Primitivizëm i pashoq është të hidhërohesh me shokun dhe me mikun për një pikëpamje partiake. Këta që hidhërohen kanë harruar se partia është thjesht një grup interesi, ajo është mjeti dhe nuk është qëllimi! Jeta është shumë më e gjerë dhe tejet më kuptimplote sa t'i gjykojmë njerëzit si njerëz të mirë apo si njerëz të këqinj në saje të përkatësisë partiake. Unë kam miq që janë në RDK, në BDI e në PDSH, por të gjithë këta janë vëllezërit e mi që flasim të njëjtën gjuhë, ndajmë të njëjtin dert historik e të tanishëm dhe adhurojmë vetëm Zotin. Nëse me këta nuk pajtohemi në ndonjë hollësirë, unë atyre i dhuroj këshilla dhe njashtu prej tyre pranoj këshilla. Nuk e djegi jorganin për një plesh, por pleshtin e hedhi jashtë. Mulla Jakupi, Zoti e mëshiroftë, thoshte: "Nëse gruaja flet shumë, ajo t'i pjek buktë mirë, ta pastron oborrin e t'i edukon fëmijët si është më së miri, ndaj si ta gjykojmë atë për të keqe vetëm për një segment jo të mirë dhe në anën tjetër t'ia harrojmë të mirat e shumta"!
Burimi:Iljasa Salihu





