Gjermani, nis “gjuetia” ndaj gënjeshtrave të politikanëve


Asnjë gënjeshtër, jemi gjermanë. Nuk është paralajmërim, por zanati i gazetarëve. Të paktën i atyre të ZDF, kanali i dytë publik gjerman, ai për të cilin Gjykata kushtetuese ishte shprehur që pesha e politikanëve të zbriste në jo më shumë se një të tretën, në organizmat e administratës dhe kontrollit. Me afrimin e zgjedhjeve europiane, redaksia e gazetës lancoi të martën rubrikën ZDFcheck, me të cilën kalon në mikroskop një seri deklaratash të bërë nga politikanët e radhës. Inventari sapo ka nisur dhe në faqen e internetit gjenden vetëm tre “procedura” të hapura, asnjëra e mbyllur deri tani. Kur ka shpallur debutimin, televizioni ka saktësuar metodologjinë e përshtatur për matjen e vërtetësisë së pohimeve. “Do të dëgjojmë ekspertë dhe do të analizojmë statistikat më të fundit që janë të disponueshme”, ka sqaruar një redaktore. Sistemi është i thjeshtë: me një lloj termometri virtual (gjithnjë i dukshëm në internet) përcaktohet një shkallë besueshmërie. Më tej, zgjedhësit mund të krijojnë një ide se kush është më shumë apo më pak “gënjeshtar” falë një instrumenti të ofruar nga televizioni publik.
“Fact Check” nuk është një risi për televizionin publik gjerman. E përdor Frank Plasberg, drejtuesi i emisionit “Hart aber fair” (I ashpër, por korrekt) që transmetohet në rrjetin e parë, ARD, kur ata që ndërhyjnë nuk janë dakord, për shembull me shifrat, apo me dikë që bën një parashikim të caktuar. Në atë pikë, Plasberg ndal diskutimin dhe i dërgon telespektatorët në investigimin e ditës pasardhëse në faqen e internetit të televizionit.
Tre të parët që kanë përfunduar në shënjestrën e ZDFcheck kanë qenë kancelarja Angela Merkel, presidenti aktual i Parlamentit Europian, Martin Schulz dhe Bernd Lucke, zëdhënësi i lëvizjes gjermane antieuro, AfD, Alternativa për Gjermaninë. “Nëse dështon Euro, dështon Europa”, është fraza e Angela Merkelit, që ZDF do ta verifikojë. Dhe të shohë nëse mantra e kancelares dhe e politikës gjermane në përgjithësi është e bazuar ekonomikisht. Për momentin janë mbledhur 19 sugjerime nga interneti, ndonëse verdiktin vendimtar do ta japin ekspertët. Deklarata e Schulzit që po investigohet i referohet nevojës për të frenuar ndërhyrjet e Brukselit edhe për cështje të vogla, deri edhe për rubinetët.
Fraza e Luckes “nën akuzë” lidhet me parashikimet për rritjen ekonomike të vlerësuar 2% për Greqinë për të justifikuar ndihmat, ndërkohë që lëvizja që ai udhëheq thotë se Greqia duhet të dalë nga Euro. Lucke përsërit që nga viti 2010, GDP i Greqisë është zvogëluar dhe nuk është rritur. Ndoshta përgjigja është më pak e sigurtë nga sa duket, por do të duhen edhe disa ditë për ta zbuluar.
Ajo që mbetet është nisma gazetareske për të zbuluar deklarata politike të pahijshme. Që ndoshta nuk do të mungojnë, por që të paktën do të kenë nderin të vlerësohen me vëmendje. Me ndihmën e qytetarëve, dhe për zgjedhësit, në mbrojtje të demokracisë./bota.al