Trupat ukrainase kanë kryer sulm në aeroportin në afërsi të qytetit Kramatorsk, si dhe janë futur në qytetin Slavyansk. Aktivistët kanë raportuar për të vdekur e të lënduar.
Forcat e Ukrainës fillimisht kanë nisur bisedimet me pjesëtarët e ashtuquajtur të Milicisë Kombëtare.
"Filluan të negociojnë me Milicinë Kombëtare e cila kontrollon aeroportin. Të shtënat me armë filluan papritmas”, kanë thënë pjesëtarët e Milicisë për RIA të Rusisë duke shtuar se janë disa të plagosur e mbase të vdekur. Sipas informatave jozyrtare, katër persona u vranë dhe të paktën dy janë plagosur, transmeton Telegrafi raportet e mediave perëndimore.
Anëtarë tjerë të Milicisë Kombëtare e kanë bllokuar hyrjen në Kramatorsk dhe janë të gatshëm për të mbrojtur qytetin.
Sergei Ciplakov nga Milicia ka thënë se po vazhdon “një sulm i madh në Slavyansk”.
“Mjetet e blinduara po futen në qytet. Ka plot ushtarë. Njerëzit janë gati për ta mbrojtur qytetin”.
Nga selia e OKB-së për të drejtat e njeriut në Gjenevë thonë se rusët etnikë vazhdimisht po gënjejnë se po sulmohen për të arsyetuar intervenimin e Rusisë.
“Rrëfimet e tepruara për keqtrajtimin e rusëve, raportet e rrejshme se nacionalistët ukrainas po shkojnë në Krime për të qëruar hesapet me rusët, janë përdorur për të krijuar atmosferë frike për të siguruar mbështetjen e Federatës Ruse”, thuhet në raportin që përmbyllet me ngjarjet e 2 prillit.
Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së presidenti të Ukrainës, Alexandr Turchinov, pranon se në Donetsk sot në mëngjese kanë filluar aksionet antiterroriste. Ai ka akuzuar edhe një herë Rusinë se synon të destabilizojë shtetin e tij.
"Ata duan zjarr jo vetëm në Donetsk, por në tërë jugun dhe lindjen e Ukrainës”, thotë ai.
Si masa reagimi, Ukraina ka kufizuar furnizimin me ujë të pijshëm për Krimenë, ndërsa zyrtarët perëndimor kanë kërcënuar Rusinë me sanksione të reja nëse vazhdon destabilizimin e Ukrainës. /Telegrafi/






