Gazeta "Lajm", nuk duhet të ndalet së shkruari, ngase fitojnë frikacakët. Këta që janë në pushtet do të harrohen, e "Lajm" do të vazhdojë të shkruajë. Ngjashëm siç janë harruar shumë liderë shqiptarë. Këta janë episodistë të rastit, ndërsa "Lajm" është hapur me ndihmën e një filantropi shqiptar dhe drejtuesit aktual të saj duhet të qëndrojnë stoikë përpara lexuesve, ndaj të cilëve e kanë obligim kushtetues - informimin në gjuhën shqipe.
Si bashkëthemelues i së përditshmes "Lajm", nga ndenja e obligimt kolegjial, dhe nga solidalizimi i thellë, drejtuesve të gazetës i inkurajoj që asnjëherë të mos thyhen nga kërcënimet, shantazhet dhe forma tashmë të njohura të presionit të mediave shqiptare nga vetë shqiptarët.
E di sa rëndë është të mbash media me punë, e me mund tëndin. E di nëpër çfarë vështirësi hasen mediat në gjuhën shqipe, ngaqë e kam përjetuar vet. Por, asnjëherë nuk e kam lëkundur veten për të rënë në ndikim të ndonjë subjekti politik apo grup interesi. Kam pasur edhe unë kërcënime, por i kam kuptuar se ata që kërcënojnë, në fakt janë të frikësuar vetë, dhe mendojnë se nëpërmjet kërcënimit të heshtin mediat.
Një absurd lexova këto ditë. Një përkthyues në anglisht (shqiptar), në përkthimin e artikullit të Lajm-it, e kishte rendit këtë gazetë si "buletin të PDSH-së".
Së pari "Lajm", më sa di unë, dhe kjo është e gjithëdishme, nuk është as për së afërmi në ndonjë relacion me PDSH-në, madje ka qenë më kritik se të gjitha mediat ndaj kësaj partie. Dhe, së dyti, "Lajm" nuk është as kundër BDI-së. Por, në ambientin shoqëror të shqiptarëve të Maqedonisë, është etabluar njëmendësia tek partitë shqiptare (veçanarisht kur janë në pushtet) se mediat duhen t'u prapaprijnë punëve të tyre dhe të thurrin kurore në shkrimet.
Lere që asnjëherë nuk janë munduar t'i ndihmojnë mediat në gjuhën shqipe, e që është obligim kushtetues, partitë prore ua kanë hedhur lakun mediat në gjuhën shqipe që kanë shikuar gjërat me sy tjetër. U konfirmua se si subvencionohen mediat maqedonase dhe gazetarë. Rast është Sitel-i. Pra, asnjë lider shqiptarë nuk ka arritur që në këtë sferë të ndikojë në ndarjen proporcionale të mjeteve buxhetore që jepen për mediat. Më kujtohet më 2004 kur në të gjitha mediat e shkruara në gjuhën maqedonase për dy muaj radhazi botoheshin publikimet nga një faqe të Ministrisë së Mbrojtjes për shitjen e objeketeve. Me zëvendësministrin e atëhershëm Rizvan Sulejmani, kot se folnim për këtë çështje, thjesht, thoshte se s'mund të bëjë asgjë dhe se për këtë duhet të pyetet Ali Ahmeti. Ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Ixhet Mehmeti, lere që nuk publikonte asgjë në mediat në gjuhën shqipe, po vazhdimisht i shante.
Kolegëve të "Lajm"-it nuk duhet t'u lëviz qerpiku nga këto presione. Të mos keni frikë se frikacakët dinë vetëm të frikësojnë, të guximshmit nuk bëjnë keq dhe nuk kërcënojnë. Kërcënojnë ata që kanë bërë keq dhe frikësohen nga mediat.
Më kujtohet më 2002, kur kisha sy kritikë ndaj aventurës politike të Ali Ahmetit, një koleg më pat pyetur se kush më qëndron prapa sepse, sipas tij, duhet pasur dikë të fortë prapa për të shkruar ashtu. I thash se prapa e kam veten dhe perceptimin tim, ngase gazetarinë e kisha kuptuar si mision, e jo si profesion, ngaqë në rrethana të atilla vështirë është të ndahet profesioni nga ajo se farë ka përparësi – çështja shqiptare në Maqedoni, që realisht është e hapur, e jo e mbyllur, sipas Ali Ahmetit.
Pra, gazeta "Lajm", nuk duhet të ndalet së shkruari, ngase fitojnë frikacakët. Këta që janë në pushtet do të harrohen, e "Lajm" do të vazhdojë të shkruajë. Ngjashëm siç janë harruar shumë liderë shqiptarë. Këta janë episodistë të rastit, ndërsa "Lajm" është hapur me ndihmën e një filantropi shqiptar dhe drejtuesit aktual të saj duhet të qëndrojnë stoikë përpara lexuesve, ndaj të cilëve e kanë obligim kushtetues - informimin në gjuhën shqipe.
Dhe, më 28 prill, pavarësisht se kush fiton ndër elektoratin shqiptar dhe pavarësisht se cila parti ngarend te Gruevski, besoni se gjërat nuk do të ndryshojnë.
Nëse mbetet Ali Ahmeti në pushtet, atëherë mbahuni! Por, edhe nëse përbirohet Menduh Thaçi si më 2006, mos pritni fare, sepse PDSH do të jetë edhe kërcënuese ndaj mediave shqiptare sesa BDI-ja.