëve në sasi, në doza e kohëzgjatje të gabuar, përdorimi jo në rastet dhe sëmundjet e duhura, mundësoi që bakteret të bëheshin “inteligjente” për të mbijetuar duke krijuar breza të rinj të tyre gjenetikisht të ndryshuar, të afta t’i rezistojnë veprimit shfarosës të antibiotikëve. Paaftësitë, marrëzitë, kaosi dhe fodullëku i mjekësisë në përdorimin zullumqar, të paprogramuar e të pakoordinuar të antibiotikëve, krijuan si kundërpërgjigje këtë armatë të re mikrobesh kryeneçe, të pamposhtura prej armës më të suksesshme që pat mjekësia në shekullin e kaluar kundër tyre. Për pasojë, që tani po flitet me ankth për “epokën postantibiotike” në të cilën mjekësisë do t’i duhet të gjejë armë të reja të tjera për t’u përballuar me bakteret dhe shpëtuar njerëzit nga thonjtë vrastarë të tyre. Për fat të keq gjatë 20 viteve të fundit asgjë novatore nuk ka sjellë farmaceutika si zgjidhje të re. Rezistenca bakteriale e mikrobiale është shtrirë tashmë edhe në shkaktarët e tuberkulozit dhe malaries, të cilat pak vite më parë ne dhe OBSH besuam me eufori se i mposhtën definitivisht, ato po rivijnë kërcënueshëm në skenë me lloje të reja mikrobesh rezistente ndaj medikamenteve klasike të përdorura dikur me efikasitet kundër tyre.

ALARMI I PAK DITËVE MË PARË NGA ORGANIZATA BOTËRORE E SHËNDETËSISË

Një alarm të ri për këtë fenomen me shtrirje të gjerë e dha pak ditë më parë OBSH në raportin e saj “First Global Report On Antibiotic Resistence” të datës 30 prill 2014. Bazuar në studimin e fundit në 114 vende të botës, OBSH thekson se: “Rezistenca ndaj antibiotikëve përbën një kërcënim serioz në rritje për mjekësinë e sotme dhe një ndër shqetësimet prioritare shëndetësore të shekullit 21”. “Ky kërcënim, – thuhet në raport, – nuk është i së ardhmes, por është prezent që sot në çdo vend dhe rajon të botës paralajmërimet, thirrjet dhe dokumentet e prodhuara nga OBSH për këtë problem shëndetësor në ndihmë të vendeve anëtare në nivel botëror dhe europian kanë qenë të hershme e të shumta”. Në vitin 2011 OBSH, Ditën Botërore të Shëndetit ia kushtoi “Rezistencës antimikrobiale” me paralajmërimin “Po nuk vepruat sot do mbeteni pa mjekim nesër”. Çdo vit organizohet “Dita europiane e vigjilencës ndaj antibiotikëve”. Në vitin 2013 Parlamenti Europian e shpalli antibiotikorezistencën si” kërcënim shëndetësor ndërkufitar”. Asambleja Botërore e Shëndetësisë në sezonin e 66-të nxori rezolutën: “Antibiotikorezistenca, kërcënim global për sigurinë shëndetësore”. Alarmi i para pak ditëve lëshuar nga OBSH tingëllon tepër shqetësues edhe për faktin që antibiotikorezistencën te njerëzit e krijojnë jo vetëm praktika e gabuar mjekësore, por edhe përdorimi i gjerë i antibiotikëve te kafshët në veterinari dhe në industrinë ushqimore. Antibiotikët e përdorur në to përcillen te popullata konsumatore e mishit, qumështit, vezëve dhe nënprodukteve ushqimore bujqësore të tyre. Në këtë kontekst, mjekësinë, veterinarinë dhe bujqësinë tonë e thërret sot koha të bashkëpunojnë në platformë të unifikuar ndaj këtij rreziku shëndetësor madhor për popullatën.

KOHA PËR VEPRIM

 Problemi dhe kërcënimi i mësipërm është urgjent dhe më sensitivi te ne sepse antibiotikët kanë gëzuar liri përdorimi dhe shpërdorimi të jashtëzakonshëm në shëndetësinë tonë. Shqipëria mund të quhet “parajsë” dhe kampione në Europë për (keq)përdorimin e antibiotikëve. Shpenzimet për to përbëjnë rreth 20% të buxhetit total të spitaleve tona. Ndërkohë, ato pak studime të kryera te ne kanë sinjalizuar qartas dinamikën në rritje të antibiotikorezistencës, sidomos në spitalet tona. Kështu, në spitalin QSUT gjatë dekadës 1996–2006 rezistenca e: antibiotikut Amoxillinë është rritur nga 54% në 92%, e Gentamycinës nga 21% në 80% dhe e Erithromycinës nga 45% në 75%. Studiues të tjerë në Institutin tonë të Shëndetit Publik njoftojnë se 20–30% e të sëmurëve të shtruar preken nga infeksionet spitalore dhe një e treta e tyre janë antibiotikorezistentë. Rekomandimet dhe apeli i para pak ditëve i OBSH-së për daljen nga kjo gjendje drejtohen në katër nivele. Së pari ndaj popullatës me thirrjen të kontribuojë në përballimin e këtij problemi duke mos përdorur antibiotik të blerë në farmaci pa recetë nga mjeku, të vazhdojnë kurën me to pa e ndërprerë deri në fund sipas përshkrimit dhe porosive të mjekut dhe të mos përdorin antibiotik të tepruar nga kurat e mëparshme, as t’ia japë ato ndonjë pacienti tjetër. Së dyti, ndaj mjekëve dhe farmacistëve me apelin të promovojnë dhe forcojnë masat aseptike parandaluese të infeksioneve sidomos ato nazokomiale në spitale, të përshkojnë mjekim me antibiotik vetëm kur ato janë vërtet të nevojshme dhe duke përshkruar vetëm atë lloj antibiotiku që është i faktuar si më efektiv për atë sëmundje. Dhe farmacistët të mos shesin antibiotik pa recetë. Së treti, rekomandime u drejtohen drejtuesve të shëndetësisë dhe politikëbërësve me apelin të pajisin laboratorët e përmirësojnë performancën e tyre në zbulimin e shtameve mikrobike rezistente dhe të prodhojnë strategji me mekanizma të rreptë të detyrueshëm ligjorë dhe rregullatorë për përdorimin racional të antibiotikëve. Së katërti, politikëbërësve dhe industrisë farmaceutike u bëhet apel të mbështesin fuqimisht kërkimet për inovime dhe zbulimin e barnave të reja antibakteriale si dhe të promovojnë kooperimin dhe shkëmbimin e informacionit global lidhur me progresin në këtë fushë.

MË URGJENTE SE GJETKË

Në kontekstin e vendit tonë, çdonjëri nga këto rekomandime tingëllon i duhur dhe pret zbatim urgjent. Së pari, ndalimi imediat me ligj i shitjes së lirë së antibiotikëve në farmaci pa recetë të mjekut, shoqërimi i antibiotikëve me material të hollësishëm informativ për pacientët lidhur me përdorimin e drejtë të tyre, forcimi i laboratorëve bakteriologjikë dhe monitorizimi i dinamikës të infeksioneve spitalore, i spektrit mikrobik dhe i antibiogramave. Njëkohësisht kërkohet mbështetje e rigjallërim i procesit të hartimit, përhapjes dhe përdorimit të udhërrëfyesve klinikë dhe i protokolleve të praktikës klinike më të mirë të bazuar në evidencë shkencore. Së fundi (që mund të jetë edhe e para), duhet hartuar një politikë nacionale farmaceutike me gjithëpërfshirjen e palëve të interesuara lidhur me përdorimin racional të barnave (dhe antibiotikëve në veçanti), si dhe për raportet e reja të saj me mjekësinë shqiptare në tregun e lirë të sotëm farmaceutik sipas një kodi të ri etik. Këto më shumë se sa fonde shtesë kërkojnë më së pari vlerësim, vullnet dhe përgjegjësi, të cilat besoj se nuk do mungojnë.

E GJELBRA E BUKUR E KRYQIT


 E gjelbra në kryqin e farmacive e ka justifikuar veten. Ajo ka emetuar dritë dhe shpresë si për të sëmurët, ashtu dhe për mjekësinë e lidhur ngushtë me të. Mjekësia dhe farmaceutika në sinergji kanë shënuar historikisht fitore të panumërta kundër sëmundjeve. Më e lavdishmja e tyre është pa dyshim ajo e mposhtjes së mikrobeve dhe epidemive vrastare me anë të antibiotikëve. Por në dehjen e përkohshme nga kjo fitore ato fatkeqësisht po rrezikojnë sot me shkujdesje ta humbin atë. Kjo nuk duhet lejuar të ndodhë. Sepse brezat që vijnë nuk do të na e falnin kurrsesi…